×

Titulli i këtij artikulli nuk ka për qëllim të jetë një e vërtetë e thjeshtë. Qëllimi i tij është të tërheqë vëmendjen e mbështetësve dhe të kritikëve duke mbajtur një qëndrim të rëndësishëm që të gjithë anëtarët e këshillit tonë e marrin për të mirëqenë, por që ështëi panjohur për shumë lexues. Anëtarët e bordit kanë diskutuar afro gjashtë muaj që të publikonin këtë deklaratë, si vijon:

Ne nuk jemi një organizatë monolite; jemi një koalicion. Ajo që na mban të bashkuar është përkushtimi ndaj ungjillit të Jezu Krishtit, siç shprehet edhe në Dokumentet Themelore dhe Deklarata e Rrëfimit dhe Vizioni ynë teologjik për shërbesën. Kjo është një deklaratë e fortë; veç kësaj, jemi përpjekur t’i shkruajmë këto dokumente në mënyrë që të tregojnë atë që ne besojmë, jo vetëm nga ana intelektuale, (por janë përgatitur në mënyrë që të sjellin adhurim për Krijuesin dhe Shpenguesin tonë) të sjellin transformimin e jetës nën drejtimin e Mbretit Jezus dhe në fuqinë e Frymës së Shenjtë. Kjo na mban bashkë! Nga ana tjetër, ne jemi shumë të ndryshëm. Në këshillin tonë ka anglikanë, baptistë, pastorë nga kishat e lira, të pavarur, presbitarianë; pastorë të moshave, të prejardhjeve, të kulturave, racave dhe gjeografive të ndryshme; udhëheqës me pikëpamje të ndryshme teologjike për sa i takon qeverisjes së kishës, sakramenteve apo rendit drejtues, eskatologjisë, mënyrave të ungjillëzimit dhe vizioneve të përfshirjes kulturore. Në këto fusha, si dhe në shumë të tjera, jo vetëm që rezervojmë të drejtën e mendimit ndryshe, por edhe e promovojmë debatin e hapur. Me kënaqësi lejojmë që këto opinione të shpalosen në diskutime publike; me kusht që Dokumentet Themelore të mbeten të paprekura.

Për shkak se jemi koalicion, jemi të vetëdijshëm për disa gjëra. Duke qenë se mbajmë një qëndrim më të fortë ndaj ungjillit se disa denominacione apo organizata të tjera, disa njerëz do të mendojnë se jemi mendjengushtë, meqenëse i lejojmë debatet e hapura; të tjerë mund të mendojnë se jemi të shkujdesur. Me kënaqësi kemi mbështetur debate mes mbështetësve të teorisë së tokës së re dhe asaj të vjetër, mes pedobaptistëve dhe kredobaptistëve. Nuk jemi një denominacion i kufizuar apo një organizatë strikte parakishtare. Ne jemi një koalicon!

Kjo ka ndikim edhe në mënyrën se si i shohim blogjet në faqen tonë. Pjesa më e madhe e materialeve që shfaqen në faqen tonë të web-it, kalojnë së pari nga skuadra e talentuar e redaktorëve, por autorët e blogjeve dhe postimet e tyre trajtohen pak më ndryshe. TGC-ja pret që të gjitha postimet e blogjeve në faqen tonë të jenë në linjë me Dokumentet Themelore dhe të reflektojnë nismën e guximshme e të shprehurit të së vërtetës me dashuri. Herë pas here, këta autorë këshillohen me redaktorët tanë. Sigurisht, ata e dinë që shmangia nga Dokumentet Themelore, ashtu si edhe shfaqja e një mungese integriteti, është arsye më se e mjaftueshme për t’i larguar nga faqja jonë. Nga ana tjetër, ne nuk presim që autorët e këtyre blogjeve të bien dakord me të gjithë ata që shkruajnë e publikojnë në faqen tonë. Opinionet e shprehura te publikimet, nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e TGC-së. Ne jemi një koalicion!

Dhe, e thënë me një dozë ironie të ëmbël, ky është pozicioni zyrtar i bordit të TGC-së!

Don Carson

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet