×

Pse Joni Eareckson Tada e lavdëron Perëndinë që nuk e shëroi

Për aq sa mbaj mend, gjithmonë kam qenë e dhënë pas sporteve. Qoftë duke fituar medalje noti, duke qëlluar topin e tenisit me goditjen time të hidhur apo duke u shpallur ‘sportistja më e mirë’ në vitin e fundit. Kisha zbuluar talentin tim, jetën time. Isha sportiste dhe kjo përkufizonte gjithçka rreth meje, madje edhe degën që do të ndiqja në universitet.

Atletika mund ta shtyjë dikë deri në ekstrem. Një muaj pas diplomimit nga shkolla e mesme, lëndova qafën, e theva atë, ndërsa po përpiqesha të bëja një zhytje në cekëtinat e Gjirit Chesapeake. Mendova që mund ta bëja palosjen në kohë, por kur koka preku tokën rrënore nuk i ndjeva më krahët dhe këmbët. Kur e nxorën trupin tim të paralizuar në breg po mendoja: “Çfarë zhytje koti; pse e bëra?” Disa muaj më vonë, kur fillova të kthjellohesha rreth faktit se do isha gjithmonë e paralizuar, ndjeva që jetës time i kishte ardhur fundi.

Në atë kohë isha e krishterë, por jeta në Krishtin nuk përcaktonte faktin se kush isha. Është e vërtetë, e kisha kuptuar se isha një krijesë e re, me një zemër të re, të paktën teorikisht, por nuk po jetoja ashtu. Prandaj, pas aksidentit tim, u zhyta në Bibël për të gjetur ndihmë, duke shpresuar se Jezusi do më kthente sërish gjithë sa kisha humbur. Dëshiroja e kisha nevojë që të më kthente sërish trupin tim.

Kërkimi për shërim

E hulumtova Fjalën e Perëndisë për çdo referencë kur Jezusi kishte shëruar njerëz të paralizuar. Një nga pjesët më tërhoqi vëmendjen, Luka 5:

Disa njerëz po sillnin mbi një vig një njeri të paralizuar dhe kërkonin ta fusnin brenda dhe ta vinin përpara tij. Por, duke mos gjetur se si ta fusnin brenda për shkak të turmës, hipën mbi çatinë e shtëpisë dhe e lëshuan përmjet tjegullave me gjithë vig midis njerëzve, përpara Jezusit… “Unë të them (i tha të paralizuarit), çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!” Dhe menjëherë ai njeri u ngrit përpara tyre, mori vigun mbi të cilin qe shtrirë dhe shkoi në shtëpinë e vet, duke përlëvduar Perëndinë.

Kaq lexova! I injorova vargjet brenda kllapave (20-24) në të cilat Jezusi mëson se falja e mëkatit është shumë herë më e vështirë për t’u bërë, se sa shërimi i dikujt. Nuk më interesonte ai mësim. Neglizhova punën e mëkatit; unë thjesht dëshiroja pjesën e shërimit. Për aq sa më interesonte mua, nëse sillesha mirë dhe nuk hapja probleme, Jezusi nuk do të kishte arsye për të mos më shëruar.Lost and Found Book

Prandaj, shkova në të gjitha shërbesat lokale të shërimit, duke ndjekur çdo urdhër shkrimor që mund të më kualifikonte për shërim fizik. Pleqtë e kishës u lutën dhe më vajosën me vaj dhe rrëfeva më tepër mëkate nga sa më kujtoheshin. Pas dy vizitave në fushatat e shërimit të Kathrin Kuhlman (e cila ishte pak a shumë Benny Hinn i asaj kohe), u zhyta në dëshpërim. Krahët dhe këmbët e mia mbetën joreagues. A nuk e dinte Perëndia se isha e humbur pa gjymtyrë që funksiononin? A nuk e kuptonte Ai që përbrenda isha një sportiste e fortë? Sigurisht që Ai e dinte se unë isha kandidatja me më pak gjasa për ta shkuar jetën në një karrocë invalidi.

Këto 50 vitet e fundit në karrocën time kam qenë duke vdekur çdo ditë ndaj vetes dhe duke u ringjallur me Jezusin, vdekje ndaj vetes dhe ringjallje me Jezusin, vdekje ndaj vetes dhe ringjallje me Jezusin.

Pas fushatës së tretë të shërimeve, motra ime më çoi në fermën tonë në Maryland. Gjatë gjithë rrugës shfryja: “Çfarë lloj Shpëtimtari, çfarë lloj çlirimtari apo shërues e refuzon lutjen e një të paralizuare? Në mënyrë të veçantë të një të paralizuare që e shpall Krishtin si Shpëtimtarin e saj?” Ndihesha konfuze dhe krejtësisht e përhumbur. Një mëngjes u zgjova herët, hodha vështrimin përreth dhomës time të errët dhe vendosa që nuk dëshiroja të zgjohesha. Mendova: “Nëse nuk mund të shërohem, nuk do të vazhdoj kështuNuk do të vazhdoj të jetoj kështu!” Atë ditë qëndrova në shtrat. Po kështu edhe ditën tjetër… Dhe javën tjetër.

Dëshpërimi ishte mbytës dhe më në fund u ankova: “Nuk mund të jetoj dot kështu. Jam krejt e humbur. Perëndi, më trego si të jetoj!” Ky ishte përgjërimi im i parë për ndihmë. Më pas erdhën ditë të reja kur motra ime më çonte, më vendoste një Bibël në mbajtësen e fletëve të muzikës dhe e parkonte karrocën time përpara saj. Me një shkop në gojën time i kaloja faqet para e mbrapa duke u përpjekur që ta kuptoja.

Gjetja e shërimit më të thellë

Mësova se thelbi i planit të Krishtit ishte që të na shpëtonte nga mëkati. Sëmbimet dhe dhimbjet tona fizike bashkë me marrëdhëniet e prishura, nuk janë fokusi i Tij përfundimtar; Ai kujdeset thellësisht për këto gjëra, por ato janë simptoma të problemit kryesor në këtë botë të rënë. Synimi i Perëndisë nuk është të na bëjë të ndihemi rehat. Ai dëshiron të na mësojë t’i urrejmë shkeljet tona, ndërsa në të njëjtën kohë Ai e rrit dashurinë tonë për Të.

E lexova sërish pjesën nga Luka 5 ku Jezusi shëroi të paralizuarin, të cilin shokët e tij e zbritën nga çatia para Jezusit. Kësaj here i studiova edhe vargjet që i kisha injoruar:

Dhe ai, duke parë besimin e tyre, i tha atij: “Njeri, mëkatet e tua të janë falur”. Atëherë skribët dhe farisenjtë filluan të arsyetojnë duke thënë: “Kush është ky që thotë blasfemi? Kush mund t’i falë mëkatet, përveç vetëm Perëndia?” Por Jezusi, duke i njohur mendimet e tyre, e mori fjalën dhe tha: “Ç’po arsyetoni në zemrat tuaja? Çfarë është më e lehtë, të thuhet: ‘Mëkatet e tua të janë falur., apo të thuhet: Çohu dhe ec’? Tani, pra, me qëllim që ju ta dini se Biri i njeriut ka pushtet mbi tokë të falë mëkatet, unë të them (i tha të paralizuarit), çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!” (Luka 5:20-24)

Jezusi mund ta shëronte të paralizuarin vetëm e vetëm sepse Ai kishte autoritet si Biri i Perëndisë për të falur mëkatin. Kjo ishte ajo që Ai donte t’iu theksonte farisenjve. Për Të, shërimi i këmbëve të thara, nuk do të kërkonte më tepër përpjekje se vendosja e yjeve dhe hënës në orbitat e tyre; për Jezusin, e gjithë kjo është thjesht punë e gishtave të Tij (Psalmi 8:6). Kur vjen puna te falja e mëkatit, kjo nuk ishte përpjekje e lehtë për Shpëtimtarin tonë. Shpengimi ynë kërkonte flijim dhe një krah të fortë shpëtimi (Isaia 63:5).

Synimi i Perëndisë nuk është të na bëjë të ndihemi rehat. Ai dëshiron të na mësojë t’i urrejmë shkeljet tona, ndërsa në të njëjtën kohë Ai e rrit dashurinë tonë për Të.

U lëshova në lot kur nisa të dalloja sa i pështirë ishte mëkati im. Shërimi fizik nuk ishte asgjë në krahasim me abuzimin e paimagjinueshëm që shkeljet e mia kishin hedhur mbi Zotin tim.

Prandaj, këto 50 vitet e fundit në karrocën time kam qenë duke vdekur çdo ditë ndaj vetes dhe duke u ringjallur me Jezusin, vdekje ndaj vetes dhe ringjallje me Jezusin, vdekje ndaj vetes dhe ringjallje me Jezusin. Synimi im është që t’i bëj të vdesin dëshirat e mia mishore, në mënyrë që të gjendem në Krishtin. Perëndia i është përgjigjur lutjes time, Ai ka nxjerrë në dritë gjëra të errëta në zemrën time, gjëra nga të cilat kam nevojë të shërohem.

A shëron Perëndia në mënyrë të mrekullueshme? Sigurisht që e bën! Në këtë botë të rënë, kjo është ende përjashtimi dhe jo rregulli. Një përgjigje ‘jo’ ndaj kërkesave të mia për një shërim fizik të mrekullueshëm, do të thotë pastrim i mëkatit, dashuri për të humburit, dhembshuri në rritje, shpresë e sprovuar, një oreks më i madh për hir, një besim më i madh, një ëndje më e lumtur për qiellin, një dëshirë për të shërbyer, një kënaqësi në lutje, një uri për Fjalën e Tij. Bekuar qoftë mësuesi im i vrenjtur, karroca ime e invalidit!

Gjithçka është për lëvdimin e shërimit më të thellë në Krishtin.

Shënim i redaktorit: 

Kjo pjesë është përshtatur nga Lost and Found: How Jesus Helped Us Discover Our True Selves [Të humbur dhe të gjetur: Si na ndihmoi Jezusi të zbulonim veten tonë të vërtetë] (The Gospel Coalition, 2019), redaktuar nga Collin Hansen.

Përktheu: Asim Hamza / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet