×

4 gjëra për të cilat duhet të luteni para se të hapni Biblën

Mund të filloj me një rrëfim ironik: Kam prirjen t’i shpërfill artikujt mbi lutjen. Kjo do të thotë se, nëse vendos të largohesh nga ky artikull, unë nuk jam në pozitë për t’ju fajësuar. E kuptoj ndjesinë. Çfarë na mbetet të themi për temën?

Rëndësia e lutjes nuk është një temë e re. Në fakt është “lajm i vjetër”. E dimë se ka rëndësi, edhe nëse nuk e kuptojmë si funksionon gjithçka. (Nëse Perëndia ka planifikuar gjithçka, po mendon ti me vete, përse t’i kërkojmë gjëra?) Edhe nëse nuk je aspak fetar, e di që ndjekësit e Jezusit luten. Ata flasin me Të, ose të paktën mendojnë se po e bëjnë. Dhe nëse je besimtar, a ka ndonjë temë më themelore?

Nëse besimi i krishterë do të kishte një program mësimor, lënda e quajtur “Lutja ka rëndësi” nuk do të ishte një lëndë me zgjedhje për universitetin; do të ishte një lëndë e domosdoshme për kopshtin.

Mos hamendëso kurrë!

Në rregull, pra, lutja është thelbësore. Është shumë e rëndësishme. Gjithsesi, a nuk mund të hamendësojmë se kjo është e vërtetë dhe të kalojmë te gjërat ‘praktike’? Jo kaq shpejt. Gjërat më të rëndësishme në jetë asnjëherë nuk duhen nënvlerësuar dhe hamendësuar.

Jam i bindur se një qasje ndaj Fjalës së Perëndisë, e cila nuk përfshin lutjen, është një nga arsyet kryesore për pakënaqësitë që fshihen dhe gumëzhijnë nën sipërfaqen e jetëve tona. Ne ia vjedhim vetes gëzimin dhe paqen, kur nuk arrijmë të lutemi. Në të vërtetë, t’i afrohesh Shkrimit duke qenë larg lutjes, është një nga gjërat më pak produktive që mund të bësh. Sepse krishterimi pa lutje është krishterimi pa fuqi.

P–H–B–N

Mund ta njohësh mirë lutjen si reagim ndaj Fjalës së Perëndisë, por çfarë do të thotë të lutesh para se të lexosh? Si do të ishte t’i afroheshe Biblës tënde me lutje?

Do të thotë të mos ngutesh në leximin e Biblës, duke pritur që faqet të ngrohin si mikrovalë zemrën tënde të ftohtë, në mënyrë magjike. E dimë se Perëndia është sovran, e cila është një tjetër mënyrë për të thënë se Ai është Perëndi dhe bën atë që do (Psalmi 115:3). Patjetër që Ai është plotësisht i aftë të ndezë mikrovalën, edhe kur ti nuk ia ke kërkuar. Megjithatë, përse të mos ia kërkosh?

Jam i bindur se një qasje ndaj Fjalës së Perëndisë, e cila nuk përfshin lutjen, është një nga arsyet kryesore për pakënaqësitë që fshihen dhe gumëzhijnë nën sipërfaqen e jetëve tona.

Disa vite më parë, dëgjova John Piper të ndante një shkurtesë që ai e përdorte për ta përgatitur zemrën e tij që të marrë nga Perëndia. Secila shkronjë P–H–B–N korrespondon me një lutje nga Psalmet.

P – “Përkule zemrën time ndaj parimeve të tua dhe jo ndaj lakmisë” (Psalmi 119:36)

Kjo nuk është një kërkesë lajkatare. Ajo nënkupton që zemrat tona tërhiqen në drejtimin e gabuar, larg asaj që jep jetë. Jo se ne nuk e pëlqejmë Biblën, thjesht, gjërat e tjera na bëjnë më shumë për vete. Lista e dëshirave duket më tërheqëse, lista e gjërave që duhet të bëjmë më urgjente.

Shumicën e mëngjeseve, për shembull, mendja ime shkon menjëherë te një nga këto gjëra:

  1. Çfarë kam planifikuar për sot?
  2. Çfarë do ha për mëngjes?
  3. Çfarë po ndodh në rrjetet sociale?

Pyetje të tilla nuk janë të tmerrshme, por tregojnë shumë. Ato ekspozojnë prirjen e natyrshme të zemrës time. Ato më zbulojnë se, të menduarit për vete është e pamundimshme, ndërsa për të menduar për Perëndinë, duhet të mundohem.

Çdo ditë duhet të zhvishem nga shqetësimet e mia patetike vetëm për veten. Po kështu edhe ju! Sa mirë që Perëndisë i pëlqen të zhvendosë zemrën tonë nga gjërat e pavlera dhe ta rivendosë te gjërat që janë të paçmueshme, dhe të gjithë këtë e bën për hir të gëzimit tonë. Këtu hyn lutja, ne thjesht duhet të kërkojmë.

H – “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodis mrekullitë e ligjit tënd.” (Psalmi 119:18).

Në shumë mënyra, leximi i Biblës është si leximi i librave të tjerë. Ne duhet t’i afrohemi siç do t’i afroheshim çdo pjese letrare, duke qenë të ndjeshëm ndaj zhanrit, vendndodhjes dhe kohës, qëllimit të autorit dhe të gjitha aspekteve të tjera letrare. Megjithatë, ka një ndryshim të madh. Personi i tretë i Trinitetit të përjetshëm, i hukati fjalët e Biblës. Dhe Frymës i pëlqen që fjalët e Perëndisë t’i bëjë realitet, ditë pas dite, në zemrat e atyre që janë verbuar nga tirania e gjërave të pavlera.

Frymës i pëlqen që fjalët e Perëndisë t’i bëjë realitet, ditë pas dite, në zemrat e atyre që janë verbuar nga tirania e gjërave të pavlera.

Çfarë e ka tërhequr imagjinatën tënde? Çfarë po i magjeps sytë e zemrës tënde? Kur e hap Biblën, mos prit të biesh nën magjepsje. Fol drejtpërdrejt me Autorin. Kërkoji Frymës të ta largojë verbërinë për të parë bukurinë që ke para syve. Siç ka thënë dhe Charles Spurgeon: “Shpesh, tekstet nuk do ta shfaqin thesarin e tyre, derisa t’i hapësh me çelësin e lutjes.”

B – “Bashkoje zemrën time me frikën e emrit Tënd” (Psalmi 86:11)

Kur isha i ri, babai më shpjegoi një herë se përse hapja e Biblës mund të jetë përleshje e madhe. Ai tha: “Është pothuajse sikur satani ka vënë gishtin te kapaku dhe e shtyn fort.” Më kujtohet se mu duk diçka e çuditshme. Tani e besoj që është e vërtetë.

Bibla na mëson se djalli është tinëzar. Ai e di se mënyra më e thjeshtë për të na mbajtur larg nga Fjala e Perëndisë është duke na shpërqendruar, duka na bërë robër ndaj gjërave të shndritshme e duke na joshur të mendojmë për diçka, çfarëdo gjëje tjetër.

Ndoshta e ke parasysh këtë skenar: Në rregull, Romakëve kapitulli 2. Le të fillojmë! Ku e kisha lënë? Në rregull, kjo pjesë më duket e njohur. Sa më pëlqen apostulli Pal… Kam shumë uri. Takimin e drekës e kam nesër në 11:30 apo në 12:30? Prit ta shoh…

E mahnitshme apo jo? Zemra jonë tërhiqet në mijëra drejtime të ndryshme. Siç ka shkruar dhe Piper, me fjalë që duhet të bindin secilin prej nesh: “Një nga të mirat e Twitter dhe Facebook, në Ditën e Fundit, është se do të provojnë që mungesa e lutjes nuk ishte për shkak të mungesës së kohës.”

Duhet të lutemi me dëshirë për një zemër të bashkuar, përndryshe do të shkojmë drejt ndarjes, shpërqendrimeve dhe largësisë nga fjala e Perëndisë së gjallë.

N – “Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde.” (Psalmi 90:14)

Në fakt, nuk shpërqendrohemi vetëm larg Perëndisë. Ne jemi gjithashtu të pakënaqur me Perëndinë. Patjetër që e dimë se Ai është një pjesë e rëndësishme e jetës, por mendojmë se, nëse duam të jemi vërtet të plotësuar, vërtet të lumtur, duhet të kërkojmë diku tjetër.

Ndonjëherë, njerëzit fetarë mund të lënë përshtypjen se lumturia nuk është frymërore. Mund të jesh i lumtur ose i shenjtë, por me siguri nuk mund të jesh të dyja. Fatmirësisht Bibla nuk ka vend për mendime të tilla.

Çdo qenie mbi planet po kërkon lumturinë. Nuk është ky problemi, problemi është që e kërkojmë larg Perëndisë. Kërkimi është i duhuri, destinacioni është i gabuar.

Kur e hap Biblën, mos prit të biesh nën magjepsje. Fol drejtpërdrejt me Autorin. Kërkoji Frymës të ta largojë verbërinë për të parë bukurinë që ke para syve.

Në fjalimin e tij inagurues, në Kolegjin e Kenyon, në vitin 2005, novelisti amerikan, David Foster Wallace, e përmblodhi këtë dinamikë universale, madje primitive të njerëzimit. Wallace nuk ishte i krishterë, e megjithatë fjalët e tij goditën një tel të thellë shpirtëror:

Arsyeja bindëse për zgjedhjen e një perëndie apo diçkaje frymërore për të adhuruar… është, në pjesën më të madhe, fakti se gjithçka tjetër që do të adhurosh do të të hajë të gjallë. Nëse adhuron paratë apo të mirat materiale, nëse  e gjen kuptimin tënd të vërtetë për jetën në ato gjëra, atëherë do të ndjesh se nuk ke kurrë mjaftueshëm. Adhuro trupin tënd, bukurinë dhe joshjen seksuale dhe do të ndihesh gjithmonë i shëmtuar. E kur të kalojë koha dhe vitet, do të kesh vdekur një milion herë para se të të varrosin… Adhuro fuqinë, do të përfundosh duke ndjerë frikë dhe dobësi, dhe do të kesh nevojë për më shumë fuqi mbi të tjerët që të mpish frikërat e tua. Adhuro intelektin tënd, faktin që të të shohin si të zgjuar, do të përfundosh duke u ndjerë budalla, mashtrues, gjithmonë në rrezik që do të të zbulojnë. E megjithatë, tinëzia e këtyre formave të adhurimit është se… janë të pandërgjegjshme. Janë cilësime të paracaktuara.

A mund ta shohësh veten në pasqyrën e fjalëve të Wallace? Unë po. Prandaj duhet t’i afrohemi Fjalës së Perëndisë me lutje, duke i kërkuar Atij që ta kënaqë këtë zemër të trazuar me mirësinë e Tij.


Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/4-things-pray-bible/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet