Në lidhje me ferrin, C. S. Lewis ka shkruar se: “Nëse do të ishte në dorën time, kjo do të ishte doktrina që do ta hiqja me dëshirë nga krishterimi. Jam dakord me të në shumë mënyra, por askush nuk duhet ta pëlqejë idenë e ferrit, duke përfshirë edhe të krishterët. Ne që besojmë në ferrin nuk jemi sadistë, që kënaqen me vuajtjen e përjetshme. Në fakt, më thyhet zemra kur mendoj se njerëz, të cilët i njoh dhe që janë jashtë Krishtit (apo nuk besojnë në Krishtin) ta kalojnë përjetësinë në ferr. Kur isha një i krishterë i ri dhe kur fillova të mësoj në lidhje me ferrin dhe rrjedhojat e saj, për pak e humba besimin dhe kjo ishte shumë shqetësuese. Ferri është një realitet i vështirë, por është diçka që Bibla na e mëson dhe ne nuk mund ta kuptojmë plotësisht Perëndinë dhe botën e tij nëse nuk përballemi me të. Këto shtatë të vërteta duhet t’i japin formë kuptimit tonë për ferrin.
1. Ferri është ai që është, sepse Perëndia është Ai që është. Njerëzit përmendin shumë lehtë frazën “të parit Perëndinë”, sikur të shikosh Perëndinë ballë për ballë të ishte thjesht një përvojë e ngrohtë dhe e paqartë. Por Bibla na tregon se shenjtëria dhe përsosmëria e Perëndisë janë aq absolute sa nëse dikush do ta shihte Perëndinë, ai do të vdiste me siguri (Eksodi 33:20). Edhe mëkati më i vogël në praninë e Perëndisë të çon në asgjësim të menjëhershëm. Kur Isaia, profeti i Perëndisë, e pa Perëndinë mbi fron, ai ra përmbys me fytyrën përtokë, i frikësuar dhe i sigurt se do të vdiste (Isaia 6:5).
Doktrina e ferrit konsiderohet si e prapambetur mes shumë njerëzve, por kjo doktrinë ekziston për një arsye. Perëndia na tregon për ferrin për të demonstruar madhësinë e shenjtërisë së Tij. Ferri është ai që është, për shkak se Perëndia është Ai që është. Ferri nuk është një gradë më i nxehtë nga sa e meritojnë mëkatet tona. Ferri duhet të bëjë që të qëndrojmë gojëhapur përpara drejtësisë dhe shenjtërisë së Perëndisë. Duhet të na bëjë që të dridhemi përpara madhështisë dhe madhërisë së Tij.
Në mënyrë ironike, nëse e hiqni qafe ferrin, ju hiqni vetë burimet, që tregojnë drejtësinë e Perëndisë. Kur dikush përdhunohet ose abuzohet si fëmijë, ai person ka nevojë të dijë se ekziston një Perëndi, me një bukuri dhe shenjtëri të tillë, që mbretëria e Tij nuk mund të tolerojë asnjë ligësi.
2. Jezusi foli në lidhje me ferrin, më shumë se çdokush tjetër në Shkrim. Disa njerëz përpiqen ta anashkalojnë idenë e ferrit duke thënë: “Ai është Perëndia i Dhiatës së Vjetër, kur ishte në vitet e para te adoleshencës dhe ishte shume nevrik. Megjithatë, kur Perëndia arriti pjekurinë në Dhiatën e Re me Jezusin–një Jezus zemërbutë dhe të duruar–ishte gjithçka dashuri dhe dhembshuri.”
Problemi me këtë këndvështrim është se kur fillon të lexosh Ungjijtë, zbulon se Jezusi flet për ferrin më shumë se kushdo tjetër. Në fakt, nëse i numëron vargjet, Jezusi foli më shumë për ferrin se sa për qiellin. Një nga skeptikët më të mëdhenj në histori, Bertrand Rusell, thotë në librin e tij, Pse nuk jam i krishterë, se mësimet e Jezusit për ferrin “janë defekt i thellë në karakterin e Krishtit.” Nëse duam të anashkalojmë idenë e ferrit, ne nuk mund ta injorojmë problemin duke u fokusuar thjesht në “Jezusin e dashur dhe të dhembshur.”
3. Ferri na tregon shkallën e dashurisë së Perëndisë në shpëtimin tonë. Pse Jezusi flet për ferrin më shumë se çdo person tjetër në Bibël? Sepse donte që ne ta dinim se çfarë do të duronte në kryq për ne, dënimi i Jezusit ishte i vështirë për t’u përshkruar: këtij burri të përgjakur, të shpërfytyruar dhe të munduar, iu dha një kryq, që me shumë mundësi ishte përdorur më parë, që mund të kishte qenë i mbuluar nga gjaku, jashtëqitjet, dhe urina e burrave të tjerë që ishin kryqëzuar më parë mbi të. I varur në dhimbje të patregueshme, dalëngadalë iu zu fryma, derisa vdiq.
Pjesa më e keqe që Jezusi përjetoi ishte ndarja nga Ati, një ndarje, e cila ishte si ferr në vetvete. Ai thirri: “Perëndia im, Perëndia im”, përse më ke braktisur?” (Mateu 27:46). Në gjithë këtë, Jezusi ishte duke marrë ferrin e mëkatit tonë në trupin e Tij.
Njerëzit shpesh mendojnë se ferri është një e metë e madhe në dashurinë e Perëndisë. Bibla na e prezanton si të kundërtën e kësaj. Ferri na e lartëson dashurinë e Perëndisë, duke na treguar se sa shumë sakrifikoi Perëndia, dhe sa shumë duroi, që të na shpëtonte.
4. Njerëzit janë të përjetshëm. C. S. Lewis vuri në dukje se ferri është një përfundim i domosdoshëm nga besimi i krishterë që qeniet njerëzorë u krijuan pët të jetuar përjetë. Siç edhe e përshkruan:
Krishterimi pohon se çdo qenie njerëzore do të jetojë përgjithmonë, dhe kjo duhet të jetë ose e vërtetë, ose e gabuar. Ka shumë gjëra për të cilat nuk ia vlen të shqetësohem, nëse do të jetoj vetëm 70 vite, por që do të bëja mirë të shqetësohesha, nëse do të jetoja përgjithmonë. Ndoshta temperamenti im ose xhelozia ime janë duke u përkeqësuar gradualisht, aq sa në 70 vite nuk do të jetë shumë e dukshme. Por do të jetë vërtet një ferr, nëse ky përkeqësim vazhdon për miliona vite: në fakt, nëse krishterimi është i vërtetë, ferri është termi më i saktë se çfarë do të jem unë.
Diku tjetër, Lewis shkruan:
Ferri… fillon me një gjendje murmuritjeje dhe ende e dallon veten nga kjo, madje ndoshta e kritikon… Mund të pendohesh dhe të dalësh nga ajo gjendje, por mund të vijë një ditë, që nuk do të mund ta bësh më atë. Atëherë nuk do të kesh mundësi për të kritikuar gjendjen tënde frymërore, as nuk do të mund ta shijosh atë, por murmuritja në vetvete do të vazhdojë përjetë, si një makineri pa ndalim.
5. Në njëfarë kuptimi, Perëndia nuk dërgon askënd në ferr; ne e dërgojmë veten tonë. Ferri është kulmi i një jete që i thotë Perëndisë: “Shporru!”. Ti vazhdon t’i thuash Perëndisë që të të lërë rehat, dhe si përfundim Perëndia të thotë: “Dakord”. Kjo është arsyeja pse Bibla e përshkruan ferrin si errësirë: Perëndia është dritë; mungesa e Tij është errësirë. Në tokë, ne përjetojmë dritën dhe gjëra si dashuria, miqësia dhe bukuria e krijimit. Të gjitha këto janë mbetjet e pranisë së dritës së Perëndisë. Sidoqoftë, kur i thua Perëndisë se nuk dëshiron që të jetë Zoti dhe qendra e jetës tënde, në fund dëshira jote plotësohet dhe me largimin e Perëndisë, humbet edhe dhuratat e Tij.
Ne kemi dy zgjedhje: të jetojmë me Perëndinë, ose të jetojmë pa Perëndinë. Nëse ju thoni: “Nuk e dua autoritetin e Perëndisë. Do të preferoja të jetoja për veten time,” ky, në fakt, është ferri. Në librat Divorci i madh dhe Problemi i dhimbjes, Lewis e përshkruan në këtë mënyrë:
Në këndvështrimin afatgjatë, përgjigjja për të gjithë ata që refuzojnë doktrinën e ferrit është një pyetje në vetvete: “Çfarë po i kërkon Perëndisë që të bëjë?”… T’i lërë ata rehat? Mjerisht kam frikë se kjo është ajo që ai bën… në fund, ka vetëm dy lloj njerëzish–ata që i thonë Perëndisë: “U bëftë vullneti yt”, dhe ata të cilëve Perëndia u thotë në fund: “U bëftë vullneti yt!”
6. Në një kuptim tjetër, Perëndia i dërgon njerëzit në ferr dhe të gjitha rrugët e Tij janë plotësisht të drejta dhe të vërteta. Ne mund të jemi të tunduar që të inatosemi me Perëndinë dhe të mundohemi ta korrigjojmë Atë, por si mund të gjejmë faj te Perëndia? Ashtu si Pali thotë te Romakëve 9, kush jemi ne–thjesht një grusht argjile–për t’iu kundërpërgjigjur poçarit hyjnor?
Ne nuk jemi më të mëshirshëm se sa Perëndia. Isaia na kujton se të gjithë ata që janë “të ndezur me zemërim kundër tij” do të vijnë të turpëruar përpara Tij në ditët e fundit, dhe jo të shfajësuar (Isaia 45:24), sepse atëherë do të kuptojnë se sa të përkryera janë rrugët e Perëndisë. Çdo herë që në Bibël Perëndia është krahasuar me njeriun, Perëndia është më i mëshirshmi nga të dy.
Kur të jemi në përjetësi dhe të shohim jetët tona të mëparshme, do të mahnitemi jo nga rreptësia e drejtësisë së Perëndisë, por nga madhështia e mëshirës së Tij.
7. Nuk mjafton që Perëndia të na shpëtojë nga ferri, Atij i duhet ta nxjerrë ferrin që është brenda nesh. Disa njerëz e shohin si problem përdorimin e ferrit, si një mënyrë për t’i detyruar njerëzit t’i nënshtrohen krishterimit. Duket sikur Perëndia thotë: “Më shërbe mua ose ndryshe…!” Kjo duket manipuluese. Mund të habiteni, por Perëndia është dakord me këtë gjë.
Nëse njerëzit kthehen te Perëndia vetëm sepse kanë frikë, ose sepse Perëndia ka bërë një shenjë të madhe dhe të mrekullueshme (Luka 16:31), mund të nënshtrohen, por kjo nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e zemrës së tyre ndaj Perëndisë. Nëse e pranon Jezusin vetëm se “do që t’i shpëtosh ferrit”, atëherë do ta urresh idenë e të qenët në qiell, sepse vetëm ata që e duan dhe besojnë në Perëndinë do ta shijojnë qiellin. Nëse nuk e do Atin, atëherë të jetosh në shtëpinë e Atit do të duket si skllavëri. Do të ishte njësoj sikur të të detyronin të martoheshe me dikë me të cilin apo të cilën nuk dëshiron të martohesh. E vetmja mënyrë se si ta gëzosh qiellin është kur mëson ta duash dhe t’i besosh Perëndisë.
Vetëm një përjetim i dashurisë së Perëndisë mund ta rindërtojë strukturën themelore të zemrës tënde për të krijuar dashuri dhe besim në Perëndinë. Nuk mjafton për Perëndinë të na nxjerrë nga ferri; Ai duhet që të nxjerrë ferrin brenda nesh.
Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/7-truths-about-hell/
Përktheu: Elton Aderaj | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim i redaktorit: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “Botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022