×

8 Gjëra që duhet të kujtojmë gjatë pandemisë së virusit Korona

Kura për ankthin e fshehur brenda nesh

Këto ditë janë të çuditshme, të mbushura me frikë dhe histeri. Me pak fjalë, janë ditë që nxjerrin në sipërfaqe frikërat dhe ankthet tona; ankthe që i kemi pasur gjithmonë, por tani kanë arritur në pikën që janë të dukshme për të tjerët.

Çfarë duhet të kujtojmë në këto ditë alarmuese?

1. Bota e Biblës

Tani mund ta kuptojmë se si ndiheshin njerëzit e Perëndisë në Bibël, sidomos në Dhiatën e Vjetër. Librat e profetëve dhe shumë prej psalmeve, u flasin njerëzve që janë të pushtuar nga histeria masive apo janë të prekur nga pandemitë. Ndoshta, gjendja kulturore në të cilën ndodhemi është pikërisht interpretimi për të cilin kemi nevojë që ta lexojmë dhe ta kuptojmë më thellë Dhiatën e Vjetër, e cila ndryshe na duket tepër e huaj.

2. Besimi ynë i vërtetë

Kohë të tilla paniku publik, na detyrojnë të përputhim besimin që shpallim me gojë me besimin tonë të vërtetë. Ne të gjithë themi se besojmë që Perëndia është sovran dhe se Ai kujdeset për ne, por besimin tonë të vërtetë e tregojmë atëherë kur bota rreth nesh zhytet në panik. Ku qëndron në të vërtetë besnikëria më e thellë e zemrës tonë? Përgjigjja e vërtetë del në sipërfaqe vetëm në kohë alarmi publik, si ajo në të cilën kemi hyrë tani.

3. Dashuria për fqinjët

Kur ekonomia pëson goditje, përpara nesh shfaqen mundësitë për t’i surprizuar fqinjët tanë me sigurinë dhe gëzimin e vërtetë për shkak të ungjillit. Tani është koha për të qenë më tepër afër njerëzve, për të treguar më shumë dashuri dhe më shumë mikpritje. Dashuria merr më shumë kuptim në momentet kur pritet më pak, por është më e nevojshme.

4. Dishepullizimi në familje

Mësuesit po u thonë fëmijëve tanë të lajnë duart më shpesh. Pse? Ndoshta mësuesit nuk ua thonë atyre në mënyrë të drejtpërdrejtë, por është një virus i rrezikshëm që ka infektuar mijëra njerëz nëpër botë, të moshuar e të rinj dhe disa prej tyre po vdesin. Parajsa dhe ferri e kanë hedhur vështrimin mbi çdo fëmijë, prandaj po u thuhet që t’i lajnë duart për njëzet sekonda. Kemi mundësinë të ngulisim te fëmijët tanë një vetëdije më të thellë rreth përjetësisë, në një mënyrë që ata s’e kishin kuptuar më parë. Kjo situatë ka një efekt të dobishëm, sepse ose parajsa, ose ferri e pret çdo fëmijë, i cili mund të vdesë nga virusi muajin e ardhshëm ose në moshë të shkuar, dekada më vonë. Pas dhjetë mijë vitesh nuk do të ketë rëndësi nëse ke vdekur dhjetë vjeç apo tetëdhjetë. Kjo është një mundësi për ta dishepullizuar familjen tonë në realitetin jetëdhënës të përjetësisë.

5. Shpresa e kthimit të Krishtit

Ndoshta ky është fundi. E dyshoj, por ndoshta. Jezusi tha se askush nuk e di as ditën dhe as orën (Mateu 24:36). Ndoshta pamja e Jezusit që zbret nga qielli, veshur në lavdi, rrethuar nga engjëjt është shumë pranë. Nëse është kështu, Haleluja! Nëse jo, prapë Haleluja! Megjithatë, po kujtohemi që Ai vërtet do të kthehet një ditë. Sido që të jetë, le të ngazëllojmë, ndërsa kalojmë përmes kaosit.

Nga brigjet e qiellit do të shohim se sa përjetësisht të sigurt ishim gjatë gjithë kohës.

6. Providencë e pamposhtur

Asnjë molekulë e infektuar nuk mund të hyjë në mushkëritë e tua, apo te fëmija yt 3-vjeçar, nëse nuk lejohet nga dora e Atit tënd qiellor. Katekizmi i Heidelberg e përshkruan kështu providencën e Perëndisë: “Fuqia e gjithëfuqishme dhe e gjithëpranishme e Perëndisë me anë të së cilës Perëndia mban në duart e Tij qiellin dhe tokën, të gjitha krijesat e çdo gjë, sundon mbi gjithçka; sundon në mënyrë të tillë sa çdo fije dhe gjethe, shiu apo thatësira, viti i frytshëm apo ai i zisë së bukës, pijet dhe ushqimi, shëndeti apo sëmundjet, begatia apo varfëria, të gjitha në fakt vijnë te ne, jo në mënyrë të rastësishme, por nga dora e Tij atërore.” Kjo e vërtetë është për shpirtin tonë njësoj si aparati i frymëmarrjes për një astmatik. Na qetëson shpirtin e na lejon të marrim frymë sërish.

7. Zemra e Krishtit

Në kohë trazirash, në kohë plot stres, Jezusi është më i ndjeshëm se kurrë ndaj popullit të Tij. Letra drejtuar hebrenjve na tregon se Jezusi i përjetoi të gjitha tmerret e kësaj bote, përveç mëkatit (Hebrenjve 4:15). Pra, mesa duket, Ai vetë e di shumë mirë se çfarë do të thotë ta shohësh fundin e jetës tënde shumë afër e të shohësh se si bota rreth e qark teje po shkatërrohet. Ne mund të shkojmë tek Ai. Ne mund të ulemi me Të. Krahu i Tij na mbështjell – më fortë se kurrë – tani. Lotët e Tij janë më të mëdhenj se tanët.

8. Qielli

Nga brigjet e qiellit do të shohim se sa përjetësisht të sigurt ishim gjatë gjithë kohës, madje edhe në mes të këtij trazimi global dhe mes anktheve të cilat duken kaq të mëdha, ndërsa kalojmë përmes tyre. Rreziqet aty jashtë janë të vërteta. Paralajmërimet janë diçka me mend. Trupat tanë janë të dobët, të cënueshëm, por shpirtrat tanë, për ne që jemi bashkuar me Krishtin e ringjallur, janë të paprekshëm nga çdo rrezik i përjetshëm. Sa të praprekshëm që jemi, ne që jemi në Krishtin! Ji në paqe! Gjithçka është e sigurt!

 

Shënim i redaktorit: 

Botuar me leje nga Crossway

Përktheu: Sara Gjana / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet