×

Pse përpjekja juaj kishë-mbjellëse duhet të përqafojë udhëheqjen në grup

Shoku im, Ryan Townsend, thotë se kur flet për strukturën e kishës, është pak a shumë sikur të flasësh për punimet hidraulike të shtëpisë. Askush nuk vjen ta kontrollojë, por të gjithë e vënë re që është e prishur. Defektet hidraulike mund të shkaktojnë një rrëmujë të madhe dhe të sikletshme.

Djali im 19 vjeçar, James, i cili ka lindur në Ukrainë, mund të bëjë përjashtim nga ky rregull. Atij i pëlqen t’i rregullojë gjërat dhe kënaqet duke vënë në dukje problemet në shtëpitë e njerëzve të tjerë; shpesh edhe kur nuk ia kërkojnë këtë gjë. Kohët e fundit e dërguam që të ndihmonte hallën dhe xhaxhain e tij që ta bënin shtëpinë e tyre gati për ta shitur. Kur arriti atje, James na dërgoi një mesazh: “Shumë probleme. Punë hidraulike. Shtrenjtë!”

Themel i shëndoshë

Ky është përshkrim shumë i mirë për disa struktura të kishës. Ka shumë probleme! Shumica e tyre vijnë nga mungesa e pleqësisë dhe anëtarësisë së shëndetshme të kishës. Kur të vijë momenti për t’i ndryshuar këto gjëra themelore mund të ketë shumë kosto, të jetë e dhimbshme dhe punë mbi-ngarkuese.

Në programin e praktikantëve pastoralë në kishën tonë, ne kalojmë shumë kohë me “punët hidraulike”. Dëshirojmë që djemtë tanë të kenë bindje të thella rreth pleqësisë dhe anëtarësisë, dhe madje të jenë gati të paguajnë çmimin për t’i zbatuar këto gjëra në praktikë.

Ndërtimi i një strukture të shëndetshme kishe është punë e vështirë, më e vështirë se përpilimi i një deklarate të qartë vizioni apo gjetja e një emri interesant për kishën.

Ndërtimi i një strukture të shëndetshme kishe është punë e vështirë, më e vështirë se përpilimi i një deklarate të qartë vizioni apo gjetja e një emri interesant për kishën. Struktura, në fakt, është shumë herë më e rëndësishme se këto. Është punë e vështirë për shkak se kërkon një vlerësim tërësor, biseda të gjata, komunikim të qartë, një gatishmëri për të hequr dorë nga kontrolli (në mënyrë të veçantë nëse ju shikojnë si ‘udhëheqësin kryesor’), një gatishmëri për t’u sfiduar dhe shumë gjëra të tjera. Gjithsesi, kjo është e nevojshme dhe ia vlen.

Ne dëshirojmë që kishëmbjellësit tanë të ngazëllohen rreth strukturës së udhëheqjes biblike, jo për hir të vetë strukturës, por në mënyrë që kisha të mund të jetë edhe misionale edhe pastorale. Struktura juaj mund të ndihmojë ose mund të pengojë: (1) mënyrën se si kujdeseni për kishën tuaj dhe (2) mënyrën se si kisha jeton në mision.

Nga piramidë në pluralitet

Ne e mbollëm kishën tonë me një shumicë pleqsh. Doja që të evitoja modelin “pastori dhe stafi i tij”, i cili ka një person në majë të piramidës. Dëshironim një shumicë pleqsh/barinjsh që kujdesen dhe mobilizojnë bashkësinë, nën udhëheqjen e kryebariut të vërtetë, Jezu Krishtit, i cili është i vetmi që ulet në majë të piramidës.

Ne madje as që duam të mbjellim një kishë, nëse nuk kemi më tepër se një pastor. Shpesh u themi atyre që dëshirojnë të jenë mbjellës kishash, ata me të cilët e mbillni kishën janë më të rëndësishëm, se sa vendi ku e mbillni atë. Me fjalë të tjera, ekipi është më i rëndësishëm se sa vendi. Në shumicën e rasteve, besoj që dikush mund të durojë dhe të lulëzojë në çdo lloj vendi, nëse ka ekipin e duhur.

Për më tepër, kemi nevojë që ta ndryshojmë mendimin tonë në mënyrë më të përgjithshme në këtë profil. Për disa vite, ‘burri’ u mbitheksua në mbjelljen e kishës. Ideja ishte se në mënyrë që të jesh një kishëmbjellës, kishe nevojë të ishe burrë dominues, burrë i fortë. Shpresoj që të jemi në gjendje ta dallojmë problemin me një ide të tillë.

E dëshiroj fort rizgjimin e një vetëdijeje që thekson nevojën për një ekip njerëzish që ta mbjellë mirë një kishë, e cila përbëhet nga burra dhe gra të dhënë pas misionit, që marrin përkujdesje nga një shumicë barinjsh të perëndishëm, të urtë dhe të përulur. Besoj që kjo ka për ta fuqizuar mbjelljen e kishave të shëndetshme në çdo cep dhe skutë të globit.

Vlerësimi i pluralitetit

Në Dhjatën e Re gjejmë shembuj të shumtë për udhëheqjen në ekip. Në kishat e Judesë dhe zonat përreth, shohim pleq (Veprat 11:30, Jakobi 5:14, 15); në Jerusalem (Veprat 15:21); në Derbë, Listra dhe Antiok (Veprat 14:20-23); në Efes (Veprat 20; 1 Timoteu 5:17-25); dhe në Azinë e vogël veriperëndimore (1 Pjetri 1:1; 5:1).

(Meqë ra fjala, është interesante, që edhe pse shumë njerëz e sfidojnë idenë e një shumice pleqsh/barinjsh, askush nuk duket se mbron idenë e modelit të një dhjaku të vetëm. Ne kemi nevojë për pluralitet në të dyja këto drejtime/ndarje.)

Veprat 14 është thelbësore për mbjellësit e kishave. Para se Pali dhe Barnaba të ktheheshin në Antioki, nga i ashtuquajturi udhëtim i tyre i parë misionar, Pali u kthye për të forcuar shpirtrat e dishepujve. Çfarë bëri ai dhe Barnaba në këtë udhëtim të kthimit?

Mbasi ungjillëzuan atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listra, në Ikon dhe në Antioki, duke fuqizuar shpirtërat e dishepujve dhe duke i këshilluar që të ngulmojnë në besim, dhe duke thënë se me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë. Mbasi caktuan për ta pleqtë në çdo kishë, u lutën dhe agjëruan, i lanë në dorën e Zotit, në të cilin kishin besuar (Veprat 14:21-23, theksimi i shtuar).

Si mund të ndihet Pali që ta lërë një kishë të ekzistojë pa qenë vetë i pranishëm? Çfarë dëshironte që të kishte të pranishme? Vini re tre themele: (1) mësimi apostolik – ‘besimi’; (2) mbikëqyrja baritore, kjo është shfaqja e parë e pleqve në kishat johebreje dhe ajo që duket se përcakton shtysën e asaj që u bë normative; dhe (3) besim me lutje në Perëndinë

Barazia dhe pluraliteti

Dëshiroj të ofroj një konsideratë të fundit për ata që tashmë e kanë përqafuar këtë model dhe kjo ka të bëjë me idenë “i pari mes të barabartëve”. Për disa që kanë pluralitet, pleqtë e tyre funksionojnë si bord, ata nuk janë barinj. Këtë përqasje nuk e rekomandoj. Të tjerët i shohin pleqtë e tyre si pastorë, por ka një hierarki dhe rëndësi në autoritet. Nuk jam as tifoz i kësaj, unë jam për një ekip pastorësh që kanë rëndësi dhe autoritet të barabartë.

Ne e pranojmë se jo të gjithë pleqtë janë të barabartë në dhunti, në njohuri biblike dhe në përjetim;  1 Timoteu 5:17 e vë këtë gjë në dukje për sa i përket mësimit dhe predikimit.

Megjithatë, për shumë nga ata që mbështesin modelin “i pari mes të barabartëve”, supozimi i qartë është se një pastor është më mirë në çdo çështje të përkujdesjes apo ka më tepër autoritet mbi çdo çështje. Për një ide të tillë unë pyes: “Pse mendoni që personi që është më i zoti në mësimdhënie do të jetë gjithashtu edhe më i talentuar në përkujdesje, këshillim, administrim apo mobilizim?” Edhe këto janë aspekte jetësore të përkujdesjes baritore.

Ne dëshirojmë që kishëmbjellësit tanë të ngazëllohen rreth strukturës së udhëheqjes biblike, jo për hir të vetë strukturës, por në mënyrë që kisha të mund të jetë edhe misionale edhe pastorale.

Si funksionon kjo gjë në realitet? A nuk duhet të keni një “të parë mes të barabartëve”? Në kishën tonë ne themi kështu: “Ne kemi një të parë mes të barabartëve në varësi të çështjes”. Ja disa gjëra thelbësore për ta bërë këtë të ndodhë:

  • Përulësi dhe besim. Nëse jeni të fiksuar pas kontrollit, kjo nuk ka për të funksionuar.
  • Durim dhe vetë-kontroll. Mund të mos ju pëlqejë shpejtësia me të cilën ndodhin gjërat në një pluralitet udhëheqësish.
  • Dashuri. Duhet ta duroni njëri-tjetrin në dashuri; do t’i njihni dobësitë e njëri-tjetrit po aq sa dhe ato të kujtdo tjetër në kishë.
  • Të jeni të shpejtë në të dëgjuar, të ngadaltë në të folur dhe të ngadaltë në zemërim. Nuk ka pse të jepni një opinion të fortë për gjithçka.
  • Respekt për njëri-tjetrin. Duhet të vlerësoni perspektivën e secilit.
  • Vetëdije për pikat e forta të njëri-tjetrit. Kjo është thelbësore në mënyrë që të dini kur dhe si të kini mendim ndryshe nga njëri-tjetri.

Prandaj, në përpjekjet tona për të mbjellë kisha, le të mos kërkojmë thjesht që të mbjellim kisha; le të përpiqemi të mbjellim kisha të shëndetshme, të udhëhequra nga një ekip pastorësh, për të mirën e kishës dhe për përparimin e misionit. Kjo do të kërkojë që ta konsiderojmë si duhet këtë aspekt më pak të kremtuar të mbjelljes së kishës.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Asim Hamza; Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet