×

3 Mënyra se si të ruhemi që mediat sociale të mos na vjedhin gëzimin

Media sociale duket se reflekton vlera të kundërta nga ato të mbretërisë së Perëndisë.

Jezusi tha: “Lum ata që përpiqen për paqen.” Medisa sociale shpesh duket se bekon njerëzit e zemëruar. Jezusi tha: “Lum ata që janë zemërbutë.” Media sociale shpesh duket se bekon egoistët.

Jam mirënjohës për shumë udhëheqës të perëndishëm të krishterë, të cilët modelojnë një përdorim ndërtues të medias sociale. Në të njëjtën kohë, shqetësohem që ne, si kishë, shpesh ndikohemi prej dinamikave të pashëndetshme të kulturës së medias sociale, më tepër nga sa e ndikojmë ne atë. Tepër shpesh, ne tërhiqemi nga gjërat e shëmtuara, të bujshme dhe tallëse të saj.

Nuk mendoj se zgjidhja është që domosdoshmërisht ta evitojmë krejtësisht median sociale, edhe pse kjo mund të jetë për disa, por të gjithë ne duhet të marrim në konsideratë kufizimet tona. Gjithsesi, mendoj se në gjendjen e tanishme të kulturës, perëndishmëria në përdorimin e medias sociale do të kërkojë të jemi edhe më të qëllimshëm dhe të ekuilibruar. Ne nuk do të zhvendosemi në një përdorim ndërtues të platformave Twitter ose Instagram. Gjërat të tilla si promovimi i vetes dhe ashpërsia apo ligësia, shpesh janë rryma tepër të fuqishme.

Ne nuk do të zhvendosemi në një përdorim ndërtues të platformave Twitter ose Instagram. Gjërat të tilla si promovimi i vetes dhe ashpërsia apo ligësia, shpesh janë rryma tepër të fuqishme.

Si ta bëjmë këtë gjë? Personalisht, jam ende duke u përleshur për të zbuluar mënyrën se si, por ja ku janë tri strategji, të cilat mund t’i marrim në konsideratë për t’ia nisur:

1. Luftoje lakminë me mirënjohje

Media sociale nxit një krahasim që e bën lakminë rrezik të vazhdueshëm. Gjithmonë do të jetë dikush, i cili do ketë më tepër ndjekës, gjithmonë do ketë ndonjë krizë të re për të cilën ndihesh se duhet të japësh mendimin tënd (apo ndonjë shaka në të cilën dëshiron të jesh pjesë). Është e lehtë që nga frika se mos nuk të vënë re, të kthehesh në një tiran, apo nga nevoja për të ruajtur platformën tënde, të bëhesh barrë.

Kam zbuluar që në luftën kundër lakmisë më ndihmon kultivimi i mirënjohjes për atë që kam. Kjo gjë të ndihmon të fokusohesh më tepër në përdorimin e platformës për të bërë të mirën reale, se sa ta rritësh atë për të mirë potenciale. Ngazëllo në çfarëdo ndikimi të është dhënë, pavarësisht sa i vogël mund të jetë. Ji mirënjohës për të! Kultivoje sikur të ishte një oaz i çmuar në mes të shkretëtirës.

Gjithashtu është gjë e shëndetshme dhe çliruese që rregullisht t’ia ofrojmë ndikimin tonë Zotit. Vendose para këmbëve të Tij dhe kërko që të jesh vërtet i kënaqur kur Ai ta heq këtë ndikim, vetëm e vetëm që të kesh më tepër prej Tij.

Ndërsa e bëjmë këtë na ndihmon të kujtojmë që krenaria është gjithmonë shtegu drejt shterpësisë dhe përulësia është shtegu drejt gëzimit. Jezusi erdhi në një grazhd dhe jo me paradë. Në një farë mënyre, prania jonë në median sociale duhet ta reflektojë këtë fakt. Oh, çfarë lumturie dhe lirie gjen thjesht duke u shërbyer të tjerëve dhe duke mos u shqetësuar për faktin që je i panjohur!

2. Përpiqu edhe më fort për të treguar mirësi

Shpesh kam menduar që media sociale është një nga mekanizmat e kulturës tonë për poshtërimin publik. Atë që në mesjetë e bënim duke i lidhur njerëzit me kokën dhe duart në dërrasa, tani e bëjmë në Twitter.

Atë që në mesjetë e bënim duke i lidhur njerëzit me kokën dhe duart në dërrasa, tani e bëjmë në Twitter.

Gjëja e frikshme është që njerëzit të cilët përfshihen në këtë lloj aktiviteti, si rezultat i kësaj, shpesh fitojnë më tepër vëmendje. Ky është tregues serioz për mëkatshmërinë tonë që në kontekste të caktuara jo vetëm që e tolerojmë ashpërsinë dhe zemërimin apo inatin, por në fakt i shpërblejmë ato.

Nën dritën e dialogut tonë kulturor dhe natyrës së medias, duhet të punojmë edhe më fort për të treguar mirësi. Bëni përpjekje shtesë për të thënë diçka pozitive sa herë që të keni mundësi. Evitoni sarkazmën, më tepër nga sa bëni normalisht. Tregohuni edhe më të gatshëm për t’i shfrytëzuar mundësitë që të nderoni dikë tjetër (Romakëve 12:10).

E di që kjo nuk është e thjeshtë dhe nuk dëshiroj t’ia ul vlerën debatit dhe mos rënies dakord në mënyrë të hapur. Sigurisht, ka një kohë për qortim dhe për indinjatë. Disa sulme apo keq prezantime, kërkojnë një reagim më të fortë.

Ende ia vlen të pyesim veten me çdo ‘tweet’ (postim twitter-i) apo postim të zakonshëm: a duket kjo më tepër si punë e mishit apo e Frymës? Në cilën kulturë jam duke kontribuar?

3. Bëni pushim

Shkëputja e rregullt të ndihmon të kesh një jetë të shëndetshme në mediat sociale. Përveç pushimeve në formë shabati nga media sociale, mund të konsideroni edhe këto:

  • Fshijeni aplikacionin nga telefoni, thjesht përdoreni në kompjuter (ose bëjeni këtë gjithmonë, apo për kohë të caktuara, si fundjavat apo ditët familjare).
  • Bëni vende të caktuara në shtëpinë tënde ku nuk i merr kurrë pajiset e tua elektronike (si. bodrumi apo dhoma e studimit).
  • Përdor funksionin “mos shqetëso” si praktikë normale (që të mos të të bezdisin vazhdimisht, shpërqendrimi i vazhdueshëm, nuk është gjë e shëndetshme për ne).

Një praktikë tjetër e dobishme është që thjesht të mos merrni njoftime apo të mos i ndiqni njerëzit që vazhdimisht ju ulin poshtë. Mos hezitoni ta bëni këtë gjë. Nuk kërkohet që të ndiqni këdo (apo të ndërveproni me çdo koment) kur kjo gjë është e dëmshme për shpirtin tënd. Kur jam duke u përleshur me lakminë apo vetminë, ndërsa kaloj përgjatë medias sociale, e di që ndoshta ky është momenti që të shkëputem për një farë kohe.

Kur jam duke u përleshur me lakminë apo vetminë, ndërsa kaloj përgjatë medias sociale, e di që ndoshta ky është momenti që të shkëputem për një farë kohe.

Ose, në qoftë se nuk debatoni kurrë me njerëzit në jetën reale, por e bëni këtë gjë në Facebook, atëherë është momenti që t’i ekuilibroni më tepër këto dy fusha. Media sociale duhet të mbështesë dhe jo të kompensojë ndërveprimin ballë për ballë. (Një sfidë e dukshme kjo në një pandemi globale!)

Thirrje e fundit

Ne që njihemi me emrin e Krishtit, duhet të tregohemi në mënyrë të veçantë të kujdesshëm për mënyrën se si flasim me njëri-tjetrin. Ndërveprimi ynë në median sociale shfaqet para një bote që shikon. Edhe në mes të mosmarrëveshjeve tona, duhet të dallohemi prej dashurisë (Gjoni 13:35) që të mos e zhvlerësojmë ungjillin e hirit.

E kuptoj që ka disa njerëz me të cilët është pothuaj e pamundur të kesh një ndërveprim ndërtues. Në të vërtetë, shpesh mendoj që duhet ta konsiderojmë edhe më thellë atë që thotë Titi 3:10 në raste të tilla: “Shmangu nga njeriu sektar, mbasi ta kesh qortuar një herë e dy herë.” Kjo mund të tingëllojë si e ashpër, por shpesh urtësia na kërkon mënjanim total. Pali e kuptoi këtë gjë, prandaj duhet ta kuptojmë edhe ne.

Shumë gjëra janë jashtë kontrollit. Nuk mund ta ndalojmë klithmën dhe rrëmujën e vazhdueshme të internetit, por mund të përpiqemi ta reduktojmë përfshirjen tonë në probleme dhe të bëjmë gjithçka që mundemi për të kontribuar në një kulturë më të shëndetshme.

Ja një synim i lumtur për të cilin të luteni që edhe më shumë të krishterë të dallohen në median sociale, përmes urtësisë që përshkruan Jakobi: “është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite” (Jakobi 3:17).


Burimi: https://www.thegospelcoalition.org/article/3-ways-social-media-stealing-joy/

Përktheu: Asim Hamza / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet