×

2 shkrime për t’i dhënë forcë një pastori të hënën

Shërbesa në kishë—qoftë si pastor, predikues, plak, misionar apo diçka tjetër—i ngjason shumë bejsbollit. Thelbi i ushtrimit të saj qëndron në menaxhimin e dështimit.

Ja se çfarë dua të them: Ted Williams, pa diskutim gjuajtësi më i mirë i historisë së bejsbollit profesionist, e përfundoi karrierën me një mesatare gjuajtjesh të suksesshme 0.344. Kjo do të thotë se, në çdo 100 gjuajtje, mbajtësi i “shkopit të shkëlqyer” kishte sukses në vetëm 34 prej tyre. 66 të tjerat, nuk i qëllonte dot.

Duket një dështim mjaft i madh.

Shërbesa mund të ngjajë me këtë—të paktën në ndjenjat e njeriut. Mund ta predikosh Fjalën e Perëndisë javë për javë. Në të shumtën e rasteve, ti nuk sheh asnjë ndryshim në zemrat e njerëzve. Shndërrimi mund të jetë diçka tmerrësisht e ngadaltë.

Domethënë, predikimi nuk është si korrja e barit apo shtrimi i tryezës së bukës. Nuk ka një ‘produkt’ të dukshëm në fund të predikimit. Perëndia na ka thirrur ta shpallim me besnikëri Fjalën e Tij dhe t’i lëmë rezultatet në dorë të Tij. Mirëpo kjo “lënie e rezultateve” nuk është e lehtë për njerëzit me mikrovalë dhe celularë iPhone. Ankthi mund t’i përplaset shërbestarit në kishë si një cunam në brigjet e detit.

Predikimi javë pas jave mund të na bëjë të ndihemi disi si mbreti mitik, Sizifi, i cili mashtroi Persefoninë, perëndeshën e nëntokës. Për mashtrimet e tij, Sizifi u dënua të ngjiste përjetësisht një shkëmb nëpër një kodër të thepisur, vetëm e vetëm ta shihte në fund të rrokullisej çdo herë.

Ti e përgatit predikimin, e predikon atë, e përgatit, e predikon. Laj, thaj dhe përsëri nga e para. Çdo të hënë, dekurajimi endet jashtë studios si fantazma më ogurzezë.

Për të ndërtuar digën që do të mbajë larg ankthin mbytës dhe që do të zbojë fantazmën e dekurajimit, të nevojitet një dozë e fortë e të vërtetës së Perëndisë. Dua t’ju sugjeroj dy pasazhe që më kanë ndihmuar mua. Ia predikoj vetes si mburojë kundër dy hajdutëve të mëdhenj që turren të më grabisin gëzimin, qoftë si pastor, qoftë si besimtar.

Ilaçi për ankthin (Mat. 6:25–34)

Teza e Jezusit është sa e lehtë për t’u dalluar, aq edhe ngushëlluese kur e kupton: sepse Perëndia është Perëndia yt, nuk ke pse të jesh në ankth për jetën tënde. Perëndia ynë na paraqet një argument nga më i vogli te më i madhi: meqenëse Perëndia i ushqen zogjtë dhe i vesh lulet, sa më shumë mund t’i besosh Atij se do të kujdeset për popullin e Tij?!

Dhe ne ende shqetësohemi.

Kur kjo ndodh, ne dështojmë në dy nivele: dështojmë për të kuptuar se Perëndia është Ati ynë, dhe dështojmë të shfaqim besimin si prej fëmije—si ata që Jezusi këtu i quan “besimpakë”. Jezusi tregon se sa absurde është që njerëzit e Perëndisë të shqetësohen, gjë e cila duhet të jetë dyfish e vërtetë për ata që e fitojnë jetesën duke studiuar dhe mësuar Fjalën e Tij. Shqetësimi nuk mund t’i shtojë jetës sate as 3600 sekonda. Personi që vdes në moshën 75 vjeçare ka jetuar më shumë se 650.000 orë; t’i shtosh një më tepër, duket diçka e lehtë. Gjithsesi Zoti thotë se nuk mund ta bëjmë këtë. Shqetësimi nuk na shton neve asgjë. Unë gjej shumë ngushëllim në mënyrën si Jezusi e përmbyll nxitjen e Tij: “Mos u brengosni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet.” (Mat. 6:34)

Ne si pastorë duhet t’i besojmë dhe bindemi asaj që Jezusi thotë pasi i tha dëgjuesve të Tij të mos shqetësoheshin për ushqimin, pijen apo veshjen: “Kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë e drejtësinë e tij dhe ai do t’jua japë edhe ato gjëra.” (Mat. 6:33)

Pastorët—ashtu si njerëzit e ulur në karrige—duhet ta bëjnë sundimin shpengues të Perëndisë dhe marrëdhënien e drejtë me Të prioritetin më të lartë dhe ne duhet të përballemi me ditën e sotme, jo të nesërmen, duke besuar se Perëndia do të sigurojë për ne, për familjet tona dhe për grigjën tonë.

Fjalët e Jezusit këtu nuk duhet të kufizohen vetëm te nevojat fizike—edhe pse kjo është pjesë e qartë e kuptimit dhe një ngushëllim i thellë për ne—por mund të zbatohen edhe te nevoja jonë për ushqyerje shpirtërore.

Ushqimi i besnikërisë (Marku 4:26–29)

Fjalët e Zotit tonë këtu duhet të na çlirojnë nga sindroma e suksesit—matja e suksesit në shërbesë vetëm me matje njerëzore. Kjo shëmbëlltyrë kuptimplotë është në lutjet e mia çdo të shtunë mbrëma para se të dal në podium të dielën. Ajo më kujton se kush po e ndërton mbretërinë e Perëndisë. Jezusi thotë:

“Mbretëria e Perëndisë është si ai njeriu që ka hedhur farën në tokë. Në gjumë apo zgjuar, natë a ditë, fara mbin e rritet pa e ditur as ai sesi. Vetvetiu toka prodhon më parë filizin, pastaj kallirin e më pas kallirin plot me kokrra.”

Këtu ka një të vërtetë çliruese për njeriun e Perëndisë: gjithçka është vepër e Perëndisë. A po rriten shpirtërisht njerëzit në kishën tënde? Perëndia po e bën këtë. A po vijnë te Krishti të humburit? Perëndia po e bën këtë. A po i shtohen kishës anëtarë të rinj? Perëndia po e bën këtë. A je në një stinë thatësie ku duket se asgjë nuk po ndodh? Perëndia po e bën këtë.

Vazhdo të mbjellësh farën.

Çfarë bën mbjellësi pasi mbjell farën? Shkon të flejë. Mbjellësi ka përgjegjësi ta mbjellë farën, jo ta rritë atë. Ndërkohë që ai fle, mbretëria rritet. Mbjellësi nuk ndihmon në këtë gjë. Ai as që e kupton atë, “Fara mbin e rritet pa e ditur as ai sesi”.

E shijoj këtë shëmbëlltyrë pasi më kujton se unë kam përgjegjësi vetëm të mbjell me besnikëri. Kjo nuk është thirrje për të qenë pasiv. A duhet ta kërkojmë në mënyrë rigoroze konvertimin e njerëzve të humbur? Padyshim. A duhet të punojmë në mënyrë intensive për të parë ndryshime në jetët e njerëzve? Patjetër. Kjo është edhe arsyeja përse iu dorëzuam shërbesës pastorale.

Megjithëkëtë, a duhet të jetë nënbariu i Perëndisë nën presionin për ta realizuar këtë gjë? Aspak. Nëse zemrat duhet të ndryshojnë, Perëndia duhet ta bëjë këtë. Jezusi tjetërkund premton ta ndërtojë kishën e Tij, mbi të cilën as fuqia e ferrit nuk do të fitojë (Mat. 16:18). Perëndia është sovran mbi grigjën time; mbi këtë të vërtetë unë mund të pushoj.

Në ditët kur duket sikur asgjë nuk po ndodh në shërbesë, kur unë po mbjell, por duket se asgjë nuk po rritet, ky premtim i çmuar e flak tej ankthin dhe dekurajimin. Nëse po tregohem besnik, unë mund ta mbjell farën dhe të pushoj i qetë në Krishtin, duke ditur se Fryma e Tij do ta bëjë farën të rritet dhe të zërë rrënjë në zemrat e njerëzve, në tokën e bërë të mirë nga Fryma e Shenjtë (shih Markun 4:1–9). Unë nuk kam pse ushtroj presion mbi të tjerët, t’i ekzaltoj ata, t’i shtyj me forcë apo të shtrëngoj grushtet nga hutimi.

Kjo shëmbëlltyrë më ngushëllon me të vërtetën e kuptuar prej Martin Luterit, katalizatorit të një prej rizgjimeve më të mëdha në historinë e njerëzimit: “Fjala bëri gjithçka, unë nuk bëra asgjë.”

Vëllezër, le të falënderojmë Perëndinë për këto pasazhe, të cilat na ndihmojnë të mundim përbindëshat binjakë të ankthit dhe dekurajimit. Çdo ditë të Zotit, Perëndia i paqes ju dhëntë hirin për të mbjellë farën, për t’i besuar Atij krejtësisht dhe për të pushuar në premtimet e Fjalës së Tij të gjithëpushtetshme.


Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/2-texts-bolster-pastor-monday/

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet