×

Në fillim të kësaj jave, nisa një seri me tri pjesë për mënyrën se si ta lexojmë librin e Zbulesës. Shenjën e bishës do ta trajtojmë javën që vjen, por së pari, do të japim një shpjegim se çfarë thotë Zbulesa për veten e vet.

Mund të mësoni shumë gjëra rreth një libri që nga hyrja e tij. Lexoni fjalitë e para të një rrëfenje, një biografie, apo të një teksti shkollor logjik dhe në mënyrë instinktive do të dini që ka ‘rregulla’ të caktuara për interpretimin e duhur të këtyre veprave. Një hyrje e mirë na ndihmon t’i qasemi në mënyrën e duhur pjesës tjetër të librit. Këtë bën edhe hyrja e Zbulesës. Ajo na orienton në llojin e letërsisë me të cilën do të përballemi.

Në mënyrë të veçantë, tre vargjet e para të Zbulesës na thonë tre gjëra të rëndësishme rreth llojit të librit që po lexojmë. Zbulesa është letërsi apokaliptike, profeci dhe letër.

Apokalips

Fjala ‘zbulesë’ është thjesht përkthimi i fjalës greke apokalips që gjendet në vargun 1. Libri i Zbulesës ka të bëjë me zbulimin apo heqjen e velit nga ajo që duhet të ndodhë së shpejti. Për të qenë të sigurt, në disa mënyra, ky është një libër misterioz dhe i vështirë, por duhet të mbajmë mend që Zbulesa nuk ka për qëllim që ta mbulojë të vërtetën, por ta zbulojë atë. Perëndia ka për qëllim që ne ta kuptojmë këtë libër.

‘Apokaliptike’ mund të tingëlloj si fjalë e frikshme, por gjithçka  kemi nevojë të dimë për ta kuptuar një apokalips është që Zbulesa është një libër që na e paraqet atë. Kjo e bën kaq intrigues dhe të ndërlikuar. Libri nuk na jep kode të sakta ligjore; ai na jep tablo verbale. “Zbulesa e Jezu Krishtit, që Perëndia ia dha për t’u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin së shpejti” (Zbulesa 1:1). Është e rëndësishme të vemë re që Gjoni nuk na pikturon një tablo të asaj që pa apo ta paraqesë atë me aktrim. Ai pret që vizionet e tij të lexohen dhe dëgjohen. Ende jemi duke u marrë me tekstin, por mos shikoni përtej gjërave që janë të qarta: Zbulesa është një libër që tregon. Folja ‘shoh’ shfaqet 52 herë në librin e Zbulesës. Ne duhet të ‘shohim’ atë që lexojmë në faqet e saj.

Ne duhet t’i shohim vizionet e Zbulesës, sikurse do të shihnim portretet në një galeri arti. Zbulesa nuk na është dhënë si klipet e njëpasnjëshme në një film, por si portrete më vete, të cilat shpesh tregojnë të njëjtën gjë, por në një mënyrë tjetër. Fjala që përdorin shumica e studiuesve është ‘përsëritje’. Kjo do të thotë se Zbulesa nuk është një hartë kronologjike nga kapitujt 4-22, por një seri vizionesh të cilat mbivendosen dhe përsëriten. Shtatë vulat janë një portret, shtatë boritë janë një portret tjetër, por nuk është se domosdoshmërisht vijnë njëra pas tjetrës.

Le të shohim nëse mund ta shpjegoj këtë përsëritje më mirë duke ju dhënë disa shembuj. Shihni te Zbulesa 11:15-18. Ajo është qartësisht një tablo e gjykimit final për të gjithë njerëzit, të drejtët dhe të ligjtë, të vegjlit dhe të mëdhenjtë. Krahasojini këto vargje me Zbulesa 20:11-15, e cila duket qartë që është një tablo tjetër për gjykimin final. Do ishte e vështirë t’i kuptonim këto pjesë nëse mendojmë që njëra vjen pas tjetrës. Nuk po shohim një film, i cili po shpaloset në kohë reale; po shohim portrete të ndryshme të të njëjtit realitet.

Ju mund të shihni gjithashtu te Zbulesa 16:17 ku engjëlli i shtatë e derdh kupën e tij dhe thotë: “U bë!” Pastaj te Zbulesa 21:6, ai që është i ulur mbi fron thotë: “U bë!” Nëse kapitulli 21 shfaqet në kohë pas kapitullit 16, përballemi me shumë konfuzion. Perëndia shpall: “U bë!” në dy vende të ndryshme. Nëse Zbulesa është plot me përsëritje, kjo nuk është problem.

Ja një çift tjetër vargjesh: Zbulesa 6:12-17 dhe 16:18-20. Në të dyja këto pjesë përballemi me një tërmet kataklizmi në ditën e zemërimit të Perëndisë; ishujt u arratisën dhe malet nuk u gjetën më. Si mund të shkatërrohet toka dy herë? Nuk ndodh! Në librin e Zbulesës, shpesh kemi dy portrete të ndryshme për të njëjtën ngjarje.

Zbulesën nuk mund ta lexojmë si çdo libër tjetër. Ajo është një libër simbolesh në lëvizje. Imazhet dhe tablotë grafike (të dhëna përmes fjalëve) tregojnë drejt një realiteti më të thellë. Shtatë yjet janë engjëj dhe shtatë shandanët janë shtatë kisha (1:20). Shtatë krerët janë shtatë kodra (17:9). Prostituta është një qytet i madh (17:18). Liri i hollë përfaqëson veprat e drejta të shenjtorëve (19:8). Gjarpri i lashtë është djalli (20:2). Nëse nuk jemi gati ta shohim librin e Zbulesës në mënyrë simbolike, në tablo, do të na shpëtojë kuptimi i saj.

Për shkak se Zbulesa është një libër që tregon, plot me simbole, numrat luajnë një rol kritik. Gjoni nuk i përdor numrat si kode sekretë, të cilat duhen zbërthyer, por si shenja plotësie, tërësie, përsosmërie (apo mungese të saj). Tre numra janë veçanërisht të rëndësishëm: shtata, katra dhe dymbëdhjeta.

Shtata është numri i plotësisë, në mënyrë të veçantë në kuptimin frymëror. Prandaj, Gjoni u shkruan shtatë kishave (kisha reale) si përfaqësuese të të gjitha kishave. Në mënyrë të ngjashme, shohim shtatë frymëra, shtatë gjykime (në vula, bori dhe kupa) dhe shtatë shandanë. Fraza “Zoti Perëndia i Gjithëpushtetshëm” shfaqet shtatë herë (1:8; 4:8; 11:17; 15:3; 16:7; 19:6; 21:22), sikurse edhe fraza “Ai që ulet mbi fron” (4:9; 5:1, 7, 13; 6:16; 7:15; 21:5) dhe fjala “Krisht” (1:1, 2, 5; 11:15; 12:10; 20:4, 6). ‘Profeci’ përmendet shtatë herë (1:3; 11:6; 19:10; 22:7, 10, 18, 19). Popujt, fiset, gjuhët dhe kombet përmenden shtatë herë (5:9; 7:9; 10:11; 11:9; 13:7; 14:6; 17:15). Fryma e Shenjtë përmendet shtatë herë në lidhje me shtatë kishat dhe shtatë herë në pjesën tjetër të librit (1:10; 4:2; 14:3; 17:3; 19:10; 21:10; 22:17). ‘Jezus’ përmendet 14 herë (7×2) dhe Krishti quhet Qengji njëzetë e tetë herë (7×4).

Numri ‘katër’ tregon për universalitetin apo shtrirjen mbarëbotërore. Prandaj lexojmë për katër krijesa të gjalla, katër kalorës, katër cepat e dheut, katër erërat dhe fraza e katërfishtë “popuj, fise, gjuhë dhe kombe”. Në mënyrë të ngjashme, fraza “ai që jeton përjetë” shfaqet katër herë (4:9, 10; 10:6; 15:7) sikurse edhe “shtatë frymërat” (1:4; 3:1; 4:5; 5:6) dhe referencat ndaj vetëtimave, tingujve dhe bubullimave përreth fronit (4:5; 8:5; 11:19; 16:18).

Numri 12 dhe shumëfishat e saj tregojnë plotësinë e popullit të Perëndië. Kështu kemi 12 fise dhe 12 apostuj. Lexojmë për 24 (12×2) frone dhe 24 pleq. Popullin e Perëndisë e shohim të paraqitur në mënyrë simbolike si 144,000 (12x12x1000). Dhe në përshkrimin e Jerusalemit të Ri ku banon populli i Perëndisë për përjetësinë, numri 12 shfaqet 12 herë.

Tani e kuptuat tablonë (loja me fjalët e qëllimshme). Zbulesa si apokalips është një libër simbolesh dhe një libër që tregon.

Profeci

Zbulesa është gjithashtu profeci (1:3; 22:7) dhe si e tillë është e rrënjosur në imazhet e Besëlidhjes së Vjetër. Do ta lexojmë keq Zbulesën, nëse përpiqemi të gjejmë referime nga koha jonë, në vend që më së pari të shohim aludime nga Besëlidhja e Vjetër. Mendoni për të gjitha imazhet që Zbulesa huazon nga Besëlidhja e Vjetër: pema e jetës, gjarpri i lashtë, plagët, kënga e Moisiut, Jezebela, Babilona, tempulli, Jerusalemi, 12 fiset e Izraelit, priftërinjtë, temjani, Balami, uji i jetës, shtrydhësja e rrushit të zemërimit të Perëndisë e kështu me radhë. Edhe pse Zbulesa ka të bëjë me të ardhmen, më tepër se çdo libër tjetër në Besëlidhjen e Re ka kuptim vetëm nëse e shohim përmes syve të së shkuarës. Një listë aludimesh dhe paralelesh nga Besëlidhja e Vjetër do të mbushte disa faqe, me pothuaj 500 referenca.

Për më tepër, Zbulesa nuk është thjesht e zhytur në imazhet e Besëlidhjes së Vjetër, ajo është edhe përmbushje e profecisë së Besëlidhjes së Vjetër. Te Danieli 2, Danieli interpreton ëndrrën e mbretit Nebukadnesar. Në ëndrrën e tij, Nebukadnesari sheh një statujë të madhe të bërë prej ari, argjendi, hekuri dhe argjile. Statuja bëhet copë-copë nga një gur, i cili pastaj bëhet një mal i madh dhe mbush gjithë tokën. Katër metalet janë katër mbretëri dhe guri është një mbretëri finale e themeluar nga Perëndia, e cila do t’i shkatërrojë të gjitha mbretëritë e tjera dhe (ajo vet) nuk do të shkatërrohet kurrë. Te Danieli 2:28, Danieli thotë: “Perëndia i ka treguar mbretit Nebukadnesar atë që do të ndodhë ditët e fundit” dhe në vargun 29 ai thotë: “Ai që zbulon sekretet të ka bërë të njohur atë që ka për të ndodhur.” Kjo gjuhë është e ngjashme dhe pjesërisht identike me gjuhën e përdorur te Zbulesa 1:1, vetëm se kësaj here Gjoni flet për një zbulesë që Perëndia e dha për të treguar atë që duhet të ndodhë së shpejti. Fraza “gjërat që duhet të ndodhin së shpejti”, përdoret katër herë te Zbulesa dhe lidhja me Danielin është e qëllimshme. Ajo që Danieli i interpretoi se do të ndodhë në ditët e fundit, tani është afër, madje te pragu. Koha e caktuar kur Perëndia do të vendosë mbretërinë e Tij hyjnore dhe të përjetshme, guri që e shkatërroi statujën prej ari, argjendi, hekuri dhe argjile, ka ardhur.

Më lejoni të vë në pah një lidhje tjetër, kësaj here mes fundit të Danielit dhe fundit të Zbulesës. Te Danieli 12:4, Danielit i thuhet: “Por ti, Daniel, mbaji të fshehura këto fjalë dhe vulose librin deri në kohën e mbarimit.” Te Zbulesa 22:10, Gjonit i thuhet: “Mos i vulos fjalët e profecisë së këtij libri, sepse koha është afër.” Mund ta dalloni ngjashmërinë. Nëse Danielit iu tha që ta vuloste librin deri në kohën e mbarimit, Gjonit iu tha që ta mbante hapur, sepse koha ishte afër. Ajo që pa Danieli, po arrinte kulmin e saj në kohën e Gjonit. Ajo që kishte qenë shumë larg, tani ishte fare pranë.

Kjo do të thotë se ne jemi në kohët/ditët e fundit dhe madje kemi qenë për vite të tëra (referoju Veprat 2:17; 1 e Timoteut 4:1). Kjo nuk do të thotë se fundi i botës është nesër. “Kohë e fundit” apo “ditët e fundit” është një përshkrim për kohën që pason triumfin e Jezu Krishtit në kryq. Në historinë e shpëtimit ka aguar një ditë e re. Kjo është pika e lidhjes mes Danielit dhe Zbulesës. Mbretëria hyjnore që do t’i shkatërrojë të gjitha mbretëritë. Tashmë ka ardhur; ajo është fare pranë, por nuk është themeluar ende plotësisht. Profecia e Danielit dhe në fakt e gjithë Besëlidhjes së Vjetër ka arritur pikën e saj kulmore në librin e Zbulesës. Triumfi i Birit të Njeriut, ardhja e mbretërisë hyjnore, shpëtimi i të drejtëve, gjykimi i të ligjve, tashmë kanë ndodhur, e megjithatë nuk janë ende të plota. Me fjalë të tjera, koha që Gjoni e pa se cila do të shfaqej së shpejti nuk është përmbushur ende plotësisht, por ama është inauguruar.

Nëse gjithë kjo ju tingëllon ngatërruese është për shkak se shumica prej nesh nuk e kuptojmë sa shtresa të shumta ka profecia biblike. Shumica e profecisë në Bibël funksionon duke i folur kontekstit të menjëhershëm dhe pastaj shkon drejt së ardhmes. Pjesa më e madhe e profecisë e ka një përmbushje tashmë, ndërsa disa të tjera, ende jo.

Për shembull, Isaia 40:3-5 thotë: “Zëri i dikujt që bërtet në shkretëtirë: ‘Shtroni udhën e ZOTIT, hapni në shkretëtirë një rrugë për Perëndinë tonë. Çdo luginë të jetë e mbushur, çdo mal dhe kodër të jenë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtuar dhe vendet e vështira të sheshuar. Atëherë lavdia e ZOTIT do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë.” Për çfarë po flet Isaia? Ai është duke folur për kthimin nga mërgimi në Babiloni, por gjithashtu po mendon për një çlirim edhe më të plotë. Prandaj, kur ungjijtë shohin në Gjon Pagëzorin përmbushjen e Isaias 40, nuk është se po i sajojnë gjërat. Ata po shohin përmbushjen e shpëtimit përfundimtar të Perëndisë. Shkrimtarët e Besëlidhjes së Re kuptuan (sikurse edhe profetët e Besëlidhjes së Vjetër) që profecia zakonisht ka një përmbushje afatshkurtër dhe një afatgjatë.

Është sikur një profet të vinte në Amerikë pas 11 Shtatorit 2001 dhe të thoshte: “Dëgjoni o popull i Amerikës! Ditët tuaja të frikës shumë shpejt do të mbarojnë. Unë do ta heq nga pushteti Huseinin e do ta gjej Bin Ladenin. Bagdadi do jetë një vend çakejsh dhe Al-Kaeda do shkretohet. Terrori nuk do ta godasë më vendin tuaj. Nënat nuk do të qajnë më. Fëmijët nuk do të mbeten më jetimë. Unë do t’ju çliroj nga të gjitha pikëllimet tuaja. Vdekja do të shkatërrohet dhe ndëshkimi juaj do të marrë fund. Unë do të jem mes jush përgjithmonë. Unë jam Zoti, Perëndia juaj, dhe nuk ka asnjë tjetër.” Është e qartë që kjo nuk është një profeci reale. Përderisa trajton njerëz dhe vende të njohura, e kemi më të lehtë të dëgjojmë përmbushje afatshkurtër dhe afatgjatë. Profecia e sajuar nga unë flet për shpresë në kontekstin e menjëhershëm, por gjuha është gjithashtu aq e lartësuar dhe jo e kësaj bote sa të na drejtojë te një përmbushje e mëvonshme më e plotë. Kështu funksiononte profecia në Besëlidhjen e Vjetër dhe si u përmbush në librin e Zbulesës.

Letër

Zbulesa është një apokalips, një profeci dhe një letër. Ajo është një letër e shkruar nga Gjoni dhe u është dërguar shtatë kishave reale. Disa prej kishave ishin nën sulm: frymëror, fizik dhe material. Disa të tjera ishin zhytur deri në gju në kompromis dhe në frymën e botës. Mesazhi që përcillte kjo letër, mbi gjithçka tjetër, ishte një nxitje për të fituar: “Mos u dorëzoni! Mos hiqni dorë! Jezusi e ka korrur fitoren. Jetoni si Ai! Vdisni si Ai! Mos bini pre e djallit dhe botës!”

Zbulesa ishte një letër qarkore, e cila duhej të lexohej në një kishë dhe pastaj të dërgohej te kisha tjetër. Ajo do lexohej në një takim adhurimi, ndoshta nga fillimi në fund. Pjesa më e madhe e bashkësisë nuk do dinte shkrim e këndim. Nuk mund ta studionin dot letrën edhe po të kishin pasur një kopje, prandaj dikush lexonte dhe bashkësia dëgjonte.

Ju mund të mendoni, por si mund ta kuptonin ata një libër si ky? Ata nuk kishin komentarë, konkordanca, programe Bible, metoda të trajnimit induktiv, madje nuk kishin as një Bibël të tyre që ta ndiqnin leximin! Ata kishin disa avantazhe që ne nuk i kemi.

Së pari, ata nuk kishin televizion, filma dhe internet, prandaj është e thjeshtë që ishin më të mirë për të mësuar me veshët e tyre.

Së dyti, ka shumë mundësi që ata e njihnin Besëlidhjen e Vjetër më mirë nga sa e njohim ne.

Së treti, ata nuk kishin nevojë për një përkthim.

Së katërti, ata jetonin në një botë dhe kulturë në të cilën letra lexohej. Ky është avantazh i madh. Nuk ka rëndësi sa i shkëlqyer dhe i zellshëm është studimi ynë, ne nuk do të jemi kurrë në gjendje ta njohim botën e shekullit të parë në Azinë e Vogël aq mirë sa njerëzit që jetuan në të. Jam i sigurt që ata kishin lloj-lloj thëniesh, simbolesh dhe referencash, të cilat ne përpiqemi t’i kuptojmë, por ata i kuptonin menjëherë. Ne duhet të lexojmë libra të mëdhenj dhe të trashë për t’i kuptuar këto gjëra, por gjërat do kishin qenë më të qarta, nëse do ishit të ulur në kishën e parë të Smirnës.

Kjo nuk ka për qëllim të na bëjë të dëshpëruar në përpjekjen tonë për ta kuptuar Zbulesën. Me një njohuri të mirë të Besëlidhjes së Vjetër dhe disa njohuri historike, mund ta kuptojmë këtë libër. Në fund të fundit, Perëndia na e dha për t’iu treguar shërbëtorëve të Tij gjërat që duhet të ndodhin së shpejti. Ajo që po përpiqem të theksoj është që nuk duhet të harrojmë se Zbulesa ishte një letër reale drejtuar njerëzve realë. Zbulesa u shkrua për një audiencë të shekullit të parë. Ajo ende ka domethënie për ne, por më së pari iu shkrua shtatë kishave në Azinë e Vogël që jetuan në shekullin e parë, të cilët kuptonin greqisht dhe ishin të kërcënuar nga përndjekja dhe të tunduar për të bërë kompromis. Edhe pse është e mundur që Zbulesa të ketë një domethënie me të madhe nga sa mund të kuptonin plotësisht të krishterët e shekullit të parë, ajo nuk duhet të ketë kurrë më pak domethënie nga sa kishte për ta. Si letër, interpretimi ynë i Zbulesës duhet të kushtëzohet nga qëllimi i Gjonit si autor dhe nga aftësia e audiencës origjinale për të kuptuar atë që ishte shkruar.

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet