×

Si t’i mbijetosh pasazhit më të frikshëm të Biblës

Të krishterët mund të mos bien dakord se cili është pasazhi më i frikshëm në Bibël, por shumica do të ishte dakord se fjalët përmbyllëse të Jezusit te Predikimi në Mal janë ndër më të frikshmet. 

Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej. Shumë do të më thonë atë ditë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?” Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi.” (Mateu 7:21–23)

Është e frikshme të mendosh të shkuarit në ferr. Është edhe më e frikshme të zbulosh shumë vonë se do të shkosh në ferr, kur mendoje se do të shkoje në parajsë. E akoma më e frikshme të mendosh se jo vetëm disa, por ‘shumë’ do ta përjetojnë këtë. Disa njerëz mendojnë se janë të krishterë, ata e quajnë Jezusin ‘Zot’, madje bëjnë edhe vepra të mëdha në emrin e tij–e megjithatë nuk janë vërtet të shpëtuar dhe nuk kanë qenë ndonjëherë.

Kur lexojmë këtë pasazh, tundohemi të themi: Kush mund ta dijë atëherë nëse është i shpëtuar? Sigurisht që duket sikur po rrezikojmë shumë. Bën më të mirën për ta ndjekur Jezusin, por kush e di nëse do të humbësh në fund.

Gjithsesi, nuk ishte ky qëllimi i Jezusit këtu. Ai nuk po përpiqet të na hutojë apo të na lërë në pasiguri. Është e vërtetë, Ai nuk do që ne të mashtrohemi, por nuk do as që të jetojmë në frikë ose pasiguri në lidhje me gjendjen tonë përfundimtare. 

Prandaj, më lejo të të ofroj dy mënyra për ta ruajtur–madje edhe për ta rritur–sigurinë përballë këtij pasazhi të frikshëm.

1. Kupto çfarë do të thotë të “kryesh vullnetin e Atit”

Në vargun 21, Jezusi e përshkruan atë që do të hyjë në mbretëri si “ai që kryen vullnetin e Atit tim”. Çfarë kuptimi ka vërtet kjo? Duke gjykuar nga konteksti, duhet të nënkuptojë më shumë sesa thjesht të thënët: “Zot, Zot” dhe të bërit vepra të mëdha në emrin e Jezusit. Atëherë nga ta dimë nëse po kryejmë vullnetin e Atit? Dhe, a duhet ta bëjmë në mënyrë të përsosur këtë?

Për të marrë përgjigjen, duhet të theksojmë se kjo është hera e dytë gjatë Predikimit në Mal që Jezusi ka folur për “hyrjen në mbretërinë e qiejve”. Hera tjetër është vargu i temës së Predikimit, Mateu 5:20: “Në qoftë se drejtësia juaj nuk është më e lartë nga ajo e skribëve dhe e farisenjve ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.” Ndërsa i krahasojmë këto dy pasazhe, mund të themi se të “kryesh vullnetin e Atit” është paralele me të pasurit një drejtësi më të lartë. Pra, si rrjedhojë, Mateu 7:21–23 po përshkruan ata, drejtësia e të cilëve, nuk është më e lartë se ajo e skribëve dhe e farisenjve.

Ja përse kjo ka rëndësi. Kur Jezusi thotë se drejtësia jonë duhet të jetë më e lartë se ajo e farisenjve, nuk po thotë: “Bëni atë që bëjnë edhe ata, por bëjeni më mirë.” Nuk është se farisenjtë nuk u përpoqën mjaftueshëm–por sepse po përpiqeshin shumë me gjërat e gabuara. Ata po e kuptonin pjesën më të rëndësishme, duke u përqendruar në sjelljet e jashtme për të marrë lavdërim nga njerëzit ndërkohë që neglizhonin drejtësinë, dashurinë, mirësinë dhe ecjen e përulur me Perëndinë (Mikea 6:8; Mateu 23:23).

Kur lexojmë këtë pasazh, tundohemi të themi: Kush mund ta dijë atëherë nëse është i shpëtuar? Sigurisht që duket sikur po rrezikojmë shumë. Bën më të mirën për ta ndjekur Jezusin, por kush e di nëse do të humbësh në fund.

Skribët dhe farisenjtë nuk po e kryen vullnetin e Atit. Pikë. Nëse do të shohësh si i trajtuan ata urdhërimet e Perëndisë, lexo Mateu 5:21–48. Nëse do të shohësh si agjëronin, luteshin e jepnin lëmoshë, lexo Mateu 6:1–18. ‘Drejtësia’ e tyre nuk ishte një përpjekje e sinqertë për të kënaqur Perëndinë, të cilën më pas Jezusi i fiksuar pas detajeve e pa dhe tha: “Shumë mirë, por jo mjaft mirë sa për të hyrë në mbretëri.” Ato ishin një grumbull rrobash të ndotura që lavdëronin veten (Isaia 64:6).

Kryerja e vullnetit të Atit nuk është thjesht diçka e jashtme. Farisenjtë dukeshin të pastër nga jashtë, por qelbeshin në padrejtësi nga brenda (Mateu 23:25, 26). Ajo që Jezusi përshkruan këtu është një drejtësi që rrjedh nga një zemër e pastër dhe nga një besim i sinqertë (Mateu 5:8; 1 e Timoteut 1:5). Është fryt–fryt i mirë, sepse është rritur në tokë të mirë (Mateu 7:17). Është ajo drejtësi që mund ta praktikosh vetëm kur ke lindur sërish përmes Frymës së Perëndisë dhe kështu (nga njëfarë kuptimi) ke hyrë tashmë në mbretëri (Mateu 5:3; Gjoni 3:3, 5).

Jezusi nuk po na thotë që të bëhemi më farisenj se farisenjtë, as nuk po na thotë se duhet ta zbatojmë Predikimin në Mal përsosmërisht për të qenë të sigurt se jemi të krishterë të vërtetë. Përkundrazi, sipas Predikimit në Mal, një i krishterë i vërtetë është dikush që lutet vazhdimisht kështu: “At, m’i fal fajet e mia” (Mateu 6: 9–13; krah.1 e Gjonit 1: 8–2:1). Fariseu është ai që e falënderon Zotin se është më i mirë se të tjerët. Një i krishterë i vërtetë lutet: “O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit” (Luka 18: 9–14).

Shtegu i ngushtë është për njerëzit që janë skamës në frymë, që vajtojnë për mëkatin e tyre dhe që kanë uri, dhe etje për drejtësi (Mateu 5: 3–6; 7:13, 14). Ata njerëz do të jenë të kënaqur–tani dhe veçanërisht më vonë, kur Jezusi të përmbushë mbretërinë e tij.

Jezusi nuk po na thotë që të bëhemi më farisenj se farisenjtë, as nuk po na thotë se duhet ta zbatojmë Predikimin në Mal përsosmërisht për të qenë të sigurt se jemi të krishterë të vërtetë.

Bërja e vullnetit të Atit, pra, nuk është ndonjë standard i pamundur. Ai mund t’ju përshkruajë dhe ju mund ta dini se ju përshkruan juve. Dhe nëse jeni një i krishterë i vërtetë, ai do të të përshkruajë ty–të papërsosur, po, por gjithnjë e më afër përsosmërisë. Për të krishterin e vërtetë, pyetja nuk është “A jam i përsosur?” (Drejtësia e Krishtit që na është llogaritur ne tashmë e ka përmbushur atë nevojë), por “A e njoh Jezusin?”, ose më mirë akoma, “A më njeh Jezusi mua?

Kjo na çon në pikën e dytë.

2. Dalloni se kush është “Njohësi” kryesor

Gjatë pjesës më të madhe të jetës time, e kam lexuar vargun 23 sikur Jezusi po thoshte: “Largohu nga unë, sepse nuk ke njohur kurrë” (d.m.th., kurrë nuk ke qenë i shpëtuar). Kjo është e vërtetë, por në të vërtetë nuk është ajo që thotë vargu. Në vend të kësaj, Jezusi thotë: “Unë kurrë nuk të kam njohur ty.” Në fund të fundit, nuk është çështja nëse e njohim atë (edhe pse kjo është çështje e rëndësishme), por nëse ai na njeh ne.

Më kujtohet një skenë madhështore, në librin Shkelësi i Agimit të C. S. Lewis, midis Edmondit dhe Eusakut. Kur dëgjon Edmondin të flasë për përvojat e tij me Asllanin, Eustaku, i paditur pyet: “Po kush është Asllani? A e njeh atë?” Pyetje të cilës Edmondi i përgjigjet: “Epo–ai më njeh mua… Ai është Luani i madh, i biri i Perandorit përtej detit, i cili më shpëtoi mua dhe Narnian. ”

A e njihte Edmondi Asllanin? Sigurisht. Megjithatë, kur u pyet nëse e njihte, Edmondi po mendonte më pak për njohjen e tij dhe më shumë për mënyrën se si Asllani e kishte dashur atë dhe e dha veten për të në Sofrën e Gurit, ndërsa ai ishte ende një tradhtar. Po, ai e njihte Asllani; por vetëm sepse Asllani e njohu i pari (Galatasve 4: 9; 1 e Korintasve 8: 3; krah. 1 e Gjonit 4:19).

Kështu është me ne dhe Krishtin. A e njoh unë atë? Epo, Ai më njeh mua.

A të njeh Ai ty? A je ti, ai lloj personi të cilin Jezusi do të takojë si një mik të vjetër ditën e fundit? Të pyes sepse do të ketë njerëz të tillë. Njerëzit të cilët Jezusi do t’i shikojë dhe do të thotë: “Përshëndetje, Gjon. Sa mirë që më në fund takohemi ballë për ballë. Gjithmonë jam kënaqur me bisedat tona dhe kurrë nuk kam ndaluar së ndërmjetësuari për ty. E di që ke vuajtur shumë për hirin tim. Nuk të erdhi turp për mua–dhe dua ta dish se as mua nuk më vjen turp për ty. Mirë se vjen në shtëpi, vëlla! Mezi pres ta vazhdojmë miqësinë tonë gjatë gjithë përjetësisë.”

Në fund të fundit, nuk është çështja nëse e njohim atë (edhe pse kjo është çështje e rëndësishme), por nëse ai na njeh ne.

Nuk ka pse të jetojmë me frikën e ditës së fundit, por mund të përgatitemi për të. Sepse për ata të cilët Jezusi i njeh, dita e fundit nuk do të jetë ndonjë ndërprerje e madhe, do të jetë thjesht një vazhdim më i intensifikuar i marrëdhënies që ne tashmë gëzojmë me të, me anë të besimit.

Pra, le të shqyrtojmë veten dhe të pyesim, jo vetëm “A e njoh unë Jezusin?”, por “A më njeh Jezusi mua?” Le të jetojmë në mënyrë të tillë që atij të mos i vijë turp të na quajë vëllezërit dhe motrat e tij atë ditë. Le të mos mashtrohemi, sepse kjo është diçka shumë e mirë për t’u humbur.

Justin Dillehay (MDiv, The Southern Baptist Seminary) është pastor i kishës Grace Baptist Church në Hartsvill, Tennessee, ku banon me gruan, Tilly dhe fëmijët Norah, Agnes dhe Henry. Ai është redaktor i The Gospel Coalition. 

Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/how-to-process-the-scariest-passage-in-the-bible/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet