×

Pastor, mos krahaso dhe mos konkurro

Te Gjoni 20 lexojmë për ringjalljen e Jezusit. Menjëherë pasi Gjoni paraqet rrëfimin e kësaj ngjarjeje, ai na çon në kapitullin 21 me inkurajim dhe shpresë. Ky është një kapitull plot mirësi, ku shohim bukurinë e Jezusit teksa kujdeset me butësi për dishepujt e vet. Madje ai ndërvepron me plot hir me Pjetrin, duke e falur atë për mohimin që i bëri dhe duke e caktuar në shërbesë.

Nga kapitulli i Gjonit 21 mund të vjelim shumë gjëra të dobishme. Jezusi e shfaq ringjalljen e tij trupore me një piknik buzë liqenit — kështu i ushqen dhe i fal ai ndjekësit e vet, para se t’i dërgojë që të ruajnë delet e tij (Gjoni 21:16). Pastorët dhe kishëmbjellësit përfitojnë shumë duke e mbajtur mend këtë mësim. Fillimisht, ne duhet të marrim nga Krishti përpara se të shkojmë dhe të shërbejmë për Krishtin.

Është e rëndësishme që t’i kushtojmë vëmendje përshkrimit që Jezusi na jep kur i dërgon dishepujt e tij në mision. Ai nuk i drejton ata të kullosin delet e tyre — ai u thotë: “Kulloti delet e mia” (Gjoni 21:17). Ato nuk ishin delet e Pjetrit apo të Gjonit. Ato nuk janë as të tuat apo të miat; ato i përkasin Jezusit.

Të mbajturit mend e këtij fakti është gjë e dobishme për kishëmbjellësit dhe pastorët. Kisha së cilës ke privilegjin t’i shërbesh, nuk është e jotja. Ajo është kisha e Jezusit. Ajo është plot me delet e tij. Mbaje mend këtë gjë teksa u shërben dhe u tregon dashuri. Sa privilegj është të përfshihesh në ruajtjen dhe kujdesin e atyre që Jezusi i do!

Krahasimi na vjedh gëzimin

Pasi Jezusi i caktoi përgjegjësinë Pjetrit, ju do të mendonit se ai do të përgjigjej përulësisht dhe do të vazhdonte punën e tij. Por te Gjoni 21:20-21 na thuhet diçka tjetër:

“Dhe Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte dishepulli, të cilin Jezusi e donte, ai që gjatë darkës ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezusit dhe kishte thënë: ‘Zot, kush është ai që po të tradhton?’. Kur Pjetri e pa, i tha Jezusit: ‘Zot, dhe me të ç’do të bëhet?’.”

Mbaj mend se thirrja jote është të ruash dhe të ushqesh delet e Jezusit, jo ta krahasosh detyrën tënde me atë të dikujt tjetër.

Pjetri po luan lojën e krahasimit, prandaj Jezusi i përgjigjet drejtpërdrejt: “Nëse dua që ai të rrijë derisa të vij, ç’të duhet? Ti ndiqmë!”(Gjoni 21:22). Këto fjalë e bëjnë të qartë se thirrja e çdo pastori është sa e njëjtë, po aq edhe e ndryshme. Jemi të njëjtë në atë që duhet të ushqehemi nga Jezusi para se t’u shërbejmë deleve të tij. Mirëpo jemi të ndryshëm, për faktin se thirrja e secilit prej nesh është unike. Pjetrit iu caktua detyra e tij, e megjithatë ai vazhdon të sillet rrotull duke vrarë mendjen rreth shërbesës së mundshme të të tjerëve.

Është e lehtë të biesh në kurthin e krahasimit. Kjo pasohet shpesh nga konkurrenca, e cila sigurisht që mund të ketë një rezultat të pashëndetshëm në shërbesë. Ne mund ta admirojmë aftësinë e të tjerëve dhe t’i mbulojmë paaftësitë tona në xhelozi. Ose ndoshta e shohim sa mirë duket se po ecën një kishë tjetër dhe pyesim veten, si ia dolën ta bëjnë këtë? Mendime të tilla nuk janë të frytshme dhe mund të na lëndojnë.

Krahasimi është vjedhësi i gëzimit. E kemi shumë të lehtë që të sillemi si Pjetri, sidomos kur nuk kemi përvojë. Mund ta dallojmë dhe ta pranojmë porosinë tonë nga Jezusi, por nuk i rezistojmë dot të parit se si po ecin gjithashtu edhe të tjerët përqark nesh.

Mendo për këtë gjë në jetën dhe shërbesën në tënde. Është e lehtë të gjykosh atë që po bëjnë gjithë të tjerët dhe të supozosh se ajo është më e mirë — kjo mund të jetë e vërtetë sidomos për kishëmbjellësit e rinj. Imagjinoje veten si Pjetri. Kush janë “Gjonët” e botës sate? Ata që i sheh dhe thua: Çfarë do të marrin ata në krahasim me atë që kam marrë unë? Nëse nuk tregohemi vigjilentë, këto pyetje do të shkaktojnë pakënaqësi.

Ndiq Jezusin!

Pastor, pavarësisht shërbesës që kanë të tjerët, je në rregull të jesh vetvetja. Në fakt, është mirë që ti të ndjekësh shtegun dhe dhuntitë e tua, sepse vetëm ti mund të bësh punën që Perëndia ka veçuar për ty. Jezusi të thirri që të jesh personi që je, në kontekstin ku ti ndodhesh. Vazhdo! Nuk ke pse të shohësh të tjerët përqark e të pyesësh se çfarë ka planifikuar Jezusi për ta. Kjo nuk të takon ty — kjo është mes tyre dhe Perëndisë. Mbaj mend se thirrja jote është të ruash dhe të ushqesh delet e Jezusit, jo ta krahasosh detyrën tënde me atë të dikujt tjetër.

Kisha së cilës ke privilegjin t’i shërbesh, nuk është e jotja. Ajo është kisha e Jezusit.

Jezusi e thirri Pjetrin për bindje dhe përkushtim kur i tha: “Ti ndiqmë!”. Ai na ka thirrur edhe ne për këtë gjë. Gjithandej te Gjonit 21, Jezusi na kujton që ta largojmë shikimin nga të tjerët dhe t’ia ngulim sytë atij. Inkurajimi që na jepet është që të mos krahasojmë dhe të mos konkurrojmë, ta largojmë pakënaqësinë dhe ta ndjekim atë. E bëfshim këtë me zell e përkushtim!

Shkruar nga: Dan Steel, më 11 janar, 2023

Botuar me leje: https://www.acts29.com/pastor-stop-comparing-and-competing/

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

 

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2023

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet