×

Ndoshta nuk shfaqet në afishet motivuese të krishtera, por Kolosianëve 2:15 është një prej vargjeve më fantastik të fitores në Dhiatën e Re “Dhe mbasi i zhveshi principatat dhe pushtetet, i turpëroi botërisht, duke ngadhënjyer mbi ata, nëpërmjet tij.” Kapiteni ynë i madh e ka fituar dyluftimin. Fara e gruas ia ka shtypur kokën farës së gjarprit (Zanafilla 3:15).

Edhe pse jo shumë i njohur për ne, Kolosianëve 2:15 ishte një varg shumë i dashur në periudhat e hershme të historisë së krishterimit. Ky varg gjithashtu përmendet rregullisht në teologjinë akademike, për të mbështetur një të kuptuar specifik të shlyerjes së Krishtit, i njohur si modeli “Christus Victor-Krishti Fitimtar”, argumenti i të cilit është se vepra shpëtuese e Krishtit dhe konsiston në mposhtjen e fuqive të liga që e mundojnë dhe e skllavërojnë njerëzimin. Fatkeqësisht, disa thonë se kjo mënyrë e të parit të shlyerjes së Krishtit përjashton aspekte të tjera të rëndësishme të veprës së Tij, sidomos faktin që Ai përmbushi drejtësinë hyjnore në vendin tonë.

Siç do të shohim, të kuptuarit drejt e Kolosianëve 2:15 mund të na ndihmojë të shmangim këtë gabim duke shpallur si duhet fitoren e Krishtit mbi të keqen në dhe përmes vdekjes së tij flijuese në kryq.

Kush janë pushtetet dhe principatat?

Kolosianëve 2:15 thotë se Krishti “zhveshi pushtetet dhe principatat”. Kujt i referohet kjo frazë? Kombinimi i “pushteteve dhe principatave” shfaqet edhe në vende të tjera në shkrimet e Palit dhe u referohet autoriteteve njerëzore (Titit 3:1), por më së shumti u referohet fuqive frymërore (Efesianëve 3:10; 6:12). Kur krahasojmë Kolosianëve me Efesianëve (letra paralele), shohim se “fronet, pushtetet, autoritetet dhe principatat” është e qartë që janë qenie frymërore, qofshin engjëj apo demonë (Efesianëve 1:21; 2:2; 3:10; 6:12).

Kolosianëve 2:15 është një prej vargjeve më fantastik të fitores në Dhiatën e Re.

Mund të jemi të sigurt në përfundimin se armiqtë mbi të cilët Krishti triumfoi, te Kolosianëve 2:15, janë qeniet frymërore që ishin në luftë kundër tij.

Por nëse Krishti e çarmatosi djallin dhe demonët e tij, dhe ua hoqi fuqinë, si e bëri saktësisht? Në këtë pikë, historia e interpretimit bëhet interesante.

A e plugoi Jezusi ferrin?

Shumë komentues e kanë lidhur këtë varg me të ashtuquajturin “plugimi i ferrit”. Ka versione të ndryshme të këtij koncepti, por historia e përgjithshme është kjo: pas kryqëzimit, Jezusi zbriti në botën e nëndheshme ku mposhti djallin dhe demonët e tij, dhe çliroi shpirtrat e atyre që ishin zënë rob në besëlidhjen e vjetër. Për ta plotësuar historinë, ithtarët e këtij këndvështrimi kombinojnë Kolosianëve 2:15 me Efesianëve 4:8 – 10 dhe 1 e Pjetrit 3:19.

Ky është padyshim një rrëfim frymëzues. Duket si materiali i përsosur për një novelë të C. S. Lewis. Gjithsesi, pavarësisht cilësisë letrare, në fakt e ngatërron përmbajtjen e rëndësishme biblike dhe teologjike.

Së pari, këto tri pasazhe nuk flasin detyrimisht për të njëjtën gjë, por edhe nëse do të ishte kështu, asnjë prej tyre nuk thotë se Krishti i çliroi besimtarë nga bota e nëndheshme. Letra e parë e Pjetrit 3:20 specifikon se frymërat ishin frymëra të pabindur, pra, kjo nuk është një referencë për shpëtimin e besnikëve, por për gjykimin e të ligjve (qofshin njerëz ose demonë). Efesianëve 4:8–10 thotë se ai i prin një morie “robërish”. Robërit janë ata të cilët Krishti i ka mposhtur, jo ata që i ka shpëtuar.

Për më tepër, nuk kemi arsye biblike të besojmë se satani ishte në ferr gjatë besëlidhjes së vjetër. Përkundrazi, satani na paraqitet si princi i “ajrit” (Efesianëve 2:2), që hynte në qiellin vetë (Jobi 1:6; Zakaria 3:1; Zbulesa 12:7) dhe endej nëpër tokë (Jobi 1:7; Zanafilla 3:1; Mateu 4:1). Vetëm në ditën e fundit, satani hidhet në ferr (Zbulesa 20:10).

Duhet gjithashtu ta hedhim poshtë idenë se besimtarët e besëlidhjes së vjetër shkuan në “ferr”. Shumica prej nesh sot e mendojnë ferrin si “gehena” dhe “zjarri i përjetshëm” (Mateu 5:30; 10:28; 25:41; Marku 9:43; Jakobi 3:6; Zbulesa 20:10). Është një vend ndëshkimi, ku Perëndia zbraz zemërimin e tij kundër mëkatit. Besimtarët nuk shkojnë atje, ata janë shpëtuar prej atij vendi.

Kur shenjtorët e Dhiatës së Vjetër vdiqën, nuk shkuan që të burgoseshin nga djalli, por që të gëzoheshin me Zotin.

Ka edhe dy terma të tjerë biblikë për “botën e nëndheshme” në një kuptim më të përgjithshëm dhe këto janë “sheoli” nga hebraishtja dhe “hadesi” nga greqishtja. Këto terma përdoren shpesh në Shkrim dhe mund t’i referohen varrit fizik ose botës frymërore të të vdekurve. Këto jo medoemos nënkuptojnë një vend torture. Kur Jezusi thotë se Llazari u mor në “gjirin e Abrahamit” pas vdekjes së tij, thuhet se ky ishte një vend “pushimi” (Luka 16:23).

Kur shenjtorët e Dhiatës së Vjetër vdiqën, nuk shkuan që të burgoseshin nga djalli, por që të gëzoheshin me Zotin (Psalmi 23:6; Predikuesi 12:7).

Krishti e gozhdoi armën kryesore të satanit në kryq

Kolosianëve 2:15 nuk flet për ndonjë luftë në botën e nëndheshme, por për veprën fitimtare të Krishtit në kryq. Në vargjet e mëparshme, Pali flet për “borxhin ligjor” nën të cilin gjendeshin mëkatarët. Krishti tashmë e ka “fshirë” duke e “mbërthyer në kryq” (Kolosianëve 2:14). Për shkak të kësaj, askush nuk mund të na dënojë (Kolosianëve 2:16).

Kështu i çarmatosi Jezusi pushtetet. Ai ia ka hequr fuqinë satanit për t’i mbajtur mëkatarët robër të borxhit për mëkatet dhe shkeljet e tyre.

Në të vërtetë, akuzimi është aktiviteti kryesor i satanit. Ai u përpoq të ndryshonte gjykimin e drejtë të Perëndisë për Jobin (Jobi 1:9 – 10), ishte i gatshëm ta akuzonte Jozueun para kryepriftit (Zakaria 3:1) dhe i akuzoi të gjithë besimtarët përpara Perëndisë ditë e natë (Zbulesa 12:10). Fuqia e mëkatit është ligji (1 e Korintasve 15:56) dhe satani u përpoq të përdorte kërkesat e ligjit për të shkatërruar popullin e Perëndisë. Megjithatë, Krishti, duke e marrë mbi vete mallkimin e ligjit (Galatasve 3:13), ia ka rrëmbyer satanit këtë armë nga duart.

Akuzimi është aktiviteti kryesor i satanit. Megjithatë Krishti ia ka rrëmbyer satanit këtë armë nga duart.

Ai i ka çarmatosur dhe ka triumfuar mbi të gjitha fuqitë e liga, pikërisht me vdekjen e tij flijuese në kryq. Siç e thotë dhe John Calvin: “Nuk ka gjykatë aq madhështore, nuk fron aq të lartë, nuk ka një shfaqje triumfi kaq të shquar, asnjë qerre aq të ngritur, sa druri mbi të cilin Krishti e vuri poshtë vdekjen dhe djallin, princin e vdekjes”

Krishti e turpëroi satanin

Ky kuptim shpjegon gjithashtu natyrën e mposhtjes së satanit. Ai ende nuk është mposhtur apo çarmatosur krejtësisht aq sa të mos mund të luftojë kundër besimtarëve, por ai nuk mund të na lëndojë nga ana frymërore apo të ngrejë një akuzë të suksesshme kundër nesh (Romakëve 8:33). Tani jemi të lirë të luftojmë kundër fuqive të liga frymërore duke ditur se do të marrim fitore. E thënë me fjalët e John Davenant: “Ata që janë të mposhtur kanë gjithmonë më shumë zemërim se sa fuqi.” Kur satani dhe ndjekësit e tij hidhen në sulm, ata thjesht mund të shprehin zhgënimin për faktin që fati i tyre është vulosur.

Kryqi e shtypi kokën e satanit njëherë e mirë.

Në të vërtetë, satani u turpërua në kryq. Ndërsa besonte se Jezusi ishte mposhtur, satani u mburr me të madhe. E megjithatë, vdekja e Krishtit ishte fitorja më e madhe. Kryqi e shtypi kokën e satanit njëherë e mirë. Mburrja e tij u kthye në marrëzi dhe lavdia e tij u kthye në turp, sikurse bëhet e qartë tani përmes drejtësimit të të gjithë njerëzve të Perëndisë.

Fitimtari i vërtetë

Ndoshta ka pak Lewis në këtë version të zhveshjes së satanit. Në fund të fundit, te Luani, Shtriga dhe Garderoba, Edmundi kishte shkelur ligjet e Narnias, të cilat Shtriga e Bardhë u përpoq t’i përdorte kundër Asllanit. ‘Ligji’ (ose “magjia e thellë”) në Narnia ishte nga Perandori, të cilin Asllani nuk e kundërshtonte. Por magjia më e thellë që nga agimi i kohës–ose mund të themi, që para themelimit të botës (Efeisanëve 1:4)–i pajtoi kërkesat e ligjit me shpengimin e shkelësve të ligjit, duke sjellë kështu disfatën e shtrigës.

Mund të përmbledhim Kolosianëve 2:13–15 në mënyrë të ngjashme: përmbushja e drejtësisë hyjnore i turpëron pushtetet dhe tregon se Krishti është fitimtari ynë.


Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/how-jesus-disarmed-devil/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet