Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2021
Në shërbesë do të thirresh të presësh dhe pritjen do ta kesh të vështirë si personalisht, ashtu edhe në grup. Prandaj është e rëndësishme të kuptojmë se ka shumë arsye të mira që tregojnë se pritja nuk është thjesht e pashmangshme, por e nevojshme dhe e dobishme. Ja disa prej tyre:
Për shkak se jetojmë në një botë të thyer
Jemi thirrur të presim, për shkak se gjendja e thyer e botës e bën gjithçka të vështirë. Asgjë në këtë jetë apo në shërbesën tënde nuk funksionon ashtu siç ishte menduar fillimisht. Diçka ndryshoi kur mëkati hyri në botë, e duke qortuar Adamin, Perëndia e përmblodhi atë ndryshim: “Toka do të jetë e mallkuar… ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore… ti do të hash barin e fushave… do të hash bukën me djersën e ballit” (Zanafilla 3:17–19). Mëkati solli mundim, grindje, dhimbje, djersë e mijëra “gjemba e bimë gjembore” të tjera që e vështirësojnë çdo aspekt të jetës. E gjejmë veten duke pritur, sepse gjithçka në një botë të thyer është më e mundimshme dhe më e ndërlikuar nga sa duhet të jetë vërtet.
Mëkati ka vendosur gjithashtu lakmi, frikë, arrogancë, xhelozi dhe vetëadhurim në shpirtrat e të gjithë atyre që jetojnë në këtë botë me gjemba dhe bimë gjembore. Ne duhet të presim sepse, duke qenë egoist, të paduruar, konkurrues, me ankth dhe të zemëruar e bëjmë jetën dhe shërbesën më të vështirë për njëri-tjetrin në një larmi mënyrash të pafundme. Prandaj, ajo që duket si bisedë e lehtë udhëheqësie bëhet konflikti i madh. Ja përse ajo marrëdhënia që dikur ishte e ëmbël në shërbesë njolloset me lëndim dhe hidhërim, dhe për këtë arsye kisha, në disa raste, funksionon si një vegël e fuqisë personale dhe jo si instrument adhurimi dhe shpengimi.
Edhe proceset, edhe njerëzit ndikohen–gjithçka dhe çdokush është dëmtuar nga Rënia. Ne duhet të presim, sepse në një botë të thyer, gjithçka bëjmë është më e vështirë dhe më e komplikuar nga sa duhet të ishte.
Për shkak se Perëndia është sovran
Ne duhet të presim, sepse ne në fakt nuk po shkruajmë historinë tonë personale të shërbesës. Jeta nuk funksionon ashtu siç duam ne, atëherë kur duam ne. Ti dhe unë nuk jetojmë në qendër të universit. Atë vend e ka në përjetësi Perëndia dhe vetëm Perëndia. Historitë tona individuale dhe historitë e kishave tona janë një pjesë e historisë nga origjina deri në përmbushje të cilën e shkruan vetëm Ai. Pritja bëhet menjëherë më e lehtë, kur kupton se Perëndia është sovran (dhe ti nuk je) dhe kur reflekton më tej për realitetin se vetëm Ai është burimi më i lartë i gjithçkaje që është e mençur, e dashur dhe e mirë.
Për këtë arsye, pritja nuk është një shenjë që tregon se bota jote ka dalë jashtë kontrollit. Në fakt, ajo është një shenjë që tregon se bota jote është nën kontrollin e mençur dhe pafundësisht të vëmendshëm të një Perëndie, i Cili ka mençuri të paarritshme dhe dashuri të pakufishme. Kjo do të thotë se mund të pushosh ndërsa pret, jo sepse të pëlqen të presësh, por sepse i beson Atij që të thërret të presësh.
Për shkak se Perëndia është një Perëndi i hirit
Pritja është një prej mjeteve më të fuqishme të hirit të Perëndisë. Është e rëndësishme të kuptosh në shërbesën tënde se Perëndia nuk na jep thjesht hir për pritjen. Vetë pritja është një dhuratë e hirit. E di, pritja nuk është vetëm për atë që do të marrësh në fund të saj. Pritja është për atë që do të bëhesh ndërsa pret. Kur na thërret të presim, Perëndia po shpëton ata prej nesh në shërbesë që jemi skllavëruar nga planet tona, nga mençuria jonë, nga fuqia jonë dhe nga kontrolli ynë.
Duke na thirrur të presim, Perëndia po na çliron nga kufizimet shtrënguese të mbretërive tona të vogla që mbajnë vetëm një person dhe po na tërheq në një besnikëri ndaj mbretërisë së Tij të lavdisë dhe hirit. Pritja është më tepër se të qenët i duruar, ndërsa situatat dhe njerëzit e tjerë ndryshojnë. Pritja ka të bëjë me të kuptuarit se ti dhe unë kemi nevojë të madhe për të ndryshuar dhe se pritja është një mjet i fuqishëm për ndryshimin personal. Perëndia po përdor hirin e pritjes për të na ndryshuar deri në thelbin vendimtar të personit tonë: në zemër. Kjo është diçka e mirë në shërbesë.
Që ne të mund t’u shërbejmë të tjerëve
Pritja është thelbësore për çdo aktivitet shërbese. Nëse vërtet je përkushtuar për të qenë pjesë e asaj që Perëndia po bën në jetën e të tjerëve, do të jesh i gatshëm të presësh. Ndryshimi i jetës dhe zemrës është rrallëherë një ngjarje e papritur. Zakonisht është një proces. Ti dhe unë nuk e përcaktojmë dot kur dhe si fryn era e Frymës dhe njerëzit nuk bëhen zakonisht ata që duhet të jenë brenda natës.
Kjo do të thotë se në shërbesë jemi thirrur të bëjmë të njëjtat biseda vazhdimisht. Jemi thirrur të ngremë një person pas çdo rënie, të jemi të gatshëm të falim e të durojmë, t’i kujtojmë atij apo asaj edhe njëherë praninë dhe hirin e Perëndisë, dhe të jemi të gatshëm që jeta do të na ngadalësohet e komplikohet gjatë këtij procesi. Njerëzit e hirit dhe dashurisë janë gjithmonë të gatshëm të presin.
Që të rritet lavdia e Perëndisë
Së fundi, jemi thirrur të presim sepse gjithçka në jetë dhe shërbesë ekziston jo për rehatinë dhe lehtësinë tonë, por për lavdinë e Perëndisë. E gjithë historia shpenguese është shkruar për një qëllim të vetëm: për lavdinë e mbretit.
Pritja është e vështirë për ne, sepse i lidhim zemrat tona me lavdi të tjera. Shpeshherë tundohemi të jetojmë e të shërbejmë për lavdinë e pranimit të njerëzve, për arritjet personale, për fuqi dhe pozitë, për të mira materiale dhe vende, dhe për rehati e kënaqësi. Prandaj, kur lavdia e Perëndisë kërkon që këto gjëra të na hiqen, gjëra te të cilat kërkojmë identitet, kuptim dhe qëllim, pritja na duket rraskapitëse, si të ishte një barrë. Të presësh do të thotë të dorëzosh lavdinë tënde.
Të presësh do të thotë t’i nënshtrohesh lavdisë së Tij. Të presësh do të thotë të kuptosh se të është dhënë jetë e frymë për lavdinë e dikujt tjetër. Pritja të jep mundësinë të harrosh iluzionin e lavdisë tënde e të prehesh në lavdinë e mrekullueshme të Perëndisë. Vetëm kur të bësh këtë gjë, do të gjesh atë që kërkon dhe atë që duhet të kesh: identitet, kuptim, qëllim dhe paqe në Krishtin. Në këtë mënyrë, pritja është shumë më tepër se një barrë që duhet mbajtur, është një dhuratë e çmuar që duhet ta marrësh me gëzim.
Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/5-reasons-why-god-calls-us-to-wait/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon