×

Mos e lini pas dore shërbesën e fëmijëve (dritaren 4-14 vjeç)

Ndërsa po kalonim kohë me një grup pastorësh, njëri prej tyre, rastësisht përmendi që kisha e tij nuk ishte e përfshirë në asnjë nismë të rëndësishme ungjillëzimi për momentin. Ishte ironike, sepse atë javë kisha e tij po drejtonte një shkollë biblike për fëmijë gjatë pushimeve, ku do të ungjillëzoheshin qindra fëmijë. 

Shumë drejtues kanë dashuri të thellë për misionin: ungjillëzimin e lagjeve, mbjelljen e kishave, përfshirjen në qytete dhe dërgimin e misionarëve. Shërbesa e fëmijëve shpesh kategorizohet si degë e nevojshme e shërbesave në kishë, por e parëndësishme, e cila ekziston vetëm për të mbështetur përpjekjet e vërteta misionare. 

Shërbesa e fëmijëve nuk duhet të trajtohet në këtë mënyrë. Këto programe mund të jenë po aq domethënëse, sa çdo nismë tjetër që lidhet me misionin e kishës. Merrni në konsideratë pesë arsyet e mëposhtme: 

1. Fëmijët mund të shkojnë në kishë, por dhe të jenë të pashpëtuar

Një nga gabimet më të mëdha që kam vënë re tek ata që kanë zemër për të humburit është se nuk i shohin fëmijët e kishës si të humbur. Çdo fëmijë, edhe ata më të ëmblit, në takimet e fëmijëve, kanë nevojë për ungjillin. Qëllimi ynë nuk është thjesht t’i sjellim fëmijët në kishë, por te Krishti. 

Pra, nëse kisha është e prirur drejt misionit, le të jetë e tillë me ata që janë më pranë nesh, me ata që janë tashmë brenda mureve të kishës.

2. Përgjegjësia është si e kishës, ashtu dhe e prindërve

Asnjë kishë nuk ka përgjegjësi t’i prezantojë ungjillin çdo personi të humbur në botë, por është përgjegjësia e çdo kishe lokale t’u shpallë ungjillin bijve të saj të pashpëtuar. Nëse kisha nuk po e bën këtë në mënyrë aktive, ka shumë gjasa që nuk po i pajis as prindërit për t’i mësuar fëmijët e tyre. 

Edukimi për besimin në shoqërinë tonë është kryesisht i kufizuar në shtëpi dhe kishë. Nëse kishat dhe prindërit nuk i mësojnë fëmijët, kush do ta bëjë?

3. Fëmijët mund ta përqafojnë Krishtin

Shoqëria kombëtare e ungjillorëve, në një studim të vitit 2015, zbuloi se 63 përqind e të krishterëve vinin në besim mes moshave 4 dhe 14-vjeçare. Kjo fazë e jetës është një dritare mundësie për kishën, ku e korra është e bollshme (Mat. 9:37). 

Misiologët flasin shpesh për nevojën që kisha ka për të arritur moshën 10 deri në 40- vjeçare, por kisha duhet t`i kushtojë vëmendje dhe moshës 4-14 vjeçare.

4. Fëmijët krijojnë një lidhje shpirtërore me kishën

Periudha 4 deri në 14-vjeç është mosha kur një fëmijë ka mundësi më të mëdha të rrokë ungjillin. Është dhe koha kur ata lidhen emocionalisht me kishën. Jo të gjithë fëmijët do të pranojnë ungjillin gjatë kësaj moshe. Disa madje mund të largohen nga kisha gjatë viteve të tyre të rinisë, por një nga përcaktuesit më të rëndësishëm që një frekuentues kishe të kthehet është cilësia e depozitës që kisha ka bërë gjatë viteve të tij të formimit.

Te shëmbëlltyra e djalit plëngprishës (Luka 15:11-32), djali rebel, në dëshpërimin e tij, vjen në vete. Në këtë moment, ai kujton mirësinë e të atit dhe vendos të kthehet në shtëpi. Kisha duhet të përgatisë zemrat e fëmijëve për një kohë të tillë.

5. Fëmijët janë urë për familjet

Një kishë e cila është e aftë të ndihmojë fëmijët nga 4 deri në 14 vjeç të ecin përpara frymërisht do të tërheqë ata persona që janë në kërkim të një kishe për ta quajtur atë shtëpi. Nëse një kishë dëshiron të ketë mision familjet, duhet të ketë mision fëmijët.

Nëse një kishë dëshiron të ketë mision familjet, duhet të ketë mision fëmijët.

Çfarë realizojnë me sukses shërbesat misionare të fëmijëve

Familjet i besojnë kishës thesarin e tyre më të shtrenjtë: fëmijët. Shërbesat e suksesshme të fëmijëve e marrin këtë përgjegjësi dhe realizojnë me ta gjëra të mrekullueshme. 

Këtu kemi 4 shenja të kishave që kanë shërbesa të suksesshme fëmijësh:

1. Ato lejojnë që mendimet të shpalosen në tavolinë

Kishat e mira kanë komunikim të shkëlqyer mes drejtuesve dhe atyre që drejtojnë shërbesat e fëmijëve. Më mirë akoma, ata i përfshijnë këta të fundit në udhëheqësinë e kishës.

2. Ato masin progresin e shërbesës

Kishat me shërbesa misionare të fëmijëve e masin progresin edhe për shërbesën e fëmijëve të tyre. Ata mbajnë shënim pjesëmarrjen, rrëfimet e besimit, devocionet dhe rritjen frymërore. Fëmijët janë pjesë e vlerësimit të shëndetit të përgjithshëm të kishës.

3. Drejtuesi kryesor e mbështet këtë shërbesë

Nëse drejtuesi kryesor i përkushton zemrën dhe mendjen një dege të shërbesave të kishës; stafi dhe pjesëmarrësit do të lulëzojnë. Në të kundërt, do të bëhet çështje e dorës së dytë. Shërbesa e fëmijëve ka nevojë për përkujdesjen e drejtuesve kryesorë.

4. E shohin drejtimin e shërbesës së fëmijëve si vend të rëndësishëm

Drejtimi i shërbesave të fëmijëve shpesh trajtohet si ndalesë e përkohshme ose një lloj pozite e nivelit të dytë. Kishat që kanë shërbesa të suksesshme fëmijësh i bëjnë drejtuesit e kësaj shërbese shtylla në kishë, së bashku me pastorin/mësuesin dhe drejtuesin e adhurimit. 

Puna që po bëjmë me fëmijët tanë është më shumë se një shkollë e së dielës.

Ne e kuptojmë që thirrja jonë kryesore është prezantimi i ungjillit, por kemi nevojë të kuptojmë se puna që po bëjmë me fëmijët tanë është më shumë se një shkollë e së dielës, ku fëmijët mësojnë moralin e mirë. Fëmijët tanë janë mëkatarë dhe kanë nevojë për ungjillin. Le të sigurohemi t’i shohim si një fushë misioni unik, ashtu siç edhe janë.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Erjon Ramaj; Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet