×

Tri mënyra si ta ndani Ungjillin këtë javë

“Prediko ungjillin gjithë kohën dhe nëse është e nevojshme, përdor fjalët.”

Ky citat klasik që gabimisht i është atribuar Shën Francit të Asizit është njëkohësisht i zgjuar dhe tërheqës, por thjesht nuk është biblik.

Ungjillëzimi (komunikimi i lajmit të mirë të Mbretit Jezus), gjithmonë kërkon fjalë. Sigurisht që të krishterët janë thirrur ta zbukurojnë ungjillin me vepra (Titi 2:10), por veprat tona nuk janë ungjilli. Asnjë sasi jete e drejtë, nuk mund ta zëvendësojë nevojën për shpalljen gojore të veprës shpëtuese të Perëndisë në Krishtin.

Edhe pse gjithë ungjillëzimi përfshin ndarjen e të njëjtit mesazh, jo i gjithë ungjillëzimi ndodh në të njëjtën mënyrë. Ja ku janë tre lloje ungjillëzimi, të cilat i shohim të modeluara në Besëlidhjen e Re.1

1. Ungjillëzim familjar

Perëndia ka për qëllim që shpallja e ungjillit të ndodhë brenda familjeve të krishtera, ndërsa prindërit i rritin fëmijët e tyre “në disiplinë dhe në këshillë të Zotit” (Efesianëve 6:4). Për këtë, fëmijët e besimtarëve janë veçuar në mënyrë specifike si dëshmitarët e radhës së parë dhe si përfituesit e ndikimeve të ungjillit (1 e Korintasve 7:14).

Praktika e ungjillëzimit familjar dallohet në jetën e Timoteut, nxënësit të Palit: “Sepse kujtoj besimin e sinqertë që është në ty, i cili më parë ishte te gjyshja jote Loide dhe te nëna jote Eunike, dhe jam i bindur se është edhe te ti” (2 e Timoteut 1:5). Besimi i Timoteut në Jezusin, së pari, lulëzoi në familje, falë dëshmisë së gjyshes dhe nënës së tij (Luka na thotë që babai i tij nuk ishte besimtar). Pali vazhdon ta nxisë Timoteun duke i thënë:

Por ti qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove,dhe se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus (2 e Timoteut 3:14, 15)

Për shkak të hirit të Perëndisë, Timoteu nuk mund të kujtonte një periudhë në jetën e tij ku të mos ishte i njohur me Shkrimet dhe me fuqinë e tyre shpëtuese.

2. Ungjillëzim miqësie

Jezusin e akuzuan për shumë gjëra; njëra prej tyre ishte që Ai konsiderohej si “miku i tagrambledhësve dhe prostitutave” (Luka 7:34). Jo i huaj, jo kalimtar, jo i panjohur , por mik. Biri i Njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë të humburit (Luka 19:10) dhe Ai e bëri këtë gjë në kontekstin e marrëdhënieve të vërteta. Edhe Pali e modeloi një ungjillëzim të tillë ‘marrëdhëniesh’ apo ‘miqësie’.

Përkundrazi qemë zemërbutë midis jush, ashtu si mëndesha që rrit me dashuri fëmijët e saj. Kështu, duke pasur një dashuri të madhe ndaj jush, ishim të kënaqur duke ju komunikuar jo vetëm ungjillin e Perëndisë, por edhe vetë jetën tonë, sepse na u bëtë të dashur. (1 e Thesalonikasve 2:7, 8)

Apostulli e theksoi fort faktin që shërbesa e ekipit të tij në Selanik nuk ishte një përqasje shkel-e-shko ungjillëzimi. Ata ishin të lumtur të qëndronin, të formonin miqësi dhe të investonin në jetët e tyre.

Ungjillëzimi i miqësisë mund të jetë gjë e bukur, për aq kohë sa miqësia nuk e nxjerr jashtë ungjillëzimin. Është e lehtë të ndërtosh marrëdhënie me jobesimtarët në emër të dëshmisë së ungjillit pa arritur ndonjëherë që të dëshmojnë për të. Prandaj, të qenët i qëllimshëm është jetësor. Sikurse ka thënë me vend dhe Matt Chandler: “Ungjillëzim marrëdhëniesh? Bëjeni, për aq kohë sa kthehet në ungjillëzim real.”

3. Ungjillëzim kontakti

Lloji i fundit (dhe më pak popullor) i ungjillëzimit përfshin nisjen e bisedave rreth ungjillit me njerëz të cilët nuk i keni takuar kurrë. Kur isha në universitet, shërbesa në konvikte shpesh i drejtonte fushatat e ungjillëzimit drejt kësaj përqasjeje; gjithmonë ishte një mënyrë efektive që bënte grupin e ungjillëzimit të miqësisë të hapte sytë e të çuditej. Ata këmbëngulnin se ungjillëzimi i kontaktit është i ftohtë, jo personal dhe madje mashtrues.

Sigurisht që me çdo gjë mund të abuzohet, prandaj, nuk ka dyshim që ungjillëzimi i kontaktit mund të bëhet pa dashuri dhe i pa dobishëm, por nuk ka pse të jetë kështu. Në fakt, kjo metodë modelohet qartë edhe në Shkrim.

Te Gjoni 4, Jezusi nis një bisedë me një grua pranë një pusi. Ajo jo vetëm që është krejtësisht e panjohur, por gjithashtu është dikush të cilën Jezusi ‘duhet’ ta evitojë për shkak se është grua samaritane (arsye e dyfishtë për të mos folur me të). Megjithatë, Ai bëri çmos që ta takonte dhe ta kthente bisedën e tyre ‘të zakonshme’ rreth ujit, në një bisedë ‘frymërore’ rreth Tij. Ai madje nuk harxhoi shumë kohë për të kaluar nga “Më jep të pi” (v. 7) te “Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe “kush është ai që të thotë: ‘Më jep të pi, ti vetë do të kërkoje nga Ai dhe Ai do të të jepte ujë të gjallë” (v. 10) brenda tre vargjeve.

Strategjia e dëshmisë së Jezusit këtu nuk është ndonjë anomali e Besëlidhjes së Re. Të krishterët e hershëm u përfshinë gjithashtu në ungjillëzim kontakti:

Dhe çdo ditë, në tempull e nëpër shtëpi, nuk pushonin duke mësuar dhe duke shpallur lajmin e mirë: që Jezusi është Krishti. (Veprat 5:42)

Ditën e së shtunës dolëm jashtë qytetit anës lumit, ku ishte vendi i zakonshëm për lutje; dhe, si u ulëm, u flisnim grave që ishin mbledhur atje. (Veprat 16:13)

Ai [Pali], pra, po diskutonte në sinagogë me Judenjtë dhe me njerëz të përshpirtshëm dhe çdo ditë në sheshin e tregut me ata që takonte. (Veprat 17:17)

Duket qartë se të krishterët e hershëm ishin të zellshëm të nisnin biseda për ungjillin me persona dhe të panjohur ‘të rastit’ me këdo që Zoti i tyre sovran i sillte në kontakt (Fjalët e Urta 16:9; 20:24).

Nëse rreziku i ungjillëzimit të miqësisë është që të mos arrish kurrë tek ungjillëzimi, rreziku i ungjillëzimit të kontaktit është të mos kujdesesh mjaft sa ta mbash mend emrin e personit. Ne nuk jemi manipulues dhe nuk punojmë në departamentin e shitjeve (2 e Korintasve 2:17), prandaj, ungjillëzimi i kontaktit që e nderon Perëndinë kërkon doza të shëndosha vetëdijeje sociale, respekti bazë dhe interesimi të sinqertë.

Dërguar për të qenë të qëllimshëm

Njerëzit kanë nevojë ta dëgjojnë lajmin e mirë të Jezu Krishtit dhe nuk ka një përshkrim që t’u përshtatet të gjithëve për mënyrën se si duhet të ndodhë kjo gjë. Thjesht duhet të ndodhë!

Nëse shpresojmë t’i dëshmojmë një fëmije, një miku apo një personi krejt të panjohur, Fryma e Shenjtë na dhëntë guximin për të jetuar jetë të qëllimshme për ungjillin këtë javë që me përulësi dhe lutje t’i shfrytëzojmë mundësitë për t’u mburrur me Shpëtimtarin tonë madhështor.


1 Në këtë artikull po fokusohem te “ungjillëzimi personal”,  jo te kategoritë e mëdha si predikimi ungjillëzues (sikurse janë disa nga predikimet te Veprat e Apostujve) dhe dëshmia e përbashkët e kishës (p.sh. Gjoni 13:34, 35).

Ky artikull u botua për herë të parë në Christianity.com.

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet