×

Një ditë kur isha në universitet, Clyde Kilby, mësuesi im i preferuar i anglishtes tha diçka të tillë: “Një prej tragjedive më të mëdha të rënies është që ne lodhemi me lavditë e njohura”.  Kjo deklaratë e thjeshtë, m’u ngulit thellë në ndërgjegjen time. Më trishtoi, pasi e dallova sa sipërfaqësor dhe joreagues isha ndaj shumë prej mrekullive përreth meje. Më mbushi me një ëndje për të mos qenë i tillë. Nuk dëshiroja që të shkoja në Alpe, të mahnitesha për nja dy ditë dhe në fund të javës të isha duke parë televizor në kabinë. U pendova për aftesinë time që kam qenë i mërzitur e duke mu hapur goja gjatë “Korit Haleluja” të Handelit.

Kjo do të thotë se e përbuz mendimin e të folurit për lavdinë e Perëndisë në një mënyrë që është shumë familjare, e thatë apo klishe, se sa të mos zgjojë një ndjesi mahnitjeje. Sigurisht, e kuptoj që vetëm Perëndia mund të zgjojë një mahnitje të vërtetë me lavdinë e Tij. Kilby kishte të drejtë, rënia na ka lënë shumë të mangët në mënyrën se si funksionojmë emocionalisht. Ne ngazëllohemi nga vogëlsira dhe mërzitemi prej madhështisë. Ne sitim dhe admirojmë mushkonjën dhe kapërdijmë devenë e lavdisë, pa e vënë re. Megjithatë, nëse mundem, dëshiroj të përdor një gjuhë që na ndihmon të shohim se çfarë është lavdia e Perëndisë. Prandaj, kjo është arsyeja e përpjekjes për të gjetur fjalë të tjera përveç lavdisë, si për shembull denjësia, bukuria, vlera dhe shkëlqesia.

Shenjtëria e shfaqur publikisht

Kuptimi që kam unë për lavdinë e Perëndisë është formuar thellësisht prej marrëdhënies së saj me shenjtërinë e Perëndisë. Kam në mendje mënyrën se si shprehet kjo marrëdhënie tek Isaia 61:3

“Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin. Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte. Njeri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte: “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij!”

Pse nuk tha profeti: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me shenjtërinë e Tij”? Sugjerimi im është që lavdia e Perëndisë është shenjtëria e Tij e shfaqur. Kur shenjtëria e Perëndisë shkëlqen në krijim, quhet “lavdia e Perëndisë”.

Në një klasë më vete

Kjo shtron pyetjen rreth kuptimit të lavdisë së Perëndisë në lidhje me shenjtërinë e Perëndisë. Kuptimi bazë i fjalës së Dhjatës së Vjetër për ‘i shenjtë’ (hebraisht chadōsh) është ideja e të qenurit i veçuar; i ndryshëm dhe i veçuar nga diçka. Kur përdoret për Perëndinë do të thotë se shenjtëria e Perëndisë është një veçim nga gjithçka tjetër që nuk është Perëndia. Kjo pra do të thotë se Ai është në një klasë më vete. Sikurse të gjitha gjërat e mira të cilat janë të rralla; sa më e rrallë të jetë, aq më e vlefshme është. Prandaj, Perëndia është i një vlere supreme.

Këtë kuptim të shenjtërisë e shohim në dy shembujt e mëposhtëm:

Së pari, kur Moisiu e goditi shkëmbin në vend që t’i fliste atij, ashtu sikurse e kishte udhëzuar Perëndia, Perëndia i tha: “Meqenëse nuk më besuat për të më mbuluar me lavdi para syve të bijve të Izraelit, ju nuk do ta futni këtë asamble në vendin që unë u dhashë atyre” (Numrat 20:12, shiko 27:14). Me fjalë të tjera, kur Moisiu nuk i besoi Perëndisë, nuk e trajtoi sikur të ishte në një klasë unike pushteti dhe besueshmërie madhështore. Ai e trajtoi Perëndinë sikurse një person tjetër të zakonshëm, të cilit mund të mos i zësh besë duke menduar që nuk është i gatshëm apo i aftë të bëjë atë që ka thënë. Perëndia nuk është i zakonshëm. Ai nuk është si të tjerët. Ai është i Shenjtë!

Rënia na ka lënë shumë të mangët në mënyrën se si funksionojmë emocionalisht.

Shembulli i dytë është tek Isaia 8:12-13. Perëndia i thotë Isaias:

“Mos quani përbetim të gjitha ato që ky popull i quan përbetim, mos kini frikë nga ajo që ai druan dhe mos u trembni. Zotin e ushtrive, atë duhet të shenjtëroni. Ai të jetë frika juaj, tmerri juaj.”

Me fjalë të tjera, mos e fusni Perëndinë në të njëjtin grup si të gjitha frikërat dhe tmerret tuaja të tjera. Trajtojeni atë si një frikë dhe tmerr krejtësisht unik. Veçojeni Atë nga të gjitha frikërat dhe tmerret tuaja të zakonshme.

Ja pra se si e konceptoj unë shenjtërinë e Perëndisë. Perëndia është aq i veçuar, aq i lartësuar, aq i dallueshëm nga gjithçka tjetër, nga gjithçka që nuk është Perëndi; saqë Ai është vetë-ekzistues, vetë-mbështetës dhe i vetë-mjaftueshëm. Në këtë mënyrë, Ai është pafundësisht i plotë, i përmbushur dhe i përsosur në veten e Tij. Ai është i veçuar dhe jashtëzakonisht i lartësuar, nga dhe mbi çdo gjë që nuk është Perëndi. Ai nuk u soll në ekzistencë nga ndonjë gjë jashtë vetes së Tij. Prandaj, Ai është vetë-ekzistues. Ai nuk varet nga asnjë gjë për ekzistencën e Tij të vazhdueshme; Ai është vetë-mbështetës. Prandaj, Ai është krejtësisht i vetë-mjaftueshëm, I plotë, i përmbushur, i përsosur.

Bibla e bën të qartë se ky Perëndi vetë-ekzistues, vetë-mbështetës dhe i vetë-mjaftueshëm, ekziston si tre persona hyjnorë në një esencë hyjnore. Prandaj, Ati e njeh dhe e do Birin në mënyrë të përsosur, të plotë dhe të pafundme; edhe Biri e njeh dhe e do Atin në mënyrë të përsosur, të plotë dhe të pafundme. Gjithashtu edhe Fryma i Shenjtë është shprehja e përsosur, e plotë dhe e pafundme e dashurisë që Ati dhe Biri kanë për njëri-tjetrin. Kjo bashkësi e përsosur trinitare është thelbësore për plotësinë dhe përsosmërinë e Perëndisë. Nuk ka asnjë mungesë, asnjë mangësi, asnjë nevojë; ka thjesht plotësi, përmbushje dhe vetë-mjaftueshmëri të përsosur.

Realiteti suprem

Prandaj, kur Bibla shpalos lavdinë e Perëndisë si synimin e gjithçkaje që Perëndia bën, kjo është një mënyrë tjetër për të thënë se denjësia dhe bukuria e pafundme e Perëndisë, apo vlera dhe shkëlqesia e Tij e pafundme është realiteti suprem në gjithësi. Kjo është në fakt ajo çfarë gjejmë në Bibël.

Nga fillimi në fund, Perëndia na thotë dhe na tregon se synimi i Tij përfundimtar në gjithë sa bën është të komunikojë lavdinë e Tij që bota ta shohë dhe që populli i Tij ta admirojë, ta shijojë dhe lëvdojë.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Asim Hamza; Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet