×

Pse e ndajmë Lajmin e Mirë

Ne jetojmë në një botë të mbushur me lajme të këqija. Zgjohemi çdo mëngjes dhe e shohim këtë nëpër titujt e lajmeve dhe në njoftimet e aplikacioneve. Mbrëmjeve në televizionin lokal shohim sërish lajme të këqija. Raportimet e përditshme janë të pamëshirshme dhe tepër negative; duket sikur raporti mes lajmeve të këqija dhe atyre të mira është 10 me 1.

Disa njerëz sugjerojnë se arsyeja për këtë kontrast është thjesht theksi, mirëpo unë mendoj se lajmi i keq mbizotëron. Ai gjithmonë duket në horizontin e jetës. Sa herë që ndodh diçka e mirë, ajo pasohet nga fjalët: “Po, e mirë por…”. Ky nuk është pesimizëm. Ky është realiteti në një botë të thyer.

Si rezultat i kësaj, kemi nevojë të dëgjojmë më shumë lajme të mira. Jo thjesht lajmet e përkohshme, të cilat na bëjnë të ndihemi më mirë për një çast kalimtar. Qofshim besimtarë apo jobesimtarë, ne të gjithë kemi nevojë për një dozë të përditshme lajmi të mirë që tejkalon gjithë lajmet e këqija, dhe e vendos secilin prej tyre në një skemë të mbushur plot me shpresë. Kemi nevojë për një mesazh që e ndryshon skenarin e botës sonë të mbushur plot me lajme të këqija.

Pikërisht këtë gjë bën Ungjilli i Jezu Krishtit. Mesazhi i tij është aq i mirë, saqë nuk ka asnjë lajm të keq që mund ta prishë. Ja pesë arsye për ta ndarë sot këtë Lajm të Mirë.

1. Ungjilli i ngushëllon ndërgjegjjet e trazuara.

Çdo person që shihni sot, ka bërë diçka të gabuar. Disa prej tyre e kanë mëkatin aq të freskët në mendje, saqë u duket sikur i ndjek këmba-këmbës dhe nuk i lë rehat. Ata janë të pushtuar nga keqardhja dhe nuk u shpëtojnë dot kujtimeve. Janë të pushtuar nga ankthi se çfarë do t’u bëjë Perëndia për shkak të atij mëkati.

Njerëzit e ngarkuar me faj dhe turp kanë nevojë të dinë se Jezusi i fal mëkatarët. Ata kanë nevojë të dinë se në zemrën e Perëndisë ka më tepër mëshirë ndaj tyre nga sa ka mëkat brenda tyre.

Nëse dikush e ka ndërgjegjen e trazuar, lexojini 1 e Gjonit 1:9:  “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi”. Ky lajm i mirë do të ketë një ndikim ripërtëritës në shpirtrat e trazuar.

Njerëzit e ngarkuar me faj dhe turp kanë nevojë të dinë se Jezusi i fal mëkatarët. Ata kanë nevojë të dinë se në zemrën e Perëndisë ka më tepër mëshirë ndaj tyre nga sa ka mëkat brenda tyre.

2. Ungjilli i shëron zemrat e lënduara nga mëkati.

Të gjithë njerëzit që i shihni sot, janë lënduar dikur në jetën e tyre. Ata janë lënduar, mbase thellësisht nga fjalët ose veprimet e njerëzve të tjerë.

Njerëzit e lënduar kanë nevojë të dinë se Jezusi do t’i gjykojë të gjithë për çdo mëkat që kanë kryer. Askush nuk do t’ia hedhë pa u lagur. Duke qenë se Jezusi ishte krejtësisht i pafajshëm e prapëseprapë u ndëshkua për mëkatin tonë, ata që janë lënduar nga mëkatet e të tjerëve mund t’ia besojnë ato lëndime gjykimit të tij të përsosur, të drejtë dhe të mëshirshëm. Kur e bëjnë këtë, ata mund të përjetojnë çlirim nga dëshira për hakmarrje dhe lehtësim nga dhimbja e hidhësisë. Mund të marrin forcë për të falur, sikurse janë falur vetë përmes veprës së Krishtit në kryq.

Atyre që janë të lënduar, shpjegojuni deklaratën e Pjetrit te 1 e Pjetrit 2:24: “Me vurratat e tij ju u shëruat”. Lajmi i Mirë do të jetë si balsam për plagët e shpirtit të tyre.

3. Ungjilli i nxit ndryshimin e jetës.

Të gjithë njerëzit që do të takoni sot, në një rast apo një tjetër, kanë ndier se diçka nuk shkon brenda tyre. Ata nuk kanë qenë të kënaqur me karakterin e vet, ose e kanë pasur të vështirë t’i heqin qafe zakonet e këqija. Disa prej tyre kanë përjetuar agoninë e gjendjes së pafuqishme para varësisë. Kanë dashur të ndryshojnë diçka te vetja, por nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë.

Këta njerëz kanë nevojë të dinë se Jezusi ka fuqinë që u nevojitet për t’u bërë më të ngjashëm me të. Ai u jep besimtarëve fuqinë për të ndryshuar përmes Frymës së Shenjtë që banon në ta. Atyre që po përleshen për të parë ndryshim në jetën e tyre, mund t’u drejtojmë fjalët nga 2 e Pjetrit 1:3: “Duke qenë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri përmes lavdisë dhe virtytit.” Ky Lajm i Mirë do t’i motivojë që të rriten në virtytet e krishtera.

4. Ungjilli i ndihmon njerëzit në botën tonë të rënë që të kenë shpresë.

Të gjithë njerëzit që do të takoni sot, përleshen me faktin se çfarë nuk shkon në këtë botë. Disa mund të jenë duke luftuar me sëmundjen ose po i shohin të afërmit e tyre që po e humbasin këtë betejë. Ata mund të jenë duke përjetuar konflikte, të cilat duken sikur nuk do të zgjidhen ndonjëherë. Trupat e tyre mund të jenë duke u prishur në një mënyrë apo një tjetër, ose shpirti i tyre mund të jetë i trazuar. Tragjedia mund t’u ketë rënë të njohurve të tyre, ose kohët e fundit mund të kenë përcjellë në varreza një prej të dashurve të tyre.

Këta njerëz kanë nevojë të dinë se Perëndia ka premtuar që do t’i zhbëjë të gjitha efektet e mëkatit origjinal, dhe do ta çojë popullin e tij në një tokë të re dhe qiej të rinj. Tregojuni fjalët e Jezusit nga Gjoni 16:33: “Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni shtrëngim, por merrni zemër, unë e kam mundur botën!”. Ky Lajm i Mirë do t’u japë atyre forcën për të cilën kanë nevojë, që të këmbëngulin në mes të sprovave.

5. Ungjilli jua freskon shpirtin teksa e ndani atë përkrah të tjerëve.

Ungjillin nuk kanë nevojë ta dëgjojnë vetëm njerëzit me të cilët do të takohesh sot. Personi që pe në pasqyrë sot në mëngjes, ka nevojë gjithashtu për Ungjillin. Pavarësisht se është mirë që t’ia predikoni Ungjillin vetes, fjalët e Palit te Filemoni 6 vënë në pah se strategjia më e mirë për ta inkurajuar zemrën është duke bashkëpunuar me të tjerët në shërbesën e Ungjillit: “[Lutem] që bashkësia e besimit tënd të bëhet e veprueshme nëpërmjet njohjes së çdo të mire që është në ju ndaj Jezu Krishtit”.

Kur punojmë bashkë për t’ua shpallur Lajmin e Mirë të tjerëve, kujtohemi për të gjitha të mirat që Perëndia ka bërë, po bën dhe do të bëjë për ne në Jezusin.

Në këtë botë, njerëzit përballen me tundim dhe keqardhje, me dhimbje dhe vuajtje, me dështim dhe zhgënjim, me plakjen dhe vdekjen. Lajmi i keq është me të vërtetë i keq, mirëpo ka arsye për t’u inkurajuar, pavarësisht gjithë lajmeve të këqija.

Kur punojmë bashkë për t’ua shpallur Lajmin e Mirë të tjerëve, kujtohemi për të gjitha të mirat që Perëndia ka bërë, po bën dhe do të bëjë për ne në Jezusin.

Emri i tij është Jezus. Ai është Zot. Jezusi po e rregullon botën në lidhje me mëkatin. Ai është i Vetmi që i shpëton mëkatarët, dhe këtë e bën me anë të hirit nëpërmjet besimit. Jezusi e ka mundur botën, dhe ndjekësit e tij po i çon drejt një bote krejtësisht të re. Ky mesazh në lidhje me Jezusin ia vlen që të shpallet çdo ditë.

 

Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/share-good-news/

Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet