×

Si të thuash që “Perëndia është besnik”, kur vuajtjet nuk mbarojnë

Ka qenë një vit i vështirë për mua. Ndërsa 2018 ishte plot me bekime krijuese, financiare dhe marrëdhënie të bekuara, 2019 ka qenë shumë më e vështirë.

Gruaja ime, Quina, dhe unë jemi përballur me rropatjen e saj në shërbesë dhe me probleme shëndetësore shqetësuese, gjithashtu me vdekjen e gjyshes së Quina, tensione në marrëdhënie me njerëz që duam, shpresa të papërmbushura për ngjizjen e një fëmije tjetër dhe dëbimi i xhaxhait dhe hallës time.

Pas përjetimit të marrjes së shumë përgjigjeve të lutjeve në 2018, lutjet e paplotësuara të këtij viti dhe dëshirat e paarritura kanë ndikuar shumë në zemrën tonë. Lutesh, agjëron dhe vepron për diçka–diçka e mirë si drejtësia, pajtimi, shërimi apo një fëmijë–por përgjigja vazhdon të jetë ‘Jo’, ose ‘Ende jo’. Kam zbuluar se zemra ime mbushet kaq lehtësisht me hidhërim kundër Perëndisë teksa përpiqem të lidh mirësinë e Tij me vuajtjet që kam përreth.

Nëse Perëndia është Perëndi i drejtësisë, i pajtimit, i çlirimit, i jetës, atëherë si është t’i besosh Atij kur ka padrejtësi, ndarje dhe vdekje? Si mund të shpallim me besim: “Perëndia ynë është besnik”–dhe ta besojmë vërtet këtë?

Çlirim ‘në’, jo ‘nga’

Së pari, duhet të kuptojmë mënyrat se si Perëndia na çliron në sfidat tona, edhe kur nuk na ka çliruar nga sfidat tona. Ose, siç e thotë edhe Elihu: “Perëndia çliron të pikëlluarit me anë të pikëllimit të tyre dhe u hap veshët me anë të fatkeqësisë” (Jobi 36:15).

Perëndia na çliron në sfidat tona, edhe kur nuk na ka çliruar nga sfidat tona.

Do të gënjeja nëse do të thoja se Perëndia nuk më ka çliruar në mes të këtyre sfidave. Kam ndjerë se dhembshuria ime për të shtypurit është thelluar, ndërsa unë dhe familja ime jemi përballur me padrejtësinë e një sistemi të thyer emigracioni. Kam mësuar t’i shërbej më mirë gruas time në vuajtjet dhe kufizimet e saj mjekësore. Jam rritur me ndershmëri në jetën time të lutjes, e cila më ka afruar me Perëndinë, në vend që të më largonte nga Ai.

Ndoshta balsami më i ëmbël i hirit në sfidat e mia gjatë këtij viti ka qenë prania e përhershme, lutjet dhe mbështetja e miqve dhe familjes së kishës. Ata kanë qenë me mua në sfidat e mia aq sa edhe kur nuk dua ta besoj, nuk mund të mos e pranoj se Perëndia më sheh dhe kujdeset për mua. 

Shëruesi ynë i plagosur

Së dyti, duhet të dimë se Perëndia ynë nuk është thjesht një shërues, por një shërues i plagosur, siç e thotë edhe Henri Nouwen. Si i shëroi Jezusi plagët tona të mëkatit? Me plagët e Tij (Isaia 53:5).

Ne i shërbejmë të vetmit Perëndi me vurrata (Luka 24:39–40; Gjoni 20:20, 27; Zbulesa 5:12). Ky është i vetmi Perëndi i gatshëm që të merrte trup njerëzor dhe të përjetonte dhimbjen dhe kufizimet njerëzore, që më pas mori të gjithë peshën e mëkatit njerëzor dhe jetoi për të treguar veprën e Tij.

A e njeh këtë Perëndi? Ai është shëruesi i plagosur që i kupton dobësitë dhe mundimet e tua. Ai është Perëndia që dha veten si dhurata më e madhe. Edhe në errësirë, ndërsa dhimbja zbret mbi ne, ne mund të shpallim: “Perëndia ynë është besnik”–dhe vërtet ta besojmë.

Shpalle Atë në vajtim

Së fundi, mund të përdorim zërin dhe dhuntitë që Perëndia na ka dhënë për të shpallur besnikërinë e Tij. Si e bëjmë këtë? Psalmisti e dinte mirë: ne vajtojmë. 

Në librin e tij Prophetic Lament, Soon Chan-Rah thotë: “Vajtimi e sfidon kishën të pranojë vuajtjet e vërteta dhe t’i përgjërohet Perëndisë për ndërhyrjen e Tij.” Si do të ishte sikur takimet e tua me familjen, grupin e vogël dhe kishën tënde të karakterizoheshin nga vajtime të vazhdueshme të drejtuara Perëndisë në lidhje me padrejtësitë dhe vuajtjet? Ndoshta do të ishte më në ngjashmëri me vetë Krishtin.

Vajtimi biblik na fton ta shprehim me pasion pikëllimin, ankesat, pyetjet, madje dhe zemërimin ndaj Perëndisë. Kjo kërkon lutje të rrëmujshme, të paqarta, të mbushura me tërheqje hundësh. Kërkon sinqeritet kur dikush na pyet: “Si mund të lutem për ty?” Dhe kërkon që supozimet tona triumfuese rreth jetës së krishterë të ballafaqohen me Shpëtimtarin që ishte “njeri i dhimbjes, njohës i vuajtjes” (Isaia 53:3).

Ndërsa po mësoj ndershmërinë e shpirtit me Perëndinë dhe të tjerët, vajtimi ka qenë një mundësi sfiduese, por edhe rifreskuese, për t’u mbështetur plotësisht në krahët e Atit tim besnik. Unë e derdh zemrën time para Perëndisë në vajtim dhe ngrihem me një bindje edhe më të madhe se Ai vërtet është besnik. 

Përfaqësim më besnik

Është e thjeshtë për ne të shohim vetëm pjesët më të mira të jetëve të njerëzve në mediat sociale. Gjithsesi shpresoj që, përmes thirrjeve të vazhdueshme, të mund ta portretizojmë më ndershmërisht ecjen e krishterë.

Ajo ecje që përfshin jo vetëm majat e maleve, por edhe luginat. Shumë lugina. Ecja pranon çlirimin e Shëruesit tonë të plagosur, edhe kur errësira nuk është zhdukur plotësisht. E kjo ecje karakterizohet nga ai lloj vajtimi, i cili ngre lart besnikërinë e Perëndisë, shumë më lart se ajo e jona.

Kështu do të mund të themi: “Perëndia është besnik”–dhe ta kemi vërtet me gjithë mend.


Botuar me leje:

https://www.thegospelcoalition.org/article/say-god-faithful-suffering/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2021

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet