×

3 gjëra që nuk duhen bërë pasi ke predikuar

Fundi i një predikimi është një moment i rrezikshëm për predikuesin. Ai sapo ka kaluar 30 deri 45 minuta duke derdhur shpjegimin e Biblës, duke shpalosur studimin dhe zellin e tij, për grigjën e tij. Ato 10 deri në 20 orë përgatitje e predikimit, tani ikën, u bënë pjesë e historisë. Ai shkon në makinë e tij dhe niset për në shtëpi. Me shumë mundësi, ai është i sfilitur emocionalisht, shpirtërisht dhe fizikisht. Kur je i thirrur për të predikuar, ti shpenzohesh i gjithi në podium.

Unë e di shumë mirë se si është. Në 30 vjetët e fundit, kam marrë disa mësime shumë të vlefshme për gjërat që duhet dhe nuk duhet të bëj pasi kam predikuar. Dhe kam tre mësime kyç për ty:

1. Mos e ul mburojën

Predikimi e ngacmon armikun javë për javë. “Perëndia parapëlqeu t’i shpëtojë ata që besojnë”, thotë Pali, “nëpërmjet marrëzisë së predikimit” (1 e Kor. 1:21). Kjo do të thotë se tani mëkatarët i rrëmbehen nga duart “prijësit që sundon mes qiellit e tokës, shpirtit që tani vepron te bijtë e mosbindjes” (Ef. 2:2). Perëndia e përdor predikimin si mjet për t’i ndryshuar njerëzit—për t’i rrëmbyer larg nga sundimi i armikut.

Satani ka një opinion mbi predikimin e ungjillit: që duhet ndaluar. Mos u bëj naiv duke menduar se ligjërimi i mesazhit tënd do të të heqë nga shënjestra e tij. Përgatitja e mesazhit—duke përfshirë studimin, meditimin dhe lutjen—ka disa përparësi mbrojtëse. Mirëpo pas predikimit zakonisht ti je i rraskapitur dhe pa pikë energjie, e cila është një mënyrë tjetër për të thënë se je i pambrojtur ndaj një sulmi ajror.

Edhe mishi yt i është futur punës gjithashtu. Predikimi nxit tundime. Nga njëra anë, është krenaria për mënyrën se si po të përdor Perëndia; nga ana tjetër është dënimi për mënyrën se si nuk po të përdor Ai. E pastaj është mesazhi yt, në të cilin ke shpenzuar shumë fjalë, duke e ditur se “në fjalët e shumta, faji nuk mungon” (Fjalët e Urta 10:19).

Kudo që njerëzit predikojnë, të metat nuk mungojnë. Në qoftë se ke predikuar për një periudhë të gjatë kohe, ti e di se çdo mesazh ka disa mangësi. Ato pika të dobëta bëhen vërtet të pranishme në pasditen e së dielës, duke të trokitur në derë për një vizitë. Mos e hap! Ato do të ta zaptojnë shtëpinë, do të ta trazojnë paqen dhe do ta ngjyrosin ndryshe predikimin në sytë e tu. Do të ndihesh budalla e i dënuar. Sikur i gjithë mesazhi ishte i shkatërruar.

Ka një kohë dhe një vend, për gjithçka nën diell. Gjithsesi nëse e vlerëson predikimin tënd, menjëherë pasi të predikosh, do ta urresh predikimin tënd.

Pasi ke predikuar duhet ta përgatisësh veten për t’u mbrojtur nga sulmet, si prej mishit, edhe prej djallit. Siç përgatiten ushtarët për mësymjen armike, edhe ti duhet të përgatitesh kur ke për t’u sulmuar.

Përpara, gjatë dhe pas sulmeve, vrapo për te lajmi i mirë i ungjillit. Kupto se predikimi ka të bëjë me fuqinë e Fjalës së Perëndisë, jo të fjalëve të tua. Nuk ka pasur asnjëherë një predikim në gjithë historinë e botës që të ishte aq i keq sa ta shteronte Fjalën e Perëndisë prej fuqisë së saj. Zoti është aq i madh sa i lejon lehtësisht njerëzit të kujtojnë fjalët e Tij të përjetshme dhe t’i harrojnë fjalët e tua të kota. Vërtet mendon se qëllimi i Perëndisë varet nga cilësia e predikimit tënd? Ti padyshim që nuk e predikon këtë. Pasditja e së dielës, pra, është koha për ta zbatuar këtë.

Pas predikimit, përgatite veten ndaj sulmeve duke kujtuar se Perëndia është më i madh se gabimet e tua.

2. Mos e dëgjo veten

Ndërkohë që ti sulmohesh, shpirti yt ka për ta ngritur zërin. Mendimet akuzuese do të sulmojnë derën e mendjes sate, duke kërkuar vëmendjen tënde. Ose ndoshta idetë e lartësimit të vetes, ku meraku për veten merr krahë dhe ti e mendon veten “ më të madh se sa duhet” (Rom. 12:3), në çaste të tilla, duhet ta qetësosh shpirtin tënd.

Qetësoje shpirtin tënd duke i besuar Zotit rezultatet e predikimit tënd. Qetësoje shpirtin tënd duke i fiksuar mendimet te Perëndia, jo te paraqitja jote. Nëse ndihesh krenar, mos harro se mesazhi yt është i pakuptimtë, nëse Ai nuk zgjedh ta bëjë atë të fuqishëm. Nëse ndihesh i dënuar, mos harro se Fjala e Tij nuk do t’i kthehet bosh (Isaia 55:11). Predikimi yt do të përmbushë saktësisht atë që Perëndia dëshiron. Fatmirësisht, ti nuk je i aftë t’i përmbysësh dot planet e Tij të mira.

Vëlla, injoroje sulmin që po përjeton dhe përqendroje mendjen në gjërat më të larta (Fil. 4.8). Këshilla më e mirë për predikuesin që po largohet nga shërbesa e kishës është: “Ndalu dhe dije se [Ai është] Perëndia” (Ps. 46:10). Duke e bërë këtë, edhe kritikat, edhe komplimentet qëndrojnë në vendin e tyre të duhur.

Pasi t’ia kesh besuar Perëndisë predikimin tënd, lëre mendjen tënde të pushojë. Ndiq një shpërqendrim. Mua më nevojiten të paktën dy ose tre orë për ta mbledhur veten, pas një predikimi. Unë kaloj kohë duke lexuar, duke parë televizor apo edhe duke fjetur gjumë. Kur fëmijët ishin më të vegjël, shpesh bëja diçka me ta për të hequr mendjen dhe për të çliruar energjitë.

Dikush ka thënë njëherë se predikimi është i barasvlershëm me tetë orë punë fizike. Unë nuk jam i sigurt nëse kjo është e vërtetë, por ndjenja që krijohet është vërtet e tillë. Ideja është se duhet të kujdesesh për trupin dhe shpirtin tënd që të marrësh veten e të jesh gati për mesazhin e radhës.

3. Mos peshko për komplimente

Për shkak se predikimi nxit si akuza ashtu edhe admirim, ti do të tundohesh të peshkosh për komplimente. Ti do të bësh pyetje tendencioze, në mënyrë që të prodhosh vlerësime pozitive—si një lloj përforcimi i identitetit. Unë e kam bërë këtë më shumë se sa do të doja. Të pakta janë gjërat më boshe, se sa një kompliment i bërë nga detyrimi. Me përjashtim ndoshta të rasteve kur, në vend që të kapësh një kompliment, zë një kritikë që e shtrembëron kallamin. Kjo është një kujtesë mjaft ndihmuese që, kur peshkon, mund të mos kapësh atë që mendon ti.

Problemi në thelb të ekspeditave të peshkimit qëndron në faktin se jemi tepër të qendërzuar te transmetimi. Ne duam të dimë se si u dukëm, se çfarë “ndjesie krijuam”, sikur të kishte ndonjë barometër për të matur se çfarë Perëndia po bënte, apo do të bënte, në të vërtetë. Ne ndiejmë nevojën ta lartësojmë veten me miratimin dhe lëvdimin e të tjerëve, në vend që t’ia besojmë veten Atij.

Është me vlerë të kujtojmë se shumica e predikuesve marrin më shumë inkurajime gjatë një muaji sa marrin profesionet e tjera gjatë një dekade. Mos peshko! Dhe kur të vjen një kompliment, transferoje lavdinë te Perëndia.

Dhe, për hir të Zotit, mos e dëgjo ritransmetimin e ligjëratës sate. Ja se pse: ti nuk ke asnjë shpresë për të qenë objektiv, kur bëhet fjalë për të vlerësuar predikimin tënd. Ti ke derdhur 15 deri 20 orë në përgatitje, që do të thotë se objektiviteti ka marrë dhenë kohë më parë. Nëse do vërtet ndihmë, zgjidh disa predikues me përvojë dhe disa dëgjues të besuar që nuk kërkojnë me ngulm miratimin tënd, dhe rekrutoji për të të vlerësuar në mënyrë ndërtuese. E më pas falënderoji që ta dhanë atë, pavarësisht se çfarë të thanë.

Pakënaqësia e Spurgeon

Charles Spurgeon, me gjasë predikuesi më i madh i 300 vjetëve të fundit, njëherë tha: “Ka kaluar një kohë e gjatë qëkur kam bërë një predikim me të cilin kam qenë i kënaqur. Në fakt, vështirë se mbaj mend ta kem bërë ndonjëherë këtë.”

E megjithëkëtë, ky u quajt “Princi i Predikuesve”.

Nëse Spurgeon ishte i pakënaqur me predikimet e tij, mund të thuash me besim të plotë që vdekatarët e thjeshtë si unë e ti e gjejmë veten në të njëjtën pozitë.

Le të jemi pra gati për momente të tilla.


Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/3-things-not-to-do-after-you-preach/

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet