×

Pse teologjia e mirë nuk është e mjaftueshme

Piktura ime e preferuar e Agustinit është nga artisti flamand i shekullit të 17-të, Philippe de Champaigne. Agustini ulet në zyrën e tij me një penë në njërën dorë dhe zemrën e tij, të ndezur flakë, në tjetrën. Shikimi i tij ishte i fiksuar në një rreze drite që vinte nga lart, e cila ndriçonte kokën dhe zemrën e tij. Veritas, është përkthimi latinisht për të vërtetën, e cila është në qendër të dritës.

Kjo vepër arti ilustron rëndësinë për të dashur Perëndinë me gjithë zemër, mendje, forcë dhe shpirt, atë që Jezusi quajti përmbledhja e Ligjit dhe e Profetëve (Mateu 22:36-40). Pali u shpreh në mënyrë të ngjashme, duke treguar që ne mund të jemi folës elokuent, filantropistë bujarë, madje dhe martirë, por sërish mund të dështojmë në marrëdhënien tonë me Perëndinë (1 Korintasve 13:1-3). Pa dashuri, çdo gjë është e barabartë me zero.

Është e mundur që po çon dëm jetën tënde. A e ke menduar këtë? A po të pushton zemrën dashuria për Perëndinë? A je më i/e fokusuar që të analizosh më me kujdes teologjinë se sa ta duash Atë?

E mbaj mend kur kjo pyetje për herë të parë mori kuptim për mua.

Shkurre që nuk digjen

Ishte dita kur nuk ndodhi asgjë dhe gjithçka ndryshoi. Po dëgjoja një predikues të stilit të vjetër, zjarr dhe squfur. Ai ishte i zhurmshëm, lëvizte para dhe mbrapa përpara qindra studentëve në një kamp të rinjsh, duke folur në lidhje me çfarë do të thotë të ndjekësh Jezusin. U magjepsa!

Kisha qenë i krishterë vetëm për 24 orë. Një natë më parë, e besova mesazhin e ungjillit dhe mora dashurinë dhe faljen e Perëndisë që m’u ofrua përmes Jezu Krishtit. Atë natë predikimi ishte se si ndjekësit e Jezusit duhej ta donin Atë me gjithë zemër.

Sfida përfundimtare për të gjithë ata që ishin në kamp ishte për të gjetur një vend pas takimit, për të kaluar kohë në lutje. Ai na tha të qëndronim atje derisa ta donim Perëndinë me gjithë zemër. Isha i sinqertë, me pasion dhe naiv. Mezi prisja ta provoja. Gjeta një vend të këndshëm dhe të qetë ku u përgjunja mes ca shkurreve. I vendosa duart në tokë përpara meje dhe vendosa ballin mbi to.

U luta pa pushim: “Perëndi i dashur, dua të të dua me gjithë zemër”. Kur nuk ndodhi asgjë magjike, fillova të theksoj secilën fjalë: “Perëndi i DASHUR, dua të të dua… PERËNDI i dashur, dua të të dua…” Sërish asgjë!

Shpresoja për një mrekulli. Po mendoja që shkurret do të ndizeshin dhe do të dëgjoja një zë të thellë, si zëri i Morgan Freeman, duke thënë: “Po Dan, tani më do me gjithë zemër. Tani mund të shkosh të luash me letra dhe të hash një hamburger”.

Sërish asgjë.

Pas një kohe që dukej sikur kishin kaluar orë të tëra, më në fund ndalova së luturi. Isha vetëm 15 vjeç në atë kohë dhe nuk besoj se jam lutur më shumë se 15 minuta. Megjithatë, mua, adoleshentit, më dukej si kohë shumë e gjatë. Të jem i sinqertë, në atë kohë dukej si diçka pa rezultat. Isha pak i zhgënjyer

Eklips total i zemrës

Këto dy ditët e para të jetës sime të krishterë, përmbledhin më së mirë jetën e shumë prej nesh. Nganjëherë, e kemi me gjithë zemër jetën tonë për Perëndinë. Herë të tjera, zemrat tona janë diku tjetër, me hamburger apo lojë letrash. Gjëra të tjera mund të errësojnë dashurinë tonë për Perëndinë.

Nuk mjafton të kesh besimin e duhur. Ai do zemrën tënde.

Pyes veten çfarë shikon kur mendon për të kaluarën? A kishte një moment që ndiheshe sikur e njihje dhe e doje Perëndinë më shumë se tani? Një moment kur dëshiroje ta ndiqje Jezusin me gjithë zemër? Ose mbase nuk ke qenë kurrë i sigurtë se ai nivel përkushtimi bën për ty?

Edhe pse nganjëherë më vjen të qesh kur mendoj për atë kamp, kam arritur në përfundimin se kisha kuptuar diçka që shpesh nuk e shoh tani. Jezusi e do zemrën time më shumë se çdo gjë tjetër. Kjo ishte e vërtetë për mua atëherë; është e vërtetë për secilin prej nesh tani. Nuk mjafton të kesh besimin e duhur, Ai do zemrën tënde.

Besimi në Perëndinë nuk është i mjaftueshëm

Ortodoksia mund të duket si një procedurë dentare e shtrenjtë dhe e dhimbshme, por thjesht do të thotë të kesh besimin e drejtë në Perëndinë. Marrëdhënia me Jezusin fillon me të vërtetën, me ortodoksinë, e cila formon besimin e duhur për Jezusin. Kjo ilustrohet në momentin kur Jezusi pyet dishepujt e Tij se çfarë besonin njerëzit për Të. Ata sorollateshin rreth titujve bujarë që kishin dëgjuar në fshatra: Gjon Pagëzori, Elia, ose mbase ndonjë profet (Marku 8:27-29).  Më pas Jezusi bën pyetjen më personale: Pse kishin besim ata tek Ai?

Pjetri ngriti zërin menjëherë: “Ti je Mesia!” – deklaroi ai. Këtu Pjetri mori notën 10 në testin e ortodoksisë, por në kapitullin e fundit të Ungjillit të Gjonit nuk e shohim Jezusin duke e pyetur Pjetrin për ortodoksinë.

Mund të grumbullojmë shumë dije, por zemrat tona mbeten larg Tij. Madje ne mund të japim jetën tonë si martirë dhe sërish të mos godasim në shenjë.

Do të kishte pasur kuptim nëse Jezusi do t’i bënte pyetje të tilla. Fundja, Pjetri do të bënte një predikim historik në fillimin e kishës nga Perëndia. Një turmë prej 3000 njerëzish u magjepsën dhe vendosën ta ndjekin Jezusin (Veprat e Apostujve 2:14-41). Pra, është e rëndësishme që Pjetri t’i kuptonte gjërat siç duhet.

Për çfarë e pyeti Jezusi Pjetrin? E pyeti për dashurinë e Tij, e pyeti për zemrën e Tij. Tri herë e pyeti: “A më do?” Sipas  gojëdhënave, Pjetri shkoi të vdiste si martir, ashtu siç kishte parashikuar Jezusi. Dashuria e Jezusit e drejtoi në atë pikë të bindjes.

Ortodoksia; besimet e drejta, janë pika e fillesës, por nuk është vendi ku përfundojmë. Që të jemi të qartë, nuk mund të rritemi shumë në dashurinë për Perëndinë pa u rritur gjithashtu në besimin tonë në Perëndinë. Çfarë ne besojmë për Perëndinë është jetike. Pra, është shumë e rrezikshme të rritemi në njohurinë e Perëndisë, pa u rritur në dashurinë tonë për Perëndinë. Mund të grumbullojmë shumë dije, por zemrat tona mbeten larg Tij. Madje ne mund të japim jetën tonë si martirë dhe sërish të mos godasim në shenjë.

Rrëfime nga një i diplomuar në teologji

Nëse do të vije në zyrën time, do të vije re disa diploma në mur. Kam një diplomë që duket vërtet mbresëlënëse: master në teologji. Do të thotë se kam bërë shumë orë mësimi rreth Biblës dhe Perëndisë, dhe kam një diplomë që e vërteton këtë. Pra, teologjia zotërohet nga miku juaj i dashur.

Sa i impresionuar është Perëndia me gjithë diplomat e mia të varura mbi mur? Aspak! Të jem i sinqertë, mund të imagjinoj që Ai ishte më i impresionuar me djaloshin 15 vjeçar, i cili dëshironte vetëm ta donte me gjithë zemrën e tij.

Atë ditë, shumë kohë më parë, dukej sikur nuk ndodhi asgjë, por unë po bëja më të mirën e mundshme për të dashur Perëndinë. Dhe kjo jo se nuk është asgjë, në të vërtetë është diçka. Në fakt, kjo është gjithçka. E vërteta e Perëndisë na i rrëmbeftë zemrat për lavdinë e Tij, sepse pa Atë, ne jemi thjesht duke i çuar dëm jetët tona.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Erjon Ramaj; Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet