×

4 Detyrat kryesore për pastorin kishëmbjellës

ACTS 29: CHURCHES PLANTING CHURCHES

Pastorët kishëmbjellës nuk janë vetëm mbjellës: ne jemi barinj gjithashtu. Jemi të ngarkuar me kujdesin besnik të tufave tona. Ne e marrim shembullin nga Jezusi, Bariu i Mirë që jep jetën e tij për delet (Gjoni 10:11)..

Përkujdesja pastorale nuk ka te bëjë me të shfaqurit e pushtetit. Përkujdesja pastorale është demonstrimi i përulësisë së Jezusit, i cili na deshi dhe e dha veten e tij për ne (Gal. 2:20). Ashtu siç Ati ynë qiellor kujdeset për tufën e tij me dashuri dhe përkujdesje të madhe, po kështu edhe bashkësitë e sapo mbjella kanë nevojë për pastorë që zbatojnë të njëjtin vizion të udhëheqjes baritore.

Kjo njëkohësisht është edhe privilegj, edhe sfidë. Si duhet të jetë ky kujdes pastoral në kishëmbjelljet e reja? Si munden kishëmbjellësit të udhëheqin si barinj të mirë? Ja katër funksionet kryesore të pastorit kishëmbjellës që duhet të merren parasysh.

1. Njohja e tufës

Përgjegjësia më themelore e një pastori kishëmbjellës është të njohë delet e tij. Jezusi tha: “Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh të miat dhe njihem nga të miat” (Gjoni 10:14). Kjo tregon se nuk mjafton që pastorët t’i njohin delet e tyre si një tufë në nivel të përgjithshëm. Përkundrazi, ne duhet ta njohim çdo person individualisht, nga çerdhja te shtëpia e pleqve.

Kohët e fundit, hëngra drekë me babanç e dy adoleshentëve nga kisha jonë. Familja e tyre po lufton për të gjetur mënyrën se si të menaxhojnë kalendarin akademik, atletik dhe social të fëmijëve të tyre. Stresi dhe tensioni po rriten. Nëse nuk do të isha takuar me të, nuk do të kisha mënyrë tjetër për ta njohur thellësinë e vështirësive të familjes së tij. Ata kanë nevojë për një pastor që të vijë përkrah tyre me dashuri, inkurajim dhe këshilla në këtë sezon të ngarkuar.

Nuk mjafton që pastorët t’i njohin delet e tyre si një tufë në nivel të përgjithshëm. Përkundrazi, ne duhet ta njohim çdo person individualisht, nga çerdhja te shtëpia e pleqve.

Jo gjithmonë kam sukses në këtë zonë, kjo është e sigurt, por një bari besnik duhet t’i mbajë sytë dhe veshët e tij hapur për çfarë po ndodh në jetën e çdo deleje. Pastorët kishëmbjellës janë të vëmendshëm ndaj deleve, duke i njohur kushtet e tyre frymërore, emocionale dhe fizike, që të kujdesen për to në një mënyrë të shëndetshme biblike.

2. Udhëheqja e tufës

Kishëmbjelljet e shëndetshme udhëhiqen nga pastorë me virtytet e dashurisë dhe përulësisë. Kjo lloj udhëheqjeje krijon një kulturë hiri, mirëbesimi dhe sigurie. Ajo nxit shpresën dhe inkurajimin e nevojshëm për të ushqyer misionin e një kishe për të bërë dishepuj, për lavdinë e Perëndisë. Udhëheqja e përulur dhe e dashur e ndihmon popullin e Perëndisë që të qëndrojë besnik ndaj Fjalës së tij, teksa vazhdon të jetë i rrënjosur në ungjillin.

Kishat e sapo mbjella kanë nevojë për pastorë kishëmbjellës që përulësisht, plot durim dhe butësisht e drejtojnë tufën në rrugën e Jezusit, përndryshe njerëzit do të enden andej-këndej. Ata do të largohen nga kullota e të vërtetës së Perëndisë për të shkuar në fusha e rrezikshme të errësirës dhe mashtrimit, gjë e cila të çon në dëshpërim dhe vdekje. Prandaj Perëndia premton: “Do t’ju jap pastaj barinj sipas zemrës sime, që do t’ju kullosin me dije dhe dituri.” (Jer. 3:15).

Pastorët kishëmbjellës duhet të kenë njohuri dhe kuptim të Shkrimeve, që të mësojnë drejt dhe në mënyrë efektive t’i drejtojnë delet e tyre tek e vërteta. Kjo është ajo që e bën të krishterë udhëheqjen. Është ai lloj udhëheqjeje për të cilën njerëzit e Perëndisë kanë shumë nevojë.

3. Ushqyerja e tufës

Një funksion i tretë biblik i pastorëve kishëmbjellës është që të ushqejnë tufën. Jezusi e porosit Pjetrin: “Kulloti qengjat e mi!” (Gjoni 21:15). Delet varen te barinjtë e tyre për ushqim të shëndetshëm për trupin e tyre. Si rrjedhim, sa shumë varen njerëzit e Perëndisë nga barinjtë frymërorë për të ushqyer shpirtrat e tyre?

Delet ndonjëherë mund ta kenë të vështirë për të bërë dallimin mes ushqimit të shëndetshëm dhe barërave të këqija helmuese. Ato varen te bariu për të siguruar ushqimin e tyre. Në të njëjtën mënyrë, njerëzit e Perëndisë kanë nevojë për pastorët kishëmbjellës që i mësojnë ata si duhet, duke i ushqyer me ushqim të mirë nga Fjala e Perëndisë.

Predikimi dhe mësimi ynë duhet të synojë të lavdërojë Perëndinë përmes ekspozimit biblik të përqendruar në Krishtin, të fuqizuar nga Fryma, me qëllim kthimin në besim të të humburve dhe ndërtimin e të gjeturve.

4. Mbrojtja e tufës

Një funksion i katërt biblik i pastorëve kishëmbjellës është të mbrojnë tufën e tyre. Kjo përgjegjësi për të mbrojtur, demonstrohet në udhëzimet e Palit drejtuar pleqve në Efes: “Kini kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në të cilën Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju mbikëqyrës që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e vet.” (Veprat 20:28)

Përkujdesja pastorale nuk ka te bëjë me të shfaqurit e pushtetit. Përkujdesja pastorale është demonstrimi i përulësisë së Jezusit, i cili na deshi dhe e dha veten e tij për ne.

Ujqërit janë dinakë dhe të aftë t’i shkaktojnë dëme të jashtëzakonshme tufës. Delet s’mund ts mbrojnë dot veten e tyre dhe ato nuk do të punojnë së bashku si kafshë të tjera në tufë për të mbrojtur njëra-tjetrën. Ato kanë nevojë për një mbrojtës. Megjithatë nuk mjafton vetëm t’i mbrosh delet nga të këqijat e jashtme; ne duhet të jemi të mençur dhe të guximshëm për të sjellë korrigjim të vendosur me dashuri për delet brenda tufës.

Mjerisht, është e zakonshme të gjesh individë në kisha që nxisin përçarje, promovojnë doktrina të rreme ose i bëjnë vend mëkatit. Pastorët kishëmbjellës, pra, duhet të jenë syçelë ndaj çdo kërcënimi që kërkon të shkatërrojë tufën të cilën Perëndia ua ka besuar atyre.

Kishëmbjellës, mbaj mend që më së pari je një bari dhe përkujdesja baritore biblike krijon një kulturë ku njerëzit ndihen vërtet të njohur, të vlerësuar dhe të sigurt. Dhe më e rëndësishmja është që admirimi i tyre për Bariun e Mirë rritet, teksa ata përjetojnë dashurinë dhe kujdesin e tij përmes pastorëve të tyre.


Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/4-primary-tasks-shepherd-planter/

Përktheu: Alehandro Dura | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet