×

A do të shkojë gjithçka mirë në Itali?

ACTS 29: KISHAT MBJELLIN KISHA

Këtu në Itali, fëmijët e fqinjëve të mi më lanë mua dhe gruas time një dhuratë në prag të derës. Ishte vizatimi i një ylberi me fjalët: “Tutto andrà bene!” (“Gjithçka do të jetë në rregull!”). Ky është një sentiment i bukur, por viktimat e Italisë nga virusi korona, ditët e fundit ia kanë kaluar edhe Kinës. Gjërat nuk duken fare se janë në rregull në Itali.

Ndërsa jam duke shkruar, spitalet janë në pikën që nuk mund të përballohet, madje përtej saj, në mënyrë të veçantë në zonat e Italisë së veriut. Arkivolet janë bërë gumbull dhe shumë njerëz janë duke vdekur vetëm. Infektimet janë shumë të larta dhe nuk ka asnjë tregues që po ngadalësohen. E gjithë Italia është e mbyllur brenda, ndërsa ushtrisë i është kërkuar që të sigurohet se njerëzit do t’i respektojnë rregullat strikte. Ky nuk është thjesht një shkatërrim ekonomik; për disa, vetë mbijetesa e tyre është e pasigurt (si emigrantët që nuk kanë të ardhura ditore, kursime apo ushqim). “Në rregull” nuk ka kuptim më në vendin tim tani.

Para disa muajsh, diçka e largët papritur na zuri ne italianët e papërgatitur. Disa faktorë e bënë këtë pandemi edhe më të vështirë për ne. Virusi korona në fillim u minimizua: “Oh, është thjesht grip!” Ne kemi popullsinë e dytë më të moshuar në botë. Situatë gjithnjë e më serioze vjen e përkeqësohet nga paniku i udhëtimeve në zonat e infektuara në very për në zonat e tjera të Italisë.

A do të shkojë gjithçka mirë? Nuk ka pse të vrasim mendjen; ne e dimë.

Distancimi shoqëror për shumicën e Italianëve është i vështirë, ndërsa luftojmë me mbipopullimin e ngjeshur të familjeve të mëdha në hapësira të vogla, pa oborre apo kopshte. Shtojini kësaj nervozizmin dhe ankthin që ndiejmë, ndërsa shpresojmë që asnjë gjë të mos prishet, përfshirë këtu edhe internetin. Tani, jeta jonë normale, ka marrë fund. Nuk lejohet të dalim jashtë, nuk mund të mblidhemi bashkë. Në vend të kësaj, ka një shqetësim dhe frikë në rritje.

Psalmisti e njihte shqetësimin dhe frikën. Ai foli për një ditë fatkeqësie në të cilën shpirti i tij refuzoi të ngushëllohej (Psalmi 77:2-4). Ndërsa rënkonte, shpirti i tij u ligështua; ishte aq i shqetësuar, saqë nuk mund të fliste dot.

Në mënyrë të veçantë, ju që jeni bashkë kishëmbjellës me mua, dëgjoni pak nga historia ime dhe përgatituni e inkurajohuni në historinë tuaj.

Kishëmbjellje në Itali

Kisha që po mbjell unë, është pjesë e rrjetit të Acts29. Në Itali, ne kemi 15 projekte kishëmbjelljeje, shumica e të cilave janë në veri. Disa prej tyre janë në zonat më të prekura nga epidemia. Për shembull. Francesco Arco është pastor i një kishe në Genova. Vjehrri i tij, babai i Claudias, gruas së tij, u shtrua në spital para tri ditësh dhe tani është i lidhur me aspiratorin. Ai është vetëm! Ndërkohë, vetë familja Arcos nuk kanë qenë mirë dhe gjendja e tyre po mbahet me kujdes nën vëzhgim. Disa anëtarë të kishës janë infektuar; disa janë shtruar në spital. Të tjerë kanë humbur të ardhurat dhe duhet të mbijetojnë me burime që po shterojnë me të shpejtë. 

Kjo bashkësi tani takohet online me grupin e tyre, pothuajse çdo ditë, për lutje dhe inkurajim nga Shkrimi. Kjo është një lidhje jetësore. Ndërsa besimtarët e tyre më të rinj përballen me këtë sfidë të pazakontë, kanë nevojë për inkurajim me lutje dhe për rrënjosje të fortë në ungjillin e Jezu Krishtit.

Kisha ‘Serenissima’, afër Pordenone, e mbjellë nga Rob Krause është një kishë ndërkombëtare që përfshin shumë kultura. Shumë antarë të kishës punojnë në sistemin e kujdesit shëndetësor. Nënat shkojnë në punë, duke mos e ditur nëse do t’i përqafojnë sërish fëmijët e tyre. Fqinjët jetojnë mes tragjedisë së sëmundjes, ndarjes dhe vdekjes. Emigrantët që nuk kanë stabilitet ekonomik, jetojnë ditë pas dite pa ndonjë siguri materiale.

Shpresë për Italinë

Megjithatë, ne shohim rreze shprese në Itali. Ashtu sikurse edhe psalmisti, i cili pavarësisht vajtimit të tij ishte në gjendje ta adhuronte Perëndinë që ‘kryen mrekulli’ (Psalmi 77:14), kështu edhe ne vazhdojmë të ecim përpara duke e ditur se Ai është këtu me ne në Itali, duke kryer mrekulli. Një fqinj ka nisur të dallojë nevojën e tij për të njohur Perëndinë. Një çift i ri që po përgatitet për martesë, po rritet në besim dhe po sheh se një martesë e fortë, nuk varet vetëm nga siguria financiare dhe miqtë me të cilët shoqërohen.

Një student universiteti dëshiron të dijë më tepër rreth krishterimit, për shkak se nuk është i kënaqur nga reagimi i fesë boshe tradicionale dhe as nga promovuesit e ‘ungjillit’ të begatisë (të cilët çuditërisht janë të heshtur në këtë kohë). Klikimet dhe reagimet ndaj mesazheve online, devocioneve dhe intervistave janë duke u rritur. Në këtë kohë nevoje të madhe, shumë njerëz po i mendojnë sërish përparësitë dhe identitetet e tyre frymërore.

Lutuni për Italinë

Ju lutem, lutuni për Italinë! Vazhdimisht po dalin statistika shkatërrimtare. Qindra persona vdesin çdo ditë. Kjo ishte diçka e paimagjinueshme një javë më parë. Në këtë tragjedi që po zmadhohet, ne i lutemi Atit tonë të mirë. Ne madje qajmë, ndërsa besojmë.

A mund të luteni që ungjilli të shpallet fuqishëm dhe të mishërohet nga të krishterët italianë? A mund të luteni për kishëmbjellësit që t’i udhëheqin njerëzit e tyre gjatë këtyre ditëve plot shqetësim, duke e ditur se Perëndia dëgjon (Psalmi 77:1)? Lutuni për kishat tona që të bëhen më të rrënjosura dhe më të forta. Lutuni që ata të cilët na shohin nga jashtë, të mund të shohin shpresën tonë dhe të dëshirojnë të njohin Shpëtimtarin tonë.

Së fundi, një fjalë për pastorët që janë duke mbjellë kisha: përgatituni për atë që po vjen. Qëndroni të fokusuar! Ruajeni ungjillin në qendër të gjithçkaje! Lartësoni Jezusin dhe bëjeni të famshëm emrin e tij! Andrà tutto bene? A do të shkojë gjithçka mirë? Nuk ka pse të vrasim mendjen; ne e dimë. Gjithçka për ne, në Krishtin është si duhet!

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Asim Hamza / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet