×
Shënim i redaktorit: 

Pjesë e shkëputur nga libri i ri i Colin Smith, Momentum: Pursuing God’s Blessings Through the Beatitudes (Moody Publishers, 2015).

Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon

Gjithsecili dëshiron të bekohet! Ne dëshirojmë të bekohemi në marrëdhëniet, në bizneset dhe në kishat tona. Dëshirojmë të bekohemi në jetë, në vdekje dhe në përjetësi. E kundërta e të qenët i bekuar, është të jesh i mallkuar, gjë të cilën nuk e dëshiron askush.
Askush nuk e di ku ta gjejmë bekimin, më mirë se Jezusi, prandaj, kur Ai flet për bekimin te lumturitë (Mateu 5:1–12), dëshiroj të dëgjoj me vëmendje dhe kështu duhet të bëni edhe ju.

Si duket një jetë e bekuar? A do të thotë që të kesh një martesë të lumtur? Të kesh fëmijë të talentuar? Të kesh shëndet të mirë? Një punë që të përmbush? Stabilitet financiar? Mundësi për të udhëtuar? Kësaj liste bekimesh të mëdha mund t’i shtoni edhe gjëra të tjera, por asnjëra prej këtyre nuk përfshihet në përshkrimin që na jep Zoti ynë.

Jezusi nuk thotë: “Lum ata që kanë martesë të lumtur!”, por “Lum skamësit në frymë!” Ai nuk thotë: “Lum ata që kanë shëndet të mirë!”, por “Lum ata që vajtojnë!” Sipas Jezusit, bekimet më të mëdha nuk gjenden në vendet ku kërkojmë normalisht, por në ato vende të cilat nuk jemi të prirur t’i eksplorojmë.

Shtatë rrathë

Kur Zoti ynë ju flet dishepujve të Tij rreth jetës nën bekimin e Perëndisë, Ai nuk fillon me një klasë rreth doktrinës apo me një mandat për mision. Përkundrazi, Ai përshkruan një person që është skamës në frymë, dikë që vajton për mëkatet e tij, dikë që me butësi i nënshtrohet Perëndisë dhe që dëshiron fort të rritet në drejtësi.

Sipas Jezusit, bekimet më të mëdha nuk gjenden në vendet ku kërkojmë normalisht, por në ato vende të cilat nuk jemi të prirur t’i eksplorojmë.

Lumturitë shkojnë kundër intuitës. Të jesh i varfër, do të thotë që nuk ke burime. Askush nuk e dëshiron këtë gjë. Ndaj, Jezusi flet për një lloj varfërie që në fakt ju bën të pasur.

Të vajtosh, do të thotë që po përjeton brengë të madhe. Ndaj, Jezusi flet për një lloj vajtimi që të çon në gëzim.

Përfytyroni imazhin e shtatë rrathëve, secili është varur me një litar nga një tavan i lartë. Në të dyja anët e këtyre rrathëve, ka një platformë të lartë. Synimi juaj është që të kaloni nga njëra platformë te tjetra duke u kapur dhe duke u lëkundur nga njëri rreth te tjetri.

Rrethin e parë, mund ta arrini. Nëse e tërhiqni dhe pastaj lëkundeni, lëvizja do t’ju çojë pranë rrethit të dytë dhe kur të bëni të njëjtën gjë me të, do të arrini rrethin e tretë, e kështu me radhë.

Mendoni për lumturitë si këta shtatë rrathë. E vetmja mënyrë për të arritur te rrethi i pestë i faljes, te rrethi i gjashtë i pastërtisë dhe te rrethi i shtatë i paqes, është duke kaluar përgjatë rrathëve pararendës. Falja, pastërtia dhe paqja duhet të arrihen. Lumturitë na tregojnë se si ta bëjmë këtë gjë.

Rrënjët . . . Kërcelli . . . Fruti

Tri lumturitë e para, trajtojnë nevojën tonë. Ne jemi skamës në frymë (Mateu 5:3) për shkak se nuk kemi atë çfarë na duhet për të jetuar sipas urdhërimeve të Perëndisë. Ne vajtojmë, (v. 4) për shkak se mëkatet tona janë të shumta. Ne bëhemi zemërbutë dhe jo arrogantë apo provokues (v. 5), për shkak se nuk kemi mundësi që ta qeverisim jetën tonë me mençuri. Këto janë rrënjët e një jete të bekuar dhe të perëndishme.

Nga këto rrënjë, dalin kërcejtë e lumturisë së katërt; uria dhe etja për drejtësi (v. 6). Perëndia përdor rrënjën e ballafaqimit me nevojën tuaj, për të prodhuar kërcellin e dëshirës për drejtësi. Kur të jenë ushqyer rrënjët e tri lumturive të para, prej tyre do të rritet një dëshirë për drejtësi.
Nëse vazhdojmë me metaforën, rrënjët prodhojnë kërcejtë dhe kërcejtë japin frytin, fryti i parë i kësaj jete të bekuar dhe të perëndishme është mëshira apo falja (v. 7), pastaj pastërtia (v. 8) dhe paqja (v. 9).

Zoti ynë na jep gjithashtu një lumturi të tetë: “Lum ata që janë përndjekur!” (v. 10). Lumturitë e tjera reflektojnë karakterin që duhet të ndjekin njerëzit e Perëndisë; por përndjekja është e ndryshme. Edhe pse ne nuk duhet që ta kërkojmë përndjekjen, do të jetë përndjekja që do të na kërkojë ne, ndërsa jetojmë nën dritën e vargjeve pararendëse.

Prandaj, radha e lumturive na tregon se si të përparojmë në jetën e krishterë. Nëse dëshironi frytin e faljes, pastërtisë dhe paqes në jetën tuaj, atëherë filloni me rrënjët, bëhuni një person skamës në frymë që vajton për mëkatet e veta dhe që i nënshtrohet me butësi vullnetit të Perëndisë.

Mirë se vini në palestër

Supozoni sikur po përpiqeni të ndihmoni një kolege që dëshiron të falë dikë, por ndihet sikur kjo gjë është përtej fuqive të saj. Ajo e di që duhet të falë, madje i admiron ata që falin, por është e lënduar. Plagët e saj janë shumë të thella.

Lumturitë na tregojnë se si mund të rritemi në mëshirë dhe të shkojmë drejt faljes.

Ose supozoni që jeni duke dishepulluar një mik që përleshet me papastërtinë. Në mendje i vijnë imazhe për të cilat është penduar që i ka parë dhe ndihet sikur këto po i hedhin benzinë zjarrit të dëshirave të tij. Ai ndihet si i prangosur dhe dëshiron të çlirohet nga ky burg, por nuk e di si.

Lumturitë bartin përgjigjen për ne!

Nëse ndiheni se keni ngecur në jetën tuaj të krishterë dhe dëshironi të ecni përpara, lumturitë janë për ju. Nëse jeni duke luftuar me një mëkat apo varësi të fortë dhe dëshironi të keni forca më të mëdha për të luftuar kundër tundimit, lumturitë janë për ju. Nëse jeni duke dishepulluar besimtarë të tjerë dhe dëshironi të keni një plan rritjeje në jetën e krishterë, lumturitë janë për ju.

Mirë se vini në palestër! Rrathët qëndrojnë të varur sipër jush. Kapuni tek i pari dhe filloni të lëkundeni.

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet