×

Një mënyrë praktike për të dashur fqinjin tënd (të vetë-izoluar)

Gjatë këtij viti të fundit, bashkëshortja ime, Tana dhe unë jemi mbledhur me disa fqinj të krishterë në fshatin tonë të vogël, për pak bashkësi dhe miqësi. Jemi lutur shpesh për këtë fshat, duke i kërkuar Perëndisë që të na mësojë si t’i duam dhe t’u shërbejmë fqinjëve tanë.

Disa ditë më parë, filluam të luteshim në mënyrë më specifike: Si t’i duam fqinjët tanë tani? Si t’i duam edhe nëse kanë virusin korona?

Jezusi tha se ne, ndjekësit e Tij, duhet të jemi kripa e tokës dhe drita e botës. Këta jemi ne! Ky është identiteti ynë! Detyra jonë është të ndriçojmë vendet, ndjenjat, temat e errësirës dhe frikës. Ne duhet të parandalojmë shkatërrimin dhe të ruajmë jetën. Ne duhet të vazhdojmë të ndriçojmë edhe përballë COVID-19. Ne duhet ta duam fqinjin tonë, edhe nëse është i infektuar me të.

Ashtu siç e thotë edhe A. W. Tozer: “Një botë e frikësuar ka nevojë për një kishë të patrembur.”

Kohë mundësie

Kemi filluar ta shohim këtë si një mundësi, një moment përcaktues në histori për popullin e Perëndisë. Shpërthimi i korona virusit ka treguar se sa shpejt mundet frika të përhapë panik dhe kjo është e kuptueshme për njerëzit që nuk e njohin Jezusin. Kjo jetë këtu është gjithçka që kanë, por Jezusi i thotë njerëzve të Tij të mos kenë frikë:

“Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.” (Gjoni 14:27)

Disa mbrëmje më parë, ne jemi lutur për fqinjët tanë dhe për botën. Jemi lutur që Jezusi të lëvizë në mënyra të fuqishme nëpërmjet Frymës së Tij gjatë këtyre kohëve të trazuara. Jemi lutur që Jezusi të lëvizë trupin e Tij, kishën, për të dashur fqinjët në mënyrë sakrifikuese, pavarësisht frikërave të tyre; që t’i duan njerëzit deri në atë pikë sa të jenë të gatshëm për të rrezikuar edhe veten e tyre; që të mund t’i tregojnë botës dashurinë e Krishtit.

Perëndia në veprim

Ndërsa po luteshim, në mendjen time hyri ky mendim se, ndoshta Perëndia po e përdor kohën e virusit korona për të bërë mbretërinë e Tij të përparojë dhe për të shfaqur dashurinë e Tij. Patjetër që Ai është një Perëndi i mirë që nuk çon dëm asnjë grimcë dhimbjeje dhe vuajtjeje.

Tani është koha që kisha të ngrihet, të lëvizë përpara në besim drejt njerëzve, kur e gjithë pjesa tjetër e botës po tërhiqet mbrapa nga frika. Bota po sheh se çfarë do të bëjnë qeveritë, shkollat dhe bizneset. Bota po sheh reagimin e njerëzve.

Tani është koha që kisha të ngrihet, të lëvizë përpara në besim drejt njerëzve, kur e gjithë pjesa tjetër e botës po tërhiqet mbrapa nga frika.

Ne jemi të vetmit njerëz që po jetojmë për mbretërinë që do të vijë. Ne jemi njerëzit e Krishtit, populli i Princit të Paqes. Jezusi tha se do të na njohin që jemi dishepujt e Tij nga dashuria që kemi për njëri tjetrin dhe për fqinjët tanë, kështu që le të duam thellësisht, me mençuri, në mënyrë sakrifikuese dhe praktike.

Zbatimi në praktikë

Vendosëm të gjejmë një mënyrë për t’i dashur fqinjët tanë në këtë kohë. Filluam të kontaktonim me besimtarët e tjerë në vend, për të gjetur mënyra se si ta tregojmë dashurinë e Krishtit së bashku.

Një mik ndau një fletushkë të dizenjuar për të ndihmuar njerëzit e vetë-izoluar për shkak të COVID-19. Ne e morëm këtë ide dhe e rimodeluam në mënyrë që të ndante shpresën dhe paqen e Jezusit, dhe gatishmërinë tonë për t’u lutur. Kjo është diçka e thjeshtë dhe praktike që të krishterët mund të bëjnë për të dashur fqinjët e tyre në javët e ardhshme.

Ne duam të sigurohemi se çdo rrugicë e fshatin tonë të ndihet e mbështetur dhe e dashur. Printuam një hartë të fshatit për të planifikuar shpërndarjen në çdo rrugë. Unë mbulova rreth 30 shtëpi pranë shtëpisë tonë dhe tani po bashkëpunojmë me njerëz të tjerë nga fshati ynë përmes një grupi në Facebook.

Ti mund të bësh të njëjtën gjë në fshatin, qytetin, lagjen apo rrugicën tënde.

Ji i disponueshëm për t’u shërbyer atyre që janë në vetë-izolim. Shko në dyqan për ta, ndaj me ta furnizimet e tua, merru ilaçet nga farmacia dhe mbi të gjitha, lutu për ta.

Tregoju se Jezusi i do, se nuk janë vetëm. Tregoju se ti do t’u qëndrosh pranë në këtë situatë, siç Perëndia ka qenë gjithnjë pranë teje. Tregoju se ti e beson ungjillin. Tregoju se Jezusi është aq i vërtetë saqë je i gatshëm të rrezikosh veten tënde për t’i dashur ata; sepse Jezusi i do.

“Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet. Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t’ju bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi. Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe të lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.” (Mateu 5:13-16)

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Sara Gjana / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet