×

Pastor, ekspozoje shpirtin tënd si Pali

Craig Barnes, presidenti i seminarit Princeton, kohët e fundit, shikoi prapa gjatë 32 viteve shërbesë së tij në kishë. Çfarë i mungon tani që nuk është më një pastor? 

Përgjigjja e tij befasuese ishte: funeralet. 

Një nga arsyet më të mëdha është se pas një varrimi, atë zakonisht e ftonin në shtëpinë e një anëtari të familjes. Njerëzit silleshin rreth e rrotull, merrnin ushqim, i ndihmonin me hidhërimin e tyre, ndanin histori, qeshnin e qanin. Në atë kohë, njerëzit shpesh mbështeten te ‘pastori’ për ngushëllim si njerëzor ashtu edhe hyjnor. Shërbestarët bëhen pjesë e një besimi të shenjtë, vëren Barnes, kur anëtarët e kishës (dhe të tjerët) për të cilët kujdesen thellësisht, “janë duke ecur me shpirtin e tyre të eskpozuar”. 

Kur Pali u shkroi Timoteut dhe Titit, ka arsye për të menduar se ai po ua ekspozonte shpirtin bashkëpunëtorëve që kishin nevojë ta (ri)ekspozonin shpirtin e tyre kundrejt Palit, madje edhe më shumë kundrejt Perëndisë. Pas disa vitesh meditim mbi këto letra, do të doja të theksoja disa pasazhe që përcjellin një thellësi të lidhjes emocionale që mund t’u shpëtojë lexuesve, të cilët ose janë të panjohur me Letrat Pastorale të Palit, ose aq shumë të familjarizuar saqë ato u janë dukur të serioze dhe të zakonshme.

Treguesit e intensitetit

Pali thotë tek 1 e Timoteut 6:11: “Por ti, o njeriu i Perëndisë, hiq dorë nga këto dhe ndiq drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë.” Fjala e përkthyer nga Greqishtja si “O!” përpara “njeriu i Perëndisë”, kumton një adresim personal të theksuar dhe zakonisht është e ngarkuar emocionalisht, siç nënkupton pikëçuditja (1101). 

Me siguri ka një ndjenjë të thellë në thirrjen e Palit. Askush tjetër në Dhiatën e Re nuk është quajtur “njeri i Perëndisë”. Sidoqoftë, fraza është përdorur në Dhiatën e Vjetër greqisht (e njohur për Palin dhe Timoteun) për figura të shquara si Moisiu, Davidi, Elia dhe Eliseu. Me sa duket, Pali e përdor atë frazë këtu për të rindezur ndjenjën e Timoteut për lidhjen e shenjtë që e siguron atë–me Perëndinë dhe me ata që janë nën kujdesin e tij pastoral. Diku tjetër tek 1 e Timoteut, Pali e forcon Timoteun dhe gjithashtu e thërret me një porosi të përsëritur nxitëse për t’i kundërshtuar mësuesit e rremë dhe për t’i kapërcyer këto kohë të rrezikshme në të cilat, “disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve” (1 e Tim. 4:1). Tregues të ngjashëm të intensitetit gjenden kudo në Letrat Pastorale.

Ndjenja e thellë e Palit, kur i bën thirrje Timoteut që të reagojë me këmbëngulje në Efes për kauzën e ungjillit (1 e Tim. 1:3), gjithashtu shfaqet qartë me shprehjen si: “Hiq dorë nga këto” (6:11), “Lufto luftën e drejtë të besimit” (6:12) dhe në fund: “Përpara Perëndisë… të bëj thirrje ta ruash këtë urdhërim” (6:13-14). Mund të përfytyroni Palin që përpiqet t’i frenojë lotët, ndërsa shkruante apo diktonte.

Ata që janë zënët në kurth dhe trauma e tyre

Ndonjëherë depërtimi në Shkrimet vjen nga studimi i tekstit dhe i sfondit të tij antik. Herë të tjera, një ngjarje aktuale na i hap sytë për diçka që e kemi parë në Shkrim njëmijë herë, por nuk e kemi vënë re. Merrni fjalën ‘lak’ në këto vargje:

“Madje duhet që ai të ketë dëshmim të mirë edhe ndër të jashtmit, që të mos shahet dhe të bjerë në lakun e djallit.” (1 e Tim. 3:7)

“Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim.” (1 e Tim. 6:9)

“Dhe të vijnë në vete, duke shpëtuar nga laku i djallit, që i ka zënë robër të vullnetit të tij.” (2 e Tim. 2:26)

Teksa po shkruaja këtë artikull, m’u rikujtua kuptimi i fjalës ‘lak’. Gruaja ime dhe unë jetonim larg rrugës në një zonë pyjore. Një fqinj kishte bagëti dhe përgjatë rrugës tonë të pjerrët kishte një gardh me tela. Sot në drekë, dikush më lajmëroi për një dre të ngordhur sipër rrugës tonë pranë gardhit dy metra e gjysmë të lartë. Ai gardh ishte bërë një lak.

Shkova me traktor të hetoja. Një drenushë bishtbardhë rreth 100 kilogramë, që nga larg dukej si në gjumë, qëndronte e qetë në bark me mjekrën që i prekte në tokë, por sytë e saj ishin të hapur, ishte e mbuluar me miza dhe kishte filluar të qelbej. Kofsha e saj e pasme dhe një nga thundrat e saj ishin kapur në telin me gjemba. Kishte dashur ta kapërcente, por e kishte llogaritur gabim. 

Gjëja më e dhimbshme që pashë ishin shenjat e gjera dhe pluhuri i ngritur mbi tokë rreth kufomës. Drenusha kishte provuar çdo mënyrë duke u rrotulluar majtas e djathtas për t’u çliruar. Mendoj se kishte ngordhur nga një kombinim i lodhjes, frikës dhe etjes. Ai dre kishte ngecur në kurth. 

Pali e njihte këtë ndjesi. Ai dikur ishte zënë në kurth duke bërë punën e djallit–në vetëdrejtësinë e tij djallëzore, në vrasjen me gurë të Stefanit dhe në momente të tjera duke përndjekur deri në vdekje ndjekësit e Krishtit. Pali e përmend këtë për të rizgjuar mahnitjen e Timoteut me mëshirën dhe hirin e Perëndisë (1 e Tim. 1:12-17).

Vizioni grotesk i njerëzve të zënë në kurth si kafshë, mund ta çojë një shërbyes në një dhembshuri të ngjashme me Krishtin.

Pali u prek nga zënia vullnetare në kurth e Jezusit–Biri i lavdishëm i Perëndisë i kufizuar për një kohë në natyrën njerëzore, në skllavëri dhe përfundimisht në vdekjen më poshtëruese që perandoria Romake mund të sajonte (Filip. 2:7, 8). Ai u bë i varfër që të tjerët, përmes varfërisë së tij, të bëhen të pasur (2 e Kor. 8: 9). Në Letrat Pastorale, Pali i kujton Timoteut rrezikun e grackës së djallit. Është një rrezik me mundësi të tmerrshme si në këtë jetë, ashtu edhe në tjetrën. Si pastor, Timoteu duhet të jetë vigjilent në shmangien e vetë kurthit dhe ai duhet të lejojë që mjerimi i atyre që janë zënë në lak ta shtyjë në përhapjen shembullore të ungjillit.

Për shembull, ata që kishin nevojë të “shpëtojnë nga laku i djallit” (shiko 2 e Tim. 2:26 më sipër) janë, në kontekst, kundërshtarët e Timoteut. Pali thotë në vargun paraardhës: “duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën.” (2:25). T’i udhëzosh butësisht kundërshtarët, me shpresën e pendimit të tyre, nuk është aspak e lehtë. Është më lehtë të bashkohesh në luftë dhe t’i rrëzosh. Gjithsesi, vizioni grotesk i njerëzve të zënë në kurth si kafshë, mund ta çojë një shërbyes në një dhembshuri të ngjashme me Krishtin. Ne me siguri shohim një zemër të plagosur në Jezusin kur Ai tha: “A nuk duhej, pra, të zgjidhej nga këto pranga, ditën e shtunë, kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur prej tetëmbëdhjetë vjetësh?” (Luka 13:16). Këtu shohim që një shpirt i ekspozuar iu afrua tjetrit.

Letra pastorale, zemër pastorale

Letrat Pastorale të Palit janë konsideruar prej disa kohësh nga disa si jo nga Pali dhe që vijnë nga një epokë pas-apostolike. Ato janë parë si të pafrytshme, institucionale dhe të cekëta, duke i quajtur si një paraqitje e rreme e Palit të vërtetë.

Megjithatë, pastorët që studiojnë, japin mësim dhe predikojnë Letrat Pastorale bëjnë mirë të kërkojnë nga afër diçka tjetër. Përfshirja e tyre në kujdesin për shpirtrat mund t’u japë një vëzhgim që shpesh u mungon studiuesve që shkruajnë komentarë. Më pas, ata mund të zbulojnë gjallërinë e një pasuesi të Krishtit, i cili mësoi një zemër të çiltër ndaj Perëndisë, kultivoi marrëdhënie të thella me bashkëpunëtorë si Timoteu dhe Titi, dhe shkroi Letrat Pastorale në të njëjtën mënyrë që jetoi, shërbeu dhe u martirizua: me shpirtin e tij të ekspozuar.

 

Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/pastor-expose-soul-paul/
Përktheu: Alehandro Dura | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet