×

Mposhte pengesën e “Unë-it” në kishëmbjellje

ACTS 29: CHURCHES PLANTING CHURCHES

“Kishëmbjellja është punë e vështirë.”

E dëgjoja shpesh këtë frazë, para se të fillonim kishëmbjelljen tonë. Rashë dakord dhe u përgatita për sfidat duke lexuar libra dhe duke folur me pastorë të tjerë. Pastaj e mbollëm kishën dhe thashë me vete: “Kjo është punë vërtet e vështirë. Si ka mundësi ta bëj këtë?”

Realiteti i luftës frymërore i punës më shumë se sa punëtorëve dhe i nevojave të pafundme siç janë paraja, hapësira, drejtuesit dhe pajisjet, e bëjnë mbjelljen e kishave punë rraskapitëse. Gjithsesi, ka edhe një arsye tjetër përse është kaq sfiduese. M’u desh pak kohë që ta kuptoja, por pengesa më e madhe në kishëmbjellje, jam unë.

Nëse nuk jam i gatshëm të përqafoj nevojën time për Krishtin, unë bëhem pengesë për punën e Tij në kishën time lokale. Është e thjeshtë të zbehësh vijën midis lartësimit të Krishtit, në mënyrë që Ai të shihet dhe të njihet, dhe ta lartësosh Atë me qëllimin që unë të shihem dhe të njihem.

Jezusi Siguron

Te Luka 9:1-17, Jezusi i nis dishepujt e Tij në shërbesë publike. Ai i dërgon të shpallin Mbretërinë, të shërojnë të sëmurët dhe të dëbojnë demonët. Çuditërisht, Jezusi u thotë të mos marrin ‘asgjë’ në rrugëtimin e tyre; as para, as shkop, as ushqim. I dërgon pa burime dhe kur kthehen, mrekullohen me gjithë punën që ata kanë bërë.

Menjëherë, një turmë e uritur i rrethon. Jezusi i udhëzon dishepujt që të ushqejnë turmën, por ata nuk munden. Kështu që, Ai e ushqen turmën. Njerëzit hanë dhe janë të kënaqur. Dishepujt ishin të zënë duke u mrekulluar me atë që ata kishin bërë, por Jezusi nxjerr në pah paaftësinë që kishin për të bërë ndonjë gjë nga vetja e tyre (Gjoni 15:5).

Jezusi e takon kapjen time kokëfortë pas planeve të mia me hirin e Tij bujar, duke më ftuar të besoj tek Ai dhe Ai e mbështet besimin tim.

Njësoj si me dishepujt, problemi ynë më i madh nuk është problemi i burimeve. Mund të dërgohemi me burime shumë të pakta dhe ende të shohim fryte spektakolare. Po sikur mungesa e burimeve nuk ka të bëjë me problemet, por me lavdinë? Po sikur nevoja jonë të ketë të bëjë me lavdërimin e Perëndisë përmes varësisë së dëshpëruar tek Ai për të siguruar?

Ndërsa varemi te Perëndia për furnizim frymëror, ne e nderojmë Atë. Në këtë mënyrë, mjaftueshmëria e Krishtit, lartësohet në pa mjaftueshmërinë tonë.

Jezusi Ndryshon

Të dielën tonë të tretë si një kishëmbjellje e re, u rritëm nga 22 në 64 njerëz. Isha i ngazëlluar! Më pas, një grua e cila dukej qartë se ishte nën ndikimin e drogave të forta, hyri në bashkësinë tonë dhe u përballa me diçka për të cilën seminari teologjik nuk më kishte përgatitur. Natyrisht që dëshiruam ta donim atë dhe shpresuam që ajo të shihte Krishtin përmes nesh, por ajo e ndërpreu plotësisht adhurimin tonë atë ditë.

Kishte të ngjarë që ajo po merrte drogë në tualet. Ajo goditi një derë çeliku me një çekiç dhe më pas hyri në klasën e fëmijëve dhe dikush bërtiti duke thënë: “Ajo është në klasën e fëmijëve; ajo është me fëmijët!” Asgjë serioze nuk ndodhi, por të dielën tjetër, vetëm 23 persona erdhën.

Atë të dielë, shkova në shtëpi i shkatërruar. Pse e lejoi Perëndia këtë gjë të ndodhte? Planifikimi i tërë javës doli nga binarët, nga sjellja e saj e çrregullt. U ula në shtrat i zymtë, i frikësuar se mos vetëm grupi kryesor i kishës do të vinte javën tjetër.

Megjithatë, vizitorja jonë e papritur ishte gjëja më e mirë që i ndodhi kishës sonë të vogël. Në mes të vuajtjes time, Perëndia më ngushëlloi me këto të vërteta: Vlera jote nuk gjendet në faktin se sa kishë të madhe mbjell. Identiteti yt nuk është të jesh një mësues i shkëlqyeshëm. Vlera jote nuk vjen as nga suksesi që mund të kesh. Qëllimi yt parësor nuk është të jesh pastor, por bir.

Përmes kësaj përvoje, mësova që planet e Perëndisë, sado të pazakonta, janë më të mira se të miat. Vepra e Tij bëhet në mënyrën e Tij. Duhet të heqim dorë nga pritshmëritë tona dhe të përqafojmë të Tijat.

Qëllimi yt parësor nuk është të jesh pastor, por bir.

Jezusi mbështet

Pavarësisht pengesave të shumta në mbjelljen e kishës, Perëndia na ka bekuar shumë. U përkraha jashtëzakonisht shumë në fillim, për dy vite e gjysmë. Një kishë na la të takohemi në ambientin e tyre, falas, gjithë vitin e parë. Kisha dërguese, gjithashtu, siguroi një ndihmë bujare financiare që të fillonim. Perëndia na dha burra dhe gra të gatshëm dhe të vullnetshëm për të sakrifikuar dhe udhëhequr për hir të emrit të Tij.

Perëndia jep dhe mbështet çdo dhuratë hiri. Po të mos ishte për hirin e Tij, kisha jonë nuk do të ekzistonte sot. Edhe një herë, nga të gjitha pengesat e shumta me të cilat u përballëm, pengesa më e madhe ka qenë dhe nganjëherë vazhdon të jem unë. Jam i tunduar të fitoj botën e mbjelljes së kishave… dhe të humbas shpirtin tim. Jezusi e takon kapjen time kokëfortë pas planeve të mia me hirin e Tij bujar, duke më ftuar të besoj tek Ai dhe Ai e mbështet besimin tim.

Kishëmbjellës, mos harro pse po e mbjell kishën. Konsidero se çfarë rrezikohet. Rezistoji tundimit që të mbështetesh te vetja. Kjo është për lavdinë e Perëndisë, jo për tënden. Kjo gjë bëhet përmes mënyrës së Tij, jo përmes mënyrës tënde. Të gjitha pengesat e tua janë mundësi për ta thelluar besimin tënd tek Ai dhe Ai është besnik për ta ndërtuar kishën e Tij.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Alehandro Dura / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet