×

Ndaloni së u ushqyeri me karamele frymërore

Gjithmonë më kanë pëlqyer ëmbëlsirat. Të gjitha llojet e të ëmblave, por në mënyrë të veçantë akulloret. Gjërat e ëmbla të sjellin njëfarë qetësie dhe me raste ngushëllim. Unë vdes për to! Gjithnjë ma kënaqin oreksin.

Megjithatë, vitet e fundit, më është dashur të forcoj sistemin imunitar, që do të thotë, të reduktoja në mënyrë drastike sasinë e sheqerit. Është për të qeshur!

Së pari, kuptova që sheqeri gjendet në çdo gjë. Nuk e kisha idenë se sa shumë gjëra konsumoja, duke menduar se ishin të mira dhe me vlera ushqyese, por që ishin të mbushura me sheqer dhe ngadalë po shkatërronin shëndetin tim. Kur e mësova këtë, u bëra më falënderuese për gjënë e dytë që zbulova pas kësaj: Sa më pak të ëmbla konsumoja, aq më pak i dëshiroja.

Prirja ime ndaj të ëmblave, nuk kufizohet vetëm te dëshirat fizike, shkon edhe në jetën shpirtërore. Në kohë sfidash frymërore, jam kthyer te shprehjet e ëmbla, në dukje të vërteta, për të shuar urinë time frymërore.

Jam mbështetur në citime të lavdërueshme nga faqja Pinterest, citime të tipit: “Unë jam fitimtare, unë mund të bëj gjithçka”. Në kohë thatësire frymërore, u kam vënë veshin folësve motivues të rrjeteve sociale, që më thonë se brenda vetes kam gjithçka që më nevojitet. Dhe në kohëra pështjellimi, jam gëzuar te fjalët e mira të miqve që më kujtonin se jam më e fortë, nga sa do të mund të besoja ndonjëherë.

Në këto kohëra kur ndjenjat ishin tepër të tendosura, zgjasja dorën për ëmbëlsira: gjëra të vogla të prekshme që më kujtonin sa e zonja jam, sa ngadhënjimtare, sa larg mund të shkoj e sa shumë mund të arrij. Ato janë qetësuese dhe ngushëlluese. Dhe meqë unë vdes për to? Epo, ato gjithnjë ma kënaqin oreksin.

Por këto shprehje të lezetshme, thonë veç gjysmën e së vërtetës.

Zëvendësues të sheqerosur të së vërtetës

Unë nuk jam e vetmja! Shpesh të krishterët i shkëmbejnë të vërtetat ushqyese të Fjalës së Perëndisë me surrogatë më të ‘sheqerosur’. Sidomos në ditë të vështira, ne mund të mbështetemi në këto gjysmë të vërteta për të rimarrë forcë, në vend që të kujtojmë sovranitetin dhe mjaftueshmërinë e Perëndisë.

Fillimisht, kur vendosa të reduktoj sasinë e sheqerit, nuk mendoja se do t’i rezistoja dot. Trupi ma kërkonte vazhdimisht. Një mikja ime infermiere, më shpjegoi atë që po i ndodhte trupit. Ajo më tha se sheqeri gënjen, duke i dhënë sinjal trupit tonë që kemi energji më tepër nga ç’kemi në të vërtetë, duke na bërë të ndihemi sikur kemi ngrënë diçka më ushqyese dhe më me vlerë se ç’kemi ngrënë në të vërtetë. Dhe, dalëngadalë, sheqeri na bën të jemi të varur, gjithmonë duke kërkuar për atë shpërblim ëmbëltues, që na shpie deri te doza e radhës.

E njëjta gjë mund të thuhet për zëvendësuesit frymërorë, me të cilët jam ushqyer. Ashtu si sheqeri, këto thënie që tingëllojnë aq të ëmbla dhe frymëzuese, thjesht po më gënjejnë.

Më thonë se jam e fortë, por nuk bëjnë asgjë për të më kujtuar fuqinë e vërtetë në Perëndisë (Isa. 41:10). Më thonë se unë mundem, por lënë pas dore të shtojnë se Perëndia është burimi i çdo gjëje të mirë (Jakobi 1:17). Më thonë se jam e mjaftueshme, veçse harrojnë të më kujtojnë se Ai është i përjetshmi “UNË JAM” (Eksodi 3:14). Më thonë se mund të bëj më shumë se ç’mund të bëj në të vërtetë. Ato më joshin të mendoj që po më servirin ushqim që zgjat, ndërkohë që më lënë më të rraskapitur, të mposhtur dhe në pritje të dozës së radhës.

Mëso të duash të vërtetën

Ndalimi i sheqerit nga dieta ime i ka mësuar (dhe rimësuar) trupit tim të dëshiroj ushqim të vërtetë. Përmes zgjedhjeve të vogla, të përditshme, po e ushtroj trupin tim të jetë i kënaqur me barishtet jeshile nga kopshti i mikut tim dhe të dojë thartinë e domateve të kuqe. Fatmirësisht, sa më shumë të ushqehem me ushqimin e vërtetë, aq më shumë i dëshiroj gjërat e mira.

Sa më shumë të ushqehem me ushqimin e vërtetë, aq më shumë i dëshiroj gjërat e mira.

Ndarja me ushqyesit e lehtë frymërorë nuk vjen aq kollaj, por ndërsa bëjmë zgjedhjet ditore për të kënaqur karakterin e pandryshueshëm të Perëndisë, e mësojmë veten të duam atë që do të na përmbushë me të vërtetë. Kur ndihemi të dobët dhe zgjedhim të kënaqemi me Fjalën e Perëndisë, po formësohemi në njerëz që mund të arrijnë gjëra për veprën e Tij në mes të dobësisë dhe që mund të mbështetemi në Frymën e Tij në mes të dëshirave tona.

Pra, le të marrim vendimin të ushqehemi nga një burim më i qëndrueshëm. Le të ndalojmë së konsumuari gjërat pa vlerë që nuk i rezistojnë kohës. Le të ndalojmë së i thëni vetes që jemi të fuqishëm dhe jemi sa duhet të guximshëm, që jemi aq të zotë sa mund të arrijmë çfarë të duam, sepse në fakt, në kufizimet tona njerëzore, kjo nuk është e vërtetë. Le ta përqafojmë realitetin e të kuptojmë se kush jemi ne dhe kush është Perëndia. Ne jemi vazhdimisht të dobët; Perëndia është Ai që duhet të shfaqet dhe të marrë lavdinë!

Dhe ndërsa veprojmë kështu, do të zbulojmë atë që zbulova unë me sheqerin: marrëzitë e sheqerosura ndodhen gjithkund. E ndërsa mësojmë t’i identifikojmë dhe të ndahemi prej tyre, do t’i duam gjithnjë e më pak. Ndërsa i kujtojmë vetes të vërtetat e karakterit të Perëndisë, do të fillojmë të dëshirojmë më shumë të vërtetat e çmuara të Perëndisë. Dhe ndërsa ushqehemi në mënyrë të përditshme me të, do të mësojmë të duam Atë që na përmbush e na kënaq përjetësisht, vetë Bukën e Jetës.

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet