×

Pse libri 2 i Kronikave është libri më i nënvlerësuar i Biblës

Libri i dytë i Kronikave është libri më i nënvlerësuar i Shkrimeve të Shenjta.

Kjo vjen pjesërisht si pasojë e nisjes së ngadaltë të librit paraardhës. Gjenealogjia e stërzgjatur e kapitujve 1-9 të 1 i Kronikave është jashtë mase e mërzitshmenë sytë e shumicës së lexuesve modernë, pavarësisht se luan një rol thelbësor në projektin tërësor të autorit. Edhe kapitujt e fundit të librit të parë të Kronikave trajtojnë me hollësi përgjegjësitë priftërore dhe muzikore, të cilat mund të entuziazmojnë vetëm një teolog mjaft të përkushtuar, ose një drejtues adhurimi mjaft të gjallëruar. Prandaj, kur njerëzit arrijnë te 2 i Kronikave, janë gati ta shohin kronistin si një llogaritar pedant i palodhur, i cili duket se nuk di si t’i bjerë shkurt asgjëje.  

Pjesë e arsyes është ngaqë duket sikur po përsërit të njëjtën përmbajtje të 1 dhe 2 të Mbretërve, por duke lënë jashtë Elian dhe Eliseun (Elia në fakt shfaqet shkurtimisht te 2 i Kronikave, por nuk ka mal Karmel, zëra si një shushuritje, vakte të mrekullueshme, vreshta të vjedhur apo karroca zjarri që ngjiten në qiell). Tempulli është ende aty, bashkë me ngritjet dhe uljet e mbretërve të mirë e të këqij, por heronjtë e aksionit duket se janë hequr. Lexuesi i pavëmendshëm mund të mendojë se kronisti po përpiqet qëllimisht të na e bëjë jetën të vështirë.

Histori e dukshme adhurimi 

Ne nuk jemi thirrur për të qenë lexues të pavëmendshëm. Kur e lexojmë 2 i Kronikave për atë që është, zbulojmë që, pavarësisht se nuk përqendrohet te Elia dhe Eliseu—që faktikisht vjen si pasojë e mospërfilljes totale të mbretërisë veriore—ai shfaqet në shumë mënyra si libri historik më i qëllimshëm, më profetik, me më shumë lutje dhe adhurim në Bibël. Ky është libri i “Veprave” në Dhiatën e Vjetër: historia që tregon se si shtëpia e Perëndisë u themelua dhe u mbush me Frymën, se si populli i tij u lut, adhuroi, dështoi, u pendua, u zu rob nga armiqtë e tij dhe në fund u lirua dhe se si jojudenjtë e adhuruan Perëndinë. 

Ka heronj si Pjetri dhe Gjoni (Solomoni, Ezekia, Josia). Ka antagonistë si Herodi (Ashazi, Amoni). Ka një besimtar besnik që e vrasin me gurë, si Stefanin (Zakaria). Ka një të lig që kthehet në dishepull, si Pali, i cili u kthye nga përndjekja e popullit të Perëndisë dhe bëhet një trofe i hirit (Manaseu).

Ky është libri i ‘Veprave’ në Dhiatën e Vjetër, dhe në shumë mënyra është libri historik më i qëllimshëm, më profetik, me më shumë lutje dhe adhurim në Bibël.

Duke u përqendruar në mbretërinë jugore të Judës, kronisti ka mundësi të trajtojë më gjerësisht mbretërit e saj, duke na treguar se sa të ndërlikuar janë moralisht dhe se çfarë mund të mësojmë nga secili prej tyre. Mbretërit si Solomoni, Roboami, Asa, Jehozafati, Joasi, Uziahu, Ezekia dhe Josia trajtohen shtruar, me larmi dhe me atë që një romancier do ta quante “zhvillim të personazhit”. Ne dëgjojmë si mendojnë ata, si flasin dhe (në vargun tim të preferuar të librit) si luten:

Nuk dimë çfarë të bëjmë, i kemi sytë vetëm nga ti. (2 i Kro. 20:12)

Ne shohim mbretër të mirë që marrin vendime katastrofike, mbretër mediokër që shpengohen nga një reagim të urtë, mbretër të tmerrshëm që pendohen dhe gjejnë falje. Këta nuk janë figura vizatimore dydimensionale, të përdorura vetëm si modele për të thënë se adhurimi i Jahveut është i mirë dhe idhujtaria është e keqe. Ata janë njerëz realë, të gjithanshëm, të cilët kanë çastet e tyre të madhështisë dhe të dobësisë, dhe që kanë nevojë të mësojnë rëndësinë e përulësisë, urtësisë, bindjes dhe lutjes.

I dobishëm për pastorët

Autori interesohet gjithashtu për priftërinjtë, duke i paraqitur ata në një mënyrë tejet informuese për pastorët e sotëm. Nëse e kemi lexuar Dhiatën e Vjetër deri në këtë pikë, dimë se priftërinjtë janë përgjegjës për flijimet e kafshëve—dhe përderisa kjo është diçka që nuk e bëjmë më, për shkak të flijimit njëherë e përgjithmonë të Jezusit, është e lehtë të mendojmë se priftërinjtë nuk paskan gjë për të na mësuar për udhëheqjen. Gjithsesi ndërsa lexojmë 1 dhe 2 i Kronikave, ne zbulojmë se, edhe pse priftërinjtë ofrojnë flijimet e kafshëve, ata shihen gjithashtu edhe si adhurues dhe derëtarë. (2 i Kronikave 31:2 i përmbledh këto tre role: “për holokaustet dhe flijimet e falënderimit për të shërbyer, për të falënderuar dhe për të lavduar në portat e kampeve të ZOTIT”.)

Priftërinjtë i udhëheqin njerëzit nga ana frymërore, duke i udhëhequr ata në adhurim përmes muzikës, këngës, lavdeve dhe lutjes. Ata gjithashtu ruajnë praninë e Perëndisë si derëtarë, duke e ndaluar hyrjen e paautorizuar në shenjtërore, qoftë për të ofruar flijime (si Uziahu), apo për të grabitur arin për t’u dhënë haraç armiqve (si Ashazi). Pleqtë e kishës mund të mësojnë shumë nga mënyra se si priftërinjtë i kryejnë detyrat e tyre, si edhe çfarë ndodh nëse nuk e bëjnë këtë.

Roli i profetëve dhe profecisë

Gjithsesi, kontributi më domethënës i 2 i Kronikave për mua është mënyra se si e vë në pah rolin e profetëve dhe profecisë. Nëse te 1 dhe 2 i Mbretërve, profetët kryesisht veprojnë, te Kronikave ata mësojnë, me shumë zbatime për lexuesit si atëherë, edhe tani. Shemajahu përqendrohet te përulësia (kapitulli 12). Azariahu thekson lidhjen midis braktisjes së Perëndisë me braktisjen prej tij (kapitulli 15). Hananiu tregon lidhjen midis paqes (shalom) dhe pasjes së një zemre që është “e plotë” (shalem):

Në të vërtetë sytë e ZOTIT përshkojnë tërë dheun për të treguar forcën e tij ndaj atyre që kanë një zemër të ndershme ndaj tij. Në këtë ti ke vepruar si një i pamend; prandaj tani e tutje do të kesh luftëra. (2 i Kronikave 16:9)

Mikaihu e paralajmëroi Jozafatin se, nëse bënte aleancë me Ashabin, Izraeli do të shpërndahej si delet pa bari (kapitulli 18). Jehu shpall gjykimin për atë që deshi “ata që e urrenin Zotin” (19:2). Jahazieli i kujton Judës që “beteja nuk është e juaja, por e Perëndisë… Nuk do të jeni ju që do të luftoni në këtë betejë; zini pozicion, qëndroni pa lëvizur dhe do të shihni çlirimin e ZOTIT që është me ju.” (20:15–17). Mund të vazhdojmë duke folur për Zakarinë, Obedin, Huldën e shumë të tjerë. 

Plot me thesare

Libri i 2 i Kronikave është i mbushur plot me thesare. Ne mund të flasim për dy Abijahët, një mashkull dhe një femër, të cilët e mishërojnë temën e librit. Mund të flasim për pesë Azariahët—një profet, dy priftërinj, një mbret dhe një prijës—të cilët e shfaqin atë në mënyra shumë të ndryshme.

Në duart e afta të kronistit, të gjithë këta profetë, priftërinj, mbretër e individë të tjerë e përforcojnë zemrën e librit, e cila është gjithashtu zemra e ungjillit: që nëse pendohemi, besojmë dhe e përulim veten para Perëndisë, ai do të na shpëtojë në hirin dhe mëshirën e tij të madhe.

Falënderojeni ZOTIN, sepse dashuria e tij e qëndrueshme zgjat përjetë!

Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/2-chronicles-underrated-book-bible/
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

 

Shënim i redaktorit: 

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet