×

Si mundet tërheqja e detyruar ta çojë përpara misionin

VEPRAT 29: KISHAT MBJELLIN KISHA

Shumë gjëra kanë ndryshuar! Madje me shpejtësi të madhe. Shumicës prej nesh na është dashur të bëjmë përshtatje të pazakonta me punën, udhëtimet, adhurimin (ndaj Zotit), financat dhe marrëdhëniet sociale. Për shkak të zhvillimit të ngjarjeve prej COVID-19 përreth globit, thirrja e njëzëshme ka qenë të tërhiqemi përkohësisht nga jeta me të cilën tashmë jemi mësuar.

Vetëm para disa vitesh, libri The Benedict Option [Opsioni Benedikt] i Rod Dreher, shkaktoi një trazim në kishën perëndimore duke bërë thirrje për një tërheqje strategjike, për të rindërtuar një kundër-kulturë të thellë dhe të përkushtuar brenda kishës, e cila do të ishte në gjendje t’i bënte ballë stuhisë në rritje të armiqësisë laike. Argumenti i Dreher ishte që ne duhet “të ndalojmë përpjekjet tona për ta takuar botën sipas kushteve të saj dhe të fokusohemi në ndërtimin e besnikërisë në një komunitet të dallueshëm.” Në këtë mënyrë, një hap prapa, që fiton distancë formësuese në jetët e popullit të Perëndisë, mund të shërbejë si ekuivalenti misionar i taktikës së bllokimit në cep të Muhamed Ali, një taktikë e përdorur për të kursyer energji për një distancë të gjatë kur duhet të tejkaloj një kundërshtar agresiv dhe të paepur..

Gjatë pandemisë së COVID-19, pothuaj brenda nate shoqëria perëndimore ka bërë kalimin nga theksimi i individualizmit (jeto si të të pëlqejë dhe tregohu i sinqertë me veten) te kolektivizmi (ndiq këto rregulla dhe bëj pjesën tënde në shoqëri). Edhe pse sigurisht që nuk është ajo lloj tërheqjeje që do kishin dëshiruar kishëmbjellësit, pyes veten se si kjo tërheqje e detyruar nga rehatitë dhe ritmet tona, dhe nga njëri-tjetri, mund të administrohet në mënyrë strategjike?

Ka raste kur një hap pas, është i nevojshëm për të ndërprerë praktikat e pashëndetshme dhe për të rifituar perspektivë për lëvizjen tjetër përpara.

Mos vallë kjo kohë distancimi ka realizuar për ne tërheqjen e nevojshme strategjike të cilën shumë prej nesh hezituam ta bënim? Mos vallë presioni dhe sfida që po përjetojmë të gjithë është thjesht Dora Hyjnore që po e tërheq harkun në mënyrë që të na çojë edhe më larg në planin shpengues nga sa mund ta kishte imagjinuar apo planifikuar ndonjëri prej nesh?

Nuk e dimë sa do të zgjatë kjo kohë apo sa e dhimbshme do të jetë, por sikurse gjithë sprovat e tjera, le të sigurohemi që nuk po e çojmë dëm. Ja tri mënyra se si kishëmbjellësit mund ta administrojnë mirë këtë kohë:

1. Fito perspektivë

Ka raste kur një hap pas (shkon prapa), është i nevojshëm për të ndërprerë praktikat e pashëndetshme dhe për të rifituar perspektivë për lëvizjen tjetër përpara. Sikurse vë në dukje edhe Mark Sayers në një prej librave të tij të shkëlqyer, një distancim i tillë nga kultura mbizotëruese “na lejon të dallojmë mitet dhe pikat e verbra të kulturës”, të cilat i kemi pranuar, ndoshta më tepër nga sa e kemi kuptuar më parë.

Po sikur ta përdornim një pjesë të kësaj hapësire shtesë, për të rivlerësuar integritetin e dishepullizimit tonë dhe llojin e frutit që ka prodhuar përqasja jonë ndaj misionit? Po sikur të përkushtohemi me një energji të re për të krijuar ritme dhe komunitete në kishëmbjelljet tona, të cilat janë të qëndrueshme jo vetëm në kohë të parashikueshme dhe të begata, por edhe në kohë pasigurie dhe mungese?

2. Thellohu

Ndoshta opsioni Benedikt ka ardhur tek ne në mënyrën më të papritur, por gjithsesi ai i ballafaqon kishëmbjellësit me një mundësi të jashtëzakonshme. Tani na duhet ta shqyrtojmë veten dhe t’ia nisim nga e para me disa nga mënyrat se si i qasemi bërjes së dishepujve, forcimit të familjeve, dhe të jetuarit në mision.

A nuk është kjo, mënyra se si Perëndia mund të sjellë ripërtëritjen më të madhe që ka parë ndonjëherë kisha e këtij brezi përmes sprovës më të madhe me të cilën jemi përballur ndonjëherë?

Me hapësirën e re, vjen dhe mundësia për një thellësi të re. Po sikur t’i trajnojmë njerëzit tanë ta kalojnë këtë kohë në një mënyrë të tillë që të dalin prej saj me një njohje të pashoqe biblike? Po sikur vetmia jonë e shtuar të përdorej për një intimitet edhe më të madh në lutje dhe varësi te Fryma e Shenjtë? Po sikur ky ndryshim ritmi të jetë një dhuratë për pastorët dhe kishëmbjellësit, për të na ngadalësuar në mënyrat e duhura, në mënyrë që të kalitim durimin dhe të rrisim jetëgjatësinë e shërbesës tonë?

3. Përgatitu për ri-hyrje

Në vitin 2009, Colin Marshall dhe Tony Payne e mbyllën librin e tyre mbi dishepullizimin The Trellis and the Vine me fjalë që tingëllojnë fort profetike:

Imagjinoni që [një] pandemi të pllakoste pjesën tonë të botës dhe të gjitha takimet publike me më shumë se tre persona të ndaloheshin nga qeveria për arsye të shëndetit dhe sigurisë publike. Le të themi që për shkak të ndonjë kombinimi katastrofik të rrethanave lokale, ky kufizim të vazhdonte për 18 muaj… nuk do kishim takime për të organizuar… nuk do kishim aktivitete në grup apo ngjarje të çfarëdolloji për të organizuar, administruar, për të inkurajuar mbështetje apo për të marrë pjesë. Thjesht mësim, dishepullizim dhe trajnim i njerëzve tuaj për të qenë dishepull bërës. Ja cila është pyetja interesante: 18 muaj më vonë, pasi të hiqeshin kufizimet dhe të kishit mundësi të rifillonit takimet e të dielave dhe gjithë takimet e tjera në jetën e kishës tuaj, çfarë do të bënit ndryshe?

Në një moment të caktuar, kësaj krize do t’i vijë fundi. Pyetja për të gjithë ne është: A dëshirojmë vërtet të kthehemi tek mënyra se si ishin gjërat? Ndoshta gjatë kësaj kohe Perëndia po u jep pastorëve të kishëmbjelljes një mundësi për të shqyrtuar mënyrat e mëparshme se si e administruam energjinë dhe burimet dhe nëse po u jepnim përparësi gjërave të duhura.

Për momentin, planet tona mund të kenë ndryshuar, por kjo mund të jetë një nga gjërat më të mira që mund të na ndodhë, në mënyrë që të na sjellë në një hap me planin e Perëndisë, i cili nuk ka ndryshuar. A nuk është kjo, mënyra se si Perëndia mund të sjellë ripërtëritjen më të madhe që ka parë ndonjëherë kisha e këtij brezi përmes sprovës më të madhe me të cilën jemi përballur ndonjëherë? E përdortë Perëndia këtë krizë për të na sjellë në fund të forcës dhe burimeve tona, dhe atje, në tokën e rrëfimit të dobësisë, të na takojë me një fuqi rigjallëruese.


Burimi: https://www.thegospelcoalition.org/article/forced-withdrawal-further-mission/

Përktheu: Asim Hamza / Redaktoi: Linea Simeon

LOAD MORE
Loading