×

Të vërteta të vështira për t’u pranuar nga prindërit modernë

Më shumë nga Harriet Connor

Nëse studimet janë të sakta, prindërimi modern është në krizë. Këtë gjë e tregojnë edhe titujt e librave të fundit, The Collapse of ParentingToxic Childhood dhe Spoonfed Generation. Pavarësisht dëshirës dhe kohës së investuar për t’u dhënë fëmijëve tanë një fëmijëri të përsosur, në fakt duket se po rrisim një brez të papajisur në shumë aspekte për jetën në botën reale.

Problemi nuk qëndron te mungesa e informacionit. Jo, problemi për prindërit e sotëm është se ne e kemi hequr vëmendjen nga tabloja e madhe apo qëllimi kryesor. Mund t’ju flasim me kënaqësi rreth pikëpamjeve tona në lidhje me ushqyerjen me biberon, kujdesin për fëmijët, disiplinimin, kohën përpara ekranit apo konsumimin e sheqerit. Gjithsesi vetëm pak prej nesh mund të thotë saktësisht se cili është qëllimi ynë apo se si po planifikojmë ta arrijmë atë.

Në një periudhë kohe kur ndihesha një prind i shqetësuar dhe pa qëllim, iu drejtova Biblës. Mençuria e lashtë e saj rezultoi se ishte kundërhelmi i përsosur për problemet që shqetësojnë prindërit modern si unë. Bibla përmban lajme të mira për prindërit, por gjithashtu na përball me disa të vërteta, të cilat janë të vështira për t’u pranuar. Ja ku janë tre prej tyre:

1. Ne jemi përgjegjës për edukimin e tyre moral

Në ditët e sotme, prindërit janë gjithnjë dhe më pak përgjegjës për edukimin moral të fëmijëve të tyre. Në jetën tonë plot angazhime, ne përpiqemi të sigurojmë kohën dhe energjinë që na kërkon puna. Nuk është çudi pritshmëria që kemi për shkollat e fëmijëve tanë që të përmbushin boshllëqet që ne nuk arrijmë t’i plotësojmë.

Është e lehtë të devijojmë brenda një bote të zhurmshme të këshillave për prindërimin.

Në një studim të kohëve të fundit, të quajtur ‘Fëmijët që duam të rrisim’, 80 për qind e të rinjve të anketuar treguan se e vlerësojnë lumturinë ose arritjet personale, më shumë se sa të kujdesurit ndaj të tjerëve. Kjo përgjigje i tronditi prindërit e tyre, pasi ata besonin krejt të kundërtën. Është tjetër gjë të kesh vlera të caktuara dhe tjetër t’ua kalosh ato fëmijëve të tu.

Bibla i përshkruan këta fëmijë si ata që “nuk njohin as të mirën, as të keqen” (Ligji i Përtërirë 1:39). Prindërit mbajnë përgjegjësinë kryesore për t’i mësuar. Shkrimi i inkurajon prindërit ta arrijnë këtë duke këshilluar, mësuar, inkurajuar, përgatitur, korrigjuar dhe qortuar fëmijët, brenda kontekstit të një marrëdhënieje të dashur dhe mirëkuptuese.

Megjithatë, cilat janë vlerat më të rëndësishme që duhet t’ua kalojmë atyre? Është e lehtë të devijojmë brenda një bote të zhurmshme të këshillave për prindërimin.

Sipas Biblës, gjëja më e rëndësishme që duhet t’u mësojmë fëmijëve është të duan Perëndinë dhe të afërmin e tyre (Mateu 22:37-39). Çdo gjë tjetër duhet të burojë nga këto vlera themelore.

2. Ne nuk jemi përgjegjës për rehatinë e tyre të përhershme

Prindërimi modern shpesh udhëhiqet nga frika se mos fëmijët tanë vuajnë nga ndonjë gjë. Kështu, ne bëjmë të pamundurën për t’i mbrojtur ata nga vështirësia apo zhgënjimi më i vogël. Ky mentalitet mund të rezultojë në prindër dhe fëmijë të shqetësuar, të cilëve u mungon qëndrueshmëria dhe vetëbesimi.

Kur u flasim fëmijëve tanë më tepër se ç’duhet për ilaçin e rehatisë së menjëhershme, ne u mohojmë atyre mundësinë për t’u bërë të fortë ndaj vështirësive.

Krejt ndryshe, Bibla i jep përparësi zhvillimit të karakterit dhe vlerave të perëndishme, përpara rehatisë. I gjithë procesi i kalimit të vlerave tona te fëmijët—i të mësuarit atyre të duan Perëndinë dhe të afërmin—përmblidhet më së miri me fjalën ‘qortim’:

Etërit tokësorë na qortuan për pak kohë, ashtu siç e menduan, ndërsa Perëndia na qorton për të mirën tonë që ne të marrim pjesë në shenjtërinë e tij. Qortimet aty për aty duket se sjellin trishtim dhe jo gëzim, por më vonë, ata që janë ushtruar me qortimin do të shijojnë fryte paqtimi dhe drejtësie. (Hebrenjve 12:10, 11)

Vështirësia mund të jetë një mjet i fuqishëm në edukimin moral të fëmijëve tanë. Puna jonë nuk është t’i orientojmë ata në vështirësi, por t’u gjendemi pranë gjatë tyre. Kur lejojmë që ata të përjetojnë vështirësi të vogla si—zhgënjim, zemërim, mërzitje apo vonesë—në fakt jemi duke i ndihmuar të forcojnë qëndrueshmërinë e tyre, gjë e cila do t’u shërbejë më vonë gjatë jetës.

3. Vënia e dëshirave të tyre në radhë të parë është diçka e keqe për të gjithë

Prindërit modernë tentojnë t’i vënë dëshirat e fëmijëve të tyre përpara çdo gjëje tjetër, duke përshirë dhe martesën. Për çudi, kjo rezulton në prindër që ndihen të veçuar dhe të marrë si të mirëqenë, si dhe në fëmijë që gjithmonë presin të jenë në qendër të vëmendjes.

Nëse flasim për fëmijët e vegjël, sigurisht që ata kanë nevoja logjike që kërkojnë vëmendje gjatë gjithë ditës, por ndërsa rriten, ata duhet të fillojnë ta shohin veten si pjesë e një komuniteti më të madh, në të cilin nevojat dhe dëshirat e tyre janë në harmoni me ato të njerëzve përreth.

Të ndërtojmë një martesë të fortë, ndonjëherë do të thotë të vendosim dëshirat e fëmijëve tanë në radhë të dytë. . .Por vendosja e fëmijëve tanë në radhë të dytë do t’u sjellë atyre dobi në të ardhmen.

Bibla mëson se themeli më i sigurt për jetën familjare është një martesë e shëndetshme. Studiuesja Moira Eastman tregon se:

Prindërit janë arkitektët e sistemit familjar. Marrëdhënia e tyre është guri i themelit për mirëqenien e gjithë familjes. Në familjet më të lumtura, studiuesit kanë vënë re një lidhje të veçantë dashurie midis të dy bashkëshortëve—një marrëdhënie të barabartë që e respektonin me të vërtet njëri-tjetrin. Marrëdhënia martesore ishte lidhja më e fortë në familje. (Marrë nga libri The Making of Love, fq. 141).

Të ndërtojmë një martesë të fortë, ndonjëherë do të thotë të vendosim dëshirat e fëmijëve tanë në radhë të dytë. Nëse e harxhojmë të gjithë kohën dhe energjinë duke u përpjekur të kënaqim ata, atëherë nuk na mbetet asnjë gjë çfarë t’i japim bashkëshortit/es.

Nëse duam që martesat tona të mbijetojnë—dhe për më tepër të lulëzojnë—duhet t’u kushtojmë atyre vëmendjen e duhur, pasi të bëhemi prindër. Kjo do të thotë të kalojmë kohë cilësore së bashku, të punojmë me komunikimin dhe me zgjidhjen e konflikteve dhe të sigurohemi se po prindërojmë si një ekip. Edhe pse duket si diçka paradoksale, vendosja e fëmijëve tanë në radhë të dytë do t’u sjellë atyre dobi në të ardhmen.

Mos harroni lajmin e mirë

Prindërimi është një detyrë jashtëzakonisht e rëndë. Ne mbajmë përgjegjësinë kryesore për edukimin moral të fëmijëve tanë. Kjo ndonjëherë përfshin edhe t’i lëmë ata të përjetojnë vështirësi dhe t’i vendosim dëshirat e tyre në radhë të dytë në martesën tonë.

Asnjëherë nuk do arrijmë t’ia dalim në mënyrë të përkryer, por gjithmonë mund të vrapojmë si fëmijë të vegjël në krahët e Atit tonë të dashur dhe të pushojmë në faljen dhe fuqinë e Tij të pafundme. Nuk kemi pse ta bëjmë këtë gjë vetëm, ne jemi pjesë e familjes së madhe të besimit të Perëndisë—një komunitet i tërë që dëshiron të shohë brezin e ardhshëm të dojë të tjerët për hir të dashurisë së Perëndisë.


Artikull i ngjashëm:

  • Lajmi i mirë për prindërit modernë (nga Harriet Connor)

Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/hard-truths-modern-parents/

Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet