×

Të dielën e kaluar, pas bekimit përmbyllës, predikuesi ynë ia dha mikrofonin Kathy-t. Dy javë më parë gjyshi i saj ishte rrëzuar në kishë dhe kështu përfundoi në spital. Kathy dëshironte t’i falënderonte të gjithë ata që e kishin ndihmuar të kujdesej për ‘gjyshin’ atë ditë dhe gjithashtu të vinte në dijeni se ai ishte duke e marrë veten mirë.

Kathy e sjell gjyshin në kishë çdo javë. Ajo e mban nga krahu ndërsa ecin, e ndihmon të ulet dhe të ngrihet, dhe i tregon në buletin se në cilën pikë të shërbesës jemi.

Përkujdesja plot dashuri e Kathy-t, tregon se ka ndikuar në të gjithë kishën tonë. Të tjerët tani janë bërë më të vëmendshëm ndaj gjyshit të saj dhe ndaj anëtarëve të tjerë të moshuar në kishën tonë. Javët kur Kathy çohet dhe luan piano, tani njerëz të tjerë zgjaten për t’i treguar gjyshit të saj se cilën këngë jemi duke kënduar. Kur një i moshuar ka vështirësi për t’u çuar, njerëzit e vënë re dhe e ndihmojnë.

Kush është familja juaj?

Disa njerëz argumentojnë se duhet ta shohim kishën si “familjen tonë të parë”. Sigurisht që Jezusi e ri-fokusoi anëtarësinë në familjen e Perëndisë: “Tani kushdo mund t’i bashkohet familjes jo përmes lidhjeve të gjakut, por përmes besimit në Jezusin” (Gjoni 1:12-13, Galatasve 3:6-9). Familja e Perëndisë rritet më së pari përmes përhapjes së ungjillit, jo përmes lindjes së fëmijëve (Mateu 28:19-20). Si rrjedhim, ata që nuk kanë bashkëshort/bashkëshorte apo fëmijë, kanë një vend të çmuar dhe një qëllim në familjen e besimit (Mateu 19:1-12, 1 Korintasve 7:32-35).

Në rastin kur ka besnikëri që kundërshton Jezusin, Ai thotë: “Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im” (Luka 14:26). Nëse jemi të detyruar të zgjedhim është më mirë të qëndrojmë vetëm me familjen e Perëndisë, se sa të largohemi për hir të gjetjes apo të pëlqyerit të një familjeje tokësore.

Kishat dhe familjet duhet të jenë bashkëpunëtorë, në vend që të jenë konkurrente.

Jezusi dhe ndjekësit e Tij, në mënyrë të qartë, i vlerësojnë edhe familjet natyrore. Jezusi i afirmoi urdhërimet, iu bëri thirrje njerëzve të ishin besnikë në martesë (Mateu 19:1-9) dhe të nderonin prindërit e tyre (Marku 7:9-13). Apostujt thanë se ishte mirë që njerëzit të martoheshin dhe të kishin fëmijë (p.sh. 1 Korintasve 7:8-9, 1 Timoteu 5:14). Ata ende u shkruajtën njerëzve si bashkëshortë dhe bashkëshorte, prindër dhe fëmijë.

E gjithë kjo më ka bindur që kishat dhe familjet duhet të jenë bashkëpunëtorë, në vend që të jenë konkurrente.

Familja: Një model

Marrëdhëniet e natyrshme familjare sigurojnë modelin për marrëdhëniet brenda familjes së Perëndisë. Kur Jezusi shpalli që: “Sepse kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë” (Mateu 12:50), Ai ishte duke përdorur kategori të mirënjohura marrëdhëniesh. Në mënyrë të ngjashme, Pali këshilloi: “Mos e qorto ashpër një plak, por këshilloje si atë” (1 Timoteu 5:1-2). Ne e dimë si t’i trajtojmë të tjerët sikur të ishin vëllai, motra, nëna apo babai ynë, vetëm nëse i kuptojmë dinamikat e këtyre marrëdhënieve të ndryshme në familjen bazë.

Në kohët e Biblës, familja ishte shumë më tepër se një sferë përkujdesjeje private: ajo ishte një njësi prodhimtarie që përfshinte disa breza. Nancy Pearcey shpjegon në librin saj Love Thy Body (Duaje trupin tënd):

Përpara Revolucionit Industrial, familja luante një sërë funksionesh praktike. Ky ishte vendi ku njerëzit edukonin fëmijët, kujdeseshin për të sëmurët dhe pleqtë, organizonin biznesin familjar, u shërbenin konsumatorëve dhe komunitetit, dhe prodhonin diçka shtesë për të ndihmuar të varfërit. Familja i shërbente shoqërisë më të gjerë.

Në mënyrë të ngjashme, t’i përkasësh “familjes së Perëndisë” (1 Timoteu 3:15), do të thotë shumë më tepër se thjesht të kalojmë kohë cilësore së bashku. Do të thotë që njerëz nga të gjitha brezat punojnë së bashku krah për krah në punën e familjes: në demonstrimin e dashurisë së Jezusit si me fjalë ashtu dhe me vepra.

Familja: Një shkollë

Trajnimi më i mirë praktik që kam marrë për shërbesën me fëmijët ka qenë mëmësia. Në të njëjtën mënyrë e pa edhe Pali atësinë, si një mjedis të mirë trajnimi dhe sprove për udhëheqjen e kishës: “Në qoftë se dikush nuk di të qeverisë familjen e vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë?” (1 Timoteu 3:5)

Ndërveprimet tona të përditshme në familje, na detyrojnë të praktikojmë aftësitë ndërpersonale si komunikimi i qartë, dëgjimi dhe theksimi, vendosja e pritjeve realiste, motivimi i të tjerëve dhe ndihma që u japim për të trajtuar zhgënjimin, për të zgjidhur konfliktet dhe për t’u pjekur. Jeta në familje na pajis për të shërbyer në kishë.

Familja: Një rrjet përkujdesjeje

Përveç mbledhjes së individëve, kishat sjellin bashkë edhe grupe familjare. Në rrethana normale, familja jonë natyrore, ende ka për të qenë burimi ynë parësor i kujdesit praktik.

Kisha e hershme priste që për vejushat të kujdeseshin familjet e tyre:

Por në qoftë se një e ve ka djem a nipa, këta le të mësojnë më parë të tregojnë perëndishmëri ndaj atyre të familjes së vet dhe t’ua shpërblejnë prindërve të tyre…Por në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar. (1 Timoteu 5:4-8)

Edhe si anëtarë të kishës, ka ende lidhje përkujdesjeje dhe përgjegjësie ndaj të cilave jemi ende të obliguar. Prindërit mbajnë përgjegjësinë përfundimtare për t’u kujdesur për fëmijët e tyre; fëmijët mbajnë përgjegjësinë përfundimtare për t’u kujdesur për prindërit dhe gjyshërit e tyre të moshuar. Kishat duhet t’i nderojnë dhe t’i mbështesin këto lidhje.

Familja: Një bazë misioni

Fillimisht, shumica e kishave u takuan nëpër shtëpi: familjet ishin baza misioni. Familje të tëra dëgjuan, besuan dhe e përhapën ungjillin së bashku (p.sh. Veprat 16:30-34, Romakëve 16:10-15).

Familja është ende vendi ku ndodh një pjesë e madhe e misionit të kishës. Shtëpia është vendi ku ushtrojmë mikpritjen; është vendi ku gatuajmë vakte për ata që janë në nevojë; shtëpia është vendi ku e ndajmë besimin tonë, me fjalë dhe vepra, me ata që janë më të afërt për ne; shtëpia është vendi ku brezi tjetër mëson udhët e Perëndisë.

Familjet e krishtera duhet të jenë të forta në thelb, por fleksibël rreth skajeve. Marrëdhëniet e forta brenda familjes, mes bashkëshortit dhe bashkëshortes, prindërve dhe fëmijëve, brezave të vjetër dhe të rinj, e aftësojnë një familje ta zgjerojë komunitetin e vet të dashur për të përfshirë edhe të jashtmit.

Teologu Alastair Roberts e përshkruan në këtë mënyrë:

Gjuha e ‘familjes’ për kishën, varet shumë te fakti që kisha të jetë e përbërë nga familje natyrore. Ajo që i jep kishës boshtin e komunitetit, shpesh janë familjet që janë hapur për mbretërinë e Perëndisë. Kjo i jep kishës një kapacitet të madh për të funksionuar si një familje e zgjeruar.

Kishat tona do të bëhen më të forta, jo duke e denoncuar dashurinë për familjen si ‘idhujtare’, por duke ju bërë thirrje familjeve ta hapin veten ndaj përparësive të ungjillit.

Kisha: Një familje e re?

Në shumicën e rasteve, kisha nuk ka për ta zëvendësuar familjen tonë bazë. Përkundrazi, ne duhet të mësojmë ta lejojmë ungjillin që t’i riorientojë marrëdhëniet tona familjare dhe pastaj këto prioritete kanë për ta forcuar kishën.

Si adoleshente, erdha vetëm në familjen e Perëndisë: shkoja vetë në kishë, ndërsa familja ime qëndronte në shtëpi. Atje gjeta një familje të dashur frymërore, e cila më mikpriti dhe më tregoi udhët e Perëndisë. Ndërkohë vazhdoja të isha motër, bijë dhe mbesë në familjen time bazë.

Çdo të dielë, ndërsa unë shkoja në kishë, familja ime e gjakut qëndron ende në shtëpi. Megjithatë, unë nuk shkoj më vetëm. Me kalimin e kohës, Perëndia më bekoi me një bashkëshort dhe fëmijë që e duan Jezusin. Lutem që një ditë Perëndia do të më japë edhe një mbesë si Kathy, qoftë frymërore apo fizike, e cila do të më marrë për krahu kur të jem plakur dhe të më çojë në kishë.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Asim Hamza; Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet