×

Mendoni pak për bekimin e shfajësimit, që është i juaji në Jezus Krishtin. Të drejtësuar, pra, prej besimit, kemi paqe me Perëndinë (Romakëve 5:1).

Fjala i shfajësuar është një nocion juridik. Ashtu si fjalët ‘i dënuar’ ose ‘i ndëshkuar’, fjala i shfajësuar përshkruan një vendim. Kur Perëndia drejtëson, Ai e shpall njeriun të drejtë. Kur dënon, e shpall atë fajtor.

Shfajësuar dhe dënuar kanë të bëjnë me shpalljen ose pranimin e diçkaje që tashmë është e vërtetë. Kur drejtësia triumfon, i pafajshmi çlirohet dhe fajtori dënohet.

Një njeri nuk bëhet i pafajshëm sepse lirohet nga burgu; është pafajësia e tij, ajo që e çon në lirimin e tij. Dënimi nuk e bën një njeri kriminel, është krimi i tij që e çon në dënim.

Për shkak të drejtësisë, ne presim që Perëndia t’i dënojë mëkatarët dhe t’i shfajësojë të drejtët, por ka diçka vërtet të mahnitshme këtu: Perëndia i drejtëson mëkatarët!

Përpiquni të mendoni thellë për këtë kundërshti të jashtëzakonshme. Perëndia i shfajëson mëkatarët! Si mund ta bëjë këtë?

Perëndia e paraqiti Krishtin si pajtues për mëkatet tona (Romakëve 3:25).Kjo  do të thotë se kur Jezusi vdiq, i gjithë zemërimi dhe armiqësia që Perëndia ka ndaj mëkatit, ligësisë dhe së keqes, u derdh mbi Të. Gjykimi i Perëndisë ishte si një kupë që po derdhej dhe Jezusi e piu të gjithën. Në kryq, Krishti mori gjykimin e Perëndisë, gjykim që na takonte ne, për shkak të mëkatit tonë.

Besimi ju bashkon me Krishtin dhe kur jeni ‘në Krishtin’, Perëndia i numëron të gjitha mëkatet tuaja si të Tijat dhe drejtësinë e Tij si tuajën. Ai vuajti dënimin tënd dhe ti je i drejtësuar në Të. Përmes kryqit, Perëndia demonstroi drejtësinë e Tij në mënyrë që të jetë i drejtë dhe njëkohësisht drejtues i atyre që kanë besim në Jezusin (Romakëve 3:26).

Nëse Perëndia do të shfajësonte vetëm të perëndishmit, si do të kishim shpresë ne? Perëndia i drejtëson mëkatarët. Përmes sakrificës shpenguese të Jezu Krishtit, jemi falur dhe jemi shpallur të drejtë nga besimi në gjakun e Tij.

Thomas Chalmers-i thoshte: “Ç’do të bëja, nëse Perëndia nuk do i drejtësonte të paperëndishmit?” Lavdi Perëndisë për hirin e mahnitshëm, i cili është i juaji sot në Krishtin.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Erjon Ramaj; Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet