×

Duaje të afërmin tënd aq sa të mund t’i thuash të vërtetën

Nëse ky do të ishte viti 1999–viti kur u ktheva në besim dhe u largova nga komuniteti i grave lesbike që ishte shumë i dashur për mua–dhe jo viti 2016, fjalët e Jen Hatmaker rreth shenjtërisë së marrëdhënieve të LGBT-së do të kishin rrjedhur në jetën time si balsami i Gileadit. Sa e mrekullueshme do të kishte qenë që dikush kaq rrezatuese, e mençur, e përulur, e sjellshme dhe gazmore si Jen të kishte thënë me zë të lartë atë që zemra ime shpallte me të madhe: Po, mund ta kem Jezusin dhe të dashurën. Po, mund të lulëzoj edhe në disiplinën e fortë akademike (teoritë seksuale dhe letërsia e kultura angleze), edhe në kishë. Marramendja ime emocionale mund të normalizohej sërish.

Ndoshta nuk do të më duhej të humbisja gjithçka për të pasur Jezusin. Ndoshta ungjilli nuk do të më shkatërronte ndërsa vazhdoja të prisja aq gjatë që Zoti të më rindërtonte, pasi më kishte bindur për mëkatin tim dhe pasi vuajta pasojat. Ndoshta për mua do të ishte ndryshe nga si ishte për Palin, Danielin, Davidi apo Jeremian. Ndoshta Jezusi mund të më shpëtonte pa më munduar. Ndoshta Zoti mund të më jepte kryqe të përballueshëm (Mateu16:24), gjemba të durueshëm (2 e Korintasve 12:7).

Sot, dëgjoj fjalët e Jen–fjalë që synojnë të inkurajojnë, jo të dekurajojnë, të ndërtojnë, jo të shkatërrojnë, të mbrojnë të përbuzurit, jo të përfitojnë fuqi të pamerituar–dhe djersa më rrjedh poshtë kurrizit. Nëse do të isha akoma në mes të betejës me dëshirën mëkatare të të qenët lesbike, fjalët e Jen do të më kishin hedhur një zinxhir të rëndë rreth qafës.

Vdiqa për një jetë që e doja

Për të qenë e qartë, nuk isha konvertuar nga homoseksualiteti, isha konvertuar nga mosbesimi. Nuk ndryshova stil jetese, unë vdiqa për një jetë që e doja. Kthimi te Krishti, më bëri të përballesha drejtpërdrejt me pyetjen: A e reflektonte lezbizmi im atë që jam (atë që besoja në 1999), apo e shtrembëronte atë që jam përmes rënies së Adamit? Përmes kthimit në besim mësova se kur diçka na duket e drejtë, e mirë, e vërtetë dhe e nevojshme–por qëndron kundër Fjalës së Perëndisë–kjo gjë zbulon mënyrën e veçantë që mëkati i Adamit karakterizon jetën time. Natyra jonë mëkatare na mashtron. Mashtrimi i mëkatit nuk është thjesht “diku aty”; është thellë në skutat e zemrës tonë.

Mënyra se si ndihem, nuk më tregon kush jam. Vetëm Perëndia mund të më tregojë kush jam, sepse Ai më krijoi dhe Ai kujdeset për mua. Ai më thotë se të gjithë ne kemi lindur si bartës të imazhit të tij si mashkull dhe femër, me shpirtra që do të jetojnë përgjithmonë dhe trupa gjinorë që ose do të vuajnë përjetësisht në ferr, ose do të lartësohen në Jerusalemin e Ri. Zanafilla 1:27 më tregon se ka pasoja dhe caqe etike për faktin që keni lindur mashkull apo femër. Kur e them fjalinë e fundit nëpër universitete–edhe midis atyre që pretendojnë se janë të krishterë–protestuesit mes studentëve ngrihen me dyzina. Më thonë se deklarimi i përgjegjësive etike i të lindurit si mashkull ose femër tani është fjalim urrejtjeje.

Të quash etikën seksuale të Perëndisë fjalim urrejtje, kënaq qëndrimin e satanit. Kjo është një marrëzi Oruelliane, ose më keq. Unë e di kush jam, vetëm kur Bibla bëhet lentja ime për vetëreflektim dhe kur gjaku i Krishtit pompon aq fuqishëm në zemrën time, sa të mohoj veten, të marr kryqin dhe ta ndjek Atë.

Të quash etikën seksuale të Perëndisë fjalim urrejtje, kënaq qëndrimin e satanit. Kjo është një marrëzi Oruelliane, ose më keq.

Nuk ka marrëveshje mes kryqit dhe personit të pakthyer në besim. Kryqi është i pamëshirshëm. Të marrësh kryqin nënkupton të vdesësh. Siç ka thënë dhe A. W. Tozer, të marrësh një kryq do të thotë të largohesh e të mos kthehesh kurrë më pas. Kryqi simbolizon çfarë do të thotë të vdesësh për veten. Ne vdesim që të mund të lindim sërish në dhe përmes Jezusit, duke u penduar për mëkatet tona (edhe për ato që nuk i zgjodhëm) dhe duke e vendosur besimin në Jezusin, Autorin dhe Plotësuesin e shpëtimit tonë. Fuqia e mbinatyrshme që vjen përmes të lindurit sërish, nënkupton se aty ku qëndronte një dëshirë e vetme–ajo që thotë se, nëse diçka të bën të ndihesh mirë, do të thotë se kjo jam unë vërtet–tani ndodhen dy dëshira binjake që luftojnë brenda meje:  “Sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi” (Galatasve 5:17). Kjo luftë nuk do të përfundojë deri sa të arrijmë në lavdi.

Fitorja mbi mëkatin nënkupton se kemi shoqërinë e Krishtit në betejë, jo se jemi bërë të pandjeshëm. Mëkatet e mia të parapëlqyer ma dinë emrin dhe ku banoj. Kjo është e vërtetë edhe për ty.

Kryqi nuk bëhet kurrë aleat me mëkatin

Disa vite më parë, po flisja në një kishë të madhe. Një grua më e moshuar priti deri në fund të mbrëmjes dhe m’u afrua. Më tregoi se ishte 75 vjeç, se kishte qenë e martuar me një grua për 50 vite. Ajo dhe partnerja e saj kishin fëmijë si dhe nipër e mbesa. Pastaj tha diçka që më drithëroi. Me zë të ulët, ajo pëshpëriti: “E kam dëgjuar ungjillin dhe e kuptoj se mund të humbas gjithçka. Përse nuk ma ka treguar askush më parë këtë? Përse njerëzit që dua nuk më kanë treguar se një ditë duhet ta bëja këtë zgjedhje?” Kjo është një pyetje e mirë! Përse asnjë person nuk i tregoi kësaj bartëse të dashur të imazhit të Perëndisë se nuk mund të kishte një dashuri të pamoralshme dhe ungjillin e paqes në të njëjtën kohë? Përse askush–përgjatë gjithë atyre dekadave nuk i tregoi kësaj gruaje se mëkati dhe Krishti nuk mund të banojnë së bashku, pasi kryqi nuk bën kurrë aleancë me mëkatin që duhet ta shkatërrojë, sepse Krishti mori mëkatin tonë mbi Vete dhe pagoi çmimin për koston e tij të tmerrshme?

Të gjithë ne kemi dështuar mjerueshëm në të dashurit e bartësve të imazhit të Perëndisë, të cilët identifikohen si pjesë e komunitetit LGBT–bartës të dashur të imazhit të Perëndisë, të cilët janë mashtruar nga mëkati dhe janë mashtruar nga një botë plot urrejtje që e aplikon kategorinë e gabimit të orientimit seksual si lak. Të gjithë ne vazhdojmë të dështojmë në mënyrë të mjerueshme. Nga ana biblike, shpesh kemi dështuar të ofrojmë marrëdhënie dashurie dhe të hapim dyert e shtëpive dhe të zemrave tona, një liri kaq të papenguar, sa të jemi po aq të fortë në marrëdhënie të dashura sa jemi edhe në fjalët që themi. Kemi dështuar gjithashtu të dallojmë natyrën e vërtetë të doktrinës së krishterë për mëkatin, sepse kur ne përkrahim ligje dhe politika që bekojnë marrëdhënie të cilat Perëndia i quan mëkat, ne po sillemi si të na dukej vetja më të mëshirshëm se Perëndia.

Perëndia pastë mëshirë për të gjithë ne!


Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/love-your-neighbor-enough-to-speak-truth/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet