D. A. Carson thotë se lista e kualifikimeve për plak kishe është “e shquar për faktin se është tepër e zakonshme.” Ato janë thjesht të njëjtat tipare, që duhet të jenë në jetën e çdo besimtari.
Kemi nevojë për të krishterë të zakonshëm.
Ne kemi prirjen të përqendrohemi te njerëzit e shquar. Disa njerëz nuk i shpëtojnë dot kësaj prirjeje. E pranoj që disa herë jam ndier sikur më është ulur hunda kur kam lexuar për jetën e Charles Spurgeon duke qenë se ai kishte dhunti tepër unike. Mund të mësoj nga perëndishmëria e tij, por s’mund ta kopjoj dot dhuntinë e tij. E lavdëroj Perëndinë për njerëz si ai.
Por Spurgeon nuk kishte për qëllim të ishte i jashtëzakonshëm. Perëndia thjesht e përdori atë, sikurse ka bërë edhe më shumë pastorë, teologë dhe autorë të tjerë të shkëlqyer. Megjithatë, ata nuk janë norma.
Çështja nuk është se disa të krishterë kanë dhunti të jashtëzakonshme. Problemi nis kur ne fillojmë t’i vlerësojmë dhuntitë e jashtëzakonshme përmbi besnikërinë e zakonshme. E para është fakultative; e dyta është thelbësore.
Kultura jonë funksionon sipas mitit të modelit të udhëheqjes me një person që shquhet nga të tjerët. Dikush që ka dhunti të jashtëzakonshme, është zgjidhja për shumicën e problemeve. Çdo organizatë që po përleshet me vështirësi, ka nevojë për një udhëheqës të shkëlqyer, që për shkak të cilësive të tij të jashtëzakonshme do të jetë në gjendje ta shpëtojë organizatën.
Kur këtë mendësi e importojmë në kishë, edhe ne dëshirojmë fort udhëheqës të shkëlqyer. Kërkojmë për njerëz me personalitete të shquara dhe me dhunti udhëheqjeje, që mund t’i transformojnë kishat tona. Ne tërhiqemi drejt atyre që mund të nxitin një turmë, që mund ta lënë gojëhapur audiencën dhe të krijojnë një platformë.
E lavdëroj Perëndinë për udhëheqës të tillë që janë besnikë, por në fakt, nuk ka shumë. Kjo e bën kaq të rrezikshëm këtë model udhëheqjeje: nuk është e lehtë ta zëvendësosh një udhëheqës të jashtëzakonshëm. Përveç kësaj, ne mund të fillojmë të mbështetemi më tepër në personalitetin dhe dhuntitë e udhëheqësit sesa në atë që ka më tepër rëndësi.
Pa dashur t’i nënvlerësoj udhëheqësit e mëdhenj, unë vetë do të zgjidhja më mirë udhëheqës të zakonshëm, të cilët po rriten në perëndishmëri, që po shërbejnë me besnikëri, që i duan dhe luten për njerëzit, ndaj të cilëve janë thirrur të shërbejnë, dhe që e kuptojnë nevojën për dhuntitë e të tjerëve, për shkak se e dinë që në vetvete nuk janë të plotë.
Pra, duhet të synojnë që të jenë të zëvendësueshëm. Çdo pastor është një pastor i ndërmjetëm. Çdo pastori do t’i vijë koha që të dalë mënjanë. Synimi duhet të jetë që kisha të vazhdojë të lulëzojë, për shkak se kisha nuk ndërtohet përreth dhuntisë së atij pastori. Përkundrazi, ajo ndërtohet mbi gjërat e zakonshme, që çdo kishë është thirrur t’i bëjë. Pastorët e mençur, që kanë dhunti të jashtëzakonshme, e dinë si ta mbajnë theksin te këto gjëra të zakonshme, dhe jo te dhuntitë e tyre të jashtëzakonshme.
Pastorë: mos u dëshpëroni, nëse ndiheni të zakonshëm. Kërkojini Perëndisë t’ju rritë në karakter. Rishikoni rregullisht kualifikimet për pleqtë e kishës dhe kërkojini Perëndisë që t’ju shenjtërojë. Kushtojini shërbesës tuaj përpjekjet tuaja më të mira, por kurrë mos bini pre e besimit që thotë se fakti që jeni të zakonshëm e pengon Perëndinë që t’ju përdorë.
Kurse ju pastorët me dhunti të jashtëzakonshme: Mos e ndërtoni shërbesën tuaj përreth dhuntive tuaja të jashtëzakonshme. Ndërtojeni shërbesën tuaj përreth asaj që çdo pastor është thirrur të bëjë. Bëjeni veten tuaj të zëvendësueshëm. Ngrini të tjerë që mund t’iu pasojnë juve në shërbesë.
Kisha: mos bini pre e mitit të modelit të udhëheqjes me një person të shquar. Nëse keni pastorë dhe pleq që i përmbushin kualifikimet e Shkrimit, ngazëlloni. Perëndia ju ka bekuar.
Të krishterë: vlerësoni besnikërinë përmbi dhuntitë. Ati ynë e mat madhështinë ndryshe nga bota.
Kërkoji Perëndisë të ta zhvendosë vëmendjen nga fakti se kush je dhe të ta vendosë vetëm në lavdinë e tij. Shërbe me besnikëri dhe mos u bëj vetë pengesë. Mbaje përqendrimin tënd atje ku duhet të jetë. Syno të jesh i zakonshëm.
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Vilma Dina
Botuar me leje: https://ca.thegospelcoalition.org/columns/straight-paths/aim-to-be-unremarkable/
Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022