Pas disa vitesh përfshirjeje me ungjillin, kam mësuar diçka interesante në lidhje me jobesimtarët, edhe pse shumë prej tyre nuk ndihen rehat të diskutojnë rreth mëkatit, ekskluzivitetit të Krishtit, apo ndëshkimit të përjetshëm, shumica nuk e kanë problem të diskutojnë për jetën pas kësaj jete.
Kjo magjepsje rreth jetës pas vdekjes mund të jetë një hyrje e mirë për bisedat rreth ungjillit. Shpesh qielli shihet si një temë jo kërcënuese dhe tepër interesante–dhe kjo është një prej arsyeve pse shumë libra me tematikën Unë-shkova-në-qiell-dhe-u-ktheva kanë shitur miliona kopje vitet e fundit.
Po sikur të ekzistonte një libër, të cilin mund ta ndanit me miqtë tuaj jobesimtarë që ka për t’i folur “kureshtjes së tyre për qiellin” dhe në të njëjtën kohë të ndajë ungjillin në mënyrë bindëse?
Qielli, si arrita këtu
Colin Smith
Qielli, si arrita këtu
Colin Smith
Përqasje e re
Në librin e tij, Qielli, Si arrita këtu: Historia e keqbërësit në kryq, Colin Smith merr një përqasje të re ndaj një teme, e cila nganjëherë ka qenë shqetësuese. Në vend që të përshkruajë hollësitë e qiellit, si për shembull njerëzit që do të takoni, gjërat që do të bëni, apo shfaqjen e Frymës së Shenjtë, Smith shkruan pikëvështrimin qiellor të personit që ishte më afër Jezusit, ndërsa po vdiste në kryq: keqbërësit përkrah Tij, i cili do të besonte tek Ai.
Një nga sfidat rreth të shkruarit për keqbërësin në kryq është që Shkrimi përmban vetëm disa vargje rreth tij. E megjithatë është e qartë që ky keqbërës, të cilit nuk ia dimë emrin, e pa nga afër kryqëzimin e Krishtit–një temë kjo për të cilën Bibla thotë shumë gjëra. Colin Smith, pastori kryesor i kishës së lirë ungjillore Orchard në periferi të Çikagos, përmes imagjinatës na kalon përgjatë jetës së këtij keqbërësi, rebelimit dhe urrejtjes së tij ndaj Perëndisë, dhe kuptimit të tij rreth Mesias, si përpara, ashtu edhe pasi e vendosi besimin e tij tek Ai.
Tregimi i historisë së kryqëzimit, përmes syve të keqbërësit më kujtoi natyrën thellësisht personale të ungjillit–ashtu si ai keqbërës, edhe unë jam një mëkatar që nuk mund të bëj dot asgjë për ta shpëtuar veten. Me shumë mprehtësi, Smith e ndërthur sfondin e Dhiatës së Vjetër, në historinë e jetës së keqbërësit, duke përshkruar se çfarë po mendonte në orët e fundit të jetës së tij, ndërsa pa turmën tallëse dhe dëgjoi klithmën e Jezusit nga kryqi.
Për më tepër, u mbërtheva nga tregimi skenë pas skene të historisë së vuajtjes nga ana e keqbërësit, ashtu sikurse ajo u shpalos dhe se si ai arriti te rrjedhojat e ungjillit nga veprimet e Jezusit, ndaj atyre që ishin përreth–ndaj ekzekutuesve të Tij, ndaj nënës së Tij dhe ndaj vetë keqbërësit. Qielli, Si arrita këtu, gufon të vërtetën e ungjillit.
Mahnitje e ripërtërirë
Nëse edhe ju jeni si unë, mahnitja juaj me ungjillin mund të pengohet nga familjarizimi i tepërt me të. Leximi i këtij libri më ndihmoi të hiqja tej shtresat shpërqendruese, për të siguruar një pamje të gjallë të hirit të Perëndisë në Krishtin. U ndieva sikur unë isha keqbërësi që ishte varur mbi atë kodër, mendova për dhembshurinë dhe emocionet e thella të Shpëtimtarit, në një mënyrë që nuk kisha menduar kurrë më parë. Me pak fjalë, ky libër më ndihmoi të riktheja mahnitjen e ungjillit, duke më sjellë fare pranë kryqit.
Ky libër do të kënaqë dëshirën qiellore të shumë njerëzve, jo për shkak se i përshkruan qiellin lexuesit (nuk e bën), por për shkak se përshkruan udhën për në qiell dhe u jep besimtarëve siguri që shpëtimi ynë u sigurua në Kalvar. Me hirin e Perëndisë, lexuesi do të pushtohet nga ndërgjegjësimi që keqbërësi në kryq nuk kishte mundësi për të bërë vepra të mira–e megjithatë Jezusi i shpalli atij: “Sot do të jesh me mua në parajsë” (Luka 23:43).
Lexoje dhe shpërndaje
Besoj se Qielli, Si arrita këtu mund të funksionojë në mënyrë të ngjashme me librin e Tim Keller Perëndia Plëngprishës duke e krahasuar fetarinë me hirin e ungjillit. Formati i tij i përmbledhur e bën të lehtë për ta dhuruar dhe madje për ta lexuar brenda pak orëve. Pastorët do të jenë të mençur të kenë disa kopje pranë tyre për t’ua dhënë atyre që kërkojnë, atyre që përleshen me ndjenjën e sigurisë dhe atyre që kanë nevojë për një vështrim më të thellë dhe personal të lajmit të mirë.
Nëse kërkoni ta thelloni kuptimin tuaj për dashurinë e Perëndisë në formën e kryqit dhe dëshironi ta ndani atë me të tjerët, nuk kam sesi të mos jua rekomandoj librin Qielli, Si arrita këtu.
Përktheu: Asim Hamza
Redaktoi: Linea Simeon