×

7 Gjëra që virusi korona nuk i ka ndryshuar

Virusi korona e ka lëkundur tokën poshtë këmbëve tona, sikurse një tërmet. Gjërat të cilat hamendësonim që mund t’i merrnim për të mirëqena (vaktet bashkë me miqtë, ceremonitë e diplomimit, kampionatin e basketbollit) janë anuluar apo shtyrë.

Po bëjmë disa gjëra, të cilat nuk i kishim imagjinuar kurrë (po lajmë paketimet e ushqimeve që sjellim në shtëpi, po mbajmë një metër e gjysmë distancë nga miqtë) dhe nuk po bëjmë shumë gjëra të cilat prisnim që do t’i bënim gjithmonë (të mblidhemi në takimet e kishës, të vizitojmë gjyshen apo të shkojmë në punë). Llogaritë e majmura të pensionit po zbrazen. Puna e sigurt ka humbur. Arsimimi është zhvendosur në shtëpi. Të afërmit tanë janë shtruar në spital dhe disa kanë vdekur.

Tërmetet janë ndodhi të frikshme dhe të rrezikshme, për shkak se i tundin ato që ne hamendësuam se ishin të forta dhe të palëkundshme, virusi korona i ka tundur supozimet tona dhe shumë prej nesh po përleshemi për të qëndruar në këmbë. Kemi humbur ekuilibrin, jemi çorientuar, jemi të pasigurt, të vetmuar dhe në vajtim.

Prandaj, në këtë kohë është veçanërisht e rëndësishme dhe e çmuar, të konsiderojmë dhe kremtojmë gjërat të cilat virusi korona nuk mund t’i prekë dot; realitetet e pandryshueshme dhe të palëkundshme, të cilat nuk kanë ndryshuar për shkak se sipas Biblës, ato nuk mund dhe nuk do të ndryshojnë.

Këto gjëra ishin të vërteta para se të vinte virusi korona dhe do të mbeten të vërteta edhe shumë kohë pas këtij virusi (dhe në përjetësi). Këto të vërteta janë si kolona masive të ngulura thellë në shkëmbin e përjetshëm dhe ne mund të qëndrojmë mbi to, kur shumë nga gjërat e tjera mbi të cilat mbështeteshim janë lëkundur.

Merrni në konsideratë shtatë gjëra që nuk kanë ndryshuar.

1. Perëndia

Perëndia trini (Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë) është i pandryshueshëm në shenjtëri, drejtësi dhe lavdi. Perëndia deklaron: “Unë jam Alfa dhe Omega… që është, që ishte dhe që vjen, i Plotfuqishmi” (Zbulesa 1:8) dhe Jakobi na thotë: “Çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakobi 1:17). Kjo është e vërtetë edhe për Perëndinë Bir: “Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë” (Hebrenjve 13:8). Dhe Fryma e Shenjtë quhet “Fryma i përjetshëm” (Hebrenjve 9:14).

Perëndia ynë do të ekzistojë edhe kur të mos ketë qiej: “Së lashti ti ke vendosur tokën dhe qiejtë janë vepër e duarve të tua; ata do të zhduken, por ti do të mbetesh; do të konsumohen të gjithë si një rrobe” (Psalmi 102:26).

2. Fjala e Perëndisë

Virusi korona nuk e vë në dyshim vërtetësinë dhe besueshmërinë e Perëndisë. Fjala e Tij është po aq e sigurt sa ka qenë gjithmonë: “Bari thahet, lulja fishket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë” (Isaia 40:8); “Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë” (Psalmi 119:89); “Fjala e Perëndisë është e gjallë, e qëndrueshme dhe e pashkatërrueshme”  (1 e Pjetrit 1:23).

3. Dashuria e Perëndisë

Dashuria e pandryshueshme e besëlidhjes së Perëndisë për ne është baza e lavdërimit tonë të gëzueshëm të Tij:

Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë (1 e Kronikave 16:34).

Prano, pra, që Zoti, Perëndia yt, është Perëndia, Perëndia besnik që respekton besëlidhjen e tij dhe tregohet i mbarë deri në brezin e njëmijtë ndaj atyre që e duan dhe që zbatojnë urdhërimet e tij (Ligji i Përtërirë 7:9).

Mrekulli e mrekullive, Perëndia është i pandryshueshëm në qëndrimin e Tij të mëshirshëm ndaj nesh: “Unë jam Zoti, nuk ndryshoj; prandaj ju, o bij të Jakobit, nuk jeni konsumuar” (Malakia 3:6). Dashuria e Perëndisë për ne (një dashuri të cilën Ai gjithashtu e prodhon brenda nesh përmes Frymës së Tij) është njëri prej atyre realiteteve të pandryshueshëm, të pashkatërrueshëm që vazhdon nga kjo jetë në atë të ardhshmen.

4. Qëllimi i Perëndisë

Për shkak se dashuria e Perëndisë për ne nuk ka ndryshuar, nuk ka ndryshuar as plani i Tij i mirë. Duke qenë se qëllimi i Tij i mirë vazhdon të jetë konstant, ne kemi një shpresë, një pritje të fortë dhe të sigurt që na mban të patundur përgjatë jetës, ashtu sikurse spiranca e mban anijen në mes të stuhisë:

Kështu Perëndia, duke dashur t’ju tregojë trashëgimtarëve të premtimit në mënyrë më të qartë palëkundshmërinë e vendimit të tij vuri ndërmjetës betimin, që me anë të dy gjërave të pandryshueshme, në të cilat është e pamundur të Perëndia të gënjejë, të kemi trimërim të madh, ne që kemi kërkuar strehë duke u kapur nga shpresa që na u vu përpara. Kjo shpresë që ne kemi është si një spirancë e sigurt dhe e patundur, dhe që hyn deri në brendësinë e velit (Hebrenjve 6:17-19).

5. Ndërmjetësimi i Jezusit për ne

Jezusi po ndërhynte për ne në praninë e Atit, para se të vinte virusi korona dhe kjo pandemi e tanishme nuk e ka ndaluar dhe as e ka ngadalësuar ndërmjetësimin e Tij. Ai po përgjërohet tani në bazë të vdekjes së Tij për ne:

Ndërsa ky në bazë të betimit nga ana e atij që i tha: “Perëndia u betua dhe nuk do të pendohet: ‘Ti je prift përjetë.’… prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta (Hebrenjve 7:21-25).

6. Dita e Gjykimit

Kjo është serioze! Virusi korona ka anulluar apo shtyrë shumë takime dhe shumë të tjera i ka detyruar të zhvillohen online, por është duke ardhur një ditë e caktuar, e cila nuk do të shtyhet, gjë e cila nuk do të ndodhë në platformën Zoom:

Perëndia, pra, duke kaluar përmbi kohërat e padijes, i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo ndodhen që të pendohen. Sepse Ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit. (Veprat e Apostujve 17:30, 31)

Secili prej nesh do të paraqitet personalisht në këtë takim (2 e Korintasve 5:10).

7. Destinacioni ynë final 

Virusi korona po i jep formë udhëtimit tonë, por jo fundit të tij. Kur të arrijmë atje ku po shkojmë, do të hyjmë në qytetin e së ardhmes, i cili do të zgjasë përjetë: “Sepse nuk kemi këtu qytet të përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur” (Hebrenjve 13:14). “Shërbëtorët e Perëndisë në Jerusalemin e ri ‘do të mbretërojnë në jetë të jetëve” (Zbulesa 22:1-5).

Destinacioni i ardhshëm dhe final nuk është zbehur aspak prej virusit korona. Nuk është e mundur, për shkak se nuk është këtu, por është në qiell. Ne kemi ‘një trashëgim të paprishshëm, të panjollë dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiejt për ju’ (1 e Pjetrit 1:4).

Besimtarë të palëkundshëm

Realitetet e pandryshueshme, prodhojnë të krishterë të palëkundshëm. Po, e vërtetë që po përpiqemi, po përshtatemi dhe jemi të lënduar, por ne kemi disa të vërteta të çmuara, të cilat na mbajnë të palëkundur mes këtyre kohëve të trazuara.

Le t’i përvetësojmë këto të vërteta. Le të jetojmë me një ekuilibër të qëndrueshëm, i cili e lartëson Krishtin në një botë të çmendur.


Burimi: https://www.thegospelcoalition.org/article/7-things-coronavirus-hasnt-changed/
Përktheu: Asim Hamza / Redaktoi: Linea Simeon
© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2020

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet