×

Jeta është e vështirë. Jezusi nuk e bën më të lehtë

A e dije se jeta do të ishte kaq e vështirë? Duhet të kem munguar në të gjitha mbledhjet e shkollës që i janë dedikuar zhgënjimit dhe dështimit. Nuk mbaj mend të kem bërë ndonjë lëndë që më tregonte si të trajtoja jetën si i rritur. Të paktën sportet ishin deri diku realiste. As skuadra që mbështesja, as ajo ku luaja nuk përjetuan shumë sukses. Më shumë se emocionin e fitores, njihja agoninë e mposhtjes. Megjithatë, kjo agoni zakonisht ndiqej nga ngazëllimi i një rruge deri te McDonalds për ca patate të skuqura dhe një McFlurry (lloji i akullores). Ah, mrekullitë e metabolizmit të një 18-vjeçari!

Pak më vonë, recitova betimet e martesës. Në të mirë a në të keq, në pasuri a në varfëri, në sëmundje dhe në shëndet. Po si supozohet të dija kuptimin e të gjitha këtyre në moshën 22 vjeçare? Je shumë i ri për të kuptuar edhe që je i varfër. Sëmundje? Në moshën tonë? Kjo ndodh vetëm në filmat e Summer Blockbuster ku djemtë duhet të merrnin të dashurat për t’i parë.

Kur jeta duket më keq nga ç’prisje, na thuhet: “Do bëhet më mirë!”

Po nëse nuk bëhet?

Duhet më shumë se një klishe kur përballesh me jetën e vërtetë, sepse jeta është e vështirë. Jo gjithmonë e di çfarë do të të vijë përballë. Thjesht e di që diçka do të vijë. Varësi. Depresion. Papunësi. Huatë studentore. Refuzim. Për mua vështirësia erdhi në tre goditje, njëra pas tjetrës: Nuk gjeja dot punë; unë dhe gruaja nuk bënim dot fëmijë; humbëm shumë nga kursimet në Rënien e Madhe (kriza amerikane e vitit 2008).

Nuk e dija nëse gjërat do të shkonin mirë. Nuk më ishte premtuar asgjë. As puna që e kërkova pas tre vitesh edukimi shtesë. Lashë pas kolegë të mrekullueshëm, për të ndjekur atë që mendoja se ishte thirrja e Perëndisë. Gjithsesi, çfarë kisha për ta vërtetuar këtë? Nuk më ishte premtuar as një fëmijë. Pyesja veten nëse gruaja ime dhe unë kishim pritur shumë gjatë. Dukej shumë e thjeshtë për familjarët dhe miqtë tanë. Nëse donin një fëmijë, ata lindnin një fëmijë… ose dy, ose tre, ose katër. Nuk më ishte premtuar siguri ekonomike. Morëm vendimin e duhur për të blerë një shtëpi. Derisa nuk ishte më vendimi i duhur. Në fakt, ishte nga ato vendime që i merr 23 vjeç të cilat të mundojnë deri sa bëhesh 33. E me huatë studentore përmbi këto, pa sigurinë e një karrierë fitimprurëse, nuk dija si të siguroja për fëmijët që s’mund t’i kisha.

Kur jeta duket më keq nga ç’prisje, na thuhet: “Do bëhet më mirë!

Nuk i ndryshoja dot rrethanat e mia dhe kjo ishte pjesa më e vështirë për mua. Unë jam një ndreqës, një planifikues. Që kur isha fëmijë më kishin mësuar se, nëse punon fort mund t’i arrish synimet e tua. Dhe për pjesën më të madhe, kjo këshillë u vërtetua. Kur punoja fort, gjërat e mira ndodhnin. Derisa nuk ndodhën më. Kisha qenë i përgjegjshëm, isha treguar i mençur, kisha qenë i kujdesshëm, por s’kishte rëndësi. Përfundimi do të kishte qenë i njëjtë, edhe nëse do t’i kisha bërë bisht punës. Do të kisha parë Netflix, në vend që të studioja, dhe nëse do të kisha harxhuar gjithë trashëgiminë duke i lënë paratë për ato skuadrat e pasukseshme sportive që ende i dua.

Çfarë bën më pas kur motoja e jetës del se është një gënjeshtër? Nëse je si unë, së pari dëshpërohesh. Nuk i trajtova mirë gjërat. Isha i humbur. E sa më shumë kërkoja për përgjigje dhe zgjidhje brenda vetes, aq më shumë irritohesha. Nuk gjeja zgjidhje. Nuk gjeja paqe. Në fund të fundit, unë e futa veten në këto telashe. Përse mendoja se mund të dilja prej tyre në të njëjtën mënyrë? Nuk kisha kontroll dhe kjo ishte pjesa më e vështirë për mua.

Mësova se ka shumë mënyra për ta humbur rrugën dhe vetëm një për ta gjetur.

Bariu im

Gjatë kësaj përvoje të hidhur, e njihja veten për të krishterë. Perëndia më kishte mahnitur në moshën 15 vjeçare me përjetimin e hirit të Tij. Do të doja të kisha fjalët e duhura për t’jua shpjeguar. Mbaj mend vetem se, një ditë isha adoleshent i humbur që nuk e kuptonte veten dhe nuk dinte si të përshtatej. Dhe ditën tjetër njihja gëzimin dhe përkatësinë. Nuk jam i sigurt nëse në këtë kohë kuptoja më shumë se kaq. Deri në një farë pike, e ndieja të vërtetën që më ishte thënë: Jezusi më donte dhe kishte falur mëkatet e mia, prandaj do të jetoj me Të në përjetësi.

Ky konvertim më habiti, sepse gjithçka dija për kishën deri në atë pikë ishte pjesëmarrje e shtirur. Mezi prisja të diplomohesha nga kisha. Nuk e kuptoja bujën e madhe. Ka shumë mënyra të tjera të mira për të kaluar të dielën, duke fjetur, duke luajtur futboll, apo më shumë gjumë sërish. Vetëm nëse kjo gjëja e krishtërimit ishte e vërtetë, por ishte e sigurt që shumicës së njerëzve në kishën time nuk u dukej ashtu. Përse të mundoheshe me këtë farsë, duke u veshur e duke e çuar veten zvarrë nga shtëpia për të dëgjuar këngë të vjetra e mesazhe të shkurtra të një rëndësie të diskutueshme? Jezusi mund të jetë ngritur prej së vdekurish në ditën e tretë, por ne nuk dinim ku ta gjenim. As nuk mundoheshim të kërkonim shumë.

Prandaj, ishte e befasishme për mua, miqtë dhe familjarët e mi kur papritur kuptova se Jezusi jetonte në zemrën time përmes besimit (Efesianëve 3:17). Dhe isha i lumtur. Kjo ishte gjëja më e çuditshme. Jam njohur gjithmonë si një person goxha serioz, edhe kur isha fëmijë. Nuk është e lehtë për mua të bëj miq të rinj përmes bisedave të shkurtra. Megjithatë, Jezusi më bëri të lumtur. Ndieja se kisha gjetur veten dhe kush duhet të isha. E vërteta është se kisha qenë i humbur në veten time, por Jezusi kishte ardhur të më gjente.

Në kishën ku jam rritur, në pjesën e pasme të saj, kishim një dritare të madhe, të bukur, me xham të pikturuar. Jezusi mbante shkopin e një bariu në njërën dorë dhe një qengj të vogël në tjetrën. Është një lloj simboli që e merr për të mirëqenë, nëse kisha është pjesë e kujtimeve të tua të hershme. Megjithatë është kuptueshëm hutuese nëse po e lexon Biblën për herë të parë dhe ke pyetje për këto imazhe, në pamje jashtë mode, të Perëndisë si bari. Me shumë mundësi, shembulli më i famshëm vjen nga Psalmi 23:

Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.
Ai më çon në kullota me bar të njomë,
më drejton pranë ujërave që të çlodhin.
Ai ma përtërin shpirtin,
më çon nëpër shtigjet e drejtësisë,
nga dashuria që ka për emrin e tij.
Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes,
nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe,
sepse ti je me mua;
shkopi yt dhe thupra jote
janë ato që më japin zemër.
Ti shtron para meje tryezën
në prani të armiqve të mi;
ti vajos kokën time me vaj;
kupa ime po derdhet.

Këtu shohim një imazh të Perëndisë që shkon para popullit dhe ecën përkrah Tij. Psalmisti, Davidi, e kupton Perëndinë si një shoqësues personal, si një ngushëllim të besueshëm. Kur Jezusi vjen në trup njerëzor në atë që ne njohim si Besëlidhja e Re, Ai e merr këtë imazh të Perëndisë si bari dhe e aplikon te Vetja, si bariu i mirë (Gjoni 10:11).  Gjithsesi, Jezusi huton pikërisht ata njerëz që e kishin lexuar, recituar dhe kënduar Psalmin 23 gjithë jetën e tyre. E di, Ai nuk i aprovoi udhëheqësit fetarë dhe ata nuk e aprovuan Atë, sepse Jezusi parapëlqen të rrijë e të hajë me mëkatarët, njerëzit që shoqëria fetare dhe edukuar i shmangte.

Jezusi i kthen përmbys pritshmëritë fetare. Në fakt, koka është bishti. Vetëm të humburit do të gjenden. Edhe personi më i parëndësishëm në sytë e botës, ka rëndësi të pafundme në sytë e Perëndisë.

Jezusi i kthen përmbys pritshmëritë fetare. Në fakt, koka është bishti. Vetëm të humburit do të gjenden. Edhe personi më i parëndësishëm në sytë e botës, ka rëndësi të pafundme në sytë e Perëndisë. Jezusi e shpjegoi duke u treguar udhëheqësve fetarë këtë histori:

“Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë?  Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz; dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: ‘Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur. Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen.” (Luka 15:4–7)

Vetëm të humburit do të gjenden. Dhe ato të 99-at që nuk e kuptojnë se janë të humbura, nuk do ta gjejnë kurrë rrugën për te Perëndia.

Hir madhështor

Nuk e di nëse e njeh ose jo Jezusin. Nuk e di nëse je rritur në kishë apo në një fe tjetër, apo në asnjë fe. Cilido qoftë sfondi yt, dua të të pyes: A e ke takuar vërtet ndonjëherë Jezusin? A e ke dëgjuar ndonjëherë të flasë në faqet e Fjalës së Tij? A e njeh lajmin e mirë apo e dëgjon atë thjesht përmes përfaqësuesve të Tij të vetëshpallur në lajme televizive?

Jezusi i historisë–Jezusi që jetoi dje, jeton sot dhe përjetë–mund të të befasojë. Ai e befasoi këdo që takoi përgjatë tridhjetë viteve që ishte mes nesh. Dhe s’është për tu habitur. Askush nuk foli kurrë si Ai, as atëherë, as tani. Ai foli me autoritet e në të njëjtën kohë me prekjen e butë të një miku të afërt e të dashur. Ai foli me qëndrueshmëri përgjatë viteve dhe audiencave të ndryshme. Ajo që ne njohim dhe dimë për Jezusin vjen nga dëshmitarë, të cilët e ndoqën për vite. Këta dëshmitarë besuan në Të, edhe pse jo gjithmonë e kuptuan Atë. Të paktën jo derisa vdiq në kryq, u ringjall në të tretën ditë dhe u rishfaq mes tyre, sepse atëherë filluan të rrokin vërtet qëllimin, mesazhin dhe ungjillin e Tij dhe pasi e mësuan, nuk e harruan kurrë. Sapo e kuptuan se ishin të humbur, Ai i gjeti.

Jezusi u mësoi ndjekësve të Tij shumë gjëra gjatë tri viteve të shërbesës publike, por asnjë nga këto mësime nuk kishte kuptim, deri në momentin kur dolën nga zhgënjimi i thellë gjatë atyre ditëve të errëta në hijen e kryqit. Pas ringjalljes së Tij, Jezusi i ndihmoi ndjekësit e Tij të zbulonin veten e tyre të vërtetë. Kishte qenë plani i Tij që prej fillimit dhe ky plan përfshinte edhe vdekjen e Tij. Ai u tha atyre:

Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt! Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme. Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë. (Gjoni 12:24–26)

Në pamjen e jashtme, Jezusi humbi në kryq. Misioni i Tij dështoi. Udhëheqësit fetarë, më në fund e mundën. Autoritetet romake shtuan një togëz tjetër në rripin e tyre të përgjakur të lavdisë, por Jezusi na thotë se kjo nuk është mënyra e mbretërisë së Perëndisë. Vdekja sjell jetën. Nëse jeton vetëm për të sotmen, do të tmerrohesh nga e nesërmja.

Në ditët e sotme, na thuhet të gjejmë veten duke kërkuar brenda nesh. Na thuhet se dashuri është t’i pranosh të gjithë ashtu siç janë. Gjithsesi, nuk funksionon.

Do ta kishe të vështirë të gjeje një mësim më të qartë të Jezusit, sado i pakuptueshëm mund të jetë për veshët modernë. Në ditët e sotme, na thuhet të gjejmë veten duke kërkuar brenda nesh. Na thuhet se dashuri është t’i pranosh të gjithë ashtu siç janë. Gjithsesi, nuk funksionon. Ndonjëherë nuk bëjmë atë që duam të bëjmë. Lëndojmë të tjerët. Planifikojmë. Pastaj të tjerët na i prishin planet. Luftojmë kundër së keqes në botë, por e keqja duket se po rritet. Çfarë mund ta prishë ciklin e urrejtjes?

“Kush do të gjejë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë përsëri.” (Mateu 10:39)

Çfarë po përpiqet të thotë Ai? Çdokush mund të dojë ata që e duan. Çdokush mund të falenderojë Perëndinë kur gjërat shkojnë mirë, por çfarë do të të jepte fuqinë për të dashur, madje, për të falur dhe për t’u pajtuar me dikë që të ka lënduar? Çfarë do të të bënte falënderues, edhe kur nuk të ngrenë në detyrë, kur nuk e fiton bursën, kur nuk e fiton vajzën? E njëjta fuqi që e bëri Jezusin të thërriste nga kryqi: “Fali, o Atë, se nuk dinë çfarë bëjnë” (Luka 23:34). Vetëm mbretëria e Perëndisë mund të na ndihmojë të gjejmë shpresën në një botë të humbur. Kur e marrim kryqin dhe e ndjekim Atë, gjejmë kuptimin e një jete që ia vlen të jetosh.

Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Në qoftë se dikush do të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë. (Mateu 16:24–25)

Të duhet lajmi i mirë që të të mbajë edhe në makthin më të keq. Kur gjithçka ke planifikuar shkon më kot, kur edhe një test tjetër shtatëzanie është negativ, kur nuk e di kur do të të vijë pagesa tjetër, kur nuk di si ta paguash kredinë e shtëpisë, kur kërkon brenda vetes për përgjigje dhe gjen vetëm dëshpërim, kur të gjitha afirmimet e botës nuk të ndihmojnë ta duash veten, kur të gjitha klishetë që ke dëgjuar kur ke qenë i ri, të zhgënjejnë, të duhet vërtet lajmi i mirë.

E ky lajm i mirë të duhet edhe më tepër kur gjithçka po shkon mirë. Kur e fiton vajzën, kur e fiton punën, kur blen shtëpinë e pushimeve. Sepse Jezusi na thotë se kur fillon të ndihesh rehat në këtë botë, nuk do ta shijosh tjetrën.

Pastaj e thirri pranë vetes turmën me dishepujt e vet dhe iu tha: “Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë, sepse ai që do të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë. Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet? (Marku 8:34–36; shih gjithashtu Luka 9:23–25)

Për ta gjetur jetën tënde, duhet ta humbasësh atë për hir të Jezusit. Për të zbuluar veten tënde të vërtetë, duhet ta humbasësh këtë botë. Ky libër, Lost and Found: How Jesus Helped Us Discover Our True Selves, ka si qëllim të të ndihmojë të kuptosh dhe besosh këto fjalë nga Jezusi. Duam që të dish si të përballosh çdo vështirësi me besim dhe paqe. Duam të shohësh se si dashuria e mposht të keqen me të mirë. Duam të të prezantojmë me Atë që sjell shërim, shpresë dhe qëllim për jetën. Duam që të humbasësh jetën tënde që Perëndia të të gjejë.

Nuk më ka ndodhur që jeta të bëhet më e lehtë, ose më e mirë. E megjithatë, kam zbuluar se Perëndia është me mua. Se Jezusi ecën me mua në luginën e hijes së vdekjes. Se Ai do t’i lërë të 99-at për të më gjetur kur e thërras. Se Ai nuk më premton asgjë në këtë botë përveç faktit që Perëndia i gjithësisë më sheh, më njeh e më do dhe se në botën tjetër do ta shoh Atë ballë për ballë, kur Ai të heqë barrën e mëkatit tim dhe ligësinë e kësaj bote të rënë.

Isha i verbër, por tani shoh. Isha i humbur, por Jezusi erdhi dhe më gjeti. Hir madhështor, sa tingull i ëmbël! Shpëtoi një mjeran si unë.


Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/life-hard-jesus-easier/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2021

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet