E di se çfarë jeni duke menduar—ja një tjetër artikull për sfilitjen. Me kaq shumë sa është shkruar tashmë për këtë temë, a kemi vërtet nevojë të dimë më tepër? Mesa duket, po. Pavarësisht shumë paralajmërimeve ndihmëse, kishëmbjellësit vazhdojnë të rrëzohen nga kjo pengesë. Sfilitja ndodh në shumë forma të ndryshme, qoftë një rënie katastrofike, qoftë një venitje graduale e gjallërisë shpirtërore. Na duhet të vazhdojmë të flasim për këtë temë kaq urgjente që të shpëtojmë kisha, martesa, familje, gjithashtu dhe jetë.
Unë e njoh shumë mirë këtë problem. Në vitin 2014, shpirti im ishte si ajo krisja e lehtë e xhamit të përparmë të makinës. Ti e di që është aty, por nuk ndikon në ngarjen tënde të makinës, ndaj e injoron. Vetëm se, kur punoja për ripërtëritjen e kishës, ajo krisje e lehtë nisi të përhapet me shpejtësi derisa u bë një xham i thyer, i dërrmuar. Mendja, emocionet dhe trupi im u fikën. Atakë paniku të rëndë më ndodhnin çdo muaj, më pas çdo javë, më pas thuajse çdo ditë. I pushtuar nga ankthi, shpërtheva.
Historia jote nuk ka përse të jetë e tillë.
Kishëmbjellja është një thirrje e gëzuar, megjithëse e lodhshme. Gjëja e vështirë është ruajtja e gëzimit tonë. Tre parime më kanë ndihmuar në rikuperimin tim të vazhdueshëm; shpresoj t’ju ndihmojnë ta shmangni sfilitjen gjatë mbjelljes së një kishe.
1. Mos e formalizoni ungjillin
Teksa kishëmbjellja jonë kërkoi të ndërtojë një kulturë të ungjillit, unë i ktheva çështjet me rëndësi “përpara të gjithave” (1 e Korintasve 15:3), në çështje “të vetme të rëndësishme”. “Ungjilli në qendër” u bë “ungjilli kudo”. Krishti dhe shpëtimi i Tij ishin zgjidhja për çdo problem dhe përgjigja për çdo pyetje. Megjithëse është e vërtetë se ungjilli është gjëja më themeltare që na nevojitet kur mbjellim një kishë, nuk është e vetmja gjë që na nevojitet. Zhvillimi i udhëheqjes, komunikimit, sistemeve dhe aftësive, luajnë role domethënëse në themelimin e një kishe të shëndetshme.
Ungjilli është një bukuri për t’u shijuar, jo një formulë për t’u përdorur.
Në papjekurinë time, unë e trajtova edhe ungjillin si ligj, sepse më thoshte çfarë duhej të bëja. Megjithatë, me kalimin e kohës kuptova se ungjilli është një bukuri për t’u shijuar, jo një formulë për t’u përdorur. Ne lahemi në oqeanin e hirit të Krishtit, duke shijuar bashkimin dhe bashkësinë tonë të vazhdueshme me Të (Gjoni 15). Fryma e Tij i jep pushim të lodhurit, zbut zemrën e rënduar, pastron turpin, ngushëllon atë që vajton dhe shëron shpirtin e lënduar.
Në vend që ta formularizojmë ungjillin, duhet ta shijojmë atë.
2. Mos e neglizhoni kujdesin e shpirtit
Si kishëmbjellës, tundohemi të marrim përsipër përgjegjësi për shumë gjëra—disa prej të cilave nuk na takojnë—dhe neglizhojmë gjërat për të cilat jemi përgjegjës. Rezultati i të dyjave është shpesh një ego e lartësuar ose një shpirt i dërrmuar. Kishëmbjellja përfshin të pranuarin e tensioneve të komplikuara, të cilat kërkojnë kohë, energji, burime dhe njerëz. Këto tensione në mënyrë të pashmangshme krijojnë stres dhe sjellin zhgënjime, hutim dhe lëndim, të cilat mund të depërtojnë në çarjet e zemrave tona—zemra për të cilat Perëndia thotë se mbajmë përgjegjësi (Fjalët e Urta 4:23; 1 e Timoteut 4:16). Si një kishëmbjellës i ri, unë e anashkaloja rëndësinë e kujdesit për shpirtin tim, gjë që më kushtoi mua, familjes sime dhe kishës sonë.
Ne jemi bashkëshortë, prindër, miq dhe drejtues më të mirë kur jemi të shëndetshëm fizikisht, emocionalisht dhe shpirtërisht. Ndërsa administrojmë këtë përgjegjësi, ne do të jemi më të pajisur për t’u kujdesur për ata nën udhëheqjen tonë. Për të “mbajtur zemrat tona”, ne duhet të vendosim ritme të shëndetshme që na vendosin në këmbën e përparme të parandalimit, jo në pjesën e pasme të shërimit. Merrni parasysh se si të nxisni një ritëm të lidhjes shpirtërore ditore, një shabat javor, një veçim mujor dhe një pushim vjetor. Do t’i bëjë mirë shpirtit tënd.
3. Mos e injoroni këshillën e urtë
Teksa mbjellim kisha, do të hasim vështirësi të mëdha, do të mbajmë barra të rënda, madje edhe do të lëndohemi. Është e rëndësishme që ne të ndërtojmë në jetën tonë rrugë për këshilla dhe mbikëqyrje të urta. Duhet ta rrethojmë veten me njerëz që na shohin për atë që jemi vërtet—me gjithë frikërat, ankthet, pasiguritë, acarimet, lëndimet dhe prirjet mëkatare; me njerëz që mund të flasin sinqerisht në jetët tona dhe të na ndihmojnë, teksa përjetojmë dhimbje, falje dhe pendim.
Ne kishëmbjellësit jemi një grup energjik dhe ambicioz, por zelli ynë mund të çojë shpesh në sfilitje kur përpiqemi të mbjellim me forcat tona.
Një nga ndryshimet më domethënëse që kam bërë është ajo që e quaj byzylyku trepjesësh: gruaja ime, një nga pleqtë e kishës dhe këshilluesi im. Ata shohin dhe flasin në jetën time dhe kanë leje të komunikojnë me njëri-tjetrin, kur është e nevojshme. Për mua, kjo ka qenë vërtet çliruese dhe shëruese.
Ne kishëmbjellësit jemi një grup energjik dhe ambicioz, por zelli ynë mund të çojë shpesh në sfilitje kur përpiqemi të mbjellim me forcat tona. Siç shkroi apostulli Pal: “që ne e kumtuam, duke e qortuar dhe duke e mësuar çdo njeri me çdo urtësi, që ta paraqesim çdo njeri të përsosur në Jezu Krishtin; për këtë mundohem duke u përpjekur me fuqinë e tij, e cila vepron tek unë me pushtet” (Kolosianëve 1:28, 29).
Ashtu si ne, Pali punoi fort për mbretërinë e Perëndisë. Megjithatë, ai nuk u përpoq me energjitë e tij. Kjo është një kujtesë e mirë për kishëmbjellësit e lodhur në prag të sfilitjes. Gara që ne vrapojmë është e gjatë, plot me pengesa, të gatshme për ta vjedhur gëzimin dhe për ta shkelur rezistencën tonë. Kemi nevojë që Ati ynë t’i rigjallërojë shpirtrat tanë dhe të na fuqizojë çdo ditë për të vrapuar mirë garën tonë, për lavdinë e Tij.
Ungjilli është gjithashtu edhe për kishëmbjellësit.