×

Kur teologjia Puritane ndihmoi në zhvillimin e imunologjisë

Në vitin 1721, një virus shumë i rrezikshëm goditi Bostonin. Virusi variola, e cila zakonisht quhet lija, nuk ishte virus i ri. Përshkrimet më të hershme të shkruara rreth tij vijnë nga Kina, në shekullin e katërt. Përqindja e vdekjeve nga lija ishte pothuaj 30 përqind (për krahasim, përqindja e vdekjeve sipas CDC (Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve) për COVID-19 është rreth 5.7 përqind).

Lija ishte përbindësh.

Mposhtja e lisë filloi kur dy pastorë puritanë po hetonin nëse Perëndia kishte siguruar një zgjidhje për virusin në natyrë. Kështu, përballë kësaj epidemie, shumë puritanë filluan të eksperimentonin me injektimet, eksperimente këto që u kundërshtuan ashpër.

Pastorët puritanë dhe variolacioni

Pastorët puritanë si Cotton Mather (1663-1728) dhe Benjamin Colman (1673-1747) ishin mes figurave më të shquara të shoqërisë në New England. Mather ishte djali dhe nipi i etërve themelues puritanë; Colman ishte pastori me ndikim që themeloi kishën e rrugës Bratëll në Boston. Pasi kishte humbur 10 fëmijë, Mather nuk ka dyshim që ishte zhytur në dëshpërim dhe i drejtoi përpjekjet e tij për të shpëtuar fëmijët e vet nga sëmundja, në një mënyrë që mund t’i surprizojë ata që u heqin vijë puritanëve si legalistë dhe spastikë fetarë.

Mather kishte mësuar për injektimin nga skllavi i tij afrikan, Onesim, populli i të cilit e kishin përdorur këtë praktikë. Tregimi i skllavit, me një shenjë që vërtetonte se kishte mbijetuar, u konfirmua prej raportimeve nga Turqia.

Pacienti i parë me të cilin eksperimentoi Mather ishte djali i tij, Samueli.

Mather mori pak gjak dhe qelb nga një person me një rast të butë të lisë dhe ia dha Samuelit; kjo procedurë quhej ‘variolacioni’. Samueli gjithashtu u sëmur me simptoma të lehta, por shumë shpejt u shërua. Shpejt, shumë njerëz ishin të gatshëm që të injektoheshin nga Mather; megjithatë, të tjerët u tmerruan dhe Mather u përball me keqtrajtime të ashpra. Një burrë hodhi një bombë në shtëpinë e tij me shënimin: “Kjo do të të injektojë ty, zoti Cotton Mather.” Bomba ishte e paefektshme.

James Franklin (1697–1735), vëllai i madh i Benjamin Franklin hapi një gazetë me misionin e qartë për të denoncuar eksperimentet ‘e frikshme’ të Mather. Dhoma e Përfaqësuesve të Masaçusets miratoi një ligj që i shpallte të paligjshme injektimet, por nuk u miratua në senat. Ku ishin doktorët në gjithë këtë? Për t’u habitur, shumica e doktorëve mbajtën anën e turmës, të James Franklin dhe të ligjvënësve.

Duke përfaqësuar shumicën e doktorëve të tjerë të Bostonit, John Williams botoi artikullin e titulluar “Disa argumente që vërtetojnë se injektimi i lisë nuk gjendet në Ligjin e Mjekësisë, si atë natyrore ashtu dhe hyjnore, dhe si rrjedhim është i jashtëligjshëm.” Në këtë artikull, Williams argumentonte: “Injektimi është shkelje e ligjit të natyrës dhe modelit që Perëndia ka caktuar… Prandaj, injektimi është gjë e pashenjtë.”

Në epidemia e lisë në Boston, gjatë vitit 1721, shumica e doktorëve ishin kundër injektimit, kurse shumica e shërbestarëve e mbështetën. Cotton dhe babait të tij, Increase Mather, iu bashkua Coleman dhe ndihmësi i tij, William Cooper, duke mbështetur hapur injektimet.

Shkenca dhe feja

Cili tipar i puritanizmit i pajisi shërbestarët e tij të ishin kaq të hapur ndaj përparimeve shkencore, madje edhe përballë kundërshtimit të madh?

Njerëzit sot po shohin drejt shkencës për shpëtim nga virusi korona. Ekziston një mit modern laik, i cili thotë se të krishterët historikisht e kanë kundërshtuar shkencën. Tregimi zyrtar i CDC për zbulimin e injektimit të lisë i atribuohet një doktori anglez, Edward Jenner (1749-1823), pa përmendur fare punën nismëtare të pastorëve puritanë dy breza më herët.

E vërteta është që puritanizmi ishte kampion i shkencës, saktësisht për shkak të bindjeve thelbësore teologjike që kishte. Ndryshe si imagjinohen nga shumë njerëz, si persona që i djegin në zjarr kundërshtarët, si njerëz nga një botë tjetër dhe tiranë mendjembyllur, sikurse i kam përshkruar diku tjetër, puritanët ishin “një lëvizje ungjillore asketike e botës së brendshme, e cila synonte transformimin tërësor shoqëror sipas modelit konceptual të Shkrimit, duke filluar me përjetimin personal të rilindjes së qenieve mëkatare njerëzore.”

Bota e brendshme dhe tërësia janë veçanërisht të rëndësishme në këtë pikë.

Për shembull, Colman dhe Cooper botuan një trakt, në favor të eksperimenteve të injektimit, i cili hapi një pamje intriguese në botëkuptimin puritan. Një kritikë e zakonshme ishte se injektimet ishin duke “ia hequr Perëndisë nga duart punën e Tij”. Ata pak të krishterë të sotëm, të cilët e kundërshtojnë mjekësinë moderne, mund të japin të njëjtin argument. Cooper, me fjalë të cilave Colman u bëri jehonë pas një viti, ishte dakord që lija (‘ethet’) nuk ‘mund të zënë askënd, pa lejen e Perëndisë’. Megjithatë, ai e dinte se kjo sëmundje përhapej ‘përmes shkaqeve dytësore’. E marrë me infektim apo përmes injektimit, ajo është ende vepër e Perëndisë, sepse të gjitha shkaqet dytësore varen dhe veprojnë nën autoritetin e Tij, si shkaku i parë.

Disa argumentuan që Perëndia e ka paracaktuar sa gjatë do të jetojmë, prandaj injektimi u pa si një përpjekje për të ndryshuar dekretin e Perëndisë. Colman dhe Cooper, në artikullin “Letër nga një mik në fshat”, ranë dakord me premisën, por mohuan konkluzionin: “Ai që ka vendosur me këshillën e Tij sa gjatë do të jetojmë, ka caktuar gjithashtu që përmes këtyre apo atyre mjeteve, jeta jonë do të vazhdojë për atë periudhë kohore.”

Krijuesi i natyrës nuk është ‘Perëndi i hendeqeve’. Perëndia krijon mjetet, shkaqet dhe efektet në botën natyrore; në mënyrë që ne të mund t’i zbulojmë ato mjete dhe t’i përdorim.

Dy librat e Perëndisë

Puritanët besonin se libri i natyrës binte dakord me librin e Zbulesës, domethënë Biblën. Krijimi është libri tjetër i Perëndisë, përveç Shkrimit dhe ia vlen që të studiohet në mënyrë intensive. Mather e artikuloi këtë doktrinë në mënyrë të përmbledhur: “Veprat [natyrore] të Perëndisë kanë një zë brenda tyre, ashtu si dhe Fjala e Tij.” Ai ishte një nga të parët që shkroi një libër rreth kometave. Mather i vëzhgoi kometat me teleskopin që ishte sjellë në Harvard në vitin 1663 nga një shkencëtar i ri, nga Shoqëria Mbretërore (një organizatë shkencore e themeluar prej puritanëve, e cila na dha Isaac Newton-in), i cili quhej John Winthrop Jr. (1606-1676).

Winthrop ishte i biri i qeveritarit themelues të “Komonuelthit Biblik” puritan të Masaçusets dhe ishte vetëqeveritar që shërbeu gjatë në Konektikatin Puritan. Ai ishte gjithashtu një prej shkencëtarëve më të spikatur në New England. Shoqëria Mbretërore e emëroi atë si anëtar dhe botoi disa prej vëzhgimeve të tij rreth kafshëve dhe faunës.

Cotton Mather ishte anëtar i Shoqërisë Mbretërore dhe duhej të konsiderohej edhe shkencëtar, saktësisht për shkak se ishte shërbestar puritan. Përveç eksperimentimit me injektimet e lisë, ai studioi edhe “ngjalat e vogla” (mikro-organizma) dhe kometën Hallouej, përmes mikroskopit të tij. Cotton i shihte vëzhgime të tilla shkencore “në vetvete si akte devotshmërie, të cilat i jepnin arsye të reja për ta përlëvduar të Gjithëpushtetshmin duke zhvilluar kështu kuptimin e tij për rendin e përsosur të gjërave.”

Përkushtimi i tyre ndaj shkencës ishte i tillë, saqë dhe puritani i mëvonshëm, Jonathan Edwards u injektua kundër lisë në vitin 1758, por me rezultate tragjike. Injektimi e vrau Edwards pesë javë pasi ishte emëruar president i Kolegjit të New Jersey (që tani është Universiteti Princton).

Puritanët nuk ëndërruan kurrë që e vërteta biblike duhet të përqafohet, pavarësisht provave të arsyes apo shkencës. Teoria e Kopernikut u pranua qysh herët në New England. Uniteti i gjithë të vërtetës, si asaj të zbuluar ashtu dhe asaj shkencore, ishte bindje bazë puritane. Sikurse vëzhgon edhe studiuesi puritan Perry Miller: “Puritanizmi e shihte veten si një ndërthurje të perëndishmërisë me arsyen.”

Kjo ndërthurje është pjesë e madhe e arsyes se çfarë e bëri puritanizmin një forcë të fuqishme që i dha formë modernizimit që po shfaqej.

Teologjia dhe shkenca janë shoqe

Për shkak të përparimit shkencor, ne jemi relativisht të lirë nga tmerret e pakontrollueshme si ato me të cilat u përballën Cotton dhe Mather, edhe pse po e shijojmë disi këtë gjë me COVID-19.

Teologjia për puritanët nuk ishte arratisje nga realitetet e kësaj bote, por një shtysë për të studiuar dhe për ta shfrytëzuar botën e Perëndisë. Fituesi i çmimit Nobel, Simon Kuznets vë në dukje që një kontroll në rritje mbi mjedisin, në mënyrë të veçantë mbi pandemitë katastrofike është një prej shenjave të modernizimit.

Sot ne e shoqërojmë këtë lëvizje ndaj kontrollit mbi natyrën me shkencën, të cilën shumica e njerëzve e shoqërojnë me laicizmin, por Puritanët, në dëshirën e tyre të pandalshme për të dëgjuar Perëndinë t’u fliste në krijim, sikurse dhe në Fjalën e Tij, ishin në fakt nismëtarët e kësaj lëvizjeje. Ata na tregojnë se si shkenca dhe teologjia mund të jenë shoqe, vetë mjetet që Perëndia përdor për të sjellë shërim tërësor në trup dhe shpirt.


Burimi: https://www.thegospelcoalition.org/article/puritan-immunology/
Përktheu: Asim Hamza / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet