×
Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Asim Hamza / Redaktoi: Linea Simeon

Shumë të krishterë kanë një pikë shqetësuese verbërie dhe kjo gjë e zvogëlon si dobinë e tyre për Perëndinë, ashtu dhe gëzimin në jetën e tyre. Duke qenë se kam qenë pastor për shumë vite, e kam parë këtë pikë të verbër herë pas here. E kam parë në veten time. Edhe pse të krishterët me të drejtë e kremtojnë faljen e mëkateve të shkuara dhe sigurinë e qiellit në të ardhmen, ata nuk kanë aq shumë dallim për të tashmen. Në mënyrë të veçantë, duket se tani ata janë të pavetëdijshëm rreth pasurive të jetës në Krishtin.

Si të krishterë, jemi të lidhur në mënyrë jetësore me Krishtin në një nivel shumë të thellë. Apostulli Pal e thekson këtë pikë herë pas here, në një frazë shumë të thjeshtë, por shpesh të anashkaluar. Jo më pak se 164 herë, Pali u referohet të krishterëve si njerëz ‘në Krishtin’ apo ‘në Të, ‘në Perëndinë’ ose ‘në Zotin’. Kjo është një frazë që të mundon, por që është plot me rrjedhoja rrëqethëse për jetët e të krishterëve.

Krishti në ju

Shumë gjëra varen nga mënyra se si e interpretojmë parafjalën ‘në’. Nga ana gramatikore ka të ngjarë që kjo parafjalë specifikon vendndodhjen. Si të krishterë, jetët tona janë vendosur në Krishtin.

Për të vënë në pah kuptimin e plotë të mësimit të Palit, merrni në konsideratë një frazë të ngjashme: ‘në Kaliforni’. Si vendës i Kalifornisë, mund të dëshmoj se çfarë do të thotë kjo. Ata që vijnë në Kaliforni, përjetojnë saktësisht atë që thotë broshura: një jetë plot diell, rërë dhe sërf. Të jetosh ‘në Kaliforni’ do të thotë të zhytesh në kënaqësitë e Shtetit të Artë, aq sa ato kënaqësi bëhen pjesë e jotja. Kalifornia të hyn në gjak. Të jesh ‘në Kaliforni’ do të thotë të përjetosh Kaliforninë brenda teje.

Pra, është e njëjta mënyrë, të jesh në Krishtin, do të thotë të përjetosh Krishtin brenda teje.

Një shembull tjetër që mund të japim është duke prezantuar një analogji nga elektriciteti. Çdo elektricist mban me vete një kuti veglash të mbushur me spina dhe priza. Dhe çdo elektricist e kupton marrëdhënien mes spinave dhe prizave. Kur një spinë futet në prize, nuk i jep asnjë gjë prizës; përkundrazi, priza është ajo që i jep gjithçka spinës. Ajo dërgon një rrymë elektriciteti që rrjedh përmes spinës.

Edhe pse të krishterët me të drejtë e kremtojnë faljen e mëkateve të shkuara dhe sigurinë e qiellit në të ardhmen, ata nuk kanë aq shumë dallim për të tashmen. Në mënyrë të veçantë, duket se tani ata janë të pavetëdijshëm rreth pasurive të jetës në Krishtin.

Si të krishterë, ne jemi spina dhe Krishti është priza. Të jesh në Krishtin, do të thotë të lidhesh me Të, jo me idenë se ne i japim ndonjë gjë Krishtit, por në kuptimin që Ai na jep gjithçka ne. Në momentin e kthimit në besim, kur përmes besimit ia dorëzojmë jetën tonë Jezu Krishtit, Ai dërgon një rrymë brenda nesh të asaj se çfarë Ai është në thelb, një rrymë elektrike të dashurisë, fuqisë, paqes dhe drejtësisë së Tij; në të vërtetë Ai dërgon një rrymë të vetë jetës së Tij. Sipas Palit, kur Krishti banon në zemrat tona, ne jemi “mbushur me gjithë plotësinë e Perëndisë” (Efesianëve 3:19).

Ky është një afirmim surprizues. Sigurisht që vetëm Perëndia mund të mbushet me gjithë plotësinë e Tij. Të sugjerosh që edhe ne mund të mbushemi me këtë plotësi, tingëllon pothuaj si blasfemi, vetëm se kjo është dokumentuar në Shkrimet e frymëzuara prej Perëndisë. Të jesh në Krishtin, do të thotë të mbushesh me gjithë plotësinë; me gjithë plotësinë e pafundme të vetë Perëndisë.

Fuqia e brenda-banimit të Krishtit

Sërish, kjo është një pikë e verbër për shumë të krishterë. Në vend që të kremtojmë plotësinë tonë, ne shpesh biem pre e mangësive që ndiejmë. Ne ndihemi të paaftë dhe të pasigurt. Shqetësohemi prej frikës, fajit dhe vetmisë. Ne shqetësohemi për humbjet që mund t’i përjetojmë nesër; humbjen e reputacionit dhe marrëdhënieve, pushtetit dhe zotërimeve, shëndetit dhe lumturisë. Ne nuk na zë gjumi, irritohemi lehtë dhe zhytemi në dëshpërim; por si është e mundur kjo për njerëz që janë mbushur me gjithë plotësinë e Krishtit? Asnjë gjë që mund të na hedhë bota në shtegun tonë nuk mund ta dobësojë sadopak jetën që zotërojmë në Krishtin. Nëse do të humbisnim gjithçka që ka domethënie për ne, sërish kemi për të qenë njerëz brenda të cilëve banon plotësia e pafundme.

Plotësia e jetës është mister për botën, por nuk duhet të jetë kështu për të krishterët. Për shenjtorët në Krishtin ‘misteri tani është zbuluar’ (Kolosianëve 1:26), një mister ky të cilin Pali e distilon me tre fjalë: ‘Krishti në ju’ (Kolosianëve 1:27).

Të jesh në Krishtin, do të thotë të lidhesh me Të, jo me idenë se ne i japim ndonjë gjë Krishtit, por në kuptimin që Ai na jep gjithçka ne.

Krishti që banon te besimtari: është ndoshta e vërteta kulmore e krishterimit. Kjo, në fakt, theksohet pothuaj në të gjitha letrat e Palit. Shihni për shembull, Galatasve 2:20, 4:19; 2 Korintasve 4:6 dhe Romakëve 8:10-11. Sipas Palit, Krishti ka bërë diçka jo vetëm për ne (na ka falur mëkatet e shkuara dhe na ka siguruar të ardhmen në qiell), por Ai gjithashtu ka bërë edhe diçka në ne (Ai ka fuqizuar të tashmen).

Pali na inkurajon që të pajtohemi me këtë realitet. “A thua nuk e njihni vetveten se Jezu Krishti është në ju?” (2 e Korintasve 13:5) “A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?” (1 Korintasve 3:16)

Nëse do ta kuptonim me të vërtetë plotësinë e Krishtit që banon në zemrat tona, nuk do të dekurajoheshim aq kollaj. Nuk do të tulateshim nga opinionet e të tjerëve e nuk do të na kapte ankthi për të nesërmen. Përkundrazi, do të dinim që jemi të mbushur me burimet e pafundme të jetës së Krishtit. Nuk do të na lëshonte kurrë zemra, do të ishim më tepër se fitimtarë.

Krishti që banon te besimtari: është ndoshta e vërteta kulmore e krishterimit.

Kjo e vërtetë madhështore, i hap udhë një prej lutjeve më pasionante të Palit: “Po i ul gjunjët e mi përpara Atit [dhe lutem]… që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës së Tij në njeriun e brendshëm.” (Efesianëve 3:14-17). Apostulli vazhdon me një përgjërim edhe më të zjarrtë: “Që Perëndia t’ju japë ‘fuqi që të mund të kuptoni’ se çfarë do të thotë ‘të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë’” (Efesianëve 3:18-19).

Kur e kuptojmë se kush jemi në Krishtin dhe kush është Krishti në ne, çlirohemi nga ndjesia e mangësive tona, inkurajohemi nga prania e Frymës së Tij dhe përgatitemi për të zbuluar gëzimin e dobisë gjithnjë në rritje për Perëndinë, që “sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë” (Efesianëve 3:20).

Për shumë të krishterë, jeta në Krishtin është një realitet që vlerësohet shumë pak. Kjo ka shumë të ngjarë të jetë e vërteta më e rëndësishme dhe më pak e njohur e krishtërimit.

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet