×

Si i bëri Jezusi mrekullitë—nëpërmjet Natyrës së Tij Hyjnore apo Frymës së Shenjtë?

Ndoshta asnjë grup muzikor rroku nuk ka kënduar në këngët e tij një pyetje kaq të thjeshtë në mënyrë aq të paharrueshme dhe me vend sa grupi The Who: “Kush je? Kush, kush, kush, kush? Kush je ti?” Dhe ndoshta nuk ka asnjë pyetje tjetër kaq të shpeshtë në lidhje me misterin e kristologjisë, se sa kjo. Kush u lind nga e virgjëra Mari? Kush predikoi në mal? Kush u lut në kopsht? Kush vdiq në kryq?

Përgjigjja e secilës prej këtyre pyetjeve na çon në një territor të gjerë në lidhje me Personin dhe natyrën e Jezu Krishtit. Është edhe një pyetje tjetër që ka ngjallur shumë pështjellim: Kush i bëri mrekullitë që shohim te Jezusi në Ungjij?

Arsyeja përse rreth kësaj pyetjeje ka pasur kaq shumë pështjellim është pasi shpesh kjo pyetje është drejtuar me ndajfoljen Si? dhe jo me përemrin pyetës Kush?  (d.m.th., Si i bëri Jezusi mrekullitë?). Mënyra se si një pyetje drejtohet modelon llojin e përgjigjes që do të marrë.

Gabimi i ditëve të sotme: Kalimi i pyetjes nga Kush te Si.

Shumë teologë të epokës moderne, duke i kushtuar shumë rëndësi anës njerëzore të Krishtit, kanë krijuar hutim mbi dy natyrat e Tij, duke pretenduar se ato janë në një farë konkurrence me njëra-tjetrën. Duke qenë se dy natyra të ndryshme nuk mund të zënë të njëjtin “vend” brenda një personi, njëjtësimi i Krishtit me njerëzimin, e detyroi Atë ta braktiste tërësisht ose pjesërisht të drejtën e Tij për atributet hyjnore. Atëherë, si i bëri Ai mrekullitë?

Shkrimet paraqesin një larmi njerëzish që bëjnë mrekulli. Dhe të gjithë këta burra, përveç Njërit, janë njerëz të thjeshtë. Kur thuhet se Elia apo Pali bëjnë mrekulli, nuk bëhet fjalë për vetë personin e tyre. Madje kur njerëzit në Listra ishin gati të adhuronin Barnabën dhe Palin, pasi Pali bëri mrekulli, apostulli iu lut turmës që të mbante mend se ata ishin njerëz të thjeshtë (Veprat e Apostujve 14:15). Ai që i lejoi këto mrekulli ishte Fryma e Shenjtë; ato ishin shenja të fuqisë së Tij dhe jo të asaj të Palit apo të ndonjë tjetri.

Mrekullia e mishërimit është se ky Person i vetëm u bë gjithçka që ne jemi si qenie njerëzore, pa ndaluar së qeni gjithçka që Ai është si Hyjni.

Për shumë teologë modernë, mrekullitë e Jezusit nuk kanë ndonjë ndryshim nga ato të njerëzve të tjerë të Biblës. Edhe Ai i kreu mrekullitë përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë. Si pasojë, ato nuk tregojnë për Personin e Tij—për aq sa Jezusi u mbështet te Fryma—por për natyrën njerëzore që Ai ndan me ne. Po njësoj si ne, Jezusit iu desh të mbështetej në burimet hyjnore jashtë Tij. Kështu, pyetja nga “Si njerëzit kryejnë mrekulli?”, kalon në “Si i bëri Krishti mrekullitë?”, duke shmangur kështu faktin se kush si Ai është si Biri i Perëndisë.

Duke i lënë kaq shumë vend Frymës dhe anës njerëzore të Krishtit, del në pah një kategori jetike e kristologjisë: që gjërat bëhen përmes personave, jo përmes natyrave të njerëzve. Po, është e vërtetë që Krishti ka dy natyra të plota, një hyjnore dhe një njerëzore. Është e vërtetë që Ai gjithmonë vepron përmes të dyja këtyre natyrave. Gjithsesi përsëri, është Personi i Jezusit ai që na ballafaqon te Ungjijtë, ashtu siç është theksuar në Këshillin e Kalcedonit (451 pas Krishtit) se Ai është një Person i bashkuar—Personi i dytë i Trinitetit. Mrekullia e mishërimit është se ky Person i vetëm u bë gjithçka që ne jemi si qenie njerëzore, pa ndaluar së qeni gjithçka që Ai është si Hyjni. Atëherë, kur shohim Jezusin teksa bën mrekulli te Ungjijtë, pyetja e parë që duhet të na vijë ndërmend është kush është Ai që i bën mrekullitë?

Rasti i provës: Ecja mbi ujë

Në pamje të jashtme, ecja e Jezusit te Mateu 14 duket se pohon që Ai i bëri mrekullitë si një njeri i fuqizuar nga Fryma. Në rrëfimin e Mateut, Jezusi sapo kishte mbaruar së ushqyeri 5,000 veta. Dishepujt e Tij ngjiten në barkë në Detin e Galilesë, por Jezusi në vend që të shkojë me ta, tërhiqet veçmas në një mal për t’u lutur. Midis orës 3 dhe 6 të mëngjesit, barka e dishepujve ndodhet larg bregut dhe po tundet nga dallgët. Frika e dishepujve dyfishohet, kur ata shohin mbi det dikë që po u afrohej, të cilin e morën për fantazmë.

Sigurisht që nuk është një e tillë; është Jezu Krishti. Frika e madhe e dishepujve u shoqërua me fjalët e Jezusit: “Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!” (Mateu 14:27). Më pas Pjetri i kërkon Jezusit të provojë nëse është Ai vërtet, duke e urdhëruar që edhe ai të ecë mbi ujëra. Ajo çfarë ndodh në vazhdim duket se krijon një lidhje paralele mes Pjetrit dhe Jezusit: kur Pjetri ecën nëpërmjet besimit, ai ecën në mënyrë të mbinatyrshme mbi ujëra; por kur ecën nëpërmjet shikimit, ai fillon të fundoset. Duket qartë se Jezusi e konfirmon këtë kur i zgjat dorën Pjetrit: “O njeri besimpak, pse dyshove?” (Mateu 14:31).

Dishepujt nuk u mahnitën prej varësisë së plotë të Jezusit nga dikush tjetër dhe as nuk i dhanë lavdërim fuqisë të Frymës së Shenjtë. Përkundrazi, sytë e tyre shkuan drejt Birit të mishëruar të Perëndisë si të denjë për ta lavdëruar.

Dikush mund të supozojë se këtu kemi të bëjmë me një njeri të thjeshtë, Pjetrin, i cili është i aftë të bëjë të njëjtën gjë që bën Jezusi, për aq kohë sa ecën nëpërmjet besimit. Kështu, dallimi i të vepruarit mes Jezusit dhe Pjetrit nuk është se Jezusi është Biri i Perëndisë plotësisht i shenjtë, por që në njerëzimin e Tij, Ai u mbështet plotësisht te Fryma e Shenjtë. Prandaj kjo ngjarje nuk zbulon sundimin e Jezu Krishtit; por ardhjen e Mbretërisë dhe modelin që Ai na jep për t’u mbështetur te burimet hyjnore se sa në ato tonat. Pas këtij leximi, pyetja se kush është Jezusi humbet gjatë përpjekjes për të krahasuar mënyrën se si veproi Pjetri dhe Jezusi.

Po kush eci në të vërtetë mbi ujëra?

Kemi tre të dhëna në këtë pasazh që na drejtojnë drejt një të kuptuari ndryshe të kësaj mrekullie.

Së pari, kur Jezusi u zbulon dishepujve të frikësuar se “jam Unë” (Mateu 14:27; në greqisht ego eimi), kjo nuk është një thirrje për të njohur tiparet e Tij njerëzore që e cilësojnë Atë si “Jezusi nga Nazareti”. Në fakt, Ai po përvetëson emrin e Perëndisë të zbuluar te Eksodi 3:14 (UNË JAM: ego eimi). Jezusi i urdhëroi dishepujt të marrin zemër dhe të mos kenë frikë pasi Ai i Cili po ecën mbi ujëra është Jahveu.

E dhëna e dytë rrjedh nga e para: Jezusi është duke marrë përsipër një motiv të shfaqjes së Perëndisë në Besëlidhjen e Vjetër. I vetëm shpalos qiejt dhe ecën mbi valët e larta të detit. (Jobi 9:8). Përmes kësaj dhe identifikimit të Tij personal me emrin hyjnor, Jezusi po bën të qartë se kush e bën këtë mrekulli: Personi i dytë i mishëruar i Trinisë, i Cili megjithëse e kishte mbuluar lavdinë e Tij qiellore me mishin njerëzor, nuk i braktisi apo i la mënjanë atributet e natyrës hyjnore (sikur të mundej ndonjëherë!) Jo, Krijuesi i Cili në fillim modeloi detet, tashmë i zotëron ata përmes fuqisë së Tij.

E dhëna e tretë gjendet në përgjigjen e dishepujve ndaj kësaj zbulese. Në fillim shohim Pjetrin që i drejtohet si “Zot” këtij Jahveu të mishëruar, i Cili ecën mbi ujërat. Pasi Jezusi hyn mbi barkë dhe era pushon, ata e adhurojnë: “Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!” (Mateu 14:33). Është e qartë se për dishepujt, kjo mrekulli mban shenjat e pagabueshme të një Personi hyjnor (krahaso. Psalmet 107:23–32). Ata nuk u mahnitën prej varësisë së plotë të Jezusit nga dikush tjetër dhe as nuk i dhanë lavdërim fuqisë të Frymës së Shenjtë. Përkundrazi, sytë e tyre shkuan drejt Birit të mishëruar të Perëndisë si të denjë për ta lavdëruar. Për ta, pyetja “kush” shpjegoi mënyrën se “si” dhe i drejtoi ata në adhurim.

Uniteti i Birit të Perëndisë

Duke qenë se Biri i mishëruar i Perëndisë është një Person me dy natyra, ne duhet të shpresojmë të shohim çdo episod të Ungjillit të reflektojë secilën prej tyre. Edhe në këtë zbulesë të madhe të fuqisë hyjnore të Krishtit në det, Ai përdor këmbët njerëzore për të ecur mbi ujëra, një krah njerëzor për të ndihmuar Pjetrin që të mos mbytet dhe një zë njerëzor për të siguruar dishepujt për identitetin e Tij hyjnor. Jezusi është gjatë gjithë kohës një Person i Cili vepron përmes të dyja natyrave të Tij.

Shumë teologë modernë përpiqen të kuptojnë misterin e mishërimit duke e ndarë Krishtin, duke i marrë veçmas natyrat e Tij dhe duke pyetur se si është e mundur që Ai të bëjë një veprim të caktuar. Kjo gjë, jo vetëm që krijon probleme në kristologji; por gjithashtu çon në keqkuptime të së vërtetës së trinitetit, sepse të pohosh se mrekullitë e Jezusit nuk preken nga natyra e Tij hyjnore, do të thotë të ndash veprat e trinitetit, t’i marrësh si të veçuara veprimet e Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë. Mirëpo, teologjia klasike e trinitetit e bashkon unitetin thelbësor të Perëndisë (Ligji i Përtërirë 6:4) me pandashmërinë e tre Personave (Gjoni 14:11) dhe pohon se çdo vepër e trinitetit nuk duhet marrë si e veçuar. Kur Perëndia vepron, në fakt është duke vepruar në të njëjtën kohë çdo Person i trinisë. Nuk ka asgjë të gabuar nëse themi se Fryma vepron në mrekullitë e Jezusit; sepse në të vërtetë vepron. E gabuar është të themi se Personi i dytë i trinitetit nuk është duke vepruar.

Nuk ka asgjë të gabuar nëse themi se Fryma vepron në mrekullitë e Jezusit; sepse në të vërtetë vepron. E gabuar është të themi se Personi i dytë i trinitetit nuk është duke vepruar.

Besimet e hershme, si ajo e Kalcedonit, na kanë mësuar “të rrëfejmë të vetmin dhe të njëjtin Bir, Zotin tonë Jezu Krisht, të përsosur si Hyjni dhe të përsosur si njeri.” Shumë nga dilemat tona kristologjike do të sqarohen nga Kalcedoni, duke iu përgjigjur së pari pyetjes se kush është Jezusi. Ai është “I vetmi dhe i njëjti Bir”, veprat e mrekullueshme të së Cilit bëjnë që ne, ashtu si dishepujt e parë, të admirojmë misterin e mishëruar të Perëndisë.


Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/jesus-miracles-who-how/

Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet