×

Si ta ndjekësh Perëndinë pa një kolonë zjarri

Do të dëshiroja të mblidhja mana me Moisiun. Do më pëlqente të dija mendjen e tij të përulur rreth peshës së udhëheqjes, të mësoja nga të vërtetat e thella që Perëndia i mësoi atij gjatë atyre viteve të gjata të pritjes në Midian. Më tepër se çdo gjë tjetër, do të doja ta pyesja në lidhje me përjetimet e tij nga udhëzimet e Perëndisë.

Si dikush që kalon orë të shumta duke menduar për misteret dhe thellësitë e vullnetit të Perëndisë me të rinjtë dhe si dikush që vazhdon të vrasë mendjen se çfarë do të bëhem ‘kur të rritem’, udhëzimi i Perëndisë mbetet një nga gjërat parësore në mendjen dhe zemrën time.

Udhëzimi para ardhjes së Krishtit

Moisiu e njohu udhëzimin e Perëndisë nga afër dhe në mënyrë personale, shumë personale. Si shkurrja që digjej pa u konsumuar para syve të tij dhe si kolona e zjarrtë.

Nuk kishte shumë dyshim rreth mënyrës se si Perëndia po e udhëhiqte Moisiun. Ai i foli Moisiut pasi ia kishte mbërthyer vëmendjen me një shkurre të çuditshme që po digjej pa u konsumuar. Perëndia e dërgoi në Egjipt, duke i dhënë udhëzime hap pas hapi, për të qenë instrument i çlirimit të popullit të skllavëruar të Perëndisë (Eksodi 3-4). Thirrja e Perëndisë mund të mos ketë qenë e lehtë, por ishte mjaft e qartë.

Pas kalimit të mrekullueshëm të Detit të Kuq, Perëndia vazhdoi të shkonte përpara popullit të Tij në një mënyrë të qartë dhe të mrekullueshme:

“Dhe Zoti shkonte para tyre, ditën në një kolonë resh për t’i udhëhequr në rrugë, dhe natën në një kolonë zjarri për t’u bërë atyre dritë, që të mund të ecnin ditën dhe natën. Kolona e reve nuk tërhiqej kurrë ditën përpara popullit, as kolona e zjarrit natën.” (Eksodi 13:21, 22)

Kur po shkonin drejt fushimit të radhës, ditën nën diellin zhuritës të shkretëtirës, Perëndia u siguroi një re udhëzuese për t’ju bërë hije dhe për t’i drejtuar. Në temperaturat e ulëta të netëve të errëta të shkretëtirës, Perëndia u siguroi një zjarr për t’i ngrohur dhe për t’i drejtuar në endjet e tyre. Kushtet ekstreme të Izraelit u bënë mundësia e Perëndisë për t’u kujdesur për ta.

Udhëzimi që nga ardhja e Krishtit

Sigurisht, reja dhe zjarri nuk u dhanë kurrë që të ishin të përhershme. Mjetet e udhëzimit të Perëndisë për popullit të Tij ishin gjithmonë të përkohshme dhe sipas rastit; që para fillimit Ai e dinte planin e Tij përfundimtar dhe të përhershëm. Pas jetës, vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit kemi një udhëzim edhe më të sigurt.

Gjatë festës së Pentekostit, dishepujt e Krishtit përjetuan diçka që ndoshta u kujtoi Moisiun dhe brezin e shkretëtirës: erë dhe zjarr.

Dhe befas nga qielli erdhi një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm, dhe e mbushi gjithë shtëpinë ku ata po rrinin. Dhe atyre u dukën gjuhë si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre. (Veprat 2:2, 3)

Dishepujve dhe të gjithë njerëzve të Perëndisë që vijnë pas tyre, u është dhënë diçka shumë më e mirë se sa të shkruarit në re apo shtyllat e tymit dhe zjarrit. Në fakt, ne nuk kemi diçka; ne kemi Dikë, të quajtur Fryma i Shenjtë. Në vend që të drejtojë hapat tanë nga jashtë, Ai ka zgjedhur të banojë brenda nesh.

Ndërsa Moisiu u udhëhoq nga Perëndia përmes kolonave të resë dhe zjarrit, ne pas mishërimit të Krishtit kemi diçka edhe më të mirë: Frymën që banon brenda nesh për të na udhëzuar.

Udhëzimi për sot

Ulem rregullisht me studentë të vitit të fundit apo me ata që sapo janë diplomuar për të folur rreth vullnetit të Perëndisë dhe për t’i ndihmuar ata që të dallojnë hapat vijues. Në fund, këto biseda arrijnë te një pikë e ngjashme kyçe. Gjithë zell, shoku apo shoqja thotë: “Do të doja që Perëndia ta shkruante në qiell apo të më jepte një hartë” ose “Sikur të kisha mundësi ta bëja këtë bisedë me Jezusin vetë”.

Më pëlqen të ndaj me ta lajmin çlirues dhe ngazëllues që nuk ka pse të vrasim mendjen se cili është destinacioni ynë. Mund të ndihemi sikur po endemi kuturu në shkretëtirë, por vullneti i qartë i Perëndisë është që ne të përshtatemi me shëmbëlltyrën e Birit të Tij. Sikurse i shkroi Pali edhe kishës në Selanik: “Ky është vullneti i Perëndisë, shenjtërimi juaj” (1 e Thesalonikasve 4:3).

Destinacioni është i qartë

Edhe pse kjo gjë nuk trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjet urgjente se cilën punë të bëjmë, me kë të martohemi apo në cilën kishë të marrim pjesë, prapë se prapë e largon velin e konfuzionit që krijohet nga një pikëpamje e gabuar rreth vullnetit të Perëndisë. Vullneti i zbuluar i Perëndisë është shpalosur qartë në Fjalën e Tij të ndriçuar prej Frymës së Tij.

Duke qenë se Fryma e Perëndisë banon brenda nesh për ta ndriçuar Fjalën e Tij, kështu kemi mundësi që me urtësi t’i trajtojmë vendimet e jetës tonë. Ne gjithashtu mbështetemi edhe tek urtësia e të tjerëve (në mënyrë të veçantë atyre në kishën tonë), të cilët gjithashtu kanë Frymën dhe njohin Fjalën e Tij. Në këtë mënyrë, marrja e vendimeve mund të bëhet një proces i dashur, në vend që të jetë një dhimbje koke zhgënjyese dhe ka për të na afruar edhe më tepër te zemra e Atit.

Tani që mendoj për këtë gjë, ndoshta Moisiu po pret të dëgjojë nga ju dhe unë. Ndoshta në qiell, etërit dhe nënat tona frymërore, ata që përjetuan udhëzimin e Perëndisë para ardhjes së Krishtit, do të dëshirojnë të dëgjojnë historitë e besnikërisë së Tij në udhëzimin që na dha ne, përmes Frymës së Tij, derisa të arrijmë në shtëpi.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Asim Hamza / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet