×

T’i mësosh fëmijët për trupat e bukur që kanë

Ja tek isha para pasqyrës, duke vështruar rrobat e reja të plazhit që bleva në internet, kur ndjeva një palë këmbë të vockla të hynin në banjë. Nga instinkti, rrëmbeva peshqirin për të mbuluar trupin tim. Do të doja ta kisha bërë këtë nga modestia, por, ç’është e vërteta, nxitja ime për t’u mbuluar erdhi nga turpi. Trupi im, i cili më ka përcjellë në kaq shumë aventura, ende më krijon një turp të thellë.

Qysh kur ato ishin të vogla, unë vendosa që vajzat e mia binjake nuk do të më dëgjonin kurrë të ankohem për trupit tim. Ndërsa kaloja netë të tëra duke i vënë në gjumë dhe ndërsa pëshpëritja premtimet për krijimin e një hapësire të sigurt për nderimin e trupave që Perëndia iu ka dhënë, unë, nëna e tyre, as që e merrja me mend se sa herë do ta shkelja vetë këtë premtim.

E megjithatë, duke studiuar teologjinë e trupëzimit tonë, arrita të kuptoj se trupat tanë janë dhuratë. Siç shkruan Gregg Allison: “Të paturit trup është pjesë e të qenit të krijuar në shëmbëllimin e Perëndisë. Pra, trupi njerëzor, vjen nga krijimi hyjnor”. E thënë ndryshe, të qenit mbajtës i shëmbëlltyrës së Perëndisë e kërkon të paturit e një trupi.

Kjo do të thotë se disa nga gjërat që unë i urrej, janë pjesë e krijimit të mirë të Perëndisë.

Trupat, janë krijuar nga një Perëndi i mirë për qëllimet e Tij të mira. Ndonëse ata, si çdo gjë tjetër në botë, janë dëmtuar nga rënia, Perëndia i përdor për lavdinë e Tij dhe të mirën tonë. Teksa presim kthimin e Krishtit, këtu keni tre mënyra për ta miratuar synimin e mirë të Perëndisë për trupat tanë dhe për t’iu transmetuar fëmijëve një imazh të shëndetshëm mbi trupin e tyre.

1. Përdorni Shkrimin si themel

Është tunduese t’i krahasojmë trupat tanë me imazhet që na paraqet kultura jonë, por historia e përgjithshme e Shkrimit na tregon diçka më të mirë e më të vërtetë.

  • Perëndia i krijoi meshkujt dhe femrat sipas shëmbëlltyrës së Tij dhe na quajti shumë të mirë (Zan. 1:26-27 – 31).
  • Ne jemi thirrur t’i paraqesim trupat tanë si fli të gjallë, të shenjtë, të pëlqyeshëm për Perëndinë. Kjo është një formë adhurimi (Rom. 12:1, 2).
  • Bukurinë ne e masim, jo sipas standardeve fizike të botës, por nga karakteri i brendshëm (1 Pje. 3:3, 4)
  • Krishti do t’i bëjë të gjitha të reja; edhe trupat tanë. Megjithëse trupat tanë aktualë janë të dëmtuar prej rënies, vetë Perëndia një ditë do të na japë trupa të përjetshëm (2 Kor. 5:1-5).

2. Përkufizoni çfarë është dhe çfarë nuk është bukuria

Nën dritën e pasazheve të mësipërme, na duhet t’i mësojmë rregullisht fëmijëve për trupat dhe bukurinë tonë.

Për shembull, kur jua përkufizojmë fjalën ‘bukuri’ fëmijëve, duhet të fillojmë me “njeriun e brendshëm” (1 Pje. 3:3, 4). Kur fëmijët tanë janë të mirë, bujarë, të hirshëm ose falës, ne iu komunikojmë atyre sa të bukur janë. Kur fëmijët tanë argëtohen, ne iu vëmë në dukje sa fort shkëlqen gëzimi i tyre. Kur shohim miqtë tanë t’i japin lavdi Perëndisë nëpërmjet bujarisë, faljes dhe besnikërisë, ne shpallim se ata po i japin bukuri një bote të rënë.

Në të njëjtën kohë, nuk e anashkalojmë estetikën. Kur një mik na viziton i veshur bukur, ne e komplimentojmë. Kur familja ose shokët qeshin, ne komentojmë sa e bukur është buzëqeshja e tyre. Kur fëmijët tanë luajnë futboll, ne iu themi se Perëndia i bëri këmbët e tyre të forta, të bukura dhe të shpejta. Kur përgatitemi për të shkuar diku, ne iu vëmë në dukje sa të pashëm janë. Në momentet e zakonshme kur mahnitemi sa të bukur i ka bërë Perëndia, ne ua themi këtë, duke shpresuar që fjalët tona të mbeten në ta edhe kur bota të flasë ndryshe. (Kjo duhet modeluar veçanërisht prej baballarëve.)

Teksa bota rreth nesh po e privatizon konceptin e bukurisë, familja e krishterë ka mundësinë për ta shpenguar atë. Ne mund t’u dhurojmë fëmijëve tanë sy për ta parë bukurinë e të tjerëve duke dalluar mënyrat si këta e reflektojnë mirësinë e Perëndisë.

3. Tregoni respekt dhe kujdes për trupat tanë

Ne pohojmë se trupat tanë janë tempuj të Shpirtit së Shenjtë (1 e Kor. 6:19) dhe kështu, kujdesemi për ta si dhurata nga Krijuesi ynë. Ne nuk vajtojmë për flokët, sytë apo përmasat tona. Përkundrazi, ne flasim me mirënjohje ndaj Perëndisë sonë Krijues për mënyrat unike si Ai ka bërë secilin prej nesh. Dhe kur trupat tanë dështojnë, ne presim me ngulm dhe shpresë ardhjen e trupave tanë të ringjalljes (1 e Kor. 15).

Këtë, ne ua modelojmë fëmijëve duke u kujdesur për trupat tanë. Kjo do të thotë se e luftojmë të qenit të fiksuar me ushqimin apo stërvitjen; përkundrazi, ne kujdesemi për trupat tanë në nevojat unike që ata kanë. Do të thotë se zgjedhim pushimin përkundrejt mbi-produktivitetit. Zgjedhim balancën përkundrejt fiksimit. Zgjedhim disiplinën dhe shenjtërimin e vetes në vend të epshit, grykësisë dhe përtacisë. Ne varemi nga ndihma e Perëndisë për të gjitha këto gjëra, duke pranuar që jemi krijesa të kufizuara.

Ne nuk e matim vlerën e trupave tanë nga kapaciteti apo funksioni i tyre. Përkundrazi, i shohim trupat tanë dhe të të tjerëve si të bukur, për shkak se janë bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, të krijuar për të mirën tonë dhe lavdinë e Tij.

Trupi im solli fëmijë në jetë, i mbijetoi traumave, u ul pranë miqve që të mos ishin vetëm. Shkroi faqe të tëra dhe madje vrapoi në maratona. Ndonëse trupi im mban shenja të dukshme të rënies dhe po venitet dita-ditës, është ende i bukur sepse reflekton mirësinë e Perëndisë në këtë botë.

Prandaj, në vend që të mbulohem me turp kur fëmijët të vërejnë me kureshtje atë që bota e quan ‘zonë problematike’, unë shpresoj që t’i drejtoj ata tek një Perëndi Krijues i mrekullueshëm që do t’i bëjë të gjitha gjërat të reja, edhe trupin tim.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Sergej Meçe; Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet