×

Cilën prej këtyre dy deklaratave ka më tepër gjasa ta thoni: “Perëndia po më ndryshon” apo “Perëndia më ndryshoi”?

Shumë të krishterë ndihen rehat me të parën, por disa prej nesh mund ta thonë disi me ngurrim: “Perëndia më ka ndryshuar”. Ka më tepër mundësi të themi: “Kam ende shumë gjëra për të ndryshuar. Jam një vepër në proces. Nuk kam arritur aty ku duhet”.

Në të vërtetë, shenjtërimi është një proces në jetën e besimtarit, por vepra e përfunduar e rilindjes ka po aq rëndësi. Rilindja ose ripërtëritja është transformimi i plotë që nis procesin e vazhdueshëm të shenjtërimit.

Duket se shumë të krishterë e kuptojnë domethënien e këtij procesi, por kanë kuptim të cekët të veprës së përfunduar. Më poshtë janë shtatë pasazhe nga Shkrimi që flasin qartë për veprën e përfunduar të Krishtit në ju si besimtar.

Ti je një krijesë e re

“Prandaj nëse dikush është në Krishtin, është një krijesë e re; të vjetrat shkuan; ja, të gjitha u bënë të reja.” (2 e Korintasve 5:17)

Pali nuk thotë: “Nëse dikush është në Krishtin, është duke u bërë një krijesë re.” Ai nuk thotë: “të vjetrat po shkojnë” dhe as nuk thotë: “të rejat po formohen gradualisht”. Ai thotë: “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, është një krijesë e re; të vjetrat shkuan; ja, të gjitha u bënë të reja”. Këtu nuk ka një ecuri zhvillimi, nuk ka etapa. Kjo është një vepër e kryer plotësisht dhe është e vërtetë, nëse jeni në Krishtin.

Je kryqëzuar

“U kryqëzova bashkë me Krishtin; por rroj; jo më unë, po Krishti rron në mua.” (Galatasve 2:20)

Rilindja nuk i ndodhi vetëm Palit; të lindurit sërish është një vepër e vërtetë në jetën e secilit besimtar. Tashmë është një vepër e përfunduar.

Je ringjallur

“Në qoftë se, pra, u ringjallët me Krishtin, kërkoni ato gjëra që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë.” (Kolosianëve 3:1-3)

Vini re, nuk thuhet: “Nëse shpresoni që një ditë do të…”, por thuhet: “Në qoftë se, pra, u ringjallët…” Nëse je një besimtar i Krishtit, ti je ringjallur me Të. Ke vdekur dhe jeta jote tani është e fshehur me Krishtin në Perëndinë. Kemi një detyrë për të bërë (siç ka në të gjitha këto pasazhe), të drejtojmë zemrën për nga gjërat që janë Lart, por kjo bëhet duke kuptuar pjesën e parë të vargut.

Trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë

“A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia?” (1 e Korintasve 6:19)

Pati edhe në Korint, nga ata që kishin probleme me rilindjen. “Trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë” dhe jo: “është duke u bërë tempulli i Frymës së Shenjtë”. Ju e keni marrë atë nga Perëndia. Nëse jeni në Krishtin, Fryma e Shenjtë jeton me ju dhe në ju. Prania e Tij ju jep fuqi dhe kjo fuqi e bën të mundur jetën e krishterë. Ja pse kjo është një e vërtetë e rëndësishme për t’u njohur.

Ju jeni dritë

“Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin; ecni, pra, si bij të dritës.” (Efesianëve 5:8)

Ai nuk thotë: “Ka një dritë në jetën tuaj”, por thotë: “Ju jeni dritë!”. Vetë natyra juaj ishte errësirë. Ishit në errësirë, tani jeni në dritë. Natyra juaj ka ndërruar. Vini re se si Pali bashkon rilindjen dhe shenjtërimin: “Ju jeni dritë”. Kjo është ringjallja! “Ecni si… të dritës.” Ky është shenjtërimi! Nuk mund të ecni si dritë, nëse nuk jeni dritë.

Jeni çliruar nga mëkati

“Por tani, pasi u çliruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të Perëndisë keni frytin tuaj që çon në shenjtërim dhe për fund jetën e përjetshme.” (Romakëve 6:22)

Shumë të krishterë nuk arrijnë ta kuptojnë këtë. Ata thonë: “Ju s’mund ta kuptoni; unë bie në mëkat dhe dështoj keqas. Nuk jam i lirë nga mëkati”. Pali thotë: “Prit një minutë! Ju jeni çliruar nga mëkati”. Ai po u shkruan të krishterëve të zakonshëm, njësoj si ne. Mëkati është armiku ynë, por nuk është më padroni ynë. Nuk jeni më rob i mëkatit! Nuk jeni më në pranga! Nuk jeni më nën zotërimin e pronarit të vjetër. Ju mund të luftoni kundër tundimit, me anë të hirit të Perëndisë. Ja pse ka shpresë.

Jeni të rilindur

“Të rilindur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së gjallë të Perëndisë, që mbetet përjetë.” (1 e Pjetrit 1:23)

Nuk mund të jesh pjesërisht i rilindur dhe as gjysmë i rilindur. Ose jeni të rilindur, ose nuk jeni. Gjuha këtu tregon një akt të përfunduar. Ja çfarë ju ka ndodhur në Krishtin. Rilindja është vepra e plotësuar e Krishtit në ju. Nuk është një proces. Nuk ndodh me etapa. Ja çfarë e bën të ndryshme nga shenjtërimi. Vërtet, mund të jesh pak i dashuruar, por jo pak i martuar. Shenjtërimin mund ta krahasojmë me fazat e rënies në dashuri, ndërsa ringjalljen me ceremoninë e përfunduar të martesës. Ose je i martuar, ose nuk je. Nuk mund të jesh pjesërisht i rilindur.

Rilindja jonë në Krishtin është transformimi i plotë që nis në  procesin e quajtur shenjtërim. E vërteta e mrekullueshme e shenjtërimit është që: “Perëndia po më ndryshon”. E vërteta e mrekullueshme e rilindjes është që: “Perëndia më ndryshoi”. Ne kemi nevojë për të dyja.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Erjon Ramaj

Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet