×

Të rritesh si grua kishëmbjellësi

Togfjalëshi “grua kishëmbjellësi” ka ngjyrime të ndryshme për njerëz të ndryshëm, edhe për gratë që janë në këtë pozitë. Ky është një rol për të cilin askush nuk mund të të përgatisë, edhe nëse duan. Të qenët gruaja e një kishëmbjellësi ka qenë një privilegj rafinues, sfidues dhe i gëzueshëm; ndonjëherë vetmitar, por megjithëkëtë ka qenë privilegj i pabesueshëm. Ky është një rol në të cilin nuk e kisha përfytyruar kurrë veten, por për të cilin do t’i jem gjithnjë mirënjohëse Zotit që më bekoi.

Siç e thashë, askush nuk mund të të përgatisë plotësisht për këtë rol, por dua t’ju paraqes disa mësime të rëndësishme, të cilat i kam mësuar në udhë e sipër.

Ji e fortë në besimin tënd

Këtë nuk mund ta theksoj dot aq sa duhet. Shërbesa dhe rolet e ndryshme që ti luan në të, përmbajnë shumë ndërlikime. Njerëzit mund të bëhen të vështirë. Ka shpesh tensione në marrëdhënie dhe do të përjetosh pasiguri, biseda të vështira me bashkëshortin dhe fëmijët, të cilat do të bëjnë hera-herës të duash të strukesh në një vend të fshehtë. Të gjesh veten, vendin tënd, çfarëdo që të përket ty — asnjë nga këto nuk do të jenë aspak të përballueshme nëse nuk je e fortë në besimin tënd.

Përqafimi i rolit tim si grua kishëmbjellësi më ka afruar me Zotin, me njerëzit e tij dhe me bashkëshortin tim.

Kështu pra, duhet të investosh në marrëdhënien tënde me Zotin — bëje këtë gjë përparësinë tënde mbi gjithçka. Mëso ta duash Jezusin. Ulu te këmbët e tij, dëgjo zërin e tij dhe bindju thirrjes së tij. Lëre të të mbushë dhe të jetë gjithçka për ty. Ai është i vetmi që nuk do të ndryshojë kurrë në të gjitha pasiguritë dhe rrethanat e paqëndrueshme.

Mund t’ju them pa pikë dyshimi (siç besoj se e dini edhe ju), kjo rrugë është e pamundur pa dorën e dashur të Atit tonë. Në gjithçka që ndryshon në çdo stinë, merreni seriozisht marrëdhënien me Zotin dhe luftoni për të.

Edhe unë jam e thirrur

Një ndër bekimet më të mëdha e të qenët në shërbesë me tim shoq është se e konsiderojmë thirrjen tonë të përbashkët. Unë nuk jam në shërbesë me kohë të plotë, punoj diku tjetër me kohë të plotë, por bashkë me Cameron-nin e kemi ndjekur këtë shërbesë si thirrjen tonë dhe po vazhdojmë ta ndjekim së bashku. Asnjëherë nuk jam ndier sikur nuk ka vend për mua aty apo sikur nuk i përkas asaj pune.

Përkundrazi, e kam parë veten si një individ të krijuar me kujdes nga Zoti dhe Shpëtimtari im, i cili më ka dhënë dhunti dhe talente. Të diturit se jam thirrur për këtë, më ka dhënë besimin t’i ushtroj dhuntitë e mia për qëllimin dhe lavdinë e Zotit. Kjo më ka lejuar që ta mbështes bashkëshortin tim teksa ai drejton kishën dhe të vazhdoj të lutem për të ndërkohë që ai e ndjek thirrjen e tij. Kjo gjë më ka lejuar të bëj një hap pas atëherë kur duhet, të ndaloj kur është koha për të ndalur dhe të flas kur duhet folur. 

Kjo më ka dhënë lirinë dhe sigurinë për të ditur se nuk jam një shtojcë e bashkangjitur e tim shoqi, diku në sfond. Përkundrazi, e kam marrë përsipër këtë rrugëtim dhe e di se edhe unë kam një rol.

Ji e hirshme me veten

Ndonjëherë më vjen turp kur mendoj se si i kam trajtuar situatat dhe njerëz të caktuar vite më parë. Më vjen akoma më shumë turp sepse disa prej atyre njerëzve janë ende këtu. Dhe pastaj mendoj me veten, është e qartë që nuk ishte aq keq, sepse ata qëndruan!

Të qenët gruaja e një kishëmbjellësi ka qenë një privilegj rafinues, sfidues dhe i gëzueshëm; ndonjëherë vetmitar, por megjithëkëtë ka qenë privilegj i pabesueshëm.

Po flas seriozisht, mbajeni mend që edhe ju rriteni me rritjen e kishës suaj dhe me kalimin e viteve. Kam mësuar artin e të qenët e hirshme dhe falëse me veten kur nuk jam sjellë siç shpresoja të sillesha. Në atë moment, nuk dija më mirë se aq. Por, sapo ta kesh falur veten, ti i jep vetes hapësirë për të ecur dhe për t’u rritur. Do të bësh gabimevazhdimisht, sepse je duke mësuar. Kërko falje kur duhet ta bësh, mëso nga incidenti dhe sigurohu që nuk të ngelet mendja te problemi për një kohë të gjatë. Je thjesht njeri, gjëra të tilla janë pjesë e rrugëtimit.

Po, kemi pasur kohë të vështira. Kam qarë për disa ditë dhe kam dyshuar në veten time, por kam mësuar ta shijoj procesin. Unë dhe Cameron-i jemi të qëllimshëm për ta shijuar këtë rrugëtim të krijimit, rritjes dhe bashkëpunimit me njëri-tjetrin — dhe po e bëjmë këtë të rrethuar nga ata që duam. Jemi lutur për njëri-tjetrin, i kemi dalë për zot punës dhe kemi krijuar një hapësirë të sigurt për njëri-tjetrin. Çfarëdo që të ndodhë, investoni në një komunitet që është përkrahës, i dashur dhe i dhënë pas lutjes.  

Pranimi i rolit tim si grua kishëmbjellësi më ka afruar me Zotin, me njerëzit e tij dhe me bashkëshortin tim. Si çdo rol tjetër që na është dhënë, edhe ky është një dhuratë për të cilën jam mirënjohëse, dhe po mësoj ta administroj mirë. Lutem që gratë e tjera t’i jepen kësaj thirrjeje dhe të përjetojnë një afrimitet më të thellë me Krishtin.

Shkruar nga: Lelethu Shabangu, më 16 dhjetor 2022.

Botuar me leje: https://www.acts29.com/growing-as-a-church-planters-wife/ 

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2023

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet