×

Studim induktiv i Biblës nuk është vetëm për të rriturit

Si e lexon Biblën me fëmijët e tu??”

Si nënë, shpesh e kam bërë këtë bisedë edhe me prindër të tjerë të krishterë. Të gjithë duam të lexojmë Biblën me fëmijët tanë në mënyrë të kuptueshme dhe transformuese për të rritur njohuritë e tyre rreth Perëndisë, por edhe për t’i pajisur që të angazhohen me Shkrimin ndërsa rriten.

Për shumicën prej nesh, kjo është sfiduese. Përveç orareve kaotike, moshave të ndryshme të fëmijëve dhe kundërshtimit frymëror, një pengesë e zakonshme me të cilën përballen familjet është se nuk dimë ku të fillojmë.

Ne jemi një brez i pasur me burime, një sërë materialesh me fokus familjen dhe të shëndetshme teologjikisht. Megjithatë, edhe pse këto materiale plotësuese janë të vlefshme, shumë prindër e kujdestarë ndihen të pamjaftueshëm kur bëhet fjalë për të hapur faqet e Shkrimit me fëmijët.

Me fëmijët tanë, bashkëshorti im dhe unë, kemi përdorur një mjet të thjeshtë të studimit të Biblës: vëzhgimi, interpretimi dhe zbatimi i tekstit. Kjo metodë induktive po përdoret gjerësisht në kishë sot. Në familjen tonë, na dha një skelet bazë ku fëmijët e vegjël të mbështeten e të rriten me të, edhe në moshën e rritur.

Duke e bërë këtë metodë miqësore për fëmijët dhe duke i dhënë formë në bazë të moshës dhe ndryshimeve në të nxënë, prindërit kanë një pikënisje për t’i mësuar fëmijëve të tyre si të mendojnë, pyesin, përfshihen dhe të kuptojnë Fjalën e Perëndisë.

Fillojmë duke lexuar një pjesë të Biblës që është lehtësisht e kuptueshme për zemrat dhe mendjet e reja. Pastaj vazhdojmë me tre pyetjet e diskutimit. Për çdo pjesë përdorim një lëvizje të dorës për ta ngulitur konceptin në kujtesën e fëmijëve tanë dhe për ta bërë kohën e studimit të Biblës argëtuese.

Hapi një: Vëzhgimi

Pyetja: Çfarë sheh?

Lëvizja e duarve: Fëmijët bëjnë formën e dylbive me duar rreth syve si të ishin duke zmadhuar tekstin për ta shqyrtuar.

Kjo pjesë e parë e pyetjeve është thelbësore në hedhjen e themelit për gjithë kohën e mbetur ku do të studiosh tekstin me fëmijët. Këto janë pyetjet specifike kush, çfarë, ku dhe kur.

Për shembull, mund të pyesësh: Kush po flet? Çfarë ka ndodhur para kësaj pjese? Ku qëndron kjo pjesë në historinë e plotë të Biblës? Përgjigjet këtu janë të drejtpërdrejta–një mundësi e mirë për të përfshirë fëmijët e vegjël në bisedë. Pyetjet e vëzhgimit i ndihmojnë fëmijët të mësojnë si të përqendrohen, dhe të vënë re kontekstin dhe detajet e pasazhit para se të arrijnë në përfundime.

Hapi dy: Interpretimi

Pyetja: Çfarë do të thotë kjo?

Lëvizja e duarve: Fëmijët ngrenë supet dhe hapin duart në secilën anë.

Këtu fëmijët inkurajohen të pyesin: “Pse?” Vëzhgimet e kryera në hapin e parë natyrisht përgatisin rrugën për pyetje më të thella e shqyrtuese. Pyetjet e interpretimit angazhojnë mendjet e tyre dhe aftësinë e të menduarit kritik ndërsa lexojnë dhe studiojnë me ty. Mund t’i pyesësh: “A ka ndonjë fjalë që nuk kuptoni?” ose “Çfarë kuptimi mendoni se ka ___?” Duke vazhduar me këtë qasje të qendërzuar tek ungjilli, mund të përfundosh këtë pjesë me pyetjen: “A na tregojnë këto vargje se kush është Perëndia Atë (ose Jezusi apo Fryma e Shenjtë) dhe çfarë ka bërë Ai për botën?

Ndërsa fëmijët zhvillohen dhe piqen me kalimin e kohës, ata mësojnë të bëjnë pyetjet e tyre, të cilat nxisin të menduarit rreth interpretimit dhe që do t’i ndihmojë të bëhen studentë të kujdesshëm të Fjalës.

Hapi tre: Zbatimi

Pyetja: Si mund të ndryshoj?

Lëvizja e duarve: Fëmijët vendosin dorën në zemër, për të treguar se njohuria në mendje çon në ndryshimin e zemrës.

Ndërsa lexojmë Shkrimin me fëmijët tanë, dëshirojmë që ata të mos jenë vetëm dëgjues të Fjalës, por edhe bërës (Jakobi 1:22–25). Në këtë hap të fundit, po i ndihmojmë fëmijët të marrin të vërtetën e zbuluar, ndërsa vëzhguan dhe interpretuan tekstin për ta zbatuar në jetën e tyre.

Përgjigjet për këtë pyetje do të jenë të ndryshme për secilin fëmijë. Përgjigjja e një 4 vjeçari do të jetë ndryshe nga e atij që është në para adoleshencë. Për disa fëmijë mund të jetë e vështirë të gjejnë fjalët për përgjigjen e pyetjes: “Si mund të ndryshoj unë?” Si prindër, ne mund të modelojmë dhe inkurajojmë këtë hap duke ndarë hapur se si ungjilli transformon jetën tonë. Pastaj mund të pyesim: “A ka diçka në zemrën, sjelljen apo në një marrëdhënie që duhet të ndryshojë?” Dhe gjithashtu: “A ka diçka për të cilën mund të lutemi bashkë?”

Fryte për gjithë jetën

Pavarësisht metodës, si prindër dhe kujdestarë që na është besuar disiplinimi i atyre të cilët janë nën kujdesin tonë, ne duhet të përkushtohemi në një kohë të rregullt të përfshirjes me Shkrimin bashkë me ta. Ndërsa e bëjmë këtë, jemi duke i ftuar ata në një aventurë të kërkimit të Perëndisë përmes Fjalës së Tij.

Në dashtë Zoti dhe me kalimin e kohës, ata do të mësohen me Biblën–dhe do të besojnë se është e arritshme, e besueshme, e vërtetë dhe e mirë. Dorë për dore me fëmijët tanë, ne mund të arrijmë të kuptojmë më thellë Krishtin, duke u transformuar në ngjashmëri me Të dhe t’i dëshmojmë botës dashurinë e Perëndisë.

Botuar me leje:

https://www.thegospelcoalition.org/article/inductive-bible-study-not-just-adults/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2021

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet