×

3 Mënyra për ta përlëvduar Perëndinë në jetën tënde

Perëndia na bën thirrje ta përlëvdojmë Atë në gjithçka që bëjmë. Ose për ta thënë në mënyrë të përpiktë: Një nga mënyrat më të mëdha se si Perëndia e përlëvdon veten e Tij është duke na bërë thirrje dhe duke na aftësuar ne, popullin e Tij, që ta përlëvdojmë Atë përmes sjelljes tonë të shenjtë.

Xhonatan Eduards komentoi duke thënë:

Herë pas here [në Shkrim], përqafimi dhe praktikimi i fesë së vërtetë, pendimi nga mëkati dhe kthimi në shenjtëri, shprehet përmes përlëvdimit të Perëndisë, sikur kjo të ishte tërësia dhe synimi i gjithë kësaj çështjeje.

Nëse Eduards ka të drejtë, kjo sugjeron që jeta e krishterë në thelbin e vet është një jetë lavdërimi ndaj Perëndisë. Nëse është kështu, atëherë mënyrat e veçanta në të cilat Shkrimi na bën thirrje ta përlëvdojmë Perëndinë, duhet që të na sigurojnë udhëzime të rëndësishme rreth strukturës dhe përparësive të jetës së krishterë.

Le të eksplorojmë tri mënyra: besimi, adhurimi dhe shërbimi i përulur; përmes të cilave Shkrimi na bën thirrje ta përlëvdojmë Perëndinë.

1. Ne e përlëvdojmë Perëndinë përmes besimit tonë

Përderisa shpëtimi ynë në Krishtin vjen vetëm përmes besimit dhe përderisa besimi është rrënja prej të cilës dalin veprat tona të mira, do të prisnim që të gjenim një lidhje të pamohueshme mes besimit dhe dhënies së lavdisë Perëndisë në gjithë sjelljen tonë.

Dy tekste: 2 e Korintasve 1 dhe Romakëve 4, e bëjnë këtë lidhje në mënyrë shumë të dukshme:

Te 2 e Korintasve 1, Pali thekson se ka një mesazh të vetëm të cilin ai e shpall vazhdimisht. Ai nuk thotë ‘po’ dhe ‘jo’, sepse Jezu Krishti që ai shpallte nuk është ‘po’ dhe ‘jo,’ por në Të ka qenë gjithmonë ‘po’. Sepse nuk ka rëndësi sa shumë premtime ka bërë Perëndia, ato janë ‘po’ në Krishtin. Pastaj ai shpjegon: “Prandaj përmes tij ne e lavdërojmë Perëndisë duke i thënë ‘amen’” (Versioni Së Bashku, 2 Korintasve 1:18-20).

Çfarë do të thotë Pali përmes kësaj?

Ai përdor një gjuhë të pazakontë në këtë vend e cila nuk shfaqet diku tjetër në letrat e tij, por kuptimi është i dukshëm. Perëndia i bëri shumë premtime popullit të Tij dhe Krishti është përmbushja e tyre; Ai është Po-ja e madhe për premtimet e lashta të Perëndisë. Predikimi i Palit ishte gjithmonë ‘po’, për shkak se gjithmonë tregonte drejt Krishtit. Nën këtë dritë, ‘amen-i’ ynë, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse veprimi i besimit.

Besimi jep aprovimin e tij dhe i përqafon premtimet e Perëndisë në Krishtin.

Kur dëgjojmë premtimet e Perëndisë dhe po-në e Krishtit ndaj tyre, reagimi më bazë dhe themelor që mund të ofrojmë është të themi ‘amen’ (ashtu qoftë). Besimi jep aprovimin e tij dhe i përqafon premtimet e Perëndisë në Krishtin. Si e themi ne, këtë amen? E themi “për lavdinë e Perëndisë”. Ne e përlëvdojmë Perëndinë, duke besuar në premtimet e Tij.

E njëjta temë është e pranishme te Romakëve 4. Disa here, në këtë kapitull madhështor rreth besimit, Pali diskuton rreth Abrahamit. Në fillim të kapitullit, ai citon nga Zanafilla 15:6,  në përgjigje të premtimit të Perëndisë që ai do të ketë pasardhës të panumërt si yjet e qiellit, “Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi” (Romakëve 4:3).

Afër fundit të kapitullit, Pali i kthehet kësaj ndodhie dhe reflekton mbi faktin që Abrahami ishte pothuaj 100 vjeç dhe gruaja e tij Sara ishte shterpë. Abrahami kishte çdo arsye tokësore për të menduar se premtimi i Perëndisë ishte i pabesueshëm, megjithatë, “duke mos qenë aspak i dobët në besim, nuk i kushtoi kujdes trupit të tij, i bërë tashmë si i vdekur” dhe “madje as nuk dyshoi nga mosbesimi në lidhje me premtimin e Perëndisë” (Romakëve 4:19-20). Përkundrazi, ai “u përforcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë” (Romakëve 4:20).

Te Romakët 4, shohim që Abrahami i dha lavdi Perëndisë saktësisht përmes veprimit të fuqishëm të besimit.

Sikurse komentoi edhe John Murray mbi Romakëve 4:20:

“Duke i dhënë lavdi Perëndisë” dhe “plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte”, shkojnë bashkë dhe përshkruajnë veprimet apo gjendjet e mendjes që u përfshinë në besimin e Abrahamit. T’i japësh lavdi Perëndisë, do të thotë ta llogaritësh për atë që Ai është dhe të mbështetesh në fuqinë dhe besnikërinë e Tij.

2. Ne e përlëvdojmë Perëndinë përmes adhurimit tonë

Ekziston një aktivitet të cilin Shkrimi e lidh shumë herë më tepër se ndonjë tjetër me përlëvdimin e Perëndisë dhe ky është adhurimi. Në thelb, adhurimi ia jep gjithë lavdinë vetëm Perëndisë. Ne mund ta përlëvdojmë Perëndinë në shumë mënyra, por Shkrimi vë në dukje se asnjë gjë që ne bëjmë nuk e kënaq Perëndinë më tepër se të thirrurit të emrit të Tij me zemra të sinqerta dhe shpallja se e gjithë lavdia i përket Atij.

Ekziston një aktivitet të cilin Shkrimi e lidh shumë herë më tepër se ndonjë tjetër me përlëvdimin e Perëndisë.

Nganjëherë, njerëzit flasin për gjithë jetën si adhurim, në mënyrë të tillë që të shkuarit në punë është adhurim, të luajturit basketboll është adhurim, praktikimi i të luajturit në piano është adhurim. Me të vërtetë është me vend që ta nderojmë Perëndinë në të gjitha përpjekjet tona (1 e Korintasve 10:31), por adhurimi është një aktivitet i dallueshëm në të cilin i lëmë mënjanë detyrat e tjera dhe e fokusojmë mendjen dhe zemrën plotësisht në Zotin, në mënyrë që të pranojmë Fjalën e Tij dhe të reagojmë ndaj Tij me lutje dhe këngë; në një sfond privat, familjar dhe në mënyrë të veçantë në adhurimin e përbashkët.

Në shumë tekste biblike rreth adhurimit, nxitjet e përsëritura për t’i thirrur Zotit, për t’i kënduar Zotit, për ta lavdëruar Zotin dhe praktika të tjera të ngjashme, sigurojnë prova të bollshme që Perëndia kënaqet në mënyrë të veçantë në aktivitetin e dallueshëm të adhurimit.

Kur shpallim lavdinë e Perëndisë në adhurim, kemi privilegjin e të mbajturit iso dhe bashkimit me këngën engjëllore që tani, duke pritur ditën kur bashkë adhuruesit tanë do të jenë të dukshëm për sytë tanë dhe së bashku, në shoqërinë tonë të madhe, do të adhurojmë Qengjin që u therr.

Prandaj, ne fillojmë tani, me zemra të papërsosura dhe zëra që dridhen, të bëjmë atë që do të bëjmë përjetë: t’i japim lavdi Perëndisë në adhurim.

3. Ne e lavdërojmë Perëndinë në gjithçka që bëjmë

Dhjata e Re, në mënyrë të qartë, na këshillon që ta përlëvdojmë Perëndinë me gjithë sjelljen tonë, në mënyrë të veçantë përmes gjërave që e ndërtojnë kishën, trupin e Krishtit.

Modeli është ky: Ndërsa besojmë në Krishtin për lavdinë e Perëndisë dhe shpallim lavdinë e Tij me adhurimin tonë, bindja mirënjohëse në çdo sferë të jetës rrjedh nga ne për lavdinë e Tij, në mënyrë të veçantë përmes veprave të shërbimit, të cilat e bekojnë kishën e Krishtit.

Soli Deo gloria ka të bëjë me mënyrën se si Perëndia e përlëvdon veten, por një mënyrë madhështore se si Perëndia e përlëvdon veten është duke na përlëvduar edhe ne dhe duke na aftësuar që ta përlëvdojmë Atë.

Ndoshta teksti biblik më gjithëpërfshirës që na inkurajon ta përlëvdojmë Perëndinë në të gjitha gjërat është 1 e Pjetrit 4:10-11:

Gjithsecili le ta vërë në shërbim të tjetrit dhuntinë që ka marrë, si kujdestarë të mirë të hirit të shumëfarshëm të Perëndisë. Nëse dikush flet, le ta bëjë si të shpallë orakullit të Perëndisë; kush bën një shërbim, le të bëjë në forcën që i jep Perëndia, që në gjithçka të përlëvdohet Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i takon lavdia dhe pushteti për shekuj të shekujve. Amen.

Pjetri na inkurajon të përdorim çfarëdo lloj dhuntie që kemi, me gjithë forcën që Perëndia na jep, për t’u shërbyer të tjerëve. Edhe pse është e sigurt që ai nuk kishte për qëllim ta kufizonte këtë shërbim ndaj të krishterëve të tjerë, fokusi i tij është te shërbimi ndaj vëllezërve dhe motrave tona në Krishtin, sepse në vargjet pararendëse ai urdhëron lexuesit e tij ta duan “njëri-tjetrin” dhe të tregohen mikpritës ndaj “njëri ndaj tjetrit” (1 Pjetri 4:8-9). Perëndia përlëvdohet përmes shërbimit tonë me gjithë zemër ndaj të tjerëve dhe në mënyrë të veçantë nga shërbimi ynë ndaj bashkë besimtarëve.

Për më tepër, Pjetri e imagjinon këtë si një shërbim që ofrohet përmes vuajtjes, sepse menjëherë ai vazhdon t’i inkurajojë ata në “sprovën e tyre të zjarrtë” dhe në përjetimin e fyerjeve për hir të Krishtit (1 e Pjetrit 4:12-16). Për shkak se Fryma e lavdisë prehet mbi ta (1 e Pjetrit 4:14), mund të ngazëllohemi për aq kohë sa bëhemi pjesëtarë të vuajtjeve të Krishtit (1 e Pjetrit 4:13) dhe mund ta përlëvdojmë Perëndinë që mbajmë emrin ‘të krishterë’ (1 e Pjetrit 4:16).

Në këtë kontekst, Pjetri thotë se ne duhet t’i përdorim të gjitha dhuntitë tona për t’u shërbyer të tjerëve, në mënyrë që në gjithçka të përlëvdohet Perëndia.

Pjesëmarrja në Soli Deo Gloria

Rrëfimi i Besimit të Uestminsterit 26.1 thotë: “Të gjithë shenjtorët që janë bashkuar me Jezu Krishtin si kreu i tyre përmes Frymës së Shenjtë dhe besimit, kanë bashkësi me Të në… lavdinë e Tij”.

Nën dritën e temës së reformimit Soli Deo gloria (lavdia vetëm Perëndisë) dhe shumë tekstesh biblike që e frymëzojnë këtë temë, ideja që krijesat marrin pjesë në këtë lavdi në fillim mund të duket kontradiktore dhe ndoshta blasfemi.

Shkrimi i thotë të dyja, që e gjithë lavdia i përket Perëndisë dhe që populli i Tij do të marrë pjesë në atë lavdi.

Soli Deo gloria ka të bëjë me mënyrën se si Perëndia e përlëvdon veten, por një mënyrë madhështore se si Perëndia e përlëvdon veten është duke na përlëvduar edhe ne dhe duke na aftësuar që ta përlëvdojmë Atë përmes besimit, adhurimit dhe shërbimit me gjithë zemër ndaj Tij, dhe ndaj fqinjëve tanë.

Çfarë Perëndie bujar që kemi! Ai është autori i kësaj historie të lavdisë hyjnore dhe që na ka ftuar të jemi pjesë jetësore e saj; vetëm përmes besimit, vetëm me anë të hirit dhe vetëm në Krishtin.

Shënim i redaktorit: 

Në bashkëpunim me Zondervan Academic, ky artikull është shkëputur nga libri God’s Glory Alone nga David VanDrunen.

Përktheu: Asim Hamza / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet