×

Si merr formë dashuria e bashkëshortit prej kryqit

Burri (bashkëshorti) është një prej krijimeve më të mëdha të Perëndisë, i pajisur për të shkëlqyer një dritë të fortë në botë për Perëndinë. Ai është thirrur që të ndriçojë mjedisin përreth tij. Si? Duke riprodhuar në martesën e tij shkëlqimin e lavdisë së Perëndisë.
Pak bashkëshortë e kuptojnë natyrën e plotë të thirrjes së tyre, por në vend të kësaj thjesht e imagjinojnë veten që janë bashkuar me bashkëshortet e tyre për kënaqësitë e dashurisë romantike, për interesat e përbashkëta dhe për rritjen e fëmijëve. Deri në një farë mase, kjo është e vërtetë, por martesa përfshin shumë më tepër se sa përmbushjen reciproke. Në Bibël bashkëshortët dhe bashkëshortet bashkohen për një qëllim përtej vetes së tyre: për të përhapur lavdinë e Perëndisë në një botë të errët.
Në mënyrë të veçantë, bashkëshorti është thirrur ta përhapë këtë lavdi.

Nuk ka thirrje më të lartë

Për këtë qëllim, apostulli Pal jep një udhëzim të jashtëzakonshëm: “Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të” (Efesianëve 5:25). Bashkëshortët duhet t’u tregojnë bashkëshorteve të tyre, të njëjtën dashuri që edhe Krishti tregoi për anëtarët e familjes së Tij, kishës.

Nuk mund të ketë një thirrje më të lartë.

Kush mund ta matë dashurinë vetë-sakrifikuese të Krishtit? Ajo mbush një humnerë tepër të gjerë, që e ka fillesën e saj në përsosmëritë e qiellit dhe zbret deri në shëmtitë e kalvarit. Nuk është e habitshme që Pali lutet për forcë për të kuptuar gjerësinë, gjatësinë, lartësinë dhe thellësinë e kësaj dashurie (Efesianëve 3:18). Bashkëshortët janë thirrur në mënyrë unike për ta njohur këtë dashuri dhe për ta aftësuar bashkëshorten e tyre ta njohin këtë dashuri të pashoqe.

Enë e përshtatshme, rezervuar i gjerë

Si është e mundur të japësh një dashuri kaq të madhe? Jo çdo njeri mund ta bëjë këtë. Bashkëshortëve të krishterë, Perëndia u ka dhenë një dhunti të veçantë. I ka pastruar prej mëkatit, përmes gjakut të Jezusit, tani janë bërë enë të përshtatshme brenda të cilave të banojë Krishti. Dhe kur Krishti banon brenda bashkëshortëve, i transformon ata në shëmbëllimin e Tij nga njëra lavdi në tjetrën (2 e Korintasve 3:18), duke derdhur dashurinë e Tij në zemrat e tyre (Efesianëve 3:17). Përmes punës së brendshme të Frymës, bashkëshortët e krishterë mund të furnizohen prej rezervuarit të gjerë të dashurisë së Krishtit dhe pastaj ta derdhin këtë dashuri te bashkëshortet e tyre.

Avancimi me tre faza

Pra, si duket kjo dashuri? Për këtë duhet t’i marrim idetë nga vetë Jezusi, dashuria e të cilit shpaloset në një avancim me tre faza:

1. Dashuria sheh thellë.

Së pari, dashuria e Krishtit sheh thellë. Ai na ekzaminon me shikimin e Tij depërtues, duke shkuar përtej petkut të jashtëm, deri në brendësi të zemrave tona. Atje, Ai identifikon problemin tonë më të madh: në mëkatin tonë, ne neglizhojm Perëndinë dhe si rrjedhim, jemi ndarë prej Krijuesi ynë.

Në mënyrë të ngjashme, një bashkëshort brenda të cilit banon Krishti, mund “të mësojë” në lidhje me bashkëshorten e tij, duke e kërkuar Zotin me lutje që t’i zbulojë se çfarë e motivon bashkëshorten e tij në thellësitë e shpirtit të saj, çfarë i shpjegon prirjet e saj, çfarë i sjell gëzim, çfarë e provokon trishtimin e saj dhe mbi të gjitha, cila është nevoja e saj më e thellë. Kjo është dashuria e Krishtit te bashkëshorti: ajo është një dashuri që sheh thellë.

2. Dashuria vepron shpejt.

Së dyti, dashuria e Krishtit vepron shpejt. Jezusi jo vetëm që ekzaminon zemrat tona dhe identifikon nevojat tona, por Ai nuk vonon që t’i trajtojë ato. Duke mos u mbajtur fort pas të qënurit i barabartë me Perëndinë, Jezusi bëri krejt të kundërtën: Ai dha veten e vet. Me një dashuri që zbraz veten, Ai na shërbeu në pikën e nevojës tonë më të thellë (Filipianëve 2:6-7).

Në mënyrë të ngjashme, një bashkëshort tek i cili banon Krishti, i konsideron nevojat e bashkëshortes së tij më urgjente se nevojat e tij. “Do të kujdesem për shqetësimet e saj, përpara se të merrem me të miat”; “Do t’i lë mënjanë interesat e mia, derisa të plotësoj interesat e saj”. Kjo është dashuria e Krishtit te bashkëshorti: ajo është një dashuri që vepron shpejt.

3. Dashuria e derdh veten plotësisht.

Së treti, dashuria e Krishtit u derdh plotësisht. Ai identifikon dhe përmbush nevojën tonë më të madhe, por nuk ndalon aty: “Nga kjo e kemi njohur dashurinë: Ai e dha jetën e vet për ne” (1 e Gjoni 3:16). Për të plotësuar nevojën tonë më të madhe, për të na shpenguar nga mëkatet tona, Mbreti i Qiellit, e dorëzoi trupin dhe zemrën e Tij që të kryqëzoheshin mbi trarët e një kryqi të shëmtuar. Ai e zbrazi veten plotësisht.

Për bashkëshortin, njera anë është që të shohë se çfarë ka nevojë bashkëshortja, por nga ana tjetër duhet që të bëjë diçka rreth kësaj.Gjithashtu, është gjë krejt tjetër të bëjë çfarëdo që të kërkohet për ta plotësuar nevojën e saj, deri në pikën e dhënies së jetës për tij për të. Kjo është dashuria e Krishtit tek një bashkëshort: ajo është një dashuri që e zbraz veten plotësisht.

Për ta thënë me pak fjalë, një bashkëshort i krishterë, e lë mënjanë jetën e tij në mënyrë që të ngrejë lart jetën e gruas së vet. Ai e trajton jetën e saj sikur të ishte e tij. Ai e bën jetën e saj, nevojat, interesat, pikëllimet dhe gëzimet e saj, shqetësimin e tij parësor.

Praktikimi i dashurisë së kryqit

Prandaj, udhëzimi që Pali u jep bashkëshortëve: “Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën” (Efesianëve 5:25), nuk ka se si të jetë më radikal. Për të prodhuar një dashuri me formën e kryqit, të marrësh jetën e bashkëshortes dhe ta bësh tënden, të shohësh thellë, të veprosh shpejt dhe ta zbrazësh veten plotësisht; përfaqëson një dashuri e cila gjendet shumë larg aspiratave të shumicës së bashkëshortëve.

Megjithatë, për Palin, kjo dashuri është edhe më radikale se kaq. Çfarë e motivoi dashurinë e Krishtit për ne në mënyrë të mrekullueshme; nuk ishte që ishim natyrshëm tërheqës, por në fakt ishin mangësitë tona të natyrshme. Ishte trashëgimia jonë e pistë, e shkuara jonë e neveritshme, mospërputhjet tona të mërzitshme, egoizmi dhe mëkati ynë ishin ato që e shtynë Atë të jepte jetën e vet për ne.

Një bashkëshort tek i cili banon dashuria e Jezusit, do investojë në bashkëshorten e tij, jo për tiparet e saj tërheqëse, por për zakonet e saj të mërzitshme. Ai do të marrë dhe mbartë barrët e saj të shëmtuara. Sikurse vëzhgon edhe C. S. Ljuis në librin e tij The Four Loves (Katër Dashuritë), vështirë se ky është bashkëshorti “që duhet të dëshirojmë të jemi të gjithë”; përkundrazi, ky është ai, martesa e të cilit “i ngjan më tepër kryqëzimit; në të cilën bashkëshortja e tij merr më tepër dhe jep më pak, është më e padenjë për të, është në vetë natyrën e saj, më pak e dashur”. Bashkëshorti i krishterë hedh mbi supet e tij gjërat që e rëndojnë bashkëshorten e tij; pasiguritë e saj, gjendjen e saj të luhatur, temperamentin e saj nevrik, fajin e saj që e bezdis, frikërat e saj të vazhdueshme, mëkatin e saj. Ai jep veten, për ta ngritur bashkëshorten lart.

Dy motive të mëdha

Çfarë do ta motivojë bashkëshortin që ta zbrazë veten në këtë mënyrë? Ka dy realitete të jashtëzakonshme:

1. Lavdia e Perëndisë.

Së pari, kemi sigurinë që shprehja e dashurisë në martesë do t’i sjellë lavdi Perëndisë. Çfarë mund të jetë më ngazëlluese për sytë e lodhur të botës, se sa të shohin një burrë që ta trajtojë me dinjitet gruan e tij duke investuar në mirëqenien e saj? Fëmijët që lindin në atë lidhje, fqinjët që ecin në të njëjtën rrugicë me atë çift, kolegët që dëshmojnë atë dashuri; të gjithë do të ndikohen dhe ndoshta do të transformohen nga një shpalosje e përbërësit, të cilin shoqëria jonë e fiksuar pas vetes e kërkon me aq dëshirë: dashuria vetë-sakrifikuese. Ta shohësh këtë gjë tek një bashkëshort ndaj bashkëshortes së tij, ka për ta përlëvduar burimin e asaj dashurie që është vetë Perëndia.

2. Bukuria e saj.

Së dyti, një bashkëshort që e do bashkëshorten e tij, edhe sikur jeta e saj të ishte e tij, nuk është se kjo i bën dëm vetes së tij. Një dashuri e tillë, mbart një premtim spektakolar. Ashtu sikurse dashuria e Krishtit e transformon kishën, kështu edhe dashuria e Krishtit tek një bashkëshort e transformon bashkëshorten e tij. E ngre atë mbi të zakonshmen, e pastron atë nga ndotjet e së shkuarës, largon çdo rrudhë prej saj dhe e bën të jetë e panjollë (Efesianëve 5:26, 27). Sikurse zbulon shpejt edhe bashkëshorti, ajo që e përmirëson bashkëshorten e tij nuk është korrigjimi apo kritikat e tij, por dashuria vetë-sakrifikuese. Ashtu si thjesht tha edhe Ljuis: “Ai nuk e sheh, por e bën gruan e tij të dashur”. Shumë larg të qënurit një detyrë e vështirë, dashuria jonë vetë-sakrifikuese i sjell më tepër dobi bashkëshortit: “Kush do gruan e vet do vetveten” (Efesianëve 5:28).

Dashuria e Krishtit është një agjent i pushtetshëm që ndryshon në mënyrë të veçantë martesat tona. Kjo i transformon bashkimet tona martesore nga njëra lavdi te tjetra. Një bashkëshort i varur te Perëndia është më së pari përgjegjës për ta mbushur martesën me dashurinë e Krishtit. Sa gjë e jashtëzakonshme që është një bashkëshort i perëndishëm, ai është kanal i dashurisë me formën e kryqit, jo vetëm për bashkëshorten e tij, por së bashku përmes martesës së tyre janë kanal i kësaj dashurie për të gjithë botën.

 

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Asim Hamza

Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet