×

Si mund ta di nëse jam lakmitar?

Te 1 Korintasve 6:10, Pali liston njerëzit që nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë dhe ai përfshin edhe ‘lakmitarët’. Mesa duket, lakmia nuk është sinonimi i pasurisë, pasi ka të varfër lakmitarë dhe njerëz të pasur bujarë. Është e vështirë ta di kur kam kaluar kufirin e të fituarit ose të mbledhurit para te mëkati i lakmisë. A ka pyetje diagnostikuese për të më ndihmuar të identifikoj lakminë në jetën time?


Lakmia është sigurisht një shqetësim i thellë i Perëndisë. Përveç pasazhit të referuar, shohim lakminë të përshkruar në Shkrimin e Shenjtë si diçka që sjell rrënim (Fjalët e Urta 15:27), konflikte (Fjalët e Urta 28:25) dhe që shkatërron (Fjalët e Urta 29:4).

Sikurse me shumicën e mëkateve të tjera është e thjeshtë të fokusohesh te shembujt flagrantë ose manifestimet e jashtme, duke anashkaluar rrënjët e pleksura në zemrën tonë. Mund të tregojmë stereotipe të SHEF-ave të mbipaguar apo të mbrojtësve të ‘ungjillit’ të prosperitetit dhe të themi “Kjo është lakmi”. Sidoqoftë, kërkimi i përkufizimit të një mëkati nga rastet ekstreme, na jep mundësi të justifikohemi, pasi nuk ndihemi lakmitarë, ndërkohë që pasqyrojmë të njëjtat sjellje dhe zakone në një shkallë më të vogël.

Lakmia është një mëkat specifikisht i lehtë, në të cilin mund të biem, në kohën dhe vendin tonë. Edhe termi ‘konsumator’, termi me të cilin ekonomia globale është e zellshme të na quajë, flet për një uri themelore ose pakënaqësi në gjendjen ekzistuese (statukuonë). Nuk është paraja në vetvete, ajo që është ‘rrënja e gjithë të këqijave’ (1 Timoteut 6:10), por fakti që ne e duam atë. Siç shkruan dhe miku im, Michael Rhodes te Practicing the King’s Economy: “Nëse autorët biblikë, menduan se dashuria e një fshatari për paratë mund t’i tërhiqte ata në ferr, çfarë do të thoshin për ne?”

Ne nuk i shërbejmë një perëndie të pamjaftueshmërisë, por Perëndisë së bollëkut dhe furnizimit, i cili ka derdhur bujarinë e Tij mbi tokë dhe që na ka dhënë pasuritë e qiellit nëpërmjet flijimit të Krishtit (2 e Korintasve 8:9). Ashtu si Izraeli e braktisi Perëndinë për të shkuar pas Baalëve në tokën e Kanaanit (idhuj, të cilët u dhanë premtime ekonomike për shira të bollshme, korrje dhe bagëti pjellore), kështu edhe ne jemi të tunduar që ta kthejmë vëmendjen nga Perëndia, që jep në mënyrë. Krahasuar me pjesën më të madhe të botës moderne dhe me gjithë historinë, çdo person që po lexon këtë artikull është jashtëzakonisht i pasur. Sidoqoftë, siç thoni edhe ju, duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e ngatërrojmë pasurinë me lakminë. Ku është vija midis pjesëmarrjes së shëndetshme në aktivitetin ekonomik që e ndërton një komunitet dhe ciklin vetë-përsëritës të akumulimit të parave dhe sendeve?

Nëse autorët biblikë, menduan se dashuria e një fshatari për paratë mund t’i tërhiqte ata në ferr, çfarë do të thoshin për ne?

Këtë do ta gjesh në zemër! Lakmia është një mëkat i brendshëm, një lloj dëshire apo ëndjeje për atë që nuk të është dhënë. Është më pak e dukshme se momentet e mëkatit aktiv dhe më e dukshme në gërryerjen e saj afatgjatë të shpirtrave tanë. Ky është gjithashtu një mëkat mosbesimi; lakmia është e kundërta e besimit te sigurimi i Perëndisë, një përpjekje për siguri, në vend që të prehemi në Të.

Siç na kujton edhe Karen Swallow Prior: “Virtytet tregojnë pikën e mesme ndërmjet dy ekstremeve. Mund të biesh larg nga kujdesi ekonomik në një hendek (shpenzime të pakujdesshme dhe plëngprishëse), ashtu sikurse mund të biesh në anën tjetër (një kërkim i fiksuar për pasurinë që ju izolon nga surprizat).

Kështu që si mund ta dish kur po shkon drejt një grope? Bëji vetes këto pyetje:

  • A mund të jetosh i kënaqur me të njëjtat të ardhura që ke fituar edhe pesë vite më parë?
  • A është impulsi juaj i menjëhershëm, kur dikush ju kërkon para ose kohë për shërbesë, të gjeni një mënyrë për të dhënë?
  • A beson dhe vepron sikur statusi ekonomik i dikujt tregon vlerën e tij si person?
  • A ka diçka në jetën tënde të përditshme që mund t’ia dalësh edhe pa të, në mënyrë që të kursesh para për t’u treguar bujar?
  • A je i gatshëm të heqësh dorë ose të kufizosh kohën e kaluar me një hobi të preferuar, për të liruar veten në shërbim të kishës tënde ose në një shërbesë tjetër?

Normal që kjo listë nuk mbaron këtu, por nëse e gjen të vështirë që t’i përgjigjesh këtyre pyetjeve me ‘po’, mund të kesh ecur më thellë në shtegun e lakmisë nga sa mendon.

Ne jetojmë në një kohë dhe vend pasurish të mëdha; në kulturën tonë, toka e zemrës është e punuar dhe e gatshme për lakminë që ajo të zërë rrënjë. Pasuritë tokësore (që mund të jenë bekime të ëmbla nga Perëndia dhe pjesë e planit të Tij për t’u kujdesur për të tjerët përmes nesh), janë një dhuratë që shumë nga ne, sinqerisht, nuk janë frymërisht gati që ta mbajnë.

Marrja e këtij paralajmërimi është një hap i mirë drejt kryqëzimit të mëkatit të lakmisë në zemrat tona.

Shënim i redaktorit: 

Kolona “Ferra & Gjemba” (“Thorns & Thistles”) e TGC, kërkon të zbatojë mençurinë me këshilla praktike për besimin, punën dhe ekonominë. Nëse keni një pyetje se si të mendoni dhe të praktikoni punën tuaj në një mënyrë që nderon Zotin, na tregoni në [email protected].

 

Përktheu: Alehandro Dura / Redaktoi: Linea Simeon

LOAD MORE
Loading