×

Pse Jezusi e shëroi të verbrin te Marku 8 në dy faza?

Dikush që lexon ungjillin sipas Markut, me të drejtë mund të pyesë: “Pse Jezusi e shëroi të verbrin te Marku 8:22–26 në dy faza?” Edhe më herët e shohim në këtë ungjill se, thjesht me një fjalë, Jezusi mund të shërojë dikë që ndodhet larg Tij (7:29). Atëherë, pse shërimi është proces i zgjatur këtu?

Le ta nisim duke vënë në pah atë që teksti pa dyshim nuk po na e mëson. Shërimi në dy hapa nuk nënkupton se Jezusi “dështoi” në përpjekjen e parë për të shëruar, apo se Ai është disi më i paaftë. As lexuesit më sipërfaqësor të ungjillit të Markut nuk mund t’i shpëtojë qartësia e vazhdueshme me të cilën Jezusi paraqitet si Biri autoritar dhe i gjithëpushtetshëm i Perëndisë (1:1; 14:18, 27–28, 62, 72).

Nga ana tjetër, përgjigjja për pyetjen tonë na jepet shumë e qartë. Ne lexojmë për një shërim me dy hapa, sepse kështu ndodhi ngjarja në të vërtet! Ati i kishës së hershme, Papias, e konfirmoi faktin se Marku shkroi me kujdes predikimin apostolik të Pjetrit. Ne lexojmë për një shërim me dy hapa, për shkak se Jezusi, në një çast të caktuar në histori, kohë dhe hapësirë, e shëroi atë njeri në dy faza.

Megjithëkëtë, duke e vështruar me vëmendje atë ngjarje historike, pyesim përse Jezusi shëroi në këtë mënyrë? A na jep Marku ndonjë të dhënë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duke qenë rrëfyesi i këtyre ngjarjeve dhe i frymëzuar nga Fryma?

Besimi njerëzor dhe fuqia hyjnore

Te Marku 6:5, 6 na thuhet se në vendlindjen e Tij, për shkak të mosbesimit të njerëzve, Jezusi mund të bënte shumë pak mrekulli. Tjetërkund, Jezusi iu jep lutjeve ndaj Tij kushtin e qartë: “U bëftë sipas besimit tuaj!” (Mat. 9:29, kr. Marku 10:52; 11:22–24). Ndonëse mund të bëjë mrekulli edhe aty ku ka pak ose aspak besim (p.sh. Marku 5:41–42; 9:23–24), shumica e mrekullive në shërbesën e Tij në tokë janë përgjigje ndaj besimit të kërkuesit(/ve). Siç na urdhëron edhe autori i Hebrenjve në mënyrë të ngjashme: “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblyesi i atyre që e kërkojnë atë” (Heb. 11:6). A kishte besim të pamjaftueshëm i verbri, gjë që rezultoi në vonesën e shërimit të tij? Nëse po, Marku nuk na tregon gjë në lidhje me këtë.

Një vonesë të ngjashme në përgjigje ndaj pranisë autoritare të Jezusit tashmë e kemi parë te Marku 5. Teksa Jezusi i afrohet njeriut me demonin ‘legjion’, na thuhet se Ai po i thoshte atij: “Frymë e ndyrë, dil prej këtij njeriu!” (5:8). Ajo që ndodh më pas nuk është përmbushje e menjëhershme e fjalëve të Jezusit (dalja e detyrueshme e djajve), por një dialog. Vetëm më pas largohen frymët e ndyra (5:13).

Asnjë shërues “beso-dhe-shërohu” i lashtësisë apo kirurg okulist i sotëm nuk mund të krahasohet me qartësinë dhe plotësinë fizike që sjell Jezusi.

Përse Marku e tregon ndodhinë kështu? Ai mund ta shkurtonte këtë tregim shumë lehtë. Megjithatë, duke e treguar ngjarjen më ngadalë, rrjedha graduale e ngjarjeve thekson se çfarë armiku të fuqishëm kishte Jezusi përballë (një legjion armiqsh, që mund të mbytin 2000 derra!). Përmes theksimit të forcës së armikut të Jezusit, fuqia e triumfit të Tij lartësohet edhe më shumë.

Po ashtu, duke e treguar ngadalë shërimin e të verbrit për lexuesit e tij, Marku na paraqet një zhbërje dramatike e të paharrueshme të paaftësisë së këtij njeriu. Ish i verbri nuk mbetet me një miopi kronike (siç mund të kishin bërë sharlatanët e asaj kohe, “beso-dhe-shërohu”), por shikimi i tij rikthehet me një qartësi të kristaltë. Asnjë shërues “beso-dhe-shërohu” i lashtësisë apo kirurg okulist i sotëm nuk mund të krahasohet me qartësinë dhe plotësinë fizike që sjell Jezusi.

Shëmbëlltyra e demonstruar e verbërisë frymërore

Megjithëkëtë, a mos ka ndonjë synim më të thellë kjo histori? A mos sheh Marku në mrekullinë me dy hapa të Jezusit një shëmbëlltyrë për verbërinë e pjesshme të dishepujve? Është vërejtur me të drejtë se ungjilli i Markut nuk është thjesht një koleksion rastësor historish për Jezusin. Autori i frymëzuar i Ungjillit siguron tipare strukturore për t’i ndihmuar lexuesit t’i interpretojnë rrëfimet e ngjarjeve individuale.

Për shembull, historia e Jezusit që mallkon pemën e fikut tregohet në dy pjesë (11:12–14, 20–25) duke vënë në mes shpalljen nga Jezusi të gjykimit të afërt të tempullit  (11:15–19). Duket qartë që Jezusi i pa historitë si informuese në mënyrë reciproke, duke e kuptuar incidentin e pemës së fikut si një shëmbëlltyrë e zbatuar që ilustronte gjykimin e Zotit mbi Izraelin mosbesues.

Në tregimin që i paraprin shërimit të të verbrit, Jezusi i pyet qartë dishepujt: “Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni? Dhe nuk po mbani mend?” (8:18) Vështirë të jetë aksidentale që menjëherë pas këtyre fjalëve tregohet për dikë që ka sy, por nuk sheh, në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Për më tepër, pasazhi për shërimin me dy hapa është njësia e fundit letrare përpara pjesës së mirënjohur të Markut që përfshin vargjet 8:27–10:52. Këta kapituj mund t’i titullojmë “Udha e rreme e lavdisë së përbotshme përballë Udhës së kryqit”. Kjo pjesë e Markut përmban modelin e përsëritur tre herë: (1) Jezusit që parashikon vdekjen e Tij, (2) dishepujt e keqkuptojnë natyrën e dishepullimit të vërtetë, (3) Jezusi mëson se dishepullimi i vërtetë është i kushtueshëm dhe përfshin vuajtje.

Shërimi në dy hapa nuk nënkupton se Jezusi “dështoi” në përpjekjen e parë për të shëruar, apo se Ai është disi më i paaftë.

Përmes kësaj strukture letrare të përsëritur, na risillet ndër mend fakti se dishepujt, në këtë çast kritik historik, kanë një të kuptuar të pjesshme dhe të keqformuar si të shërbesës së Jezusit, ashtu edhe të domethënies së ndjekjes së Tij. Ata e shohin shërbesën e Tij me një miopi kronike, në njëfarë kuptimi. Në vend që ta shohin Jezusin si Shërbëtorin e përvuajtur të Isaias (Isaia 53), ata kanë një numër të madh keqkuptimesh. Shumë komentues biblikë shohin këtu një paralelizëm me shërimin e të verbrit. Nëse kanë të drejtë, Marku po nënkuptonte se dishepujt kishin nevojë për një “prekje të dytë” nga Jezusi (përmes shërbesës së Tij të vazhdueshme dhe mësimdhënies midis tyre) që të mund ta shihnin më qartë se kush është Ai dhe përse ka ardhur.

Të mësojmë ta shohim Jezusin më qartë

Si lexues modernë të ungjillit të Markut, ne mund të gjejmë disa zbatime për veten. Së pari, Jezusi me të drejtë na urdhëron të vijmë tek Ai me besim—duke besuar në fuqinë, mirësinë dhe dashurinë e Tij. Ne duhet t’i besojmë dhe ta adhurojmë Atë, pavarësisht nëse kjo rezulton në shërim të mrekullueshëm në jetën tonë apo thjesht në hirin për të duruar dhimbjen.

Për më tepër, kur lexojmë dhe mendojmë për historitë e Jezusit në ungjij, besimi ynë rritet, teksa sheh fuqinë, mirësinë dhe dashurinë e Perëndisë të shfaqur në Krishtin.

Së fundmi duhet të kujtojmë që shërimi fizik dhe rritja frymërore shpesh nuk janë të menjëhershme. Ne duhet të mbahemi fort pas Jezusit, duke vazhduar të shohim drejt Tij për plotësimin e nevojave tona fizike dhe frymërore. Përgjigjet për lutjet tona mund të vijnë shpejt; ose mund të vijnë përgjatë fazave të ndryshme dhe pritjes së gjatë; ose vetëm në qiejt e rinj dhe tokën e re. Pavarësisht kësaj, hiri i Perëndisë mjafton (2 e Korintasve 12:9).


Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/jesus-heal-blind-man-two-stages-mark-8/ 

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet